
PATRIARKU DHE TË TJERË
Tregim nga Kozma Gjergji
Berti e fton të dashurën të shkojnë tek miqtë e tij për t'u njohur. Ajo nuk e pret të gjendet atje mes ca njerzish zhurmëmëdhenj e kundërshtues, që në çast bëhen serioz e papritur qeshin edhe pse s'ka ndonjë gjë për të qeshur.
Zbulon, se ndërsa shtiren të kënaqur, thellë -thellë janë shpirtvrerosur. Tregohen human e tolerantë, kur menjëherë kthehen në grindavec e të pamëshirshëm si çakejtë. Për krijimet e tyre bëjnë edhe kritikun edhe publikun. Shajnë e denigrojnë çdo gjë, si mënyrë për të lavdëruar veten dhe bër një farë çlirimi e terapie në grup. Secili e ka gati kryeveprën, por ende nuk e ka filluar. Dhoma ku qëndrojnë ëndërron gjithnjë të shkëlqejë nga fama dhe stoliset me femrat më të prushta që çmenden për secilin nga ata.
Zonjusha kupton se patriaku i grupit është poeti Ubaldo, këngëtar i erosit, pornos dhe veteran i rakisë. Ai pi uiski me një gotë, ku është skalitur mjeshtërisht portreti i Afërditës, perëndeshës së bukuris e dashurisë. Ndonëse tek të shtatëdhjetat mbahet me sharmin e djaloshit e me mjaftë stil: Flokët e rralluar ngjyer në të argjendtë e thurur në një gërshet si bisht miu, vetullat e trasha në të zezë, mjekrën prej shënjtori e mustaqet si të komitit në të kuqërremtë, kurse në vesh i reflekton një mikroskeptër prej diamanti të rremë. Mbi parakrah një gjarpër i tatuazhuar vigjilon ngrefosur për ta mbrojtur nga çdo e lig.
Është i paparashikueshëm, spontan, instiktiv, kaotik, joshës, provokativ, i stuhishëm, sfidues. I dhën pas ca manierash vulgare e një humori pervers tregon krejt shkujdesur përvoja të turpshme e anekdota të ndyra, që e bëjn edhe putanën të marrë arratinë duke u kukurisur. Nëse për Plutarkun, kur qirinjtë janë të fikur gjithë femrat janë të bukura, për Ubaldon janë të tilla edhe në dritën e diellit. E njëson gruan me vetë Perëndinë, sepse nga trupi i saj lind jeta, njerëzimi.
Ai ka një vlerësim të vetin për femrën. Në këtë drejtim i ka ngjitur shumë një antologji e botuar së fundmi me vargje vetëm për seksin e dashurinë. Në pjesën e parë, thotë, se janë qëmtuar poezi nga më pikantet të shkruar nga meshkujt për femrat, kurse në të dytën ato të femrave për meshkujt. Gjen atje krijime fantastike, që iu përkasin kryesisht meshkujve. Femrat, sipas tij i derdhin më mahnitshëm mrekullitë veçanërisht tek nina-nanat, për të cilat edhe janë krijuar. Zoti u ka dhënë atyre shumë bujarisht bukurinë dhe të jenë porta e jetës, kurse meshkujve iu ka besuar vetëm çelsin që ta hapin e kujdesen për të. Tek ato edhe mërzia është elegante e loti i shënjtë. Ngjajnë jashtëzakonisht shumë me verën, qëllimi i së cilës është kënaqësia dhe dehja. Nuk e përfytyoj dot se në ç'mjerim mund të gjendet një mashkull pa femër. Besoj se duhet të jetë njësoj si ai oazi me shkretëtirën e vet të pafund…
Deviza e poetit është: Më mirë një paturpësi e sinqertë, se sa një ndershmëri e shtirur. Ka idhull Kazanovën. E quan një Promete të dashurisë, se zbriti në tokë te femra erotizmin e vërtetë, që poetët e përvëluar e kishin degdisur tek yjet, hëna, qielli. Ndërsa përcjellë disa prej bëmave më mahnitëse nga memoriet e Kazanovës, i dalldisur pohon me lakmi se kujt nuk do t'ja brente zemrën zilia ta jetonte jetën si ky aktor gjenial i aventurës e lojës së dashurisë?!
