Koha mesjetare dhe origjina e Pargës
Mrekullitë e natyrës të mpleksura artistikisht me imagjinatën e njeriut, krijuan Pargën, "Misin" e Çamërisë.
—--------
Prolog
Parga është një qytet dhe bashki që ndodhet në pjesën veriperëndimore të njësisë rajonale të Prevezës në Çamëri. Selia e komunës është fshati Kanallaki. Parga shtrihet në bregdetin Jon midis qyteteve të Prevezës dhe Gumenicës. Është qytet turistik i njohur për mjedisin e tij të veçantë natyror. Sipas regjistrimit të vitit 2011 kishte 11,866 banorë. Aktualisht është qytet kozmopolit.
Në antikitet zona ishte e banuar nga fisi i thesprotëve. Në afërsi të Pargës janë zbuluar varre tholo mikene. Qyteti antik i Toryne ishte vendosur atje në epokën e vonë. Emri Toryn e ka për shkak të plazhit të tij në formën e lugës, (ose të guackës së midhjes).
Vetë Parga përmendet për herë të parë në vitin 1318. Dy vjet më vonë, qyteti dhe të ardhurat e tij nga plantacionet e kallamit të sheqerit, Nicholas Orsini, Despoti i Epirit, i a ofroi Republikës së Venedikut, në këmbim të ndihmës veneciane kundër Perandorisë Bizantine, por nuk pati sukses.
Gjatë rebelimit epirot të viteve 1338/39 kundër perandorit bizantin Andronikos III Palaiologos, Parga i qëndroi besnike perandorit. Qyteti ra nën kontrollin e sundimtarit shqiptar Gjon Spata të Artës në vitet 1390. Pas vdekjes së Spatës qyteti kaloi nën kontrollin venecian në vitin1401 dhe u administrua si një enklavë nën një kështjellë kontinentale në zotërimin venecian të Korfuzit.
Figura udhëheqëse e jetës politike të Pargës në këtë periudhë tranzicioni ishte Hasan Çapari, kundërshtar i fortë i Ali Pashës dhe pronar shumë i pasur nga Margëllëçi..
Parga më pas pushoi së ofruari një strehë për Kleftët (banditë grekë) dhe Suliotët. Shumë banorë të Pargës u zhvendosën në Korfuzin e afërt pasi nuk pranuan që të jetonin nën sundimin osman. Si e tillë Parga u braktis plotësisht nga banorët e saj pas largimit britanik dhe dorëzimit të saj Ali Pashës në 1819. Ali Pasha solli shqipfolës vendas nga Çamëria
—-------
Në kohët e lashta, qyteti Torini ishte vendosur në vend të Pargës e sotme. Qyteti Torini ishte përshkruar si "port që nxjerr para me formë". Oktaviani, për arësye se ishte port i sigurtë dhe i mirë, kishte vendosur flotën e tij atje, për kohën gjatë luftës me Mark Antonin, i cili flotën e tij e kishte në Aktium.
Argumentet që na ka sjellë dijetari Max Wasmar, se origjina e Pargës mund të jetë sllave për shkak të etimologjisë së emrit, ku ai e njëson me traun e sipërm të derës që quhet "prag". Kjo nuk është e vërtetë, se fjala prag është thjeshtë fjalë shqipe (FD).
