SAMI ROÇI, PIKTORI QË NUK U LARGUA NGA QYTETI I TIJ I LINDJES
Shkruar nga AVNI ALCANI
Sami Roçi, është një nga piktorët e talentuar librazhdas, i mirënjohur në rrethet e artistëve pamorë të Shqipërisë, i cili nuk është largua kurrë nga Librazhdi, qyteti i tij i lindjes.
Sami Roçi ka lindur më 24 korrik 1954 në qytetin e Librazhdit. Babai tij, Qamil Roçi ka qenë nënpunës në Ndërmarrjen Tregatare të qytetit të Librazhdit, por familja e tij jetonte ende në Hotolisht, në vendin e origjinës së tij. Në shtator të vitit 1967 familja Roçi u vendosën familjarish në qytetin e Librazhdit, për të banuar në Lagjen nr. 2, pallati nr. 15, ku banonte edhe familja ime.
Në fund të shtatorit të vitit 1967, kur unë isha në klasën e shtatë, sapo isha rikthyer në shkollë pas një aksidenti që më kishte shkaktuar thyerjen e dorës së majtë. Vura re se në klasën time kishte ardhur një nxënës i ri, i cili po qëndronte i ndrojtur në bankën e tij. Ishte shumë i urtë, sa mezi e nxirrte një fjalë nga goja. Shumë shpejt vura re se ai ishte edhe një nxënës i mirë në mësime, pasi merrte vazhdimisht nota shumë të mira. Gjithashtu më ra në sy edhe një dhunti tjetër të tij: Samiu vizatonte shumë bukur.
Në klasën tonë unë kisha qenë “piktori” i vetëm i klasës. Tani ishim bërë dy. Atë vit (1967), në shkollën tonë kishte ardhur një mësues i ri vizatimi, i cili quhej Sotiraq Kuqali. Sotiraqi ishte nga qyteti i Korçës, i cili sapo kishte kryer Liceun Artistik të Tiranës për pikturë. Mësues Sotiraqi, ne nxënësve në klasë sonë, na udhëzonte se si të vizatonim me metodat e teknikës së vizatimit, që ai e kishte mësuar në shkollë, gjë që për ne, nxënësit e tij, ishte një praktikë e re dhe e panjohur. Që në fillim, si unë dhe Sami Roçi, i tërhoqëm vëmendjen mësuesit tonë si vizatuesit më të mirë të klasës. Fatkeqsisht, pas një viti mësuesi ynë i vizatimit u largua përgjithmonë nga qyteti ynë.
Në përgjithësi unë dhë Samiu nuk bisedonim kurrë për pikturën dhe as në se kishim dëshirë të vazhdonim, apo do të konkuronim në ndonjë shkollë arti. Në qershor të vitit 1969, pas mbarimit të klasës së tetë, unë konkurova për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja në Tiranë dhe, pasi e fitova konkursin, në shtator fillova mësimet në shkollën e mesme. Kishin kaluar gati dy javë nga fillimi i shkollës kur në klasën tonë, ku zhvillonim lëndët e kulturës së përgjithshme, futet pa pritur Sami Roçi. Unë u çudita jashtë mase kur e pashë, pasi nuk e dija se edhe Samiu kishte konkuruar në Lice. Kur u takuam pas mbarimit të mësimit, Samiu më tha se gjatë muajit gusht kishte konkuruar bashkë me Arben Lazen dhe disa nxënës të tjerë të prapambetu dhe të dy kishin fituar. Gjatë katër viteve të shkollës (1969-1973), Samiu ka patur mësues të pikturës prof. Hasan Çaparin, një nga piktorët dhe mësuesit më të mirë të kohës.
Në vitin 1973, gjatë dipllominit në maturë, Samiu arriti notën maksimale (10) dhe, siç ishte vendosur rregulli atë vit, ai shkoi direkt (pa konkurs) në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën Skenografi. Pati si pedagog prof. Shaban Hysa, një nga piktorët dhe skenografët më me emër në atë kohë. Institutin e përfundoi në vitin 1976. Emërohet fillimisht si skenograf në teatrin “Bylis” të Fierit, në të cilin mbrojti shkëlqyeshëm edhe temën e dipllomës. Me talentin dhe sjelljen e tij të mirë, Samiu fitoi respektin për punën, si dhe konsideratën më të lartë e të gjithë kolektivit të tetrit “Bulis” dhe të drejtuesve të këtij teatri.
