top of page

PȄRMES LABIRINTEVE ARTISTIKE...


PȄRMES LABIRINTEVE ARTISTIKE TȄ NJË RRȄFIMTARI


= Rreth librit ”Rrëfime bregamatase” të shkrimtarit të njohur gjergj shyti =

NGA VLASH PRENDI

Shkrimtarin, poetin, mësuesin dhe drejtuesin e njohur nga Markatomaj i rrethit të Lezhës, Gjergj Shyti e kam njohur vite më pare, kur ishte drejtor në Bibliotekën e qytetit të Lezhës dhe që atëhere e respektojmë njëri – tjetrin dhe madje edhe bashkëpunojmë në fushën e letrave. Gjergji është burrë fisnik, i qetë, i dashur, i qeshur, madje të imponohet me atë urtësinë e tij të pashembullt. Ka lindur në fshatin Markatomaj të Zejmenit në vitin 1950, ku mbaroi edhe arësimin 8 – vjeçar, pastaj vijoi studimet në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës dhe më vonë u diplomua në Fakultetin e Gjuhës dhe Letersisë Shqipe. Aty nga viti 1966 Gjergji pati filluar pune për pak kohë në profesionin e bukur të mësuesit në fshatin Shënkollë të Lezhës, por pak kohë punoi në këtë në këtë fshat, sepse më vonë do ta shohim si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Pllanë e Zejmen, ku dha një kontribut me shumë vlera, jo vetëm në procesin e mësimdhënies, por edhe në procesin e drejtimit të arsimit. Emri i këtij djaloshi të ri, u bë i njohur në rrethin e Lezhës dhe më gjërë, si intelektual i përgatitur, si drejtues me vlera të spikatura dhe si specialist me vision. Puna e tij drejtuese dhe intelektuale, veprimtaria e tij drejtuese binte menjëherë në sy, jo vetëm në rezultatet e arritura, por edhe në komunikimin me njerëzit dhe respektin që kishte ndaj tyre, prendaj intelektuali i mirënjohur Gjergj Shyti, përbënte shembullin më pozitiv të kuadrit të formuar me integritet, personalitet dhe kulturë njerëzore.

E kam njohur personalisht këtë shkrimtar të njohur, sidomos kur drejtonte Bibliotekën e qytetit historik të Lezhës dhe kam shkëmbyer mjaft mendime dhe ide me drejtuesin dhe krijuesin Gjergj Shyti dhe gjithmonë mendimiet e tij të pjekura dhe koherente kanë qenë interesante për rrethin shoqërorë të cilit i përkiste. Të kesh mik, shok dhe bashkëpunëtor këtë njeri me një personalitet e tillë, siç ishte Gjergji, është krenari për këdo, sepse sipas kujtimeve qe kam ruajtur në memorjen time për personalitetin e tij, kam konstatuar se është njeri i përgatitur, me kulture të gjërë dhe vizion perendimorë, njeri emocional, i dashur me vizion të gjërë për jetën. E nisi punën krijuese në kushte të vështira, por ia doli mbanë të paraqesë para lexuesit disa vepra mjaft të realizuara, të thella dhe të thjeshta, siç ishte dhe vetë krijuesi Gjergj.



Shkrimtari dhe poeti Gjergj Shyti ka kaluar një periudhë jete interesante, ngarjet e së cilës u bënë subjekte për veprat e tij të ardhshme, prandaj edhe mbresat, përjetimet dhe përshkrimet për punën, personazhet, ngjarjet dhe veprimtarinë e bashkëfshatarëve të tij, të rrëmbejnë. Këto ngjarje janë aq interesante, emocionale dhe të thjeshta, saqë edhe lexuesi më i zakonshëm përjeton me emocion ngjarjet që u ndodhin personazhëve, vështirësitë e mëdha, hidhërimet dhe gëzimet qe kanë kaluar në jetë, prandaj autori jeton me shqetësimet e tyre në çdo moment. Në veprat e tij ka ngjarje të bukura mbreslënëse për jetën dhe veprimtarinë e personazhëve, ka ndodhi të gëzueshme që duhen përgjithësuar, por ka edhe momente të hidhura që të zgjojnë kujtime të zymta për të kaluarën. Ndërkaq autori mendon për të ardhmen, prandaj ka menduar të lëvrojë në disa nga veprat e tij temën e së kaluarës, për t’ua lënë kujtim brezave të ardhshëm ku ka përshkruar mjeshtërisht gjëndjen ekonomike dhe shpirtërore të masave që ekzistonte në atë kohë.

Mes shokësh edhe sot jo rrallë, bisedojmë për punën dhe veprimtarinë e Gjergjit, për figurën e tij, përshkuajm plot emocion dhe ndjenjë takimet dhe bisedat me të, punën plot dashuri dhe përkushtim të drejtuesit të apasionuar të Bibliotekës së Lezhës, krejtësisht punës së bukur për përhapjen dhe propogandimin e librit, njohjen dhe promovimin e autorëve të rinj, për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit, por edhe atë krijuese, duke organizuar dhjetra takime me lexues, biseda letrare, takime me shkrimtarë dhe poetë të ndryshëm etj. Pikërisht në këtë periudhë autori nisi të botojë veprat e tij të para. Kështu, shohin dritën e botimit vepra të tilla si: “Pengu i një stine” – poezi 2009, “Tregime të kohëve të para” – tregime 2011, “Kur pata ardhë në jetë” – tregime 2012, “Fundi një gojëdhane” – roman 2014, “I fundmi i prijësve të Kelmendit” – monografi dhe tani del para lexuesit me librin më të ri “Rrëfime bregamatase”, botuar nga Shtëpia Botuese “Muzgu” në vitin 2023, ndërkaq autori ka në proces edhe veprën “Tingëllimë e largët” – poezi. Jo pa emocion, shokët dhe miqtë e tij Gjovalin Gjeloshi, Viktor Gjikolaj, Lulzime Celami, Frano Kulli, Lulzim Kalaj, Fran Gjoka, Azem Baliaj, Mark Zefi, Alma Jaku etj, e përshkruajn sot njohjen dhe punën e tij plot pasion si një nga periudhat më të ndritura të punës dhe aktiviteteve në Bibliotekën e Lezhës.

Sot, shkrimtