top of page

P0 TË MUNDJA...


Veli HODAJ




Po të mundja,

Gjithë drurët e prerë të pyjeve,

Libra do t'i bëja.


Degët e njoma të shelgjeve,

Fyej e bilbila.

Kashtën e njomë të thekrës,

Zurna...


Gjethet e harbuara të blireve,

Do t'i bëja varka,

Ne dete lumturie të vozisnin të dashuruarit.


Po të mundja,

S'do të lija gojë zogu të uritur.

As bimë që thahet edhe nga hëna.


Me grurë do të mbillja qiellin,

Të ngopeshin zogjtë

E të mbusheshin me çyrekë þë ngrohtë furrat.


Burimet e thara,

Do t'i bëja bëja të shfrynin bulçitë e ujit,

Me duart e mia si shata,

Lëngun e jetës ta çoja te çdo rrënjë misri dhe lajthie.


Po të mundja,

Me pulqerët e gishtrinjve të barit,

Erën do të ledhatoja,

Ta bëja puhizë, që të dallgëzonte të lashtat,

Fërfërimën e tyre në muzikë dhome ta ktheja...


Kur vjeshta të hante misra të pjekur

E të mblidhte gështenja,

Gjithë frutat e baçes sime,

Me ju do t'i ndaja...


Kur të vinte dimri,

Me dhëmbët kacunarë prej akulli,

Zogjve të thëllëzës, koteleve të dhelprës

E lepurushave të vegjël,

Pupla e gëzofë,

T'u bëja ca nga vjershat e mia...


Nipave e mbesave,

Me shkronja dielli, do t'ua shkruaja abetaren.

(Mjaft përrallat me gogolë e përbindsha!)


Te shtrenjtët e mi,

Në cilën lule ta puth ballin tuaj?


P.S:

Nga vëllimi poetik; “Zërat e vendlindjes"

44 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page