
U ngul thellë muaj e vjet
Në kolltuk një ministër.
Modeloi siç deshi vet
“Bukur”, punët me regjistër.
Vite e muaj patëm në krye
Një drejtor që “shkëlqente” !
Shumë përpiqej, mor u shqye,
Por ca gjëra s’i rrëfente.
Ti dhe unë, shkruar me ligj
I dëgjonim, i besonim…
“Drejtuesit s’pranojnë miq…”
Oh sa bukur ligjëronin !
“Zanati” ka dhe sekrete,
Kthesa, brryla, shqelma, dorë…
Mjeshtërisht luajnë për vete
Ministra, shefa, drejtorë !
Dielli s’lind ngaherë njëlloj,
Vijnë dhe ditë me rrufe…
E drejtuesit, “ngjyer me bojë”
Marin rrugën për “fole “ !
“Besuam !…”
Firmë e vulë t’i besuam,
Vulë e firmë ty t’i dhamë.
Shtatë të tjerë mënjanuam,
Në kolltuk “Njësh” të lamë.
Shpresëndezur brohoritëm
“Qyteti do të ndërrojë faqe !
Të bukurat ditë arritëm,
Do t’shtohen lulishte, parqe.
Pa ndërprerje ujë e drita
Do të kemi ditën, natën.
Shkolla, çerdhe, ekspozita
Do t’ndërtojmë për popullatën.
Do mirësohen shërbimet
Gjithkund rregull, pastërti.
Do ulen taksat dhe çmimet,
Do mbillen pemë mbi çati!...”
Por vulë e firmë “venite”,
Marrëzisht “lirinë ua hoqe”.
Veç të tuat duar “mahnite”,
Dhe në dimër “thana poqe”
Besimin tonë e “forcove” !
Nga sa prisnim, krejt ndryshe
Çfarë kërkonim i harrove.
Ah, për vete plot u mbushe !
Commentaires