PA DËGJONI Ç’THOTË KËNGA!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 14, 2021
- 1 min read

Vullnet Mato
PA DËGJONI Ç’THOTË KËNGA!
(motiv nga Folklori Popullor.)
“Të kisha pas një djalë, si Mema,/
paç me i hy vezirit mrena,/
me i lanë oxhakun, veç me femna!”
Dëgjoni, o burrecë, që vrisni femra,
ju, që keni nga një iriq në zemra!
Dëgjoni ç’thotë kjo këngë epike,
për traditën e lashtë historike:
Burri që është, vërtetë burrë,
nuk ka vrarë e s’vret grua, kurrë,
as grua të huaj, as femër të vetën,
se gruaja i sjell kësaj bote, jetën.
Burrëria e vërtetë në trojet shqiptare,
ka pasur kodin e mbrojtjes familjare,
kanunin absolut, që shmangte gratë,
nga gjakmarrjet, me të femrave gjak.
Nëse kanuni i vjetër i Lekë Dukagjinit,
ka të paktën vlerën e vrasje frenimit,
ky është kod i mençurisë tradicionale,
që gruan s’e bën viktimë, në hakmarrje.
Sot ata që s’kanë burrëri e gjak shqiptar,
shpirtin e gruas, çojnë më lehtë në varr,
pasi e gjejnë, të pafuqishme e delikate,
kur s’kanë fuqi tjetër, veç armë e llafe.
Për asnjë gabim, grua-nëna s’duhet vrarë,
se është më i madh gabimi, të çohet në varr.
Në çdo peshore bote, që gabimin peshon,
grua-jetën, edhe vet vdekja e përjashton.
Duke i prerë një dege të jetës, përjetësinë,
filizat e një fisi të ri, janë ndalur të mbijnë,
sepse dihet, gruaja është toka dhe rrënja,
ku gjithë lastarët jetësor, mbijnë nga nëna...
Ndaj them me këto vargje, se ligji i mirë,
nuk duhet të ketë kurrë, asnjë mëshirë,
për burracakët vrastar, të hurit e litarit,
që ndyjnë zakonin e traditës së shqiptarit!
Comments