top of page

Pengesë e mundësi



Astrit Lulushi


Si oksigjeni për zjarrin, pengesat janë lëndë djegëse për flakët - shpesh bëjnë të kundërtën e asaj për të cilën janë ngritur për të mbrojtur - shërbejnë që zjarri të digjet me egërsi më të madhe, ose si njeriu kur ndeshet me ato që nuk di, ulet e shkruan një libër.

Në vitin 170, një natë në çadrën e tij në vijat e frontit të luftës në Gjermani, Marcus Aurelius, perandori i Perandorisë Romake, u ul për të shkruar. Koha mund të kishte qenë edhe para agimit, ose pak çaste të lira midis dy betejave. Vendndodhja e saktë nuk është e rëndësishme. Ajo që ka rëndësi është që ky njeri, i njohur sot si i fundit nga Pesë Perandorët e Mirë, u ul për të shkruar, jo për një audiencë, as për botim, por vetëm për veten. Dhe ajo që shkroi është padyshim një nga formulat më të efektshme të historisë për tejkalimin e çdo situate të vështirë që mund të haset në jetë; formulë jo vetëm për tejkalim të pengesës, por për shkak të saj.

Në atë moment, Mark Aureli shkroi vetëm një paragraf, dhe vetëm pak nga ajo që shkroi ishte origjinale. Pothuajse çdo mendim, në një formë a një tjetër, mund të gjendej në shkrimet e mentorëve dhe idhujve të tij. Por me ato pak fjalë Marcus Aurelius përcaktoi dhe artikuloi mjaft qartë një ide të përjetshme, saqë eklipson edhe emrat e mëdhenj të atyre që kishin shkruar para tij: Zeno, Ariston, Apollonius, Epictetus, Seneca etj.

“Veprimet tona mund të pengohen.... por nuk mund të ketë asnjë pengesë për qëllimet tona. Sepse ne mund të përshtatemi. Mendja përshtat dhe konverton qëllimet e pengesës ndaj veprimit.”

Dhe përfundoi me fjalë të destinuara për maksim:

“Pengesa për veprim përparon veprimin. Ajo që qëndron në rrugë bëhet rruga.”

Ky është efekt i kundërt i pengesës, pengesë kthyer kokëposhtë; gjithmonë ka një rrugë tjetër për të arritur atje ku je nisur të shkosh. Pengesat ose problemet gjithmonë priten dhe kurrë nuk janë të përhershme. Ajo që e pengon njeriun mund t’a fuqizojë atë.

Këto vinin nga një njeri i veçantë, dhe nuk ishin fjalë boshe. Në mbretërimin e tij prej 19 vjetësh, Mark Aureli përjetoi luftra gati të vazhdueshme, një pandemi me humbje të tmerrshme, pabesi intrigash të mundshme, përpjekje ndaj fronit, udhëtime nëpër perandorinë ‘pax romana’, një thesar në shterrje, dhe mbi të gjitha një paraardhës të paaftë si bashkë-perandor. Dhe nga ato që dihen, Mark Aureli e shihte secilën prej këtyre pengesave si mundësi për të praktikuar durim, kurajo, përulësi, shkathtësi, arsye, drejtësi dhe krijimtari. Vdiq 59 vjeç. Thuhet se u vra nga i biri sepse kishte caktuar një gjeneral si pasardhësin e tij (The Gladiator, 2000).



11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page