Pas disa gotave i njeh miqtë me poezitë më të reja. Si të jetë i sapoçliruar nga zjarrmia pasionante e emocioneve të pakontrolluara lexon njerën pas tjetrës "Jemi qënie poligame", "Femrat janë droga ime", "Dashuria komunikon me trup ","Vjershat i dua viagra",
"Gruas nuk i gjendet fundi ", "Lakuriqësia e saj më magjepse se parajsa ", "Vargjet e mia-orgazma shpirtërore për ty", "Elozhe tradhtisë bashkëshortore".
Dy poezi ia jep t'i interpretoi regjisorit Vinicio. Ky u hedh një vështrim të shpejtë, trash zërin dhe nis recitimin e asaj me titullin "Vagina":
Minierë gurçmuar ,
Vullkan epshesh të nxehta,
Brazdë e gjelbëruar
Ku rrënjën e sajë ka jeta.
Për tek zemra e çdo femre
Të çojnë shumë rrugë,
Por vetëm ajo përmes vaginës
Është më e bukura dhe e sigurt.
Regjisori hesht një grimëherë e përqendrohet të futet në atmosferën e vjershës tjetër "Mbret dashurish " dhe fillon:
Ai, mbase rrjedh nga hiena a tigri
Që aq babëzisht vjedh, grabit, vret
Dhe flirton me gjithë pjellat e së ligës.
Unë ndoshta rrjedh nga dreri a bilbili
Që më pëlqen aq tepër
Të jem veç një mbret dashurish
I cili mban për kurorë p.çkën
E për skeptër penisin…
Përse vallë Zoti na bëri kaq të ndryshmë?!
Mbase për të përsosur tek secili njeriun.
Artistët e shpërblejn me komplimente Ubaldon.
-Mbret dashurish, mbret i kësaj parajse, është i vetmi fron që dëshiroj, -plotëson ai dhe vazhdon. -Ua them me tërë vitet e mia, se edhe kjo moshë nuk të mbron e shpëton nga tirania e dashurisë. Natyra e ka shpërndarë zjarrin e saj në të gjitha stinët e jetës dhe e shtynë çdo specie të bëj atë që do. E shpreh bukur Stratone: Edhe në perëndim dielli është gjithnjë diell.
Askush nuk e ka vënë re që fytyra e mysafires është shkëndijuar përndezur. Ajo habitet sesi këta artistë e kanë humbur ndjenjën e turpit dhe banalitete e alegori të pista i vën edhe në vargje. Krijimet e tyre mund të ndikojnë keq mbi virtytet morale. Megjithatë gradualisht sikur po ambientohet, madje, ndonjëherë dhe emocionohet me të vërtetat që ata shprehin në mënyrën e tyre.
Një nga miqtë, duke u ndalur te vjersha "Elozhe tradhtisë bashkëshortore", pyet se a mund të mirëpriten këto elozhe, kur shoqëria në pergjithësi është në anën e besnikërisë?
-Përkundrazi, pa shtirjen e hipokrizinë, tradhëtia si çliruese e madhe e shpirtit, i ka më të shumtë adhuruesit, -arsyeton poeti dhe shton: -Ajo është parajsa dhe ferri. Cilin nuk e joshi me magjinë e tërheqjes, spontanitetin, enigmat e fshehtësis, çuditë e fantazisë, fijet e intrigës, sekretet, romanticitetin, rrezikun, historitë befasuese?! Ndërsa besnikëria nuk i ka këto e, prandaj dhe e çon në krizë martesën.
