top of page

PATRIOTIZMI I PËRKOHËSHËM- IMAGJINAR! 



          NGA  KRISTO ZHARKALLIU 

    Më kujtohet kur para afro pesëmbëdhjetë viteve ishte organizuar një aktivitet nga Ambasada Shqiptare në Athinë (atëhere më ftonin dhe mua...më vonë më përjashtuan dhe më harruan) për të nderuar një aktor-intelektual  arvanitas,ku mirrnin pjesë dhe shumë inelektualë shqiptarë që kishin emigruar pas shëmbjes të diktaturës (unë nuk isha nga ata sigurisht!) dhe që paraqiteshin si mëmëdhetarë të vërtetë dhe ndoshta ishin akoma. Njëri nga këta- shkrimtar i njohur në Shqipëri- u thirr të thoshte dy fjalë për arvanitasit se si këta- arvanitasit- kishin ruajtur gjuhën shqipe brez pas brezit shekuj me radhë. Shkrimtari shqiptar, si tha disa fjalë admiruese dhe lavdëruese për arvanitasit, se si akoma ruanin gjuhën shqipe, kaq shekuj, duke shtuar se gjyshet arvanitase, në Atikë, rreth Athinës, (nga ku ishte dhe aktori i nderuar) akoma nuk dinin të flisnin mirë greqisht, paraqiti dhe të bijën 15vjeçare (ishte lindur në Shqipëri sigurisht) të recitonte një vjershë për arvanitasit por...ajo për habinë tonë,na e recitoi greqisht!(i ati e përkthente shqip!) Si mësova nga vetë i ati-shkrimtari shqiptar- vajza e tij nuk dinte aspak shqip!!! Si ishte e mundur që një vajzë shqiptare e lindur në Atdhe,  të lavdërojë arvanitasit se kishin ruajtur gjuhën e tyre kur ajo- bijë shkrimtarit shqiptar të mos dinte gjuhën shqipe ? -pyeta veten unë syleshi ..

   Mandej do të mësoja se nuk ishte fëmija e parë shqiptare- akoma dhe me prindër intelektualë-shkrimtarë gazetarë e më the të thashë- që kishin braktisur, nga halli vendin dhe bënonin në Greqi ku bënin gjithfarsoj punësh për të mbijetuar,duke ruajtur në të njëjtën kohë titullin e intelektualit duke u marrë me emigrantët- si ishin dhe vetë- dhe aty këtu kujtoheshin dhe për arvanitasit! Madje ftoheshin dhe nderoheshin në aktivitete të ndryshme që organizonte ambasada shqiptare në Athinë.Aso kohe qakullonin disa gazeta shqiptare-shqip- në Greqi dhe gazetarët ose shkrimtarët mirreshin me  shkrime që të mos harronin ‘’profesionin’’që kishin pasur në Atdhe, ose disa zbulonin papritur se dinin të shkruanin!  Në të njëjtën kohë, sigurisht fëmijët  shkonin detyrimisht në shkollat greke ku helenizoheshin- si bëhet dhe sot- dhe më keqja për fëmijët edhe në shtëpi nuk flitej më shqip me prindërit (!), ndonse ata sapo kishin filluar të keqshqiptonin disa fjalë në gjuhën greke se -sipas tyre dhe klimen qe ekzistonte -ishte ‘’rrezik’’ se mos i dëgjonte dikush se qënkeshin shqiptarë ( Jo se mungonte racizmi dhe propaganda e shfrenuar antishqiptare nga vendasit- shumë prej të cilëve ishin  ose kishin qënë arvanitas!) por dhe vete kishin shpikur dhe ndihmuar e  smadhuar racizmin ndaj gjuhës amëtare kur arvanitasit e flisnin gjithandej kur donin) pastaj, fëmijët, për bukuri marrin shtetësinë greke si kanë marrë emra ...të krishtera greke-(Të pagëzuar në kishë patjetër! Pa marrë parasysh përkatësinë fetare-prifterinjte i pagezonin  fët e fët duke i zhytur në ujin e bekuar të krishterë apo myslimanë kjo s’kishte rëndësi, mjaftonte të kishin një ‘’Nun’ të respektuar..që t’u varte një kryq në qafë.) dhe si rriten,djemtë shkojnë ushtarë për të mbrojtur Greqinë nga ...’’armiqtë e jashtëm’’ kurse vajzat e bukura mund të bëhen modele, këngëtare,pastruese në familje ose nëpër spitale, akoma dhe intelektuale (patjetër)! Ndonse shumica e tyre u a mbathin për në Europë- Gjermani,Norvegj, Danimarkë, në Zvicër (me shumicë akoma dhe nga Kosova!) akoma dhe në Luksemburg kam gjetur  intelektuale shqiptare nga...Voskopoja! (Kurse studentët e mjekësisë shqiptare në Tiranë nuk duan t’i shërbejnë Shqipërisë as si mjekë si të jenë diplomuar në Universitetine Tiranës! E kanë mëndjen dhe ata në Europë pa marrë parasysh sakrificat e prindërve..)) Më ka takuar të dëgjoj që një i ri shqiptar-mysliman- kur arriti moshën të martohej, u pagëzua i krishterë duke ndërruar fenë,bëri dhe një kurs fetar sepse donte të martohej në...kishë se kështu e kërkonte nusja- edhe ajo më parë myslimane shqiptare! Sigurisht shqiptarë janë...ateistë por fëmijët i mësojnë të jenë  të krishterë të mirë dhe të besojnë në krishtërimin (ata që më parë ishin myslimanë! Ose ateistë të thekur në kohën e...Enverit ama!)

