PASARDHËSIT E VRANA KONTIT NË ITALI



Lutfi ALIA

Siena Itali


Dinastia e Kastriotëve ka dhënë kontribute të shquara jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por dhe të Italisë e më gjërë në vendet e tjera europiane. Në Itali, pasardhësit e dinastisë Kastrioti, janë me prejardhje nga dy degë, e para nga pjestarët e familjes të Gjergj Kastriotit me Andronika Ariantiti Komnena Kastrioti dhe djalin Gjon Kastrioti, ndersa linja e dytë janë pasardhësit e Vrana Konti - Kont Urani, kushëriri i Gjergj Kastriotit. Pasardhësit e Vrana Kontit kanë mbiemër të përbërë Granai i familjes të Kont Uranit dhe Kastrioti qe shppreh qartë se ishin kushërinj të njejtës dinasti. Në Itali pjestarët e kësaj familje përdorin dhe mbiemerin Branai, nga emri i djalit të madh të Kont Uranit, Brana i italianizuar në Bernardo, i përdorur si mbiemër i dytë si rezulton në dokumentat dhe kronikat e kohës, i prezantuar Bernard Granai Kastrioti dhe Bernard Branai Kastrioti. Mbiemërin Granai Kastrioti e mbajtën fëmijët, nipat, biznipat dhe stërnipat e Vrana Kontit.

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit, Brana (Bernardi) dhe gruaja e tij Maria Zardari (e bija e Pal Zardari dhe Teodora Muzaka dhe kushërira e dytë e Andronika Kastrioti), erdhën në Itali, së bashku me Andronika Kastriotin dhe të birin Gjoni II Kastrioti. [1, 2]

Mbreti Ferrante I, aleati dhe miku i ngushtë i Gjergj Kastriotit, i ftoi dhe e sistemoi të dy familjet në mjediset e oborrit aragonez. Raportet e miqësisë me familjen mbretërore u forcuan më shumë pas shtatorit 1477, me martesën e mbretit Ferrante me Xhiovana III e Spanjës. Mbretëresha krijoi lidhje miqësore të forta dhe konfidenciale me Andronika Kastriotin, të cilën e kishte damën e parë të shoqërimit dhe këshilltare. Besimi dhe respekti për princeshën Andronika, mbretëresha Xhiovana III e shprehu duke i besuar kujdesin dhe edukimin e të bijës Xhiovana IV. Në vitin 1496, kur u rindërtua apartamenti i Xhiovana III në Kastell Nuovo, "madama" Andronika kishte apartamentin e saj në katin e dytë mbi atë të mbretëreshës. [2, 3, 4, 5] Se bashku me Andonikën, në grupin e damave shoqeruese ishte dhe Maria Zardari, gruaja e Bernard Granai Kastrioti, të cilën e thërrisnin dhe "madama Porfida - kuqaloshja". Mbretëresha Xhiovana III dhe e bija Xhiovana IV, preferonin me kortezi shoqërinë galante të Andronikës dhe Maries. [2, 3]

Familja Bernard Granai Kastrioti, u mirëprit dhe kishte një pozicion të privilegjuar në rrethin e personelit të mbretereshës Xhiovana III e Napolit, bashkëshortja e mbretit Ferrante I. [2] Sipas Gjon Muzakës, ky trajtim i familjes Granai – Kastrioti, i dedikohet ndikimit të Andronika Kastriotit , e cila gëzonte respekte dhe nderim të veçantë nga familja mbretërore e Napolit. Sipas Gjon Muzakës, Andronika kishte organizuar martesën dhe dasmën e Brana Granai Kastriotit me kushërirën e saj Maria Zardari. Keto lidhjet fisnore të dyfishta, ndikuan që të udhëtonin në të njejtën anije për në Bari - Itali. [2, 5]

Së bashku me Kontin Bernard Granai Kastrioti, erdhën ne Itali dhe dy vellezerit. Vëllai i dytë Giovanni - Gjoni shërbeu komandant i reparteve stradiote të mbretërisë së Napolit. Ne vitin 1480, Gjoni mbeti i vrarë në betejën e Otrantos kundër hordhive turke. Vëllai i vogel Stanisha, ishte i martuar me Despina, e bija e Mojsi Golemit dhe Zanfina Muzaka dhe shërbeu në oborrin e mbretit Ferrante I. [4]

Konti Bernard Granai Kastrioti mori pjesë në çlirimin e Otrantos, përkrah Xhiulio Antonio Akuaviva, madje në gusht të vitit 1481, mbreti Ferrante I i Napolit, e dërgoi në Vlorë për të biseduar me gjeneralin turk Gedik Ahmet Pasha për të nënshkruar traktatin e paqes me Perandorinë Osmane, por bisedimet përfunduan pa sukses. [2,4,6] Bernard Granai Kastrioti, në vitet 1485 – 1486 u pozicionua në mbrojtje të dinastisë aragoneze, gjatë komplotit të dytë të baronëve.