A nuk është tradhëtia motori i kryeveprave të letërsisë, muzikës, teatrit, kinematografis e arteve të tjera? Pa të jeta do kishte qenë tepër e varfër, e mërzitshme, monotone, pa ngjyra, pa variacione, surpriza, humor, gëzim, konkurrencë…E kësisoji si mund ta bësh fajtore atë dhe shpallësh nga shpëtimtare në mëkatare!?…
Një zë pyetës, kureshtarë e shpotitës ngulmon ende të dijë, se përse tradhëtohet edhe nga bashkëshortë në dukje tepër të lumtur? Poeti ia kthen menjëherë:
-Sepse nuk e gjejnë plotësisht atë ngushëllim e përputhje emocionale brenda njeri-tjetrit, paçka se aktrojnë duke mbajtur në fytyrë maskën ideale të lumturisë. Afishohen gjithmonë të kapur dora-dore për të fshehur dëshirën ose frikën e ndarjes.
Arsyet përse tradhëtohet janë aq të ndryshme sa dhe ato pse dashurojmë dikë. Ndër më kryesoret, mendoj se është nevoja për zjarr të ri pasioni dhe jetuar vazhdimisht në gjendje të dashuruar, që biologjikisht zgjat deri tre vjet. Dashuria nuk i përmbahet asnjë lloji rregulli e morali, se s'ia pranon zemra. Shfaqet çdo herë si vetëtima a ylberi, diçka krejt e re, e panjohur, rrymë e shqetësuar dhe përthithëse… Ajo është përjetësisht e pakënaqur, e pangopur dhe në kërkim të mishërimit të saj më të plotë. Sa herë e gjejmë, aq herë rilindim.
Për shkeljen e kurorës mund të bëhen shkas dhe gjëra që s't'i merr mendja, si fjala vjen edhe një palë vithe të hijshme epshndjellëse, që tek disa femra shprehin e intrigojn më tepër sesa sytë.
Partner besnik e i lumtur me të shoqen, për mua, është vetëm ai që nuk e dëshiron asnjëra. Rrjedhimisht edhe gruaja e këtij të pafati është me mjaft fat. Të vjen çudi kur shikon sesi shumë putanave iu kanë rënë për short burrat më besnikë, dhe plot të ndershmeve kurvarët më të mëdhenj. Kombinime interesante bën fati!
Njoh gjithato zonja të kënaqura nga martesa, të cilat ndërsa u kërkojnë bashkëshortëve ndershmëri të lartë, s'e kanë për gjë të jepen për një neps, kureshtje, mërzi, vëmëndje, vlerësim, apo për të plotësuar e forcuar jetesën në çift. Ato kanë bindjen se meritojnë më tepër, prandaj dhe s'kanë barriera e limite. Sa e sa, që nga zilia i shajnë e përgojojn këto për imoralitet, ëndërrojn ethshëm të kurvërojnë sa më shpesh, ta mundin keqas përbindëshin mashkullor dhe bëjnë t'u zvarritet përpara këmbëve si skllav i përvojtur.
Ka të tjera që vazhdimisht i betohen vetes të mos tradhëtojnë, ndërkohë që më tepër flirtojn. I mirëkuptoj: Është më e lehtë të bëhesh kurvë sesa të rikthehesh siç ke qenë më parë. Në krijimet e atyre që janë artiste, përveç se glorifikohet liria erotike dhe rebelimi kundër shtypjes femërore, marrdhënia jashtë martese përligjet e pranohet si nevojë e shtegdalje nga një gjendje e caktuar.
Më ka surprizuar një nga mikeshat e mia, aktorja B., kur më tha, se ndër dashnorët tmerrësisht joshës, më të furishëm, zbavitës e hipnotizues që kishte hasur, ishin pikërisht kurorëshkelësit. I kërkova një përgjigjje se në ç’farë ndryshonin bashkëshortët dhe dashnorët, që këta të fundit i bënte më të preferuar? Ndryshimi është,ma ktheu, se të parët janë si dhimbje koke, kurse të dytët si dhimbje zemëre.
