top of page

Panajot   Zoto: Takim në Londër



(fragment  nga romani  “Të fortët”)

Panajot   Zoto                 

                                                   

    Ai dilte përditë mëngjeseve në parkun “Markfield” dhe bënte ecjen e zakonshme sportive në pistën 800 metra të gjatë, që rrethonte fushën e madhe e të gjelbër. Pastaj ulej në një stol në anën veriore të parkut,nën  hijen e pemëve të larta me gjethe të mëdha në formë vezake, që në vjeshtë, para se të binin në tokë dhe të mbushnin pistën dhe  mjediset e tjera çlodhëse të parkut, merrnin një ngjyrë të kuqërremtë. Vila ku banonte ishte jo më shumë se 200-250 metra larg parkut, në zonën jugore të Totenemit, në  “Seven sistess”, rruga “Stanford Hill”, ku kishte fare pak qarkullim makinash dhe që njihej si “Rruga e Hebrenjve”, për shkak se atje banonte një numër i konsiderueshëm familjesh hebreje; ndodheshin dyqanet dhe shkolla e këtij komuniteti. Për të mbritur te parku, atij i duhej të bënte një copë rrugë në këmbë para se të futej poshtë urës,në jugperëndim të parkut, mbi të cilën kalonte linja hekurudhore dhe trenat e zhurmshëm që ia prishnin qetësinë atij mjedisi shlodhës. Pastaj kalonte urën mbi lumin “River lee” dhe futej brenda parkut për të nisur ecjen. Ndodhte, që më parë, të bënte një shëtitje buzë lumit, ngjitur me parkun, në pjesën veriore të tij, për të soditur gondolat dhe shpendët e shumëllojshëm që ngriheshin në fluturim me gugatjet e çuditshme, pastej ktheheshin në habitatin e tyre dhe notonin të qetë mbi ujin gati të palëvizshëm të lumit, të pashqetësuar nga lëvizjet e çrregullta të kanoeve me të cilat stërviteshin dhe argëtonin grupe të rinjsh.

  Atë ditë kishte dalë më herët se zakonisht dhe ishte ulur në një nga stolat prej druri, që ndodheshin me shumicë në atë park. Priste avokatin e tij nga Shqipëria, që kishte mbëritur gjatë natës në aeroportin “Stansted” të Londrës. Admir  Qorri e kishte lënë  Shqipërinë ditët e para të janarit, në vigjilje të shekullit të ri, kur e kuptoi se qëndrimi ende në Vlorë, pas ngjarjeve të fundit, kishte shtuar dyshimet e policisë dhe po e afronin atë gjithnjë e më shumë në gjurmët e krimit. Ishte betuar mbi trupin e xhaxhait të vrarë në një lokal në dalje të Skelës, se do të hakmerrej. Do të hakmerrej për gjakun e kushuririt të tij dhe për lokalin e djegur nga rivalët në biznes. E kishte vendosur dhe për ta bërë realitet premtimin nuk kishte kursyer paratë. Njerëzit e tij e kishin gjetur Janaqin nga Narta dhe e kishin ekzekutuar, pas rrëmbimit, diku në pyllin e Sodës, kurse  Blerimin e  kishte gjetur një muaj më pas në Bergamo, miku i tij italjan, që kishte porositur më pas vrasjen. Benito Kalpa vazhdonte të invetonte në ndërtim. Kohët e fundit ishte lidhur me një politikan të rëndësishëm, që ia kishte prezantuar Endri gjatë një takimi me të në Tiranë. Ishte në bisedime me të për blerjen e një trualli në bregdetin e Himarës, ku do të realizonin ndërtimin e një hoteli në bashkëpronësi.

  Arjan Isufi, avokati personal, të cilin Miri e priste në kafenenë e parkut, do t’i sillte të rejat e fundit nga Shqipëria dhe të gjitha veprimet që lidheshin me transfertat e parave në llogarinë bankare të Admirit në Angli. Shtrënguan duart dhe u përqafuan fort, duke i përcjellë njeri-tjetrit një lloj ndjesie malli pas një kohe të gjatë ndarjeje.

-Paske ndryshuar,-tha avokati, duke thyer i pari heshtjen pas atij përqafimi paksa të zgjatur.,

-Ndryshuar? Në Ç’kuptim?- pyeti njeriu që kontrollonte, që nga  Londra, rrugët e trafiqeve nga jugu i Shqipërisë drejt Italisë e më tej, në Europë.

