“Pengu” i një shoqërie të ngujuar


GRIGOR JOVANI

“Pengu” i një shoqërie të ngujuar


GRIGOR JOVANI


Lajmi.


Ditët e fundit, aty - këtu në shtypin vendas, në atë të përditshmin dhe në atë më të specializuar, u shfaqën njoftime të shkurtëra me një lajm artistik, që ndonëse kishte një rëndesë jo të zakonshme për standartet kulturore greke, prapëseprapë kaloi pa jehonën që natyrshëm i takonte. Që të mos zgjatem, filmi artistik “Pengu” i regjisorit Konstantinos Janiaris u caktua zyrtarisht nga Qendra Kinematografike Greke të përfaqësojë Greqisë në Çmimet e përvitshme Ndërkombëtare Kinematografike “Felix” , për kategorinë “Filmi më i mirë evropian i 2005-sës”.

Njoftimet dhe komentet e angjencive të lajmeve nga Berlini, ku ka qendrën Akademia Evropiane e Kinematografisë, e cila organizon çdo fillim dhjetori dhënien e përvitshme të këtij Çmimi, i barazvlershëm me “Booker”-in letrar të Londrës, e caktojnë “Pengun” si kandidatin kryesor për “Felix”-in e këtij viti. Është njëlloj sikur Kombëtarja greke të arrinte sërisht në finalen e Kampionatit Evropian të Futbollit, sikur grekosuedezja Elena Paparizu të ishte përsëri një hap nga fitimi i vendit të parë në Eurovizion ose sikur letërsia greke të kandidatohej për herë të tretë për fitimin e Nobelit letrar të Stokholmit.

Merrni me mend zhurmën që do të shkaktohej në një rast të tillë...

Mirëpo, ja surpriza: Tani për “Pengun” e Janarit asgjë nuk dëgjohet. Përveç disa alegorive në fund të njoftimeve të shkurtra, të tipit të “Elefterotipisë” së kësaj jave: “Vjet “Felix”-in kinematografik e fituan turqit, me “Head on” të Fatih Akinit. Makar sivjet “sihariqi” të jetë për ne. Mbase atëhere do të mësohemi ta shikojmë ndryshe këtë film (!!!)”. Ose si shfrimi i dëshpëruar i një kritiku tek e përditshmja “Miso - Miso” (Gjysnë për gjysmë): “Vlerat që në Greqi konsiderohen të dyshueshme ose të papranueshme, i pranon dhe i nderon Evropa”. (Siç duket, ngaqë i vinte turp prej konkluzionit të mësipërm, autori nënshkruan me inicialet F.B.).

Përse tingëllojnë trishtueshëm këmbanat e medias greke?

Ç’ndodh?! Përse kolegët grekë ndrydhin vetveten në këtë rast, duke u detyruar të flasin me gjysmë zëri dhe me aludime, kur dihet që për “sihariqe” më të vogla kthejnë botën përmbys?! Qysh u harrua kaq shpejt dufi patriotik i Patulidhus, atletes së madhe greke, që u bë proverbial: “Për Elladhën, “re gamoto”! Triumfi i “Pengut” nuk do t’i shërbente, vallë, këtij qëllimi?! Domethënë, Greqisë?

Që t’u përgjigjem pyetjeve të mësipërme, do të më duhet të kthehem një vit më pas, për të bërë kronikën e këtij filmi.

Shpresa të mëdha.