Një operativ britanik ushtarak i Luftës e Dytë Botërore në Epir dhe udhëtari Arthur Foss, thotë se Parga u themelua "ndoshta" nga "shqiptarë të krishterë" në mesin të shekullit. [Sigurisht në atë periudhë popullsia e zonës ishte e gjithë e krishterë (çamë katolikë)-FD]
Ka dhe një legjendë që ekzistonte në mesin e parganjotëve, bërë e ditur në fillim të shekullit 19 për themelimin e Pargës. Legjenda bën fjalë për gjetjen në hyrje të një shpelle të një imazhi të vogël të Virgjëreshës. Atje ku sot ndodhet një kishë e ndërrtuar në kodrën në krah të djathtë të Pargës, në nderim të Virgjëreshës. Parga ishte ndërtuar fillimisht në majë të malit të quajtur "Bexhevoli", në verilindje të Pargës e sotme. Vendi ku Parga i vjetër ishte, atje është edhe sot e kësaj ditë dhe nga populli vendas quhet Paloparga (Parga e vjetër). Në 1360 ose1365, parganjotët për të shmangur sulmet e pushtuesëve dhe të piratëve, e transferuan fshatin në vendin ku Parga gjendet sot. Rreth vitit 1370, popullsia e qytezës u rrit, sepse vendasit nga rajoni Vurg (përballë Korfuzit) u vendosën në Pargë. Parga historike ka ekzistuar si një vendbanim prej epokës mesjetare. Përmendja e parë e Pargës me këtë emër, është viti 1320, kur kont Nikolla Orsini i ofroi Venedikut territorin e Pargës në këmbim të mbështetjes ushtarake, një ofertë që republika Venedikase nuk e pranoi. Jani Kantakuzeno, në vitin 1339 në referimin që i bën gjendjes së pastabilizuar politike për rajonin e gjerë të Epirit, i cili ishte mes sundimtarëve shqiptarë, grekë, serbë dhe të tjerë, informon se me ndihmën e normanëve që zotëronin ishullin e Korfuzit, u ndërtua kështjella e Pargës.
Koha mesjetare nën Venedikasit
Në këtë kohë, Venediku kishte flotën më të fortë në detin Adriatiku dhe Jon. Parganjotët kërkuan siguri dhe mbrojtje nga Venediku. Në vitin 1401, u nënshkrua një traktat mes Venedikasve, dhe sundimitarëve të ishujve të Detit Jon. Parga i kaloi venedikasve, të cilët respektuan mënyrën e jetesës të parganjotëve, pasi ata dhanë ndihmë të paçmuar në flotën e venedikasve. Venedikasit i lejuan parganjotët të mbajnë këshillin e tyre, që të emëronte gjykatësit dhe popullsia u përjashtua nga tatimet. Parganjotët kishin detyrë shërbimin ushtarak në trevat e tyre.
Në atë kohë parganjotët, bashkë me rebelët e tjerë në Çamëri, luftuan kundër Perandorisë Osmane. Pavarësisht se Parga ishte e vetmja në rajon jashtë kontrollit të Perandorisë Osmane, por ajo ishte bërë një strehë për luftëtarët dhe familjet e tyre kundër turqëve.
Rajoni përreth, gjatë mesjetës duroi shumë sulme dhe bastisje nga piratët dhe banditët. Në vitet 1452,1475 dhe 1499, përforcimet venedikase që shkuan nga Korfuzi parandaluan pushtimin e Pargës prej ushtrisë osmane. Në vitin 1537, admirali Hajredin Pasha Barbarosa e pushtoi Pargën dhe e dogji, shkatërroi kështjellën dhe shtëpitë brenda saj. Kjo ndodhi pas dështimit për të kapur Korfuzin. Banorët vendas u larguan në malet pranë Pargës derisa osmanët u tërhoqën dhe Venedikasit ndihmuan parganjotët të rindërtojnë shtëpitë të tyre. Korfuzi Venedikas i zgjeroi trevat e tij, që, veç Pargës, përfshinte edhe vendbanimet e Sajadhës, Butrintit, disa kështjella përgjatë bregdetit të Çamërisë dhe për një kohë, fushën e Frarit, rajonin e Margëllëçit dhe Paramëthinë (rajonin e Thesprotisë).
