top of page

Petrit  Malushi: Banorët e rinj të pallatit tim



 

   Pallati ynë është pesëmbëdhjetëkatësh. Unë banoj në katin e shtatë. Jam banori më i vjetër, pasi kam hyrë i pari, kur ende nuk kishin përfunduar punimet plotësisht. Kjo ndodhi para njëzet e tetë vitesh. Brenda pak muajsh erdhën edhe banorët e tjerë dhe pallati u mbush plotësisht. Disa i kishin hyrje të dyta ose të treta dhe i lëshonin me qera të vazhdueshme. Qeraxhinjtë ndërroheshin shpesh. Ne të tjerët ishim familje të reja, me nga dy-tre fëmijë të vegjël, që shkonin nëpër kopshte dhe shkolla. Gëzimi i prindërve të rinj dhe fëmijëve ishte i dukshëm. Përshëndeteshim përzemërsisht me njeri-tjetrin, në shkallë, sheshpushimet, në ashensor, tek hyrja. Shkëmbenim vizita në ditë festash apo në raste gëzimesh e fatkeqësish. Gratë qëndronin më gjatë kur takoheshin. Pyetnin e pyetnin sikur nuk kishin më rast tjetër për t’u parë. Fëmijët trokitnin pa ndroje dhe luanin bashkarisht. Në shkollë shkonin grupe-grupe dhe po ashtu ktheheshin. Lëvizjet, zërat dhe zhurmat e tyre nuk bezdisnin askënd, madje na falnin kënaqësi kur i dëgjonim. Me kalimin e viteve fëmijët u rritën. U arsimuan. Përfunduan studimet e larta dhe zbritën në rrugët e jetës. Secili rendi në drejtimin që synonte. Shumë u punësuan në vende të tjera, jashtë shtetit. E në planet e të ardhmes për ta shtrohej krijimi i familjeve. Kalimin në shtëpi të reja, qoftë brenda qytetit, brenda vendit apo edhe përtej kufijve shtetërorë krijonte boshllëk tek pallati fëmijërisë. Pati nga ata që pranë morën edhe prindërit për t’i ndihmuar në përkujdesjen dhe rritjen e vogëlushëve të lindur. Kështu baballarët dhe nënat u bënë gjyshër e gjyshe dhe djemtë e vajzat u bënë babi e mami. Prej atyre që largoheshin kishte që i shisnin banesat apo i lëshonin me qera.                                                                                                                               .     Si pa kuptuar numri i familjeve që hyri në fillim pakësohej. Fytyra të reja nisën të vinin, të iknin, e të vinin të tjerë. Kjo vazhdon ende. Por po rrallohen ata që flasin shqip. Në katin ku jam unë ka ardhur një familje arabe, një egjyptiane, një çift italian dhe dy biznesmenë grekë. Kati i dhjetë është mbushur me të rinj afrikanë që meren me sport. Ka midis tyre futbollistë e basketbollistë. Në katin e trembëdhjetë janë disa të reja amerikane me ngjyrë, që luajnë basketboll e volejboll me ekipe të ndryshme në kryeqytet e qytete të tjera. Nga Bangladeshi janë një grup i vogël që punojnë në një lavazho makinash. Tre-katër, në katin e gjashtë janë kuzhinierë turq. Në dy katet e sipërme ka vite që vazhdimisht vijnë italianë të moshave të ndryshme. Rrinë me javë për të kryer operacione plastike në hundë, vendosin proteza dhëmbësh apo mbjellin flokë. Thonë se këtu shërbimet për këto ndërhyrje janë më të lira se te vendi i tyre. Dy familje iraniane janë sistemuar në katin e pestë. Në katin e katërmbëdhjetë ishte një trajner futbolli dhe një ndihmës i tij, të dy kroatë, por tani kanë ardhur dy brazilianë. Drejtojnë një ekip të kategorisë së parë. Tre tregëtarë kinezë banojnë në katin e njëmbëdhjetë. Në të nëntin është një çift japonezësh që kanë hapur akademi për sportin e taekuendosë. Në katin e dhjetë janë dy-tre moldave. Në një kat tjetër tre të rinj që rrinë përherë të kollarisur dhe me libra në duar, janë të fesë “Jehovai”.      Lëvizjet e banorëve “internacionalë” janë të shpeshta dhe nga vende të ndryshme europiane, aziatike, latino-amerikane, afrikane… Gjatë komunikimit midis tyre apo përshëndetjeve nga thekset e të folmeve kupton që ka ballkanas, filipinezë, azerbajxhanas, turkmenistanas, kurdë, koreanë… Tregues tjetër në distancë janë veshjet. Ka me veshje normale, me gjysmë veshje, me veshje sportive, me fytyra të mbuluara...Në ashensor dhe në sheshpushime dukesh sikur je në një aeroport ndërkombëtar…Të përshëndesin : “jasu, ti kanis…”, “bonxhorno…”, “selamun alek…”, “dobro, dobro…”, “okej…”, “gud…”, “cing cung…”                                                                                                                                             

.     Sipas tyre “pallati ynë” qenka një pjesë parajse ku mund të bashkëjetojnë e të ndihen mirë edhe ëngjëlli edhe djalli, edhe i mençuri edhe budallai…              

Jeton si të duash… Bën çfarë të duash…                                                                                                                                               

Por, neve nuk na duket kështu !     

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page