
Nga Ndrek Gjini Jo më shabllone të mitizuara heronjësh Kane mbetur vetëm pak ditë nga dita e 108 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Mendoj se ky vit përbën momentin më të përshtatshëm për t’iu servirur më në fund shqiptarëve portretin real të Ismail Bej Vlorës. Ai duhet t’u paraqitet atyre në përmasat e tij reale dhe jashtë glorifikimeve dhe mitizimit. Kjo pasi për shumë dekada, figura e këtij diplomati karriere dhe burri shteti u mitizua ekstremisht. U arrit deri atje sa iu ndërrua madje edhe mbiemri. Duke shpalosur para shqiptarëve një Ismail Bej Vlorë, real, njerëzor, me meritat, zotësitë, gabimet dhe frikërat e tij, ne, realisht nuk ia zbehim aspak madhështinë, por e bëjmë figurën e tij më të besueshme për shqiptarët e vitit 2020, të cilët për hir të së vërtetës nuk mund të pranojnë më shabllone të mitizuara heronjsh. Në këtë kontekst, them se shqiptarët e vitit 2020, duhet të dinë me ekzaktësi dhe jashtë ndikimeve politike apo fetare, motivet reale që e shtynë Ismail Bej Vlorën drejt vendimit për ta shpallur Shqipërinë të ‘mosvarme’. Cilat ishin opsionet e tjera në lojë gjatë atyre muajve kur lufta Ballkanike sapo kishte nisur, dhe pse opsioni i tij qe më largpamësi, dhe më i dobishmi për vendin në atë moment? Shqiptarët e 2020-ës duhet të mësojnë të vërtetat e paretushuara rreth nxitimit të tij, dhe të Austro-Hungarezëve të cilët qëndronin pas tij, për të shpallur pavarësinë me aq ngut, megjithëse qeveria që ai do drejtonte nuk kishte nën kontroll as një të katërtën e territoreve të banuara nga shqiptarët. Shqiptarët në këtë 108-vjetor duhet të mësojnë të vërtetën rreth mënyrës se si Ismail Bej Vlora u zgjodh në postin e kryeministrit të parë shqiptar, si dhe motivet e dorëheqjes së tij. Izet Pasha, Esat Pasha dhe Ismail Bej Vlora Mendoj se tani pas 108-vjetësh të vërtetat duhen thënë ashtu siç janë, nën dritën e fakteve dhe dokumenteve, dhe jo të vazhdohet me gjuhen e glorifikimeve nacional-socialistë, si për shembull me ‘plaku i urtë’, ‘udhëheqësi largpamës, e mjekërbardhë’, e të tjera folklorizma si këto. Më konkretisht: Le të ndalemi për shembull tek momenti i dorëheqjes së Ismail Bej Vlorës nga posti i kryeministrit. Çfarë dijnë shqiptarët rreth këtij akti? A e dinë vallë ata se kush ia kërkoi këtë dorëheqje Ismail Bej Vlorës dhe pse? Çfarë pazaresh të fshehta kishte bërë ai me Esat Pashë Toptanin për të sjellë si princ në Shqipëri, Ministrin e Luftës së Perandorisë Osmane, Izet Pasha? Cilat ishin akuzat që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i kishte bërë Ismail Bej Vlorës, lidhur me keqpërdorimin e fondeve të grumbulluara nga doganat e këtij qyteti etj.? Të vërtetat e këtyre pyetjeve që parashtrova nuk ia zbehin aspak madhështinë kësaj figure. Ato veç e bëjnë këtë figurë me realiste, më të besueshme, më njerëzore. Dimensione këto që fatkeqësisht i mungojnë jo vetëm këtij lideri historik, por krejt historiografisë shqiptare. Për të ilustruar idenë time rreth domosdoshmërisë së ç’mitizimit të heronjve tanë, dëshiroj të rendis këtu shkurtimisht kushtet në të cilat Ismail Bej Vlora qe i detyruar të japë dorëheqjen. Shqipëria në një kaos total Në Tetor-Nëntor 1912 Shqipëria ishte në një kaos total. Forcat greke dhe serbo-malazeze po kryenin masakra në Veri dhe në Jug të Shqipërisë. Godina e rrëzuar e shtetit Osman kishte krijuar tek fqinjët tanë ortodoks premisat për dhunë, vrasje e spastrime etnike. Për t’i bërë ballë kësaj situate u projektua aleanca turko-bullgaro-shqiptare. Me 13 Gusht 1913, kongresi Xhonturk vendosi që të dërgonte në Shqipëri si Princ të vendit, ministrin Osman të Luftës, Izet Pashën, që ishte me origjinë shqiptare. Ky vendim iu njoftua edhe Ismail Bej Vlorës dhe Esat Pashë Toptanit. Sipas informacioneve që posedonin kolonelët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, (Misioni Hollandez), që operonin në Shqipëri në atë kohë, Ismail Bej dhe Esat Pasha ishin marrë vesh me njëri-tjetrin, dhe kishin rënë dakord që Izet Pasha të vinte në Shqipëri dhe të ishte Princi i ardhshëm i Shqiptarëve. Për realizimin e këtij plani u dërgua paraprakisht në Shqipëri Beqir Gebrenë Aga. Ai do të diskutonte me Ismail Bej Vlorën, Esat Pashë Toptanin dhe liderët e tjerë shqiptarë rreth forcave ushtarake dhe armatimeve që do të nevojiteshin për të shpartalluar invazionin panortodoks në Ballkan, dhe për të krijuar një shtet të unifikuar shqiptar. Por ishte Syrja Bej Vlora, (kushëriri i parë i Ismail Bej Vlores), ai që e dekonspiroi këtë plan, duke spiunuar kundër Ismailit dhe Esatit, tek