   Të gjitha këto janë të njohura sigurisht dhe nuk do ta shkruaja këtë shkrim- (ndoshta e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët  nga unë përderisa  nuk botohen më asgjëkundi shkrimet e mia)- sikur të mos ishte shfaqur në masmediat botërore ku ka bërë bujë të madhe, një shkencëtare shqiptare, një vajzë e re tridhjetepesë vjeçare, MIRA MURATI! Shtypi dhe portalet elektronike të huaja e kanë paraqitur disa herë si një nga mëndjet më të ndritura të kohës sonë dhe asnjëherë nuk kanë munguar të paraqesin përkatësinë e saj kombëtare. Edhe në shtypn grek kemi lexuar disa herë ‘’Për vajzën e tmerrëshme shqiptare’’ që kërcënon ...botën me Inteligjencën artificiale! Vetëm në shtypin e Tiranës heshtin...ose më mirë në një ose dy gazeta shqiptare u botua (si me përtim) një intervistë të saj në një gazetë italiane. Atëhere, si ngahera, e ndieva si detyrë (Nga naiviteti!) ta paraqisja tek lexuesi shqiptar duke  shkruajtur një shkrim: ‘’MIRA, vajza e tmerrëshme shqiptare...’’ dhe megjithëse e dërgova në disa gazeta shqiptare,nuk u botua asgjëkundi! Edhe këtu bllokadë për emrin tim- duket se qënkam dhe unë..nongrata për shtypin shqiptar si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë  ku lulëzojnë Kim Mehmeti dhe...Viton Surroi! (Ky i fundit nuk e fsheh mënostalgjinë e tij për Jugosllavinë e Titos...)

