Fatmir Terziu
I vikas zbrazëtisë. Pasthirma
e zbrazët shëtit në murin e saj të padukshmërisë
e largët,
e afërt,
me naivitetin e ngjashëm me të menduarit se ndihmon të gjitha plagët.
E vlerësoj zbrazëtinë,
dhe përpjekjet e saj për t'i bërë gjërat të ndihen mirë
ashtu si dëshiron të më mbajë ngrohtë
ditën me një batanije që shpon brinjën time të ftohtë,
natën si një trup i kotë…
… dhe habitem i zbrazur nga kjo Botë
si më mbron nga dielli që shkrin akuj dhe dëborë
në më më shumë se 28 mijë kilometra katrorë?!
I vikas zbrazëtisë,
natës, po aq sa dhe ditës,
aty ku qëndron burimi im i vetëm i dritës.
Dhe nganjëherë e ftoj vetminë kur ndihem pafuqishëm mbi lotët e mi,
përtej lodhjes,
përtej aritmikës
duke menduar se do t'i përmirësojë gjërat, duke mos e harruar ironinë përreth
ku po më shpie kjo zbrazëti e harruar
dhe sapo e ndjej,
gjithmonë replikon një ikje e gabuar.
Por e vlerësoj praninë e saj
sepse zbrazëtia është batanija e padukshme
më mbron prej të ftohtit,
më ndan frikacakun prej frikës
është kjo shenjëz e trazuar e mot-motit
dhe ombrella e errësirës.
Ndaj më këshillon me retorikë: „Je ndjerë vetëm?“
E unë e pyes pa frikë: „Si?“
Zbrazëtia më përgjigjet prerë: „si në Shqipëri!“
… dhe habitem sërish si ndonjë i shastisur nga ajo Botë,
si më mbron zbrazëtia nga Dielli që shkrin akuj dhe dëborë
në më më shumë se 28 mijë kilometra katrorë?!
Comments