Pesha e lotit tjetër
Nga Fatmir Terziu
Vjet shkova në muajin tetor në Elbasan. Shkova dhe pashë ndryshimin e formatit të lotëve në sytë e mi. Tashmë formati i tyre kishte marrë formën e rrjedhës. Shfaqeshin dhe iknin pakontrollueshëm. E gjitha ishte nga thellësia. E brendshmja ishte thjesht një fabrikë që i prodhonte. E jashtmja i ndjente dhe … ashtu sikurse ndodh me lotët vetë ekzistenca kupton faktorët e tjerë. E kështu sapo kthehesha nga vizita e parë tek varret e saporregulluara të dy prindërve të mi në një cep të rrugës që ndan kryqëzimin tek shinat e trenit sytë më kapën imazhin e një dore që tundej në ajër. Një zë pastaj më erdhi në veshët e mi.
-Fatmir, paske ardhur? – ishte zëri që ndjeva sa ktheva kokën në atë drejtim, ndërsa një makinë me një shpejtësi rrufe gati kaloi ngjitur me mua. U tremba. Fshiva sytë dhe mendova se lotët më kishin krijuar një farë mjegulle në sy. Sakaq bëra më tej, në fakt në anën tjetër të kalimit për tek njeriu që më tundte dorën. E pashë. Dukej më i moshuar. Ishte një miku im i vjetër. Ishte Selaudini. Ai tashmë i kishte kaluar të shtatëdhjetat, por në sytë e mi m'u duk akoma më i rrënduar. U takuam me përmallim dhe e ftova për një kafe. Ai më tha se nxitonte, dhe kafenë mund ta pinim pasdite, por nuk më tregoi arsyen pse po nxitonte. E pashë që edhe në sytë e tij diçka e ngjashme ndodhi, sikurse ndodhte papritshëm me sytë e mi. Një bulëz e lehtë i rrëshqiti poshtë nëpër faqe. Epo, thashë me vete do të jetë ndonjë peshë loti që shpëton nga malli, nga mosha e ku ta di unë. Pastaj shtrënguam duart dhe u qafuam me respektin reciprok dhe u ndamë.
Unë u bëra kurreshtar për shqetësimin e peshës së atij loti. Ndjeva diçka që më preku. I dhashë një sy nga pas, dhe e pashë se Selaudini ndoqi rrugën për nga Poliklinika. Syri nuk mund të shkëputej prej tij (se ç'kisha një parandjenjë për atë rrjedhë të lotit të tij). E pashë që hyri në një nga dhomat e mjekëve të katit të dytë të Poliklinikës. Dhe ashtu, ndoshta krejt instiktivisht u bëra palë në ballë të derës. Ai trokiti dhe e la derën pas gjysëm të hapur. Tashmë e kuptova se Selaudini kishte një takim për një ekzaminim, por që kishte ardhur gati një orë më herët.
U afrova të dëgjoja… Ai fliste ngadalë, por me një zë mbyllur në vetvete. Doktori, një djalosh i ri, nga këta të sapodalët në detyrë, e dëgjonte me vëmendje.
“E di që të kam vënë në një pozitë të vështirë i nderuar doktor, por po të kërkoj me lutje të më pranosh”, - tha Selaudini, po me atë zë që i dridhej dhe hera-herës më dukej se dilte me fjalë si të ngrëna në mes.
Doktori vetëm dëgjonte. Në një moment mori stirolapsin në dorën e tij të djathtë dhe filloi ta rrotullonte mes gishtave. Selaudini e pa me kujdes në sy dhe vazhdoi.
„Vetëm në orën 9 kam një punë jashtëzakonisht të rëndësishme që nuk mund ta shtyj në asnjë mënyrë.“- të lutem më mirëkupto.
Doktori la menjëherë stirolapsin, e shtyu pak më tutje karrigen dhe i foli.
“Mirë se erdhe, nuk ka problem”, tha doktori.
Unë mbeta disi i përhumbur. Kisha ngrirë me dëgjimin e ngulur andej nga dhoma e ekzaminimit. Pasi mbaroi ekzaminimin, doktori, i cili edhe vetë e kishte vëzhguar gjatë gjithë kohës shprehjen e tensionuar të Selaudinit, nuk hezitoi dhe e pyeti:
„Më falni kureshtjen, por a mund të më thoni pse jeni kaq i nxituar?“ Në moshën tuaj, njeriu nuk ka shumë detyra të ngutshme dhe urgjente.
„Unë do t'ju them juve, por ama vetëm juve i nderuar Doktor“ u përgjigj Selaudini, që dukej mjaft i lodhur. „Duhet të shkoj në shtëpi në kohë, pra në orarin e duhur, është koha për të ushqyer gruan time të sëmurë.“ Unë gjithmonë i jap mëngjes në të njëjtën kohë. Ajo u diagnostikua me një sëmundje të …, eh punë sëmundjesh i nderuar doktor, dhe unë duhet të kujdesem shumë për të.
„Oh, më vjen keq... Por me këtë sëmundje... më vjen keq ta them, vështirë se ka rëndësi për të në cilën orë e ha mëngjesin, dhe se kush e ushqen atë.“ – i foli doktori, ndërsa shtoi, „Unë nga ana mjekësore mendoj se ajo nuk e di në cilën orë është dhe as që e di se kush jeni ju…“
Selaudini bëri nga dera dhe foli në ikje e sipër.
- Po, ajo vërtet nuk e di kush jam unë... - psherëtiu Selaudini. „Por unë e di se kush është ajo.“ – shtoi ai ndërsa ajo rrjedhë e pasuar nga sytë nëpër faqe bënte punën e saj. Selaudini vazhdonte të pëshpëriste, ndërsa unë i vura dorën nga pas dhe e shtrëngova fort, Selaudini vazhdonte të fliste pa e ndjerë ndoshta aspak dorën time. „Ajo është dashuria e jetës sime me të cilën kam kaluar mbi pesëdhjetë vite të mrekullueshme të jetës sime.“ Unë kisha një arsye më shumë të shumoja peshën e lotit tjetër.
Σχόλια