   Kur Mira shqiptare u zgjodh Presidente e shoqërisë- e përkohëshme- kudo në botë mori një  nga lajmet më  të rëndësishme të shtypit dhe të masmediat botërore. Kësisoj dhe shtypi shqiptar u detyrua ta paraqiste me...gjysmë zëri- thua se kjo nuk përbën krenari kombëtare! (Merreni me mënd se çdo të bëhej në Greqi në se MIRA deklaronte se ishte greke!!!) Por edhe kjo nuk më habiti ajo që më indinjoi ishte se si shumë ‘’komentatorë’’ (shumica e tyre  emigrantë ma merr mëndja) i u sulën se gjoja nuk flet mirë shqip! ‘’Çfarë shqiptare na qënka kjo kur nuk flet mirë gjuhën shqipe?’’ bërtasin, thua se e kanë dëgjuar të flasë dhe se si flet vajza nga Vlora. Dhe këtë e thonë ata që e shkruajnë keq gjuhën shqipe, pa respektuar as drejtshkrimin as gjuhën e njësuar shqipe, të cilëve fëmijët nuk flasin aspak shqip,madje e kanë për turp të thonë se janë shqiptarë..në vendet ku jetojnë, sidomos në Greqi (jo nuk i detyron askush...mentaliteti antishqiptar i prindërve të tyre i ka bërë të tillë!)  Prandaj përdorin pseudonime qesharake si ...Patrioti, Vlonjati...’’intelektuali’’ (thua se është e mundur të përdoret kjo cilësi si pseudonim, kur shtrëmbron dhe gjuhën shqipe duke shkrojtur ‘’Shqypëria dhe jo Shqipëria.)..  Tani kuptoj sa gabim kam qënë unë- jo, e kam kuptuar prej kohësh, por kështu më thoshte zëmra: t’u mësoja fëmijëve gjuhën shqip madje në çdo ambjent u flisja shqip kur askush nuk e fliste rreth meje, madje për këtë isha bërë i famëshëm në lagjen ku banoja dhe më tej- duke u folur për virtytet e larta dhe për besën e shqiptarët- dhe shqiptarët më përgënjeshtruan pa mëshirë-madje më quanin dhe mëndjelehtë, sylesh..Vetëm dy tre njerëz vlerësuan personin tim dhe për këtë jam krenar dhe u jam mirënjohës. Këta ishin DRITËRO AGOLLI, MOIKOM ZEQO dhe...SHKËLZEN RAÇA nga Prishtina si dhe disa të terë që rrojnë akoma dhe nuk dua t’i .komprometoj si miqt e mi! ! (Veton Surroi ishte një histori tjetër  si ngahera ai qëndron shumë larg dhe...lart ndosht!)

Por në përgjithësi nuk doja të mirresha me personin tim të parëndësishëm. Diçka tjetër më preukuponte duke vëzhguar historinë e Mira Muratit. Ajo shkëlqeu si margaritar- dhr ka guximin ta pohojë se është shqiptare (megjithëse në Shqipëri nuk vlerësohet sa duhet...) por  a mund ta mirrni me mënd se sa shqiptarë shkëlqejnë në botë sot dhe nuk deklarohen të tillë se askush nuk u a ka ngenë?

 Psh. Vitin e kaluar u shpallën kuadrot më të mira në botë të një industrie të madhe botëror Nga mijra që janë u zgjodhën njizetepesë (25)! Dhe këta cilësoheshin nga numëri një deri në njizetepesë! E, mos u habisni! I pari në botë ishte një shqiptar, por ai nuk u deklarua shqiptar ndonse emrin e ka...shqip! Dhe pse? Ishte nisur në jetë me entusiazëm duke mësuar gjuhën shqipe, historinë shqiptare...dhe pastaj u ndesh me disa shqiptarë që e mashtruan ndonse i kishte ndihmuar!Kur i thashë se do të sjhkruaja diçka në Shqipëri për të- ndonse e dija se nuk do të publikohej, ai ma preu shkrt: Kam takuar shumë shqiptarë, akoma dhe në punën time!Të gjithë kanë përvojë të keqe nga mjetet e informimit publik në Shqipëri.. Dhe nuk është i vetmi! Janë me dhjetra, me qindra që shkëlqejnë në të gjithë botën...por kush çan kokën? Mos mjetet e informimit masiv shqiptar? Jo, zot   i na ruajt! Apo kanë moderatoret, modelet gjysmë të zhveshura.-         

                                                           ---   2  --- 

  PARA  disa ditëve më ngjau jë histori e lezetëshme shqiptare. Shkrojta një shkrim ku theksoja se kisha autoqefale shqiptare e thmeluar nga Noli i madh nuk ekziston më- kjo me rastin e vdekjes klerikut shqiptaro-amerikan At Lioli.Por atje pata ‘’paturpësinë’’ të përmend dhe përpjekjet e Berishës për të bërë Shqipërinjë antare e Lidhjes Islamike. Kjo e zëmëroi një mikun tim (ateist! si më kishte thënë ndonse me besim mysliman-më parë!) madje madje kjo shpjegon pse kam qënë kaq i padëshiruar nga ish bashkëatdhetarët e mi sa prej vitesh të mos më ftojnë ata të Ambasasdës shqiptare në kremtimin e festave kombëtare të Nëntorit.! Për shkak të festave kisha menduar të anulloja  një udhëtimin tim kaq të dëshiruar në Vjenë- për arsye personale- që u krye pasi kishin kaluar festat ku nuk munda të marr ftesë...dhe më e lezetëshmja?  Madje nuk mësova se ku dhe kur do të organizohej festa që të shkoja pa u ftuar- por as këtë nuk ma tha ndonjë i njohuri ose miku im shqiptar..MADJE NJË MIKU  im më pyeti pse nuk erdhe në mbrëmjen e Ambasadës- duke harruar se i kisha kërkuar datën dhe vendin dhe më kishte premtuar se do të mirrja...FTESË zyrtare! Qofshin mirë të gjithë...akoma dhe Ambasadorja dibrane që nuk e lidh asgjë me Voskopojën dhe Voskopojarët...

