top of page

PANAJOT  BOLI: PASTAJ... TË MË PËRMENDI


POEZI NGA PANAJOT  BOLI

 

PASTAJ... TË MË PËRMENDI

 

Nata vret heshtjen me zërat e bulktheve

Që në errësirë u pelqejnë  të këndojnë

Ca gjinkalla budallaçka ende vazhdojnë

Të më çjerrin mua shpirtin e lodhur

Dhe nervat t’i pickojnë

 

Orkestres së bezdishëm të natës hutaqe

Ca zogj që s’i njoh,këndojnë me grykë

E,si në këngët labe ia kthejnë cirik-cirik

Mbyll veshët, mbyll dritarët e vertitem

Me hap të tendosur, nevrik

 

U lodh orkestra e filloi të shuhet pak nga pak

Ndofta i dhëmbi koka natës e nisi t’i qortoj

Një zë i ngjirur,si i dehuri vazhdon të këndojë

Pastaj zaliset, zvarritet i fundit   edhe ai

E vjen heshtja të sundojë

 

Qetësia bie si pupël e hëna fton sakaq yjet

Në bluzën e natës të bëhen kopsa argjendi

Pak flori drite i hedh në gushë,ah,ta çmendi

Të më shetis edhe mua në kopshtin e Evës

       Pastaj të më përmendi

 

U PLAK PLANETI IM

 

                             -O botë e shthurrur, o dreq...

                                                                     Shekspir

 

Një lemsh më viziton o sa shpesh në grykë

Por jashtë nuk pipëtin....bota është e shurdhët

Më shpëto,i them dritarës, o mik , o vëlla

Planeti im i plakur që më jep frymë

Zgerdhihet e qesh si budalla

 

Mjegulla erdhi e paftuar e qielli bën ankësë

U shpërfytyrua edhe dielli me dritë të vyshkur

Zgjas dorën me panik, kujt t’i flas me parë

Pemë gungaçë shoh me zogj memecë

E skelete gishtash mbi celular

 

Zonja  Pasiguri ecen zbathur rrugëve të shkreta

Shkel guralecë amorfë që përvelojnë shumë

Ka edhe gjemba irriqi helm ky planeti im

Një Ufo luan me akrepat e një bombe

E një mister shfaqet në përendim

 

Ky planeti im është hutuar, peson metamorfozë

Pranvera mbledh rrobat në një bohçe të vjetër

Edhe vera e lodhur,gati për shtegëtim është

Kalëron shpresa mbi një kalë të trishtë

E ngeli vetëm stina: vjeshtë

 

Ky planeti im i plakur  ka një kollë  të  rendë

E lanë të gjithë, ngeli me stinën e vjeshtës

Galaktika  e frikshme erresirë pa mbarim

Ndofta bëhemi edhe ne dallendyshe

E nisemi për shtegëtim

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page