Për shkak të këtyre luftërave, kufiri midis Pargës Venedikase (kuptohet e gjithë Thesprotia) dhe Perandorisë Osmane, ishte i pa përcaktuar pasi nuk kishte asnjë akord për demarkacionin (vijë kufutare) e linjës kufitare dhe, si të tilla, vendbanimet pranë Pargës herë pas here ndryshonin administratat qeveritare. Nga fundi i shekullit 16, deri në fund të shekullit 18, gjatë administrimit vanedikas, situata u stabilizua dhe Parga ishte ndërtuar si një kështjellë e fortifikuar me privilegje dhe qeveri vendore që u zhvillua ekonomikisht si një qendër tregtare me seli doganore në Vallton bregdetare. Ndërkohë, venedikasit urdhëruan mbjelljen e ullishtave, kjo siguruoi punësimin e një pjese të konsiderueshme të parganjotëve të merreshin me prodhimin e ullinjve dhe vajit. Në Pargë, ashtu si dhe në Prevezë, kishte luturvi (mullinj vaji) për prodhimin e vajit dhe të sapunit.
Gjatë shekullit 16, në Pargë filloi lëvizja arsimore, nën drejtimin e murgut Filotheu, Anastas Mospinjoti, Andrea Idromeno, Kristofor Perajko, Agapio Leonardo, etj.
Theksohet se gjatë periudhës osmane, disa Suliotë kaluan nga Parga për në Ishujt Jon. Në fund të shekuje 18 dhe në fillim të shekullit 19, Parga dhe rrethinat e saj ishin në një situatë gjeopolitike të paqëndrueshme.
Në vitin 1797, Parga dhe zona përreth së bashku me ishujt e Jonit, kaluan nga kontrolli venedikas në atë të francezëve. Francezët, në vitin 1800 e shpallën Pargën me statusin e qytetit lirë dhe me autoritet të gjerë nën mbrojtjen e Portës së Lartë. Kështu deri në vitin 1800, Parga ishte nën kontrollin e rusëve dhe osmanëve, të cilët kishin bashkuar forcat për të dëbuar francezët nga Ishujt Jon. Ishte një agjent, banor i Perandorisë Osmane, që u mbështet nga ushtarët rusë në mbrojtjen e qytezës nga sulmet e Ali Pashës.
Qeveria tradicionale komunale e parganjotëve vazhdoi e pandryshuar nga sundimtarët e rinj. Udhëtari britanik William Martin Leake në 1806, e përshkroi Pargën, "dhe lartësitë prapa saj", si "të mbuluara me ullishte dhe kopshte" dhe që ka "një pamje shumë të kënaqshme nga deti". Parga ishte "e vendosur në anën e pjerrët të një shkëmbi konik, që ndan një gropore të vogël të bregdetit në dy gjiret. Në dimër paraqitet rrezik për anijet, me përjashtim të anijeve të vogla, që "strehohen" afër rrëzës së qytezës, ose pas disa shkëmbinjve në anën jugore të portit jugor. Vargmali lidh kepin me malin fqinj dhe ndan dy portet. Mbi shkëmb qëndron një kala. Kjo gjendje ishte ende e njëjtë në 1807, kur William Gell vuri në dukje se gjyqtari osman ushtronte kontroll të plotë.
Pas traktatit të Tilsitit midis Francës dhe Rusisë, francezët në vitin 1807, rifituan Ishujt Jon dhe Pargën, të cilën e mbajtën deri 1814.
Parganjotët kanë pasur mbështetjen e francezëve kundër Ali Pashës. Në 1812, tërheqja e Napoleonit nga Moska, inkurajoi Aliun në përpjekje për të kapur fshatin Agjia, një vendbanim i lartë në kodrat mes Pargës dhe Arpicës, si një hap i parë për të pushtuar Pargën. Aliu u zmbraps me humbje të rënda.