Njëherë tjetër, kur e pyeta për rolet e saj më të realizuar, më pohoi se ishin ata kur e kish bërë në tresh, katërsh dhe në grup, kurse për kryerol mbante seksin me kalin e vetë. Nuk e di pse jam bërë për matriarkat, më kumtoi. I dua të gjithë në krahët e mi që të jem e lumtur… Qenkemi natyralisht të programuar të duam më shumë se një partner, pamvarësisht që gjendemi në një lidhje monogame…
Mbas këtij ligjërimi Ubaldo kridhet në meditim. Si të kujtohet për diçka vijon:
-Megjithatë ka gjëra që nuk i gjen asgjëkundi si tek familja. Pa të ndihesh i vetmuar… Mungesën e saj e kam plotësuar me letërsi, miq, aventura…
E sakrifikova krijimin e familjes, sepse u përkas atyre që duan të jenë përherë të fejuar dhe çmojnë jashtëzakonisht lirinë.
Nuk e duroj dot zgjedhën bashkëshortore dhe atë jetë që çdo natë të gjejë në krevat të njëjtën grua. Të eksplorosh vazhdimisht të vetmin trup femëror ndihesh idiot. Dua t'i ngjajë Volterit, Bethovenit, Shopenhauerit, Van Goghut, Sartrit, Sordit, të cilët xhiruan në sa e sa mardhënie dashurie e asnjëherë nuk u martuan.
-Domethënë ti je kundër familjes, - e cyt një zë.
-Jo, jo, as unë, as këta shpirtra të lirë e pamvarur që përmënda, -kundërshton ai dhe vijon: -Familja sot është e kërcënuar nga lloj-lloj mardhënie orientuar thellësisht mbi kënaqësinë, dëshirën, lirinë… Ka tendencë për t'u rikthyer në origjinë dhe braktisur të gjitha ato ligje e kode morale që e mbajnë atë fortë. Janë shtuar e shtohen vazhdimisht dyndjet e grupeve drejt plazheve nudo dhe ato që bëjnë jetën e kopesë nëpër pyje, male, shpella e çdo vend në natyrë. Parapëlqehet shumë kurvllëku e prostitucioni. Këtë e shikon qoftë edhe në numrin jashtëzakonisht të madh të vizitorëve që i bëjnë muzeut Erotika në Shën Petërburg të Rusisë, tek i cili përveç rikuizitës me objekte seksi, gjëja më tërheqëse është organi gjenital i Rasputinit prerë nga monakët pas vrasjes së tij e konservuar në formalin. Një mbifrekuentim i till është dhe në muzeun dedikuar historisë së prostitucionit në Nevada të SHBA-së. Në Kinë, tashmë ka kohë që po konsolidohet një dukuri e re siç është dhënia me qira e femrave… Në dëm të familjes është edhe krijimi i makinës speciale të riprodhimit. Uter artificial e klonacioni do çelin perspektivën marramendëse që secili të riprodhohet në mënyrë autonome. Kështu seksi do jetë me superbollëk e vetëm një praktikë e kënaqësisë. Sigurisht dhe familja do ndryshojë me prirjen për t'u eliminuar. Por edhe ajo e ka ëngjëllin e sajë mbrojtës, dashurinë.
