Pak humanizëm, të lutem


Astrit Lulushi



Beteja vazhdon. Edhe historia. Fshatari i thjeshtë ndjek Don Kishotin nga lakmia, kurioziteti dhe besnikëria. Sanço Panço ekziston si brenda ashtu edhe jashtë botës së çmendur të Don Kishotit. Media e opozita luajnë sëbashku dhe shfrytëzojnë çmendurinë e Don Kishotit, por Sanço fshatari shpesh e adhuron, ndonjëherë duke u kapur tërësisht pas çmendurive, e mbron Don Kishotin për besimin në fantazi dhe kështu bëhet pjesë e tij. Ndërsa Don Kishoti është shumë serioz, Sanço ka një sens të shkathët humori. Don Kishoti i serviloset një gruaje që nuk e ka parë kurrë, ndërsa Sanço me të vërtetë e do gruan e tij. Ndërsa Don Kishoti mashtron veten dhe të tjerët, Sanço gënjen vetëm kur s’ka mënyrë tjetër.

Duke jetuar në botën e Don Kishotit dhe botën e bashkëkohësve të tij, Sanço është në gjendje të krijojë ngrohtësinë e tij midis tyre. Ai mishëron aspektet e mira dhe të këqija të epokës aktuale dhe ditëve të kaluara kalorsiake. Ai shfaq gabimet që vihen re në pjesën më të madhe të shoqërisë, por ka një rrëfim të nderuar dhe të dhembshur të tyre, vetira që u mungojnë të tjerëve. Sanço ndan besimin e çmendur të Don Kishotit në virtyte kalorësie, por shmang të lëkundet drejt ekstremit tjetër që e barazon fuqinë me nderin. Megjithëse Sanço fillon të kërkojë më shumë, si bashkëkohësit, kundër të cilëve Don Kishoti rebelohet, ai përfundimisht heq dorë nga magjepsja dhe pranon të jetojë me nder në pozicionin e tij të thjeshtë në jetë. Prandaj Sanço haset si personazhi me perspektivën më të larmishme dhe mençurinë më të madhe, duke mësuar nga bota përreth tij falë kuriozitetit të vazhdueshëm. Megjithëse Sanço është një personazh tërheqës në shumë nivele, është ky kuriozitet përgjegjës për pjesën më të madhe të lidhjes sonë me të. Ai vëzhgon dhe mendon për Don Kishotin, duke na mundësuar ta gjykojmë Don Kishotin. Sanço humanizon historinë, duke sjellë dinjitet dhe hidhërim, por edhe humor dhe dhembshuri.

Përmes Sanços, Miguel Servantes kritikon ekuacionin e konceptuar keq midis klasës dhe vlerës. Megjithëse Sanço është injorant, analfabet, frikacak dhe budalla, ai dëshmon veten si një udhëheqës të mençur dhe të drejtë, një qeveritar më të mirë se Don Kishoti i arsimuar, i pasur, autokrat dhe aristokrat. Në kohën kur Sanço kthehet në shtëpi, ai ka fituar besimin në vetvete dhe në aftësinë për të zgjidhur problemet, pavarësisht nga statusi i tij i klasës së ulët. Sanço shpesh na duket se e di se çfarë do të thotë. Pas një zbrazje 70 vjecare nga ndjenjat, dhe mbushje me vrasje e mizori, korrupsion e vjedhje që rrjedhin nga elita, personazhi Sanço bëhet forcë humanizuese që i dallon njerëzit me të vërtetë të nderuar, edhe kur ata janë fshatarë a popull i thjeshtë.

13 views

Shkrimet e fundit