Në 1814, me Francën e tërhequr nga të gjitha frontet ushtarake, Aliu u përpoq për herë të dytë të pushtonte Pargën nga mbrojtja franceze, por përsëri ikën të shthurur, në çrregullim të plotë, duke lënë prapa shumë të vrarë. Në mars të vitit 1814, shfaqen forcat britanike të cilat pushtuan ishullin Pakso, ndërsa garnizoni francez që ishte vendosur në Korfuz ishte i izoluar. Francezët dështuan. Parganjotët në atë situatë kontaktuan me britanikët që ishin në ishullin Pakso dhe kërkuan mbrojtjen e tyre. Gjenerali Campbell, i cili komandoi forcat britanike në Ishujt e Jonit u kërkoi parganjotëve për të çarmatosur garnizonin francez, të cilët kishin kërcënuar se nëse do të sulmoheshin, do të shpërthenin fortesën. Parganjotët e larguan garnizonin francez. Gjenerali britanik Campbell admironte parganjotët. Ai raportoi: "Banorët janë greko-shqiptarë (ishin të gjithë çamë, por me që çamët ortodoks i quanin grekë prej besimit fetar, i cilësoi si greko- shqiptar-FD), tepër këmbëngulës të lirisë së tyre, dhe lirisë së komunitetit të vogël të tyre, dhe zakonisht janë kundër dominimit të turqve. Ata janë një popull i guximshëm dhe i pavarur, por, në të njëjtën kohë, i urtë dhe i lehtë për t'u komanduar kur trajtohen në mënyrë liberale dhe me të drejtë; e gjithë popullsia mashkullore janë të trajnuar dhe njohës të mirë në përdorimitn e armëve".
Në 1814, qyteza ra nën sundimin britanik. Me Traktatin e Parisit, nënshkruar në 5 nëntor 1815 dhe rivendosjen e paqes në Evropë, ishujt e Jonit ishin bërë shtet autonom nën mbrojtjen ekskluzive të Britanisë së Madhe dhe u quajtën Shtetet e Bashkuara të Ishujve Jon. Parganjotët që kishin një marrëdhënie të ngushtë me Ishujt Jon, u vunë nën sundimin e britanikëve. Traktati i Parisit në 1814 nuk kishte asnjë referim për ardhmërinë e Pargës, por shqetësimi u ngrit mes popullsisë së qytezës, ku u bë e qartë se Perandoria Osmane kishte një marrëveshje të arritur në 1800 me Rusinë, që tokat jodetare të Venedikut duhet të aneksohen nga Sulltani. Pranimi i kërkesës për kalimin e Pargën Sulltanit, u arrit mbasi Sulltani pranoi që Britania e Madhe të ishte fuqia mbrojtëse mbi ishujt e Jonit. Komandanti i ri britanik i Ishujve të Jonit, Thomas Maitland, ra dakord. Ai dëshironte të forconte Ali Pashën për të zvogëluar në vend ndikimin rus duke ia shitur Pargën Aliut. Krahas këtyre zhvillimeve, Ali Pasha fitonte kohë për ndërtimin e kështjellës në kodrën pranë fshatit Rrapëz, që do të shërbente për të rrethuar Pargën dhe pengimin e parganjotëve për tu takuar me pjesën tjetër të Çamërisë dhe Sulin.
Komandanti britanik Maitlandi, në mars të vitit 1817, dërgoi në Pargë nënkolonel C.P. de Bosset, një oficer zviceran, për të komanduar garnizonin britanik dhe për të informuar banorët e Pargës për marrëveshjen e lidhur ndërmjet Britanisë dhe Perandorisë Osmane. Parganjotët nuk pranuan të mbeteshin nën Perandorinë Osmane. Atëhere Maitlandi ra dakort me parganjotët që ata të ishint të lirë të emigrojnë dhe të kompensohen për çdo pronë lënë prapa. Ndërkaq Maitland udhëzoi de Bosset se qëndrimi i tij në Pargë do të ishte vetëm dy javë para se të kthehej në ishullin Zante (sot: Zakinthos) si guvernator. De Bosset u përpoq të mbante sekret negocimin e britanikëve me Aliun, por vetëm me Perandorinë Osmane. Parganjotët dyshuan për të vërtetën e marveshjes, prandaj ofruan të paguajnë shpenzimet e garnizonit britanik që të mbetej në Pargë. Pasiguria e gjendjes politike krijoi vështirësi ekonomoke, u pengua tregtia, shumë njerëz filluan të jenë në skamje. Aliu, vepronte në përkeqësimin e gjendjes, duke penguar furnizimet me ushqime. Shumica e parganjotëve nuk ishin të përgatitur për të jetuar nën Aliun, mbasi kishin frikë se do të humbisnin pronat e tyre ose do të bëheshin skllevër. Gjatë sundimit britanik, për parganjotët u realizua një vlerësim për pronat.