Në fund të 2004-ës, në zemër të kryeqytetit britanik, qendra e famshme kulturore londreze “Tate Modern” organizoi premierën e filmit artistik “Pengu” të regjisorit grek Konstantinos Janiaris. Nuk ishte një veprimtari rutinë, pasi ishte hera e parë që në mjediset e “Tate Galeri” shfaqej premiera e një filmi. Shkak për këtë u bë ekspozeja “Time Zones”, me temë qëndrore ndjeshmërinë ndaj problemeve të emigrimit dhe të fytyrës multikulturore, që po merrte Evropa Qendrolindore. Filmi i sapolindur i Janiarit “Pengu” ishte “lektori” më i mirë në këtë veprimtari. Medja elektronike dhe e shkruar greke e atyre ditëve dha beteja homerike për t’i rrëmbyer regjisorit të ri të talentuar një intervistë të rastit. Nderi që i bëhej kinematografisë greke prej snobëve britanikë nuk mund të lihej pa u evidentuar... Nga ana e tij, 44 vjeçari Janiaris, ishte ylli i ri në qiellin helenik të artit të shtatë. Me një gojë, kritikët grekë e konsideronin vazhduesin e natyrshëm të të famshëve të përbotshëm grekë Teo Angjelopulos dhe Kosta Gavras. Paçka se kishte diçka që nuk honepsej tek filmat e tij. Diçka që nuk përtypej nga kritikët athinjotë të artit. Diçka që ishte kundër rrymës. Kritiku i njohur kinematografik I.Zubulakis bën këtë portret për regjisorin e ri: “K.Janiaris, regjisori i revoltuar i brezit të krijuesve të 90-tës, shpreh në mënyrë skandaloze shqetësimet e tij dhe ndjen gjer në palcë psherëtimat shpirtdhënëse të një shoqërie në kalbëzim. Filmat e tij janë të dëshpëruara, mbase të bezdisshme, por mikrografira të sinqerta dhe reale të një shoqërie të mbarsur me racizëm dhe urrejtje”.

Stop këtu! Vini re:

Janiaris, denoncues i racizmit, i kësaj gangrene të shoqërisë së sotme greke? O, po këtu është lajmi. Mbase, në një masë të madhe, edhe shpjegimi, ndaj këtij qëndrimi përkundrejt regjisorit të talentuar. Gazetarja e “Kathimerini”-së E. Bernardu, konkludon tek fakti i pamohueshëm, se “Janiari ka aq simpatizantë, sa edhe kundërshtarë të vendosur. Kjo, sepse regjisori në fjalë nuk ka frikë të thotë atë që ndjen dhe mendon, sado e bezdisshme dhe e papranueshme qoftë ajo për të tjerët”.

Po kush ta fal këtë?! Të paktën, jo grekët e sotëm...

Fjalë profetike për Janiarin, të thëna ditëve, kur ylli i tij shkëlqente në “Tate”-n londreze, pa ditur se në qiellin helenik po grumbulloheshin ndërkohë re homerike, të denja për profecitë ogurzeze të Kasandrës.

Filmi.

U pranua zyrtarisht nga Qendra Kinematografike Greke: “Pengu” ishte filmi më i kushtueshëm dhe më i propaganduari grek i dhjetëvjeçarëve të fundit.

Pretendimet ishin të mëdha. Po ashtu dhe garancitë për suksesin.

Së pari, tematika. Skenari u ndërtua mbi një ngjarje të vërtetë, të ndodhur vetëm disa vite më parë, që kishte tronditur si rallë herë opinionin publik grek dhe kishte monopoluar asaj kohe interesimin e vazhdueshëm të medias vendase. Emigranti fatkeq shqiptar Flamur Pisli kishte kryer një akt piratie, duke rrëmbyer në Selanik një autobuz, plot me pengje njerëzorë, grekë të së përditshmes, për ta udhëhequr me kërcënimin e armës në Shqipëri. Është i njohur fundi tragjik i kësaj historie. Veçse krijuesit e veprës së ardhshme kinematografike ishin të interesuar për “visaret” filmike që u ofronte kjo odise bashkëkohore: tension, drama njerëzore, sfond i ngarkuar shoqëror, karaktere në shpërrthim. Me një fjalë: gjalpë mbi bukën e artit të Janiarit, që ishte mjeshtër i sprovuar për tema të tilla.