-kur lexon poezinë e Florentina Tamos-
Pasi e ke mbaruar së lexuari vëllimin më të fundit poetik, të titulluar “Përtej reve”, të poetes delvinjote, Florentina Tamo,një ndjesi e brendshme, e mbushur me ngarkesë emocionale, të kaplon dhe të nxit për t’u rikthyer, të qëndrosh brenda faqeve të librit, e të rinisësh leximin. Poezitë e saj i ngjajnë një zane a nimfe deti, që me bukurinë e tyre mbërthejnë shikimin dhe tërheqin gjithë vëmendjen e kundruesit.
Gjeografia e poezisë së Florentina Tamos ka një shtrirje të gjerë, si dhe vet jeta e saj e ndarë mes vendlindjes( Delvinë) dhe mërgimit, por me pika takimi që poetja i shikon edhe “Përtej reve”, ku dëgjon mallin dhe “..si postjer kontinentesh, mbush duart me mollë për fëmijtë e lagjes...”. Është një poezi e qetë si rrjedha e një lumi në shtratin fushor, e pangjashme me zhurmnajën në ujvara ,veç këndjellëse për nga muzikaliteti i vargjeve . Ajo e shikon poezinë jo vetëm si mjet komunikimi me lexuesin,por dhe si nevojë për të nxjerrë nga skutat e thella të shpirtit gjithçka ndjen, duke vënë theksin në atë që përjeton realisht. Perceptimi dhe proceset ndjesore nuk përbëjnë veçanti, përkundrazi. Janë “brumi”me të cilin poetja “gatuan” vargun , strofën dhe ngrehinën poetike të saj. Poezitë “Shtëpia e vjetër”,”Rrapi i Delvinës”, “Te sheshi i qytetit” vërtetojnë faktin se poetja e shikon poezinë si shkencën e perceptimit. Në poezinë “Te sheshi i qytetit tim” ajo përjeton mallin kur thotë : “Kam kohë që futem në monologun e gjatë/ tek numuroj pranverat, që të vi te ti, vendlindje”. Dhe rrapin në mes të qytetit e percepton të kërrusur , “si lypës i ngratë..”, ndërsa portokallet për të “ zverdhen” më shpejt dhe “trëndafilat lulëzojnë e nuk njohin kufi stine...”
Muzikaliteti i vargut i jep poezisë së Florentina Tamos forcën tërheqëse dhe ëmbëlsinë e të shijuarit. Ajo këndon me vargun, ku fjalët në të ngjajnë me nota pentagrami. Nuk sforcohet për të gjetur fjalë “të mëdha”, bombastike ku lexuesi lodhet për t’i deshifruar. Jo. Thjesht e bukur ajo i nxjerr fjalët nga thellësitë e shpirtit dhe si një artist i laton e i kalon pastaj përmes filtrit të mendimit për të formësuar me to vargun:
“Përtej reve bëhem kalorsja, që trokon pambarim/ nuk lodhem para një ëndre të re, të ngrohtë,/ hesht para fjalës, që më jep mënçurinë, /marr lapsin, të zbres mijëra yje në tokë...”
Fjala për poeten është maja që akoma nuk e ke aritur, çka do të thotë se vlera e saj është e pamatë. Prandaj ajo mundohet t’i japë peshën e duhur fjalës që përdor në poezitë e saj. Për të fjala “nuk është ujvara,/ as stërkala e freskët e burimit,/ që të freskon pak ballin e lodhur e të djersitur, është më shumë se rruga drejt një stacioni të ri, është maja...” ( poezia “Fjala me vlerë”)
Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi të duket se autorja ka mbledhur, në një grusht, mjaft dukuri filozofike që lidhen me jetën dhe personalitetin e njeriut , tërësinë e jetës, parë dhe ndikuar edhe nga aspekti femëror, arsyeja dhe logjika femërore (“Djaloshi këngëtar”, “Dëshirë e shtrënjtë”) “Sa do të doja sikur.../Të mblidhja gjithë tingujt e pentagrameve/ të botës/ t’i bëja këngë dashurie,/ për Altarin ku je ti,/ o mik i vjetër!”
Autorja e shikon poezinë si një recetë që në jetë ta sjell shpirti dhe ,kur ndodh ndonjëherë që të mbetet pa poezinë , e cila “aratiset”, ajo ndjehet e vetmuar,por me forcën e shpirtit vendos: “Unë nuk do ta duroj më heshtjen/ dhe terrin e natës,/ do t’i mbledh të gjitha poezitë,/ si një i verbër/ me dritën e shpirtit” (“Kur mbetem pa poezinë”).