●●●
Qyteza e Pargës përbëhej nga shtëpitë e shpërndara, parregullsi nga të gjitha anët, duke filluar nga të rrëzimës (vendi i pjerrët), në afërsi të plazhit të detit dhe duke u ndërprerë në portat e kalasë. Shtëpitë ishin të "rrethuar nga mure" me kopshte të afërta, të gjitha anët e mureve të shtëpive kishin vrima, që kur rasti ta kërkonte, të nisnin qitjen kundër armiqëve. Në Pargë kishte toka pjellore me ullinj, portokalle, limona, shumë gardhe të përbëra vetëm nga mërsini(1)", erëmira e të cilit përhapej në të gjithë luginën. Në Pargë kishte disa dyqane ku shiteshin kryesisht armatime, kishte pak mallra për të zhvilluar tregëtinë.
Në negociatat mes Aliut dhe britanikëve, në përcaktimin e vlerës për shitjen e Pargës, Aliu refuzoi të paguante 500.000 £, për vlerën e 830 shtëpive dhe të 31.000 drurëve të ullit që kishte Parga. Aliu arriti të bëj ulje të vlerësimit si dhe mos pagesën e tokave pa ndërtesa dhe të pa kultivuara. Pas bisedimeve të gjata, Maitland ra dakord për të pranuar shumën prej £ 150.000 në emër të Parganjotëve. Më 28 prill 1819, britanikët ia shitën Pargën Ali Pashës Tepelenës.
Në pasditën e 15 prillit 1819, parganjotët hypën në një anije të quajtur Ganymede dhe shkuan në Korfuz. Parga dhe kalaja e saj u dorëzuan më 10 maj 1819. Ky ishte pushtimi i fundit territorial nga Ali Pasha. Pas disa kohësh, Aliu vizitoi Pargën, duke admiruar bukuritë e saj skenike, autorizoi që kalasë ti bëheshin renovime të gjëra, të cilat mbaruan në vitin 1820. Ishin rreth 3.000 parganjotë që u detyruan të linin shtëpitë e tyre dhe të bëheshin refugjatë në Ishujt e detit Jon.
Në kujtesën kolektive të parganjotëve janë ruajtur me pikëllim largimet e tyre nga vendlindja dhe shkuarja në Korfuz. Një ngjarje e rëndësishme, tepër tragjike në historinë e qytezës së Pargës.
Pas vdekjes së Ali Pashës, disa parganjotë, që kishin emigruar në ishujt e detit Jon, u kthyen përsëri në Pargë. Më pas, nën kohën osmane, qyteza e Pargës i humbi privilegjet e shekujve të mëparshëm.
Realizimi i marreveshjes së britanikëve lidhur me parganjotët, ngjalli reagime të ndryshme dhe një protestë në Evropën perëndimore të krishterë. Për ç'rrënjësjen e parganjotëve nga vendi i tyre, populli thuri këngën "Parga". Poeti italian Giovanni Berchet e përshkroi gjendjen e vështirë të popullit në veprën e tij: "I Profughi di Parga në 1820", nga e cila u frymëzua piktori Francesco Hayez i cili "prodhoi një pikturë me të njëjtin emër (1831)". Kurse, De Bosset botoi një libër të këtyre përvojave me titull "Parga and the Ionian Islands në 1821".
