top of page

Pak fjalë për një autore që thotë shumë


NJÈ SHKRIM NGA Isida Amina Zelka TRE VJET MË PARË (ia vodha nga faqja e saj)

Pak fjalë për një autore që thotë shumë.

Kështu e kam titulluar fjalën time për autoren Lola Shehi. Në fakt nuk e kam aspak të lehtë të them këto pak fjalë për autoren e romanit “Zonja Misterioze”. Nuk e kam të lehtë, pasi duke qenë një lexuese e rregullt e krijimtarisë së Lolës, nuk do qëndroj dot vetëm në analizën e vlerave të romanit. Me Lolën njihemi që nga viti 2012, kohë kur punonim në kompaninë Albtelekom, por ato vite e njihja vetëm si specialiste të shifrave, apo të marrëdhënieve me klientin, punë të cilën e bënte me shumë pasion. Ishte vetëm disa muaj njohja në atë kompani. Rrugët tona u kryqëzuan sërish në fund të vitit 2016. Këtë radhë në ADISA . Kishte ndryshuar shumë. Pas humbjes së bashkëshortit, nuk mbante më veshur ngjyrat e bukura që isha mësuar ta shihja në ALBtelecom, por shpejt mësova se ato ngjyra ia kishte veshur poezisë. Dëgjova një kolazh me poezi të realizuara nga radio Tirana, kur kishte qenë e ftuar në emisionin”Kopertina për tù shfletuar”. U përlota. Ato poezi mbanin peshë të madhe emocionale. Kërkova tìa bleja librin me poezi, por nuk i kishte mbetur asnjë kopje. Më solli botimin e dytë që ishte në prozë. Libri titullohej “Letra nga Përtej” Jam emocionuar në çdo faqe të atij libri, dhe pasi e mbarova i shkrova në inbox “ Lola Shehi, libri yt nuk vlen 5,000 lekë, por shumë e më shumë” aq shumë më pëlqeu. Ishte një libër ku secili gjen veten.

Isida Amina Zelka dhe Lola Shehi

Pak muaj më vonë mù desh mua të shkëpusja marrëdhëniet e punës nga ADISA, por jo nga Lola. I lashë porosi që do më njoftonte për çdo botim të ri, sepse do isha blerësja e saj e parë, nuk doja të më thoshte që s`kam më kopje. Dhe kështu funksionoi. I kam në bibliotekën time të gjitha botimet e Lolës. Për romanin ishte vërtetë surprizë. Në takimet që kemi pasur në kafenetë e lagjes, pasi për fat banojmë në të njëjtën zonë, nuk më kishte folur asnjë fjalë lidhur me romanin, veçse në njërën nga ditët që e ftova për kafe, ma lëshoi mbi tavolinë. U emocionova. Më tregoi për promovimin e organizuar në Prishtinë, pasi parlamenti i Kosovës është dhe financuesi i këtij botimi. Ndoqa në youtube intervistat e dhëna në RTK dhe TV21. Ishte Lola që njoh unë, e thjeshtë dhe e artikuluar. E lexova romanin dhe mbeta e mrekulluar. Ky roman nuk të intrigon vetëm me titullin, por me skenarin me të cilin është ndërtuar. Edhe pse në themel të romanit qëndron tema e përdhunimeve të grave nga ushtarët serb gjatë luftrave në Bosnjë e Kosovë, autorja me mjeshtëri ka trajtuar paralelisht edhe tema të tjera. Nuk dua këtu të flas për përmbajtjen e romanit, pasi dua që secili lexues ta perceptojë sipas shijes dhe mënyrës së tij, por gjithsesi së brendëshmi ndjej se duhet të bëja diçka më shumë, diçka që i kapërcen kufijtë e lexueses dhe mikeshës. I kërkova tì organizoja një promovim në Institucionin ku unë punoj të librit te saj më të ri, “Xheloze jam”. Lola është modeste. E dini si më tha:? -Isida, nuk më intereson fama, shkruaj për të mbushur orët e mia, është thjesht pasion. E unë sot këtu edhe pse nuk u bë hëpërhë e mundur promovimi, dua tì them: E dashur Lola, ti shkruan për të mbushur orët e tua, por tì e dashur mbush edhe orët e shpirtrat e lexuesve të tu të shumtë, mbush shpirtrat tanë.

Nuk dua të zgjatem më tepër, veçse tì uroj Lolës, suksese në rrugën e bukur të krijimtarisë dhe ju lexim të këndshëm !


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page