Samiu ishte duke përjetuar në qytetin e Fierit ditët më të bukura të karierës së tij, kur papritur i erdhi transferimi për në Librazhd (!). Drejtuesit partiakë të Librazhdit, dhe pikërisht njëri nga sekretarët vendorë të komitetit të partisë të rrethit, i cili kishte bërë çmos që djali i talentuar nga Librazhdi të rikthehej në vendlindjen e tij. Dëshpërimi i Samiut ishte i madh, pasi po largohej nga profesioni i tij si skenograf, për të cilin kishte investuar katër vitet e shkollës së lartë.
Në dhjetor të vitit 1977 Samiu emërohet mësues vizatimi në shkollën 8-vjeçare të qytetit të Librazhdit. Aty u ritakuam përsëri bashkë, pasi edhe unë isha caktuar mësues (provizor), si zevendësues, por për pak kohë, pasi në janar 1978 më çuan mësues vizatimi në Stravaj.
Në qershor të vitit 1978 unë u riktheva në Librazhd dhe u emërova ciceron në Muzeun Historik të rrethit. Pas një viti u vendos që të ngrihej Muzeu Etnografik i rrethit. Unë i propozova drejtorit të muzeut, prof. Ilir Gjipalit, që skenografinë e muzeut, duke përfshirë ambientet muzeale, ndarjet dekorative, vitrinat, podiumet etj., t’i besoheshin Sami Roçit, i cili kishte kryer shkollën e lartë për këtë specialitet (skenografi). Sami Roçi bëri një punë të shkëlqyer dhe një nga meritat që ai muze doli aq i bukur, padyshim që ka qenë merita dhe puna krijuese e Sami Roçit. Pas mbarimit të muzeut, Samiu filloi punë në muze dhe kemi punuar bashkë deri në largimin tim përfundimtar nga ky muze, në gusht të vitit 1986.
Më pas Samiu ka punuar si skenograf në Pallatin e Kulturës në Librazhd Është rikthyer përsëri për disa vite në muze dhe është rikthyer përsëri në Shtëpinë e Kulturës, në të cilin ka punuar deri në daljen e tij në pension.
Samiu ka pasur një krijimtari shumë të begatë në pikturë. Ai ka marrë pjesë gati në të gjitha Ekspozitat Figurative Kombëtare të hapura në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë. Disa nga pikturat e tij më të spikatura janë: “Çermenikasit”, “Golomara”, “Minatorët e Pishkashit” etj. Pas vitin 1990 ka hapur ekspozita kolektive dhe personale në qytetet Tiranë, Vlorë Korçë, Berat dhe Librazhd. Ka qenë antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë deri në mbylljen e saj. Disa nga punimet më të mira të tij, si peisazhe, grafika etj., ndodhen të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë, kurse pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij, si portrete, kompozime (tabllo kompozicionale) etj. ndodhen në koleksione private brënda dhe jashtë Shqipërisë. Galeria Kombëtare e ka veçuar në dy evenimente të rëndësishme kombëtare, mes 47 autorëve shqiptarë, si në 100 vjetorin e vizatimi, e hapur në Galerinë Kombëtare, dhe në Ekspozitat shëtitëse në Juglindje të vendit gjatë vitit 2023: në Korçë, Pogradec, Librazhd dhe Elbasan.
Sami Roçi është autori i emblemës së Bashkisë së Librazhdit.
Sot Samiu jeton dhe punon në qytetin e Librazhdit. Në Librazhd Samiu ka studion e tij personale të pikturës, në të cilën ende vijon të punojë dhe të krijojë. Në ambientet e saj ka ekspozuar me dhjetra punime të tij, si tablo kompozicionale, portrete, peisazhe, grafika etj.
Në këtë viti jubilar të 70-vjetorit të lindjes së tij, Samiu është duke përgatitur një ekspozitë retrospektive me veprat më të mira në pikturë, të krijuara ndër vite.
I urojmë mikut tonë Sami Roçi: shëndet, krijimtari të mbarë, si dhe punime sa më të bukura për të dhe për qytetin tonë të Librazhdit.
Comentários