Theksojmë ngjajshmërinë e para afro 150 viteve ku britanikët kanë lejuar ç'rrënjosjen e parganjotëve nga shtëpitë e tyre, me atë të vitit 1944-1945, të lejuar nga Koloneli Kris Udhous (Chris Woodhouse), Shef i Misionit Ushtarak Britanik në Greqi, i cili ka pranuar: "I inkurajuar nga Misioni aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre". Po kështu konfirmon edhe deputeti i parlamentit anglez, z. Hutchinson, i cili ka denoncuar masakrat greke në Çamëri. Ai refugjatët çamë i kishte takuar edhe në Shqipëri. Për largimin e çamëve me dhunë, Komisionit Ndërkombëtar, i kërkoi mbrojtjen e çamëve". Por për gjenocidin ortodoks grek ndaj një komuniteti të tërë, edhe sot, mbas mbi 78 viteve "Deklarata për të Drejtat Universale të Njeriut", për rastin konkret, nuk është gjë tjetër, veçse një copë letër demagogjike, e injoruar dhe e çvlerësuar nga ortodoksia greke.
Udhëtarë të huaj për Pargën
I- Në 1849, udhëtari Edward Lear kaloi nëpër Pargë dhe rrethinat e saj. Ai admironte rajonin përreth për kultivimin e ullishtave që mbulonin të gjitha kodrat përreth, drurët e ullirit rrinin mbi shkëmb dhe skërkë (vende në shkëmbinj të thepisur) buzë detit".
Pjesa e vjetër e Pargës, një qytezë me një kështjellë që përbëhet nga muret e vjetra, të rrënuara, të shkretuara. Pas ngjarjes së vitit 1819, u themelua një qytezë e re piktoreske, në breg të detit me dy xhamitë e saj. Rajoni përbëhet nga vendet shkëmbore, me kalanë e çmontuar (shembur), ishujt në gjirin detar, dhe rritja e drurit të ullirit në shpatet përreth, formojnë një pikturë të karakterit krejtësisht të bukur që ngjan më shumë me një skenë italiane sesa me një greke, por kjo skenë e mrekullueshme, theksonte udhëtari Lear, është e pamundur të mendohet plotësisht me kënaqësi, pasi është një vend, ku historia e të cilit është aq melankolike dhe e dhimbshme".
II- Në qershor 1853, udhëtari britanik Henry Fanshawe Tozer, vizitoi Pargën dhe e gjeti "vendin piktoresk, në një zonë të pemëve të ullirit, nga të cilat janë mbuluar kodrat në anën e tokës të qytezës. Bregdeti, në këtë pikë përballet në jug me një port të vogël natyror që formohet nga dy-tre ishuj shkëmborë të cilët qëndrojnë para saj. Pas një shkëmbi, në bri perëndimor të këtij gjiri qëndron qyteza e vjetër, tani shënuar nga shtëpitë e rrënuara dhe nga një kështjellë turke. Në krahun lindor është kisha e "Shën Thanasit". Jashtë fortesës qëndron qyteza e re, që shtrihet poshtë, në plazh".
III-.Në 1863, udhëtari britanik Emily Anne Beaufort Smythe Strangford qëndroi në Pargë për disa ditë. Ai shkruante: "Qyteza ishte piktoreske e kurorëzuar nga një kep i mirë me anët të pjerrët, me plazhe dhe ullishte. Në Pargë, ka pasur një kafene, frekuentohej nga vendasit, në pronësi të një beu vendas dhe parganjotët, vishnin rrobe të ndritura, të këndshme, kostumet më të mira që ishin në rajon. Ullinjtë e Pargës thuhej që ishin më të mirat në Adriatik dhe në Ishujt Jon".
IV- Në 1880, udhëtari britanik Valentine Chirol vërejti se "popullsia e Pargës ishte e përbërë pothuajse në numur të barabartë nga myslimanë dhe të krishterë, që jetonin në miqësi të mirë e të zbutur, tregtia ishte e begatë, anije të vogla merrnin prodhimet e agrumeve të Pargës dhe ngarkesat me bollëk të ullinjve, i çonin në ishullin Pakso, ku prej andej "vaporët austriake" i dërgonin në Brindizi,Trieste dhe në tregjet e tjera të Evropës qendrore e jugore". Chirol e përshkroi "kështjellën" e Pargës "një fortesë piktoreske venedikase me mure të shpërndarë, që shtrihen drejt lart shpatit të kodrës".
Kujtesë kolektive
Lufta e Dytë Botërore dhe shpërngulja e dhunshme e çamëve.