Poezia e florentina Tamos është përgjithësisht një poezi me tone lirike, meditative, dashurie e peizazhi. Ajo përdor ,në shumicën e poezive, vargun e lirë, i cili mundëson zbulimin e një bote me imazhe e përjetime emocionale. Nuk është korrekte në respektimin e elementëve (teorikisht) të tekstit poetik, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin rrokjetheksor (...tetërrokshi,dhjetërrokshi, etj). E njëjta mund të thuhet edhe për Rimën ( element tjetër i tekstit poetik), e cila në poezitë dërmuese të autores Tamo nuk shfaqet sipas skemave tradicionale. Në shumicën e poezive dallohet ajo që quhet “Rima e brendshme” ku rimojnë fjalët brenda vargut. “Të nisa me dallgët disa fjalë nga Iljada e Homerit, nuk munda të shkruaj, mos u zemëro! Për ty vizatova me ngjyrë të kuqe një zemër”
Vëllimi poetik “Përtej reve” ka një ngarkesë domethënëse të mjeteve shprehëse dhe llojshmërisë së figurave të sintaksës poetike, atyre tingëllore, të shqiptimit poetik, dhe sidomos të figurave të shprehjes ku dukshëm dallojnë metafora, krahasimi e personifikimi..Ja disa shembuj:
Recitoj brenda vetes ca vargje,/herë më vinë si dallga e shkumbuar në dete,/herë si hënë,/
që nusëron nëpër yje..
Dhe më tej.
Poezia “libri dhuratë”: Kur shfletoj librin që më ke dhuruar/ më bën të trokas në muzeun, që më ka dhënë mosha./ Të zgjoj rininë nëpër valë të qeta lumi...” . Poezia “Në gjyqin e zemrës”: “...i thashë të më shihte sytë plot dritë/ nën diell e hënë,/ të më lexonte dhjetra herë vargun jargavan me petale dashurie...” Poezia “Shkëndijë buzëqeshjeje...”: “Vargun dua ta bëj një telajo gjigante./ të përcjell peshkatarët, që këngë këndojnë, / si pelikani të bëhem në palët e valëve,/me bardhësi pëllumbash zemrat të zbardhojnë...” Poezia “Një telefonatë”: “...Dhe padurimi rinte ulur në gjunjë”, ose “Mijëra sekonda rrotulloheshin rreth meje”.
E gjithë poezia e Florentina Tamos është një dashuri që i del nga një sinqeritet i brendshëm. Ajo e gjen dashurinë në mardhënie me mjedisin dhe njeriun, e zbulon në detaje që për njeriun e zakonshëm nuk do të kishin rëndësi. Ajo ecën me hapin e nxituar dhe vëmendjen ia tërheqin tingujt e një melodie, ishte një këngë e vëndllindjes së saj. Dhe ajo ndalet ( poezia “Djaloshi këngëtar”) e dëgjon: “Ndalova në një qoshe rruge, /të dëgjoja e malluar,/ simfoninë e largët të asaj kënge,/ në këtë vend të huaj”
57 poezitë e këtij vëllimi janë një buqetë lulesh shumëngjyrëshe,me një embëlsi të veçantë si shije që të mbetet pasi mbyll kapakun në përfundim të leximit.
LAJM NGA DELVINA:
Nga Shpresa DINE
Zgjidhen organet drejtuese të Klubit të Krijuesve “Let-Art” në Delvinë
Ditë më parë u zhvillua në qytetin e Delvinës mbledhja zgjedhore e asamblesë së Klubit të Krijuesve “Let-Art" të këtij qyteti.
I themeluar në dhjetorin e një viti më parë, ky klub erdhi në takimin e rradhës me disa objektiva të plotësuara. Është përgatitur dhe së shpejti del nga shtypi Antologjia e parë me krijime (poezi,prozë dhe pikturë), të anëtarëve të klubit, si dhe po bëhen përgatitjet për promovimin e Antologjisë në një aktivitet të larmishëm letraro- artistik të titulluar “I këndojmë Delvinës"që do bëhet në muajin tetor dhe ku do të performojnë këngëtarë,grupe polifonike, instrumentistë dhe nxënës të talentuar të shkollës së mesme të qytetit me interpretime nga krijimtaria e poetëve dhe shkrimtarëve delvinjotë.
Në këtë mbledhje të asamblesë veç të tjerash, u bë edhe promovimi i dy librave poetikë të anëtarëve të këtij klubi. Poeti Thoma Cero preku disa aspekte të krijimtarisë së tij në poezi përgjatë viteve të fundit dhe u ndal më tej në librin më të ri me poezi "Refren zemre",duke spjeguar motivet që e nxisin atë në krijimtarinë e tij. "Jeta aktive dhe dashuria për qytetin dhe banorët e tij, janë shtysa dhe frymëzimi që më mbajnë të lidhur me poezinë"-tha ai. Natasha Xhelili prezantoi më pas librin më të ri poetik të poetes delvinjote Florentina Tamo, të titulluar "Përtej reve". Ajo vlerësoi talentin e poetes dhe u ndal në detaje në përmbajtjen artistike dhe vlerat gjuhësore të figurshme të poezive të këtij libri.
Në këtë mbledhje, ku u diskutua gjerësisht për objektivat e klubit të krijuesve,të cilat synojnë në gjallërimin e jetës kulturore,pse jo dhe artistike të qytetit përmes bashkëpunimit me Qendrën kulturore dhe shkollat, në gjurmimin dhe promovimin e talenteve në letërsi e arte etj. U kërkua thellimi i bashkëpunimit me pushtetin vendor, me qëllim që drejtuesit e tij jo vetëm ta vlerësojnë këtë sipërmarrje vullnetare të grupit të krijuesve,por dhe ta nxisin dhe mbështesin atë. Në fund të takimit njëzëri u zgjodh dhe kryetari i këtij forumi z. Panajot Zoto.
Comments