
Perënditë i krijoi njerëzimi, pastaj i zboi nga vetja. Mesa duket i kushtëzonin lirinë. Ngaqë u mësua me to dhe nën pushtetin e tyre shpirtëror, u desh t’i zëvëndësonte me qënie të zakonshme tokësore. Mes turmës zgjidhte atë që mishëronte tiparet e drejtuesit, të cilin e shikonin me adhurim dhe e ndiqnin pas me verbëri. Mbase më të fortin, më të dhunshmin. Madje, edhe fatet tona janë të verbra, dhe kështu do jenë, përjetësisht. Ndryshe, popujt s’do t’u bindeshin qorrazi rregjizorëve të vdekjes. Le të shpresojë njeriu, punë e madhe! Gënjeshtrat e bardha janë ushqim i dëshiruar. Më kot ëndërrojnë lulëzimin e pranverës në muajt e acartë. Kjo stinë e bukur s’mund të qendrojë në kraharorin e dimërit. Shpesh herë dua të besoj se kam lindur duke vdekur. Ndoshta s’jam i vetmi, por jam vetëm. Qyteti në të cilin banoj më duket si fëmijë i jashtëligjshëm. Gjithsesi, streha ime e përkohshme është aty. Mos u çuditni, unë s’mund ta fsheh zemrën time, ndoshta dhe ju, paçka se heshtjen e keni zgjedhur si këshilltare. Dhe mirë bëni. Zërat e bashkuar shkojnë larg dhe kanë mundur t’i trondisin muret e larta të izolimit. Është përvoja që na afron historia e njerëzimit. Ne s’kemi mundur të qendrojmë rreth të njëjtës vatër e të ngrohemi nga i njëjti zjarr. E mbaj mënd mirë ditën kur më kryqëzuan idhujt e rremë...Në telefonin tim mbaj shumë emra të vdekurish. S’dua t’i fshijë nga kujtesa. Edhe ata kanë vendin e tyre mes të gjallëve. Më ndodh t’i përfytyroj me varret ngarkuar në shpinë, si mërgimtarë. Kam mundur të vizitoj shumë vende të botës dhe kam parë qentë e lidhur me zinxhirët në duart e zotërve të tyre. Dhe kjo ndodh që të mos paguajnë dëmin që mund t’u shkaktojnë të tjerëve kafshët e tyre. Ndërsa këtu i shikoj të shpenguar rrugëve dhe trotuarëve. I trembem kafshimit të qenëve. Zotërit e tyre janë perënditë e reja që kemi pranuar. Ata s’preken nga ligji. Dikush përpiqet t’i ngjajë Panit të Madh-hamshor, vishet dhe sillet si ai, bën orgji kur dëshiron dhe aq sa mundet. Ka edhe perëndi të frikshme me fytyrë të vrerosur dhe nofulla të shtrembruara nga urrejtja. Mos qofshin këta më jetëgjatët! Një tjetër perëndi përpiqet t’i ngjajë yllit polar, e kështu me radhë. Ndërsa perënditë e seksit femëror janë ndryshe. Ato zbresin mbi krye dritën e diellit, të ngjajnë joshëse. Të tjera pëlqejnë të vishen me ngjyrën e Hënës, me floririn e saj. Janë mes nesh dhe mbi ne. Për ata që duan të besojnë, gënjeshtrat e tyre pranohen apriori si të vërteta. Kur ndjehesh i braktisur nga moskuptimi, të parët që largohen janë njerëzit e tu të gjakut. Mëshira ime s’mund t’a shërojë këtë lëngatë. Arsyehumburit s’mund të gjykohen. As ata që rrufisin kafen e hidhur nën thirrjet e kasnecëve. Hipokrizia është pranuar si veshje e çmuar mode, gjthkund! Të gjithë flasin badjava, dhe çuditërisht të gjithë kënaqen. Ligështohem për të njohurit e mi, të cilët kanë futur lugët në çanakun me çorbë të prishur. Ndoshta e kanë nga halli. Shpresojnë që perënditë e tyre tokësore do jenë të përjetshme. Puthin duart e atyre që i kanë rrëzuar përfund dhe në gjende verëbërie s’shikojnë kryefronin e dashurisë. Ai është faruar qyshkur. Urrejtja me shigjetat helmuese e ka uzurpuar me përdhunë. Kjo është një murtajë botërore. Rrebeshi që ka nisur s’dihet se ku do derdhet së pari. Qofshim larg tij dhe më pranë njëri-tjetrit. Doemos, në mundshim!
Comments