Komisioni Ndërkombëtar i Kontrolli, dhe tek konsulli serb në Vlorë, Gavrilloviç. Çfarë ndodhi me 6 Janar 1914 Pas këtij spiunimi, me 6 Janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, nisi kontrollin mbi disa anije austriake, (që ishin mbështetëse të planit për sjelljen e Izet Pashës në Shqipëri). Oficerët hollandezë të këtij Komisioni zbuluan gjatë këtij kontrolli në këto anije mjaft armatime dhe ushtarë. Ata arritën të arrestojnë rreth 200 ushtarë shqiptarë të cilët qëndronin të fshehur në këto anije. Plani për sjelljen e Izet Pashës si Princ në Shqipëri i shqetësoi autoritetet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ndaj dhe ata arrestuan shume të dyshuar si pjesëmarrës në këtë plan, si dhe morën në pyetje shumë udhëheqës e militantë shqiptarë, si Çerçiz Topullin, Ismail Bej Vlorën, Esat Pashen e shume të tjerë. Vendimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit Koloneli Hollandez Der Veer, i cili e drejtoi këtë operacion e dënoi me vdekje Beqir Gebrenenë, i cili në atë kohë konsiderohej si heroi shqiptar kundër shovinizmit grek. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e akuzoi Ismail Bej Vlorën dhe Esat Pashën si komplotues. Ky Komision e akuzoi Ismail Bej Vlorën edhe për keqpërdorimin e fondeve të grumbulluara nga doganat e këtij qyteti dhe i kërkoi atij të japë dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Qeverisë së Vlorës si dhe largimin nga Shqipëria para datës 25 Janar 1914. Ja si shkruan Faik Konica për Ismail Bej Vloren në revisten “Kuvendi”, Romë, 30 Nëntor 1919” Krijuar në “28 Vjesht’ e Tretë, 13 Qershuar 1917 dhe e publikuar në “Kuvendi”, Romë, 30 Nëntor 1919” “Vetëm kur Turqia e humbi luftën, Ismail Bej Vlora “doli nga vrima, u hoth në Bukuresht, e andej në Vjenë ku, që të përdorim një fjalë të popullit, “i kish rënë era kërmë”. "Plaku zemërthatë e i vdekur nga çdo ndjenjë, s’humbi kohë me përralla idealiste, po nisi të shtrojë listën e harxheve: harxhe që s’kish në mendje t’i bëjë, as i bëri kurrë. Berchtold-i, kërrusur nën barrën e mejtimeve, s’kishte nge të bëjë pazarllëqe…, po me sy të mbyllur dha ç’i kërkuan. Ismail Qemali, torbën me flori nën sqetull, edhe doli në Durrës. Atje mblodhi edhe ca njerëz të tjerë, edhe të gjithë, ca kaluar e ca më këmbë, ca në qerre të hequra prej buajsh, u nisnë për në Vlorë." Kjo karvanë, e përzierë, e varfër, e qelbur… Ismail Qemali, i ngrysur e i rëndë, me maskën e Moisiut të ngjitur mirë në faqe, mbahej si një profet i theatros edhe kalonte pa folur... Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-beut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qënë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit. Sikur të kish vdekur të nesërmen, do të kish mbetur i rritur dhe i paharruar në zemër të popullit. Po rrojti. Rrojti mjaft sa të çbëjë me rrënjë atë që kish nisur edhe sa t’a ndyjë flamurin gjithë me atë dorë me të cilën e kish ngrijtur”. E poshtër moralisht, sjellja e tij ishte politikisht e lajthitur” dhe se i “nxiu vetëdijat e Shqipëtarëve që prisnin dritë, edhe fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës. Pakë nga pakë i dolli turpi, hoqi maskën, u duk hajduti sheshit, gjer sa më në funt një oficer i Holandës i vuri hekurat në dorë e, mes dy zaptiesh me sungji përpjetë, e futi në vapor edhe e nxori për gjithnjë nga sheshi i politikës”.
Ka shumë për të komentuar lidhur me të mirët dhe të ligjtë e kësaj toke. Siç ka shumë që vazhdojnë të mos kuptojnë egjërën nga gruri, ose krundet nga mielli. Por le të mbetemi të dakortësuar me vlerësimin e bërë nga komentuesi z. Qatip Mara. Megjithatë është i diskutueshëm fakti që shumë "të zgjuar" gërmojnë të "zbulojnë" qoftë dhe një fjalë të rëndomtë të dalë nga korithenjtë e kombit. Dhe kjo, gjithmonë ndodh në situata kur kundër nesh kurdisen plane dashakeqe.
Rroftë 28 Nëntori dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Përulje dhe respekt për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët tanë.
Fahri Dahri. 27/11/2020.
Astrit Nurka
Dhurata me shpifur per 108 vjetorin e pavaresise dhe shqiptaret e 2020 !
Qatip Mara
Lavdia e Ismail Qemalit, e Luigj Gurakuqit, e Isa Buletinit, Dom Nikollë Kaçorrit dhe e gjithë atyre figurave të nderuara atdhetare që janë themelues të Pavarësisë,do të vazhdojë të ruhet me shekuj në kujtesën e kombit shqiptar. Ndoshta pa ato sakrifica të Burrave të Pavarësisë do të ishim zhdukur pa nam e nishan. Lavdia e Ismail Qemal Vlorës me kokën e ndritur gjer tek retë, ndriçon Flamurin e Shqipërisë, duke skuqur qiell e det.