Dialogun e gjatë poeti e mbyll me atë që e nisi në fillim, me krijimtarinë. Ndihet i brengosur që ende nuk i ka shijuar frytet e saj, ndonëse e mban për të veçantë, origjinale, novatore. Ngre paksa më lartë tonin e zërit e disi i zemëruar shpërthen:
-Lexoj plotë krijime të tanishëme, por shumica janë me thinja nga stërpërdorimi dhe përsëritja e mërzitshme e të tjerve. Prodhime të një lloj rrobaqepësie poetike, që punon me modele të gatshme e rrobe të vjetra, i kthen e riqepë dhe na i shet për të reja. E pastaj si mos të të zemërohet pena kur i nderojnë edhe me çmime!… Për fat të keq mediokriteti sot po bëhet global…
Ai ndalet për pak dhe duke lëshuar një psherëtimë shton :
-Eh, or miqtë e mi, në botën e artit ka shumë zhgënjime e hidhërime… Me të drejtë muzat i krahasojnë me femrat kapriçioze. Sa dashnorë kanë bërë fatkeq ato qerratallesha dhe sa e sa do të bëjn akoma.
Të isha bërë tregtar fjalësh, pra, gazetar, do kisha fituar famë e karrier. S'kam dashur për tekat e mia. Vendosa t'i përqasem tani. Pas përfundimit të librit eseistik "Dobia e veseve dhe mëkateve. Përse i duam më shumë se virtytet morale? ", në të cilin argumentohet: E papërkryera është tërheqëse dhe bukuri, gaboj që të mësoj rrugën e duhur, të bëhem më i mirë e interesantë dhe me tjetër identitet nga turma; mblodha plotë kuriozitete nga jeta private e njerzëve të shquar. I sistemova e jam duke u dhënë dorën e fundit. Më duket kam goditur në shenjë.
E kush s'do të bëhej kureshtarë të dinte që Napoleon Bonaparti përdorte gjashtëdhjetë litëra parfum në muaj dhe preferonte më tepër peshkun, frutat, të skuqurat?!
S'është interesante të dish që Katerina e Madhe e Rusisë kishte mbi treqind dashnor; që Bethovenit, kur i kërcente papritur delli i marrëzis fyente e poshtëronte miqtë e adhuruesit e tij, nxirrte përjashta me shkelma ata që përpiqeshin t'i shërbenin me këmbëngulje, dhe pa asnjë shënjë pendimi shkruante në ditar: "Pata gjithë ditën qetësi. "
A nuk është kërshëri të njihesh sesi një herë Balzaku i hipnotizoi disa hajdut të rrezikshëm? Teksa punonte natën vonë dëgjoi zhurmë nga dhomat e poshtme të godinës dhe e kuptoi se ishin pikërisht ata që po i bastisnin. Nga frika askush nuk pipëtinte, ndërsa shkrimtari gjenial menjëherë u nis për atje me qiririn ndezur, dhe gjithë kurajo iu drejtua: " Të dashur mysafirë, mirëse na keni ardhur! Ç'bëni aty mor të uruar?! Kotë lodheni! Unë s'kam gjetur dot gjë ditën me diell, kurse ju kërkoni të gjeni natën në errësirë?! "
Hajdutët, sikur t'iu kishte hedhur magjinë e besuan dhe duke e falenderuar u larguan paqësisht.
Cili nuk donte të mësonte që Shopenhaueri plakë, një vit para vdekjes përjetoi dashurinë më përvëluese me skulptoren njëzetë e gjashtë vjeçare Elisabet Ney gjatë kohës kur e skulpturonte; që Gëteja shtatëdhjetë e dy vjeç i propozoi për martesë bukuroshes shtatëmbëdhjetë vjeçare Ulrike von Lavetzow?!
Në rastin e parë fituam bustin më shprehës të skalitur për filozofin, në të dytin një ndër krijimet më brilante që poeti shkroi për dashurinë: "Elegia di Marienband. "
A s'është kuriozitet të dish që Tolstoi ishte vegjeterian dhe me çiltërsinë e sinqeritetin e njeriut e artistit të madh i dha Sofisë të lexonte ditarin ku ishin shkruar të gjitha aventurat e dashurive të tija para se të martoheshin, në mënyrë ta dinte se ç'potencë mashkullore e fantazi erotike kishte burri që do të merrte. Mirëpo ajo, në vend të tregohej mirënjohëse për këtë dokument të çmuar vetërrëfimi që i dha ai, u fye pa masë e s'ia fali kurrë.
