Pak Sokrat



Astrit Lulushi


Sokrati ishte studiues, mësues dhe filozof lindur në Greqinë e lashtë. Metoda e tij e arsyetimit është quajtur ‘sokratike’ dhe vuri bazat për sistemet perëndimore të logjikës dhe filozofisë. Kur klima politike e Greqisë u kthye kundër tij, Sokrati u dënua me vdekje në vitin 399 pes. Ai e pranoi gjykimim në vend që të ikte në mërgim.

Lindur rreth 470 pes, në Athinë, jeta e Sokratit është kronizuar përmes vetëm disa burimeve: dialogjet e Platonit dhe Ksenofonit dhe shfaqjet e Aristofanit. Për shkak se këto shkrime kishin qëllime të tjera nga raportimi i jetës së tij, ka të ngjarë që asnjë prej tyre të paraqesë një pamje plotësisht të saktë. Sidoqoftë, kolektivisht, ato ofrojnë një portretizim unik dhe të gjallë të filozofisë dhe personalitetit të tij.

Emri “Sokrat” rrjedh nga ‘sos’ - (për-sos), dhe ‘krat’ - (krijim, forcë, aftësi - në anglisht ka dhënë ‘craft’)

Ai ishte djali i Sofronit, gur gdhendës e skulptor dhe i Fareretes, mami. Për shkak se nuk ishte nga një familje fisnike, Sokrati mori vetëm një arsim fillor dhe mësoi zanatin e të atit. Puna fizike nuk vlerësohej shumë atë kohë në Athinë. Besohet se Sokrati punoi si murator për shumë vite para se t'ia kushtonte jetën filozofisë. Bashkëkohësit ndryshojnë në tregimet e tyre se si Sokrati e mbështeti veten si filozof. Disa thonë se ai paguhej për mësimdhënie, ndërsa Platoni shkruan se Sokrati e mohoi pagesën, duke përmendur si provë varfërinë e tij.

Sokrati u martua me Xanthipen, një grua më e re, e cila lindi tre djem. Dihet pak për Ksanthipen përveçse nga karakterizimi i Ksenofonit, i cili thotë se ajo ishte “e padëshirueshme", se ishte e pakënaqur me profesionin e dytë të Sokratit, pasi nuk e mbështeste dot familjen si filozof. Sipas Ksenofonit, Sokrati nuk merrej shumë me edukimin e djemve të tij dhe shprehte më tepër interes për zhvillimin intelektual të të tjerëve.

Ligji i Athinës kërkonte që të gjithë meshkujt me gjendje të aftë të shërbenin si ushtarë në rast lufte, nga moshat 18 deri në 60 vjeç. Sokrati shërbeu si shigjetar. Ai mori pjesë në tre fushata ushtarake gjatë Luftës së Peloponezit, në Delium, Amfipolis dhe Potidaea, ku i shpëtoi jetën Alcibiades, një gjeneral popullor athinas.

Sokrati ishte i njohur për guximin e tij, tipar që qëndroi me të gjatë gjithë jetës. Pas gjyqit, ai e krahasoi mospranimin për t'u tërhequr nga problemet e tij ligjore me refuzimin e një ushtari për t'u tërhequr nga beteja kur kërcënohet me vdekje.

Simpoziumi i Platonit jep detaje më të mira të paraqitjes fizike të Sokratit. Ai nuk ishte fizikisht i pashëm; i shkurtër, i shëndoshë, me hundë të gjërë të shtypur dhe me sy të çuditshëm, por krijimtarinë e mendjes e kishte të përsosur dhe i tërhiqte studentët në debatet e tij të shkëlqyera. Sokrati gjithnjë theksonte rëndësinë e mendjes mbi parëndësinë relative të trupit. Kjo kredo më pas frymëzoi filozofinë e Platonit për ndarjen e realitetit në dy sfera të veçanta, në botën e shqisave dhe botën e ideve, duke theksuar se kjo e fundit ishte e vetmja e rëndësishme. Këtu filloi edhe përçarja midis Platonit dhe Aristotelit, i cili e kundërshtoi teorinë e dy botëve.

Sokrati besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate për mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai u përpoq të krijonte një sistem etik bazuar në arsyen njerëzore dhe jo në doktrinën teologjike.

Sokrati theksonte se njeriu në zgjedhje motivohet nga dëshira për lumturi. Urtësia vjen nga njohja e vetvetes. Sa më shumë që një person di, aq më e madhe është aftësia e tij për të arsyetuar dhe bërë zgjedhje që do t’i sillte lumturi të vërtetë. Sokrati besonte se kjo përkthehej në politikë me formën më të mirë të qeverisjes, që nuk ishte as tirania dhe as demokracia. Sokrati mendonte se qeveria funksionon më mirë kur qeveriset nga individë me aftësi, dije, dhe virtyte që zotërojnë një kuptim të plotë të vetvetes.

Historiani Xenophon thotë se Sokrati e përdorte shpesh maksimën ‘Njihe Veten’, moto, të cilën e kishte parë të gdhendur në hyrjen kryesore të tempullit të Delfit, që i kujtonte njeriut se duhet të qëndrojë dhe të jetojë sipas natyrës së vet, dhe gjithmonë t’i hedhë vetes një vështrim njohës. Në vazhdim të këtij arsyetimi, Sokrati arriti në përfundimin logjik se njē jetë e pa-ekzaminuar nuk ia vlen të jetohet.

0 views

Shkrimet e fundit