top of page

Para se të ketë krahë, një person ka rrënjë


Para se të ketë krahë, një person ka rrënjë

Fatmir Terziu


Ja që ne jetojmë me „Fjalën e Lirë“. Jetojmë në lirinë tonë të Fjalës. Jetojmë me Fjalën… E, pra ne jetojmë me fjalë dhe prandaj jemi të ndjeshëm ndaj gjithçkaje që thuhet. Gjëja e përsëritur që dëgjoj është - "poezi e bukur, tregim shumë i bukur". Kjo, përveçse është e këndshme, më bën të mendoj dhe të pranoj se kam krijuar botën time në të cilën ka bukuri dhe butësi. Është e brishtë sepse është ndryshe nga e vërteta, dhe pikërisht për këtë jam mirë me atë territor. Ndonjëherë e kap edhe veten duke zbukuruar jetën dhe njerëzit. Shumë miq hyjnë në këtë botë të vogël dhe e popullojnë këtë hapësirë me Fjalën. Është një nga shtyllat e jetës sime, që i jam përkushtuar Fjalës. Kam dhënë shumë, por kam marrë edhe tre herë në këmbim të asaj që më duhet dhe i duhet Fjalës. Fjalës që pikëtakohet me letërsinë.

Letërsia është një mesazh, si çdo gjë në veprimet tona. Sigurisht që ka një ndryshim në qasje, por aftësia për t'u shprehur është i vetmi kriter. Brenda një muaji më shkoi mendja për kuriozitet të pastër të krahasoja dhe të gjeja një autore shqiptare dhe ta vija në skenën meritore me autoret e "Cocolate" dhe "50 Shades of Grey". Një aftësi ndryshe, një shprehje ndryshe, por jo shumë më ndryshe se në romanin e fundit të Coelhos. Këtu nuk mund të ketë asnjë mosmarrëveshje, dhe shtesat në paleta janë në sekretin e Jetës. E bukur në një mënyrë tjetër – kultura, mbivendosje – dhe në fund nuancat e së bukurës. E gjithë kjo është një udhëtim drejt shpirtit, që është ndjekja më e denjë në art dhe e mishëron atë. E kështu mund të thoja për ndonjë në anën tjetër të kalibrit gjinor. Por… le ti mbesim mesazhit. Ndoshta mesazhit për brezin e ri të poetëve.

Ata janë mahnitës. Nga sa dëgjoj në leximet e "Fjalës së Lirë", më bën përshtypje prania e tyre e guximshme dhe fuqia e deklaratës së sinqertë. Më vjen diçka tronditëse për mirë dhe pyes veten, a kam vend mes këtyre të rinjve të talentuar? Lajmi i mirë është se të gjithë tingëllojnë ndryshe, dhe është e mahnitshme se si të njëjtat fjalë bashkohen në mënyrë unike në mënyrë të ndryshme. Ashtu si gjenet!

Për mua, është një qëndrim ndaj jetës, jo një ndjenjë specifike. Ju e dini moton e librit Charles Bukoëski: „Unë pata "shansin" të vdisja disa herë, fjalë për fjalë dhe figurativisht, dhe kjo më dha një shpërblim - të çmoj çdo ditë, orë dhe çast. Jeta shkëlqeu aq shumë dhe unë e përqafova aq shumë sa u bë dashuria ime e vërtetë.“ E kështu edhe këtu në mesin tonë, në mesin e „Fjalës së Lirë“, fjalës së mirë… Kam takuar miq dhe kolegë të mrekullueshëm, dhe kjo është një dhuratë. Unë kam një punë të mrekullueshme në mes të ëndrrave, kam fëmijë jashtëzakonisht të guximshëm që më mbushin me krenari. Kemi një trashëgimtare marramendëse, e presim edhe gëzojmë me Princeshën tonë Elizën, vajzën e djalit tim të parë... Dhe familja na mëson partneritetin dhe tolerancën. E gjithë kjo është pjesë e dashurisë së madhe që më dhanë engjëjt më të mirë dhe më të ndritur, ata që nuk jetojnë më, prindërit dhe mësuesit e mi të shtrenjtë të jetës dhe familjes, të udhës së bukur që na ka projektuar Zoti ynë i Madh.

Nëse nuk do të isha supersticioz, do të thosha se jam me fat. Kujt i jep Zoti dhe Fati kaq vite mrekulli?... Ndoshta kam pasur një mision të vogël dhe e përmbush me dashuri me ndihmën e miqve më të mirë krijues tek të cilët mbështetet „Fjala e Lirë“. Përpiqem të jem sa më i dobishëm edhe për të huajt. Që të ndodhin gjëra të mira. Njerëzit ndihen mirë dhe përgjigjen më mirë, dhe kjo është e vlefshme për ne të gjithë që shkruajmë dhe përkushtohemi ndaj librit.

Libri dhe shkrimi, sidomos letërsia dhe krijimi janë një privilegj që më japin mundësinë të shprehem dhe është një dhuratë pa çmim. Njerëzit shprehen përmes vallëzimit, penelit, filmimit, fjalëve. Mënyra ime mbeti kjo e ngatërruar mes studimit dhe tek fjalët. Krijuesit e të gjitha moshave më thonë se unë i frymëzoj, se ata ndjehen mirë duke lexuar poezitë e mia, sepse e njihnin veten në to. Më pëlqejnë veçanërisht ata që janë në moshën e vajzës sime, kjo është një shenjë se drejtimi është i duhur, që fjalët prekin dhe lëvizin. Aty i gjej fjalët.

Dhe fjalët i mbledh kudo, në autobus, në metro, në tavolinë, në shtëpi, në auditor, në punën time si përkthyes. Shpesh mezi i mbaj mend nga undergroundi në radio. Unë nxitoj t'i ruaj imazhet që të mos fluturojnë ose shkrihen. Në underground, për shembull, ka gjithçka, detaje që flasin ose provokojnë dhe fjalët fillojnë vetë... Aty mendoj më mirë. Mendoj se njeriu para se të ketë krahë, pra një person ka rrënjë. Jam krenar për rrënjët e mia ku ushqehet gjuha më e pasur dhe më e bukur në botë.

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page