Familja e Bernardit jetonte në mjediset e oborrit mbretëror. Ne vitin 1468, ne Napoli lindi djali i parë Giovanni - Gjon Granai Kastrioti, nipi i Vrana Kontit. [2] Fëmijet, Gjoni, Alfonsi, Ferdinandi dhe motrat Isabella, Xhiovana e Kamilla, u shkolluan në Napoli. Djalin e madh Gjonin e orientuan në karrierën ekleziastike. [2] Kardinali dhe historiani Paolo Xhiovio i kishte njohur dhe kishte krijuar raporte miqësie me pjestarët e familjes të Kastriotëve dhe me familjen Vrana - Granai, si i përshkruan në veprën: “Dialogo sugli uomini e le donne illustri del nostro tempo”, ku rrëfen admirim për Marien, dama shoqëruese e mbretëreshës së Napolit Xhiovana III Aragona, përshkruan krenarinë e të bukurave Jovana dhe Isabella Kastrioti, ashtu si përshkruan karizmën dhe trimëritë e fisnikëve Alfonso dhe Ferrante Kastrioti, djemtë e dukës Gjoni II Kastrioti. [3] Si kuptohet Paolo Xhiovio e njihte mirë prejardhjen e te dy familjes andaj pa rezerva përdor

mbiemërin Kastrioti, për vajzat e Bernardit dhe Maries.

Gjoni frekuentoi shkollimin ekleziastik dhe në moshën 18 vjeç, me propozimin e admirueses së tij

mbretëresha Xhiovana III zonja e Mazara del Vallo në Siçili, Papa Inoçenti VIII, me bulën e 15 marsit 1486, e emëroi At Gjon Granai Kastrioti, Ipeshkëvi i Mazara del Vallo. Gjatë mbretërimit të Ferrante I i Napolit, At Gjon Granai Kastrioti shërbeu kryekapelani i kapelës mbretërore, madje e kishin ngarkuar të ushtronte dhe kompetenca juridike. Emërimi ipeshkev i Mazara del Vallo, ishte vleresim dhe nderim për meritat e familjes të Vrana Kontit, por At Gjon Granai Kastrioti, nuk ishte i prirur për karrierën ekleziastike, andaj shkonte shumë rrallë në Dioqezë, madje funksionet dhe detyrat ipeshkëvale ia delegonte klerikëve të tjerëve. Si kuptohet Gjoni i ri nuk kishte dëshirë, të vazhdonte karrierën ekleziastike, andaj në vitin 1503 dha dorëheqien dhe vazhdoi karrieren ushtarake me detyrën e Gran Capitano në ushtrinë mbretërore. [2, 4]

Ne vitin 1496 mbreti Fredrerik I i Napolit, me një letër dërguar princeshës Andronika Kastrioti dhe kontit Bernard Granai Kastrioti, i falenderoi për kontributin, që kishin dhënë duke e bindur mbretëreshën vejushe Xhiovana III, nëna e Frederikut, të abandononte postin, ta linte Napolin e të kthehej në Valencia-Spanjë.[4] Per meritat në shërbim të mbretërisë aragoneze, mbreti Frederiku I i Napolit i akordoi Bernard Kastriot Granai, titullin e fisnikërisë Baron i parë i Galatone dhe Konti parë i Kopertino, ku përfshiheshin trojet e Leverano dhe Veglie, terrene që i ishin konfiskuar baronit komplotist Pirro del Balzo. [4]

Më 1 prill 1498, mbreti Frederiku I, i dha feudin e Gagliano në pronësi të Andronikës dhe djalit Gjoni II Kastrioti. [1, 2]

Më 7 shtator 1499, nëna mbretëreshë Xhiovana III e la Napolin dhe shkoi në Spanjë, pranë të vëllait Ferdinando, e shoqëruar nga Andronika Kastrioti dhe Maria Zardari, ndërsa e bija Xhiovana IV qëndroi në Napoli nën përkujdesin e Bernard Kastrioti Granai, “burri i denjë – homo degno”, si e quan amabasadori i Venedikut Françesko Morosini, në relacionin dërguar Doxhës më janar 1501. [4, 5, 7] Një vit me pas Xhiovana IV, e shoqëruar nga Bernard Granai Kastrioti, shkoi në Spanjë pranë nënës. Ambasadori anglez Thomas Bradley, pas vizitës dy mbretëreshave në rezidencën Reyalls në Valencia, në relacionin dërguar në Londër më 23 qershorit 1505, përshkruan privilegjet që gëzonin princesha Andronika Kastrioti, e cila qëndronte krah mbretëreshës dhe duka Beranard Granai Kastrioti, të cilit më 4 prill 1505 iu akordua titulli duka i Ferrandina. Bradlley e përshkrua