-Paske lënë mjekër dhe...,- ia kaloi dorën mbi ballë, ia preku lehtaz me gishtërinjtë e dorës shenjën që kishte poshtë cepit të syrit të djathtë.- Po kjo?-pyeti i  shqetësuar.

   Mir  Qorri nxorri një “eee” të thatë nga goja dhe me një lëvizje të dorës i dha të kuptonte avokatit se nuk donte të diskutonte për këtë temë. E shqetësonin më shumë rrudhat e shfaqura së fundmi në fytyrë dhe kjo e bezdiste, madje  ishin kthyer në makth për të. Kur i afrohej pasqyrës dhe shikohej me vëmendje i dukej se rrudhat mbi ballë ishin më të thella nga ç’dukeshin në distancë. Anxhela, një mikesha e tij, që banonte pak kilometra më larg, ia kishte vënë re shqetësimin dhe ai ndërronte bisedë sa herë ajo ia ledhatonte fytyrën. I tregonte diçka nga historitë e tij në Shqipëri, për t’ia larguar ndjesitë që i krijoinin asaj rrudhat në fytyrën e tij.Por ajo nuk e kishte problem dhe i thoshte me një qeshje ledhatuese se nuk po i durohej sa ta prekte e të thithte aromën e fytyrës së tij. Pastaj e afronte në shtrat dhe kur buzët e saj preknin buzët e tij, më shumë se rrudhat, mjekra  e Mirit i krijonte një ndjesi bezdie, por nuk e shfaqte. I thoshte se prania e rrudhave te njeriu është thjesht një proces  fiziologjik, normal. Pas kësaj ai qetësohej, mbuloheshin me një çarçaf të ngjyrshëm dhe bënin dashuri.

 -Vërtet më shikon si Plak?- e pyeti pastaj avokatin me një shprehje qesëndisëse të fytyrës.

 - Aspak,- i tha avokati dhe shtoi:- Te njeriu mosha gjithmonë bie në sy dhe kjo nuk ka lidhje me pleqërinë, përkundrazi, kur flasim për moshën do të thotë se shohim të arthmen.

  Mir Qorri,që e vuante përbrenda ankthin e pasigurisë për shkak të zullumeve, që  kishin shtuar numurin e  armiqve dhe të kundërshtarëve, e dëgjonte avokatin dhe thoshte me vete se ky njeri ishte i duhuri, sepse dinte edhe si t’ia qetësonte  ndërgjegjen e tij të trazuar. Me pëllëmbën e  tij të shëndetshme të dorës mbi atë të avokatit, i buzëqeshte, ndërkaq ai, Arjan Isufi, që dinte ta lexonte përbrenda klientin e tij, nuk mund t’i shmangej kureshtjes për të mësuar arsyet e asj shenje nën cepin e syrit, ndaj e hapi sërish temën me një pyetje që gati e zëmëroi klientin azilant.

 -Është një histori që nuk ia vlen të përmendet,- tha Mir Qorri, me një shprehje indiferente të fytyrës, teksa gjerbte kafen e shërbyer në gotën plastike.

 -Histori  dashurie, apo jo?- shpotiti avokati.

-Nuk e di pse ti sikur më lexon përbrenda në çdo rast. Është pikërisht një histori dashurie, - tha dhe nxorri nga xhepi i brendshëm i xhupit një fotogafi.Avokati ,kureshtar, zgjati kokën për ta parë, por  ai u tërhoq mbrapsht,- Është ajo, që ka mbetur  përgjithnjë në ëndrat e mia, Aristea,-tha, dhe vijoi të tregonte.- Ishte një vajzë gjimnazi. E  njoha rastësisht dhe  pa e ditur se ishte e fejuariu iu vura pas si i marrë.Shpenzova për ta shtënë në dorë. I fejuari, djali i një nëpunësi të Bashkisë, nuk mund ta pranonte dot poshtërimin. E kishte pritur një ditë kur ajo zbriti nga Kuzbabaja ku banoja unë me prindërit e mi, e kishte ndjekur pas, e kishte goditur me thikë pas shpine dhe ishte larguar. Ishte ende në jetë kur e kishin gjetur mbuluar në gjak dhe e kishin çuar me urgjencë në spital.  Ndodhesha në Sarandë kur më njoftuan. E gjeta ende në jetë dhe, para se të jepte shpirt, më tregoi se kush ishte vrasësi.