   Dua të theksoj se jam ngahera kundër ndarjeve lokale- sidomos Veri -Jug që kanë rekllamuar disa të ashtuquajtur intelektualë  si Arshi Pipa me shokë, madje dhe kundër ndarjen në kosovarë dhe shqiptarë që po rekllamohet vitet e fundit! Nuk ka qënë rastësi që miqt e mi më të mirë kanë qënë nga Veriu dhe nga Kosova- dhe u kam qënë mirënjohës për miqësinë e tyre.. Tani pse më kanë krijuar këtë bllokadë...ata e dinë. Ka të ngjarë t’i  bezdisë sinqeriteti im i vazhdueshëm- asnjëherë nuk kurseva fjalën time në favor të Kombit shqiptar dhe në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë- madje për çështjen e Kosovës prrisha miqësin time me M.Glezon, M.Theodhoraqin,me poeteshën Dhimulla e me shumë të tjerë. Naivitet do të thoni..Por ngaherë a nuk më ka karakterizuar naiviteti aq sa t’i besoja dhe...Veton Surroit? Por kush pyet se si mendoj une?Shqiptaret i dine te gjitha- dine te keqiat e Shqiperise dhe te mirat e botes tjeter-jashte territorit ku jetojne shqiptaret sigurisht..Si rrjedhojë nuk kam asnjë të drejtë të ankohem se rrugën time vetë e kam zgjedhur dhe nuk pendohem aspak për jetën time, për të kaluarën time- nuk është rastësi që kam marrë tre tituj nderi: Armik i popoullit në Shqipëri, I rrezikëshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe së fundi...Luftëtar për demokracinë e Greqisë... Tani që shkoj drejt fundit të pashmangëshëm- njerëzore nuk është?- nuk kam pse të ankohem për të kaluarën time dhe nuk mundem as dua t’u imponohem të tjerëve të ndërrojnë qëndrim ndaj meje! Ç’rëndësi ka? Por patjetër brengoset njeriu kur zhgënjehet kaq shumë, kur e gjen veten se ka besuar diçka që nuk ekziston. Ma merr mëndja se kështu ndihet kur një besimtar fanatik zbulon një ditë se Zoti që ka besuar nuk ekziston dhe se kot ka shpresuar se do të shkojë në parajsë në jetën tjetër.Pikërisht kështu ndihem unë kur më zë thellsisht pesimizmi  se kam qënë kaq i  naiv—dhe kur vjen zhgënjimi, të zë dëshpërimi... Nuk ka pse të shpresoj tjetër gjë për të ardhmen- kur kalon të tetëdhjetat dhe u afrohesh nëntëdhjetave, nuk ka marrëzi më të  madhe se sa të shpresoh në të ardhmen. Kur ke krijuar një familje të përsosur- kur të gjithë pasardhësit e tu janë intelektualë me kulturë,nuk ke pse të mërzitesh dhe të ankohesh për të kaluarën...se e ardhmje u takon pasardhëve dhe në këtë drejtim jam i plotësuar. Pandaj në këtë fundviti UROJ TË GJITHË MIQVE TË MI: GËZUAR 2024-ën! Diku kanë mbetur akoma disa miq- në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Angli, Zvicër, Austri, Amerikë...kudo në botë qoftë ky vit  NJË VIT I MBARË PAQËSOR pa luftra dhe, KRYESORJA pa EPIDEMI! GËZUAR PRA GËZUAR! DHE TË MOS ANKOHEMI  VAZHDIMISHT SE JETA ËSHTË NJË DHE VETËM NJË!

      KRISTO ZHARKALLI, Athinë 27 dhjetor 2023.

16 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page