Nuk duket e çuditëshme, që një njeri aq mizor e i hidhur si Hitleri pëlqente shumë ëmbëlsirat dhe e përkëdhelte qenin me dhëmbshurinë e nënës; që Stalini, para se të hante vinte shokët e idealit të provonin çfarë i ishte servirur e ndaj tyre kishte dashurinë dhe mëshirën që ka maçoku për minjtë e kështu me radhë.
Ubaldo beson shumë, se më në fund, me këto dy libra edhe për të do të buçasin kambanat e triumfit dhe lavdia t'ia hapi krahët e bardhë.
Kozma Gjergji.
Teksa memorizoja disa nga tregimet e publikuar kohë më parë, gjeta komentin më të ri nga z.Minush Hoxha për tregimin "Patriarku dhe të tjerë". Përjetova një kënaqsi befasuese për vlerësimin me profesionalizëm, entuziazëm e sinqeritet, për më tepër se vinte nga një njeri i letrave, me të cilin rasti nuk e pati sjellë të njiheshim së afërmi. Pikërisht kjo e bën edhe më të besueshëm vlerësimin analitikë e zhbirues të z.Minush.
Ju falenderoj shumë dhe uroj gjithë të mirat! Me respekt, K.Gjergji.
Shkëlqyeshëm! Një tregim /ese/ atipik e ngacmonjes nëpërmjet të të cilit autori hyn guximshëm dhe sigurtë në shtruajen e një mënyre tjetërfare të të medituarit e vështruait bile edhe të tifoserimit. Në një apostrofim të gjëndjeve, rasteve, lidhjeve që historikisht ose u mallkuan ose u trajtuan abnormale duke i përshkruar e justifikuar nëpërmjet një apologjie të pazakontë në përditëshmëri. Autori i tregimit, ka një bagazh diturishë joçfardo, zotëron narrativin mirë e mirë dhe tek do të apostrofoj atë anen tjetër të të jetuarit, tek do që të shfaqë ndryshimet në procesim e sipër nga erosi, familja, guxon e jep mendime të qëndrueshme-dhe sa të begatoj mozaikun vështrues-jep fare me vend paradokset e personave të mëdhenjë /Gete, Shopenhauer, Balzak, Bitoven, Hy…
S.Athanasi
UBALDO! Ky tip I ri personazhi që mund të gjindet në çdo tavolinë shokësh të shkrimeve, është rrahur në mënyrën më shteruese të çdo diskutimi kolegësh profesionisht të fjalës dhe do të mbahet mënd si sinonim I së pështirës e së keqes. Kozma Gjergji me personazhin UBALDO sikur ia ka vënë vetes për detyrë që të zgjidhi (për dikë) dilemën midis tezës dhe antitezës. Dhe ia ka mbërrijtur me sukses. Urimet e mia më të përzemërta.
S.Athanasi!
I nderuar mik!
Me ke bere "PASHA" me tregimin sugjestionues "PATRIARKU DHE TE TJERE". Sonda krijuese e poetit dhe prozatorit te talentuar Kozma Gjergji, kete here zhbiron ne nenshtresa te cuditshme te "krijuesve", fatkeqsisht, te pafund qe mendojne, sic shprehet per ta, miku im N.Abilekaj: (VETEM LAVDIA IME, ESHTE E MERITUAR). ky eshte nje fenomen letrar i gjithandejshem, i kudondodhur, jo vetem aty tek ju, por edhe tek ne ne Athine. S'besoj te kene shpetuar dhe vende te tjere nga kjo epidemi...
UBALDON e keni gdhendur mrekullisht. Tip i njeriut cinik, banal, i deshtuar, medioker, i pacipe, i pa ndershem, megalloman, qe lexuesit te kulturuar i krijon krrupe, urrejtje dhe neveri...
Me shume urime per te tilla krijime. Te perqafoj…