Panajot Boli: VETEM TI TË MË ZGJOSH...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 2, 2024
- 1 min read

Aspak nuk e do ndarjen gjethja nga mëma
Këmbët i heq duke i zvarritur me përtesë
Dhëmbshurinë e verdhë ka hedhur supeve
E trishtimin,gjurmë po e lë pas si një vesë.
Serish do ringjallët,me mall,tani e brishtë
E ripërteritur,ledhatuar nga flladi blu erë
Do të mbijë befas,aty ku ka lenë dashurinë
Në lëngun e lulëzimit përseri në pranverë
Edhe dallendyshet kthejnë sytë nga foleja
Ca peshperima shpirti lenë në pragun e saj
Ikin,me besën e Kostandinit varur në flatrat
E kthehen si Odiseja, me dashurinë lulnajë.
Në pranverë do hapin serish derën e folesë
Të ngrohen në vatrën e saj me afshin e mallit
Pastaj do të hidhen terë gaz, të takojnë lumin
Të pushojnë pak te rrepet e vjetra buzë zallit
Ah, do të më ikesh ca kohë edhe ti e dashur
Si do ta duroj vjeshtën melankolike me erën?
Do t’i mbyll sytë e do bie në gjumë letargjik
Të më zgjosh vetëm ti, bashkë me pranverën
Comentarios