
Mirrëmëngjes ose… siaps kohës së leximit. Vetëm për miqtë dhe dashamirësit e poezive të mia. E pse jo për të gjithë? Përzemërsisht!
Pesë poezi të tjera nga Fatmir Terziu
1. Me ty
Lulishtja qëndis molin e vet
lulet ulin kokën,
kur një lastar zambaku i përkëdhel si mbret.
Lulishtja punon
Ajo zbukurohet. Sytë
ndriçojnë botën e saj si me neon
e mëngjesi pi çaj erëmirë
në buzë meneksheje të njomë.
Pronari shëtit në një gji të madh
lulishtja djersit
të dy e kanë një hall.
2. Fëmijëria
Dikur fëmijëria bariste me sinorin e syve
në një stol të braktisur
kërkonte pakuptim enigmën e dashurive.
Dhjetë vjet më pas
stoli u shkul nga Bashkia
e në ato dhjetë vite, jo shumë larg
u mbyll ai kapitull nga fëmijëria.
Diku në një moshë tjetër
fëmijëria shkruante një libër për atë stol
në një stol tjetër, … në ëndërr.
3. Në park
Do kohë që ta kuptojë mosha
gjysmë rrëfimin
hedhjen e plehrave në kosha.
Ndoshta për këtë është shumë pas tërë Bota,
plehëra mbi plehëra nuk bëhen pleh
plehërat i bën pleh Toka.
4. Drapër
Sa herë që ngre kokën një gjëmbaç
duhet një drapër
e një dorë grusht i gjallë.
Marksi e përmendi me zell në librat e tij
Papa nuk e bekoi
Shkolla e Frankfurtit nuk e përzgjodhi si simbol
Gruaja e parkut „Rinia“ e nderoi me grushta
ndërsa e pa në një libër të hollë
ku krah tij ishte vendosur pushka.
Që nga ajo ditë ajo grua flet vetëm me veten:
„Gjëmbaç të tillë janë të gjithë pushtat!“
e thonjtë si drapër mbi një pllakë të bardhë treten
mbledh forcë atje poshtë po s'ngre dot grushtat…
5. Kthim
Kthehem shpesh me këmbët e mia
mbi barin e mbirë
tek parku „Rinia“.
Kthehem dhe e ndjej se ende e dua
ky bar më ngjan mua.
E kam kuptuar qëllimisht
ai e ngre kokën
për t'u qethur vazhdimisht.
Kthimi këtu ka një tjetër emër
sa kohë duhet kujtuar bari ku shtrihet një femër?
Comentários