 -Dhe  ti e gjete?

-Jo. Ishte larguar nga  Shqipëria.

-Mirë thonë se në çdo histori dashurie njeri është viktimë dhe tjetri agresor,- tha avokati, që ende nuk e  kishte shuar kureshtjen, ndaj e pyeti sërish për shenjën  e plagës poshtë cepit të syrit të djathtë dhe ç’lidhje kishte kjo histori dashurie.

 -Jeta të ofron supriza të çuditshme, tha Miri.- Kur erdha këtu, fillimisht u vendosa në veri të “Woodgreen”-it, në një zonë të banuar me shumë emigrantë nga Europa lindore dhe paksa e rrëmujshme. Dilja rallë nga shtëpia dhe,zakonisht, shkoja në “Alexandra Palace”, ku kaloja kohën duke shëtitur në parkun aty afër. Nuk kisha krijuar ende rrethin e të njohurve, kur pikasa një person, të ulur gjithnjë aty në stolat e parkut,që më vëzhgonte në çdo lëvizje që bëja. “Kush të jetë ky?”,- pyesja veten dhe i shmangesha pasi nuk doja të bija në sy.Vazhdoi ky lloj dyluftimi i heshtur gati një muaj dhe, një ditë personi që më ishte qepur, mu afrua dhe më pyeti në shqip, nëse isha nga Shqipëria. “Po”,i thashë dhe ai pyeti prapë nëse njiheshim. Unë ngrita supet, sepse nuke kisha idenë kush ishte ai. Flokët e gjatë dhe fytyra mbuluar nga një mjekër e dendur, nuk më shëmbëllenin si të ndonjë personi të njohur. Tunda kokën në shenjë mohimi, por ai mu afrua dhe tha se kishte një borxh për të  larë.Nuk e di pse më shkuan mornica në trup, jo nga frika, por nga  befasia e ngjarjes. “Më njeh, më njeh  shumë mirë ti”,- tha me një zë të çjerrë. Ishte i fejuari i Aristeas. Bëra një hap mbrapa pa i dhënë të njohur, por ai m’u vërsul me thikë në dorë. U përleshëm dhe... Kjo është historia e kësaj shenje,-tha dhe  heshti. Avokati, që dëgjonte  tërë kërshëri, e pyeti prapë për të shuar gjer në fund kureshtjen dhe ai vijoi të tregonte  se ç’kishte ndodhur më pas. Kishte mbëritur policia dhe i kishin shoqëruar në rajon. Mirin e kishin lënë të lirë, pasi shpiegoi në polici arsyen pse  agresori e kishte goditur me thikë.- kjo është e gjitha, -tha dhe u ngrit. U ngrit dhe avokati.

  Ecën me hap të ngadaltë drejt pistës së parkut dhe iu drejtuan daljes. Ecën disa minuta, kaluan urën e trenit dhe  u futën në rrugën “Stanford Hill”, ku ndodhj vila e Mirit. Biseduan gjatë për problemet e pronave dhe  administrimin e tyre. Për gjyqet e hapura për tokat në bregdet, gjyqin ndaj Benit, mbykëqyrësit të pronave të tij dhe  marrëdhëniet me italianin Benito.

  -Beni do ta ketë të vështirë, sepse edhe gjyqtari që ka çështjen nuk ha pykë,-tha avokati.

 - Mos i kurse paratë... Bisedo me Endrin se ai ka lidhje me ata lart... Na kanë zgjidhur edhe më herët problemet me ata të gjykatës në Vlorë.

 -Çështja është ca më e ndërlikuar. Prokuroria ka hetuar dhe rezulton që dokumentet për rastin  në fjalë janë të  falsifikuara dhe “Spiteni” nuk ka alibi për t’u shfajsuar,-tha avokati.

-Të bëhet e pamundura,- tha Miri dhe  ndërroi bisedë. I tha avokatit se po mendonte planin e largimit drejt Amerikës, pasi ishte implikuar edhe në një çështje tjetër dhe nuk ndihej i sigurt në Londër.

  Avokati ishte kthyer të nesërmen me aionin e parë.

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page