Në fillim të shekullit 20, popullsia e Pargës ishte 4.000 banorë [greqishtfolës (çamë ortodoksë) dhe 1.400 çamë myslimanë]. Më 23/02/1913, Parga u bë pjesë e shtetit grek dhe shumë nga pasardhësit e parganjotëve që kishin ikur në Korfuz, u rikthyen.
Disa vjet, pasi Parga dhe vendbanimet për rreth u bënë pjesë e Greqisë në 1913, u hoqën administrativisht nga Thesprotia dhe u përfshinë në qarkun e Prevezës. Kjo iniciativë ishte marrë nga deputeti i atëhershëm dhe Ministri i Luftës, Theodoro Havini në dy ndryshime administrative të qeverisë për Pargën, në vitin 1928 dhe në 1946 gjatë qeverisjes së Sofuli. Në qeverisjen vendore të Prevezës kaluan: Parga, Agjia, Rrapeza, Spllanca, Tabani, Kastria, Koroni, Lëkurësi, Stanova dhe Trikopallku. Arsyet kryesore të këtij kalimi, sipas qeverisë greke, ishin që Parga të ndahej nga qarku i Thesprotisë për lidhjet historiko-kulturore dhe gjeografike, si dhe për arësye politike, ekonomike dhe praktike, për shkak të turizmit. Kalimi, sipas qeverisë greke, ishte që Parga të mos humbte autonominë e saj administrative dhe të mbetej komunë, si dhe për arësye historike, Parga ishte e veçantë nga pjesa tjetër e Çamërisë. (Historikisht Parga përfshihej në prefekturën e Thesprotisë dhe jo të Prevezës- FD).
Qëllimi i vërtetë i ndryshimit të territorit vendor, në arësyetimin tim, tregon pasigurinë e shtetit Grek, për prefekturën e Thesprotisë, mbasi ndaj popullsisë së saj është zhvilluar gjenocid. Nisur nga kjo mundet që në një të ardhme, gjyqësia ndërkombëtare do vendosë drejtësinë në favor të viktimës. Nga kjo pritmëri, ata mendojnë që të paktën Parga dhe rrethinat e saj nuk do të përfshihen në prefekturën e Thesprotisë së sotme. Ky specifikim mes Thesprotisë dhe Prevezës, në këtë çështje, bëhet sepse banorët autoktonë të prevezës u larguan nga vendi në vitet 1923-1925-(F.D).
Gjatë luftërave ballkanike si dhe gjatë shkëmbimit të popullsive midis Turqisë dhe Greqisë, shteti grek ka përdorur taktika të ngacmimit që i ishin besuar të kryheshin nga grupe paramilitare vendore për të kryer presion mbi myslimanët shqiptarë vendas (çamët) që të emigrojnë në Turqi. Në Pargë, ata detyruan njerëzit të largohen nga vendi, pas dorëzimit të ultimatumit dhe klasifikimit të shqiptarëve myslimanë të Pargës si "me prejardhje turke" në 1923, duke i përfshirë padrejtësisht ata në shkëmbimin e popullsive. Rrreth 1,000 njerëz nga Parga u dërguan në Turqi. Në prag të shkëmbimit të popullsisë, Parga kishte 1.000 deri 1.500 shqiptarë myslimanë. Theksojmë se disa shqiptarë myslimanë në Pargë kishin shtetësi osmane në 1913, por në kohën e shkëmbimit të popullsive, e kishin braktisur shtetësinë osmane. Qeveria greke ata i konsideronte "turq" dhe u bëri thirrje që të largohen nga vendi. Nga personalitete të njohura vendase, u bënë peticione në emër të 20 familjeve të prekura, ku kundërshtohej me argumente për mos largim. Mbi bazën e peticioneve dhe me ndërmjetësimin e Lidhjes së Komitetit të Kombeve, qeveria greke u dha statusin e "jo-shkëmbyeshëm" dhe më pas shtetësinë greke. Një pjesë e popullsisë myslimane shqiptare në Pargë, ishin pronarë të mëdhenj tokash dhe ata ishin të detyruar të shisnin disa nga tokat e tyre.
Është një ngjarje e dhimshme e kryer nga ushtria gjermane, ku tërhiqet vëmëndja për të kuptuar të vërtetën lidhur me akuzën mashtruese greke ndaj çamëve. Më 12 gusht 1943, fshati i krishterë shqipfolës (çamë ortodoksë) Spllanca, që është fqinje e Pargës u dogj dhe u plaçkit nga gjermanët, si pasojë, banorët u larguan nga fshati dhe shkuan në Pargë. Kur gjermanët u tërhoqën nga rajoni në 1944, batalione luftëtarësh të EDES-it grek, qëlluan dhe masakruan jo vetëm forcat e armatosura të çamëve myslimanë që u dorëzuan, por edhe gra e fëmijë, praktikë që ata ndiqnin përgjithësisht kur hynin në të gjitha vendbanimet myslimane. Kështu kur më 28 gusht 1944 forcat e EDES-it hynë në Pargë, forcat e Zervës vranë 49 burra parganjatë dhe 8 gra. Theksojmë se ky është një fakt tjetër që gjermanët nuk kishin bashkëpunëtorë çamët, përkundrazi rasti më sipër tregon se kush është e vërteta.
Pas luftës, struktura e banorëve në Pargë pësoi ndryshime për gjatë dy-tre dekadave. Disa familje nga zona për rreth, zbritën në Pargë, kryesisht ishin familjet nga Suli që u zhvendosën në Pargë. Disa çamë myslimanë që ende gjendeshin brenda dhe përreth Pargës deri viteve 1960, u larguan nga Parga.
Gjatë asaj kohe, ekonomia ishte e bazuar kryesisht në bujqësi dhe tregtinë e jashtme. Parga, mbas luftës ishte në një situatë të vështirë ekonomike. Shumë parganjotë për të gjetur punë dhe kushte më të mira jetese, migruan në Gjermania gjatë viteve 1950. Kohë pas kohe disa emigrantë të rikthyer filluan të investojnë në industrinë e turizmit. I pari vend turistik në atë rajon filloi të veprojë në plazhin e Valltos. Ndërtesat dhe shërbimet turistike në Vallto, përballonin 600 turistë. Ndër të parët turistë ishin francezët. Për zhvillimin e turizmit fillimisht ndihmoi shteti. Në vitin 1962, Parga është shpallur me Dekret Mbretëror, si një destinacion turistik. Kështu, gjatë kësaj kohe, ekonomia vendore e rajonit ndryshoi nga të qenit kryesisht vend bujqësor, në një vend turistik. Parga tani është një nga destinacionet më popullore në Epir dhe një atraksion kryesor turistik, i cili merr 70% të turistëve që vizitojnë qarkun e Prevezës. Me kalimin e kohës, janë bërë dhe martesa mes parganjotëve vendas dhe turistëve nga vende të tjera, duke ndikuar si në strukturën e popullsisë dhe shndërrimin e Pargës në qytezë kozmopolite.
Epilog
U ndalëm pak më gjatë në trajtimin e Pargës, mbasi ngjarje disa shekullore të ndodhura atje me pushtues të ndryshëm, karakterizojnë situatat gjeopolitike të të gjithë rajonit të Çamërisë në Mesjetën e vonë. Ziliqarët dhe inatçorët, nga që nuk krahasohen gjëkundi me ne, përdorin të gjitha aftësitë djallëzore, por e veçantia jonë mbrohet edhe nga ëngjëjtë hyjnorë!
—--------
Shënim: Në hartimin e këtij shkrimi janë shfrytëzuar disa materiale nga Wikipedia. Është bërë redaktim, përmbledhje, saktësime dhe përshtatje në përputhje me të folurën e gjuhës së vendasve të para 1945-sës.
Shënim(1):Mërsinë: Shkurre me gjethe të vogla, me majë të fortë, nga degët e së cilës kullon një lëng tepër aromatk, (qershigël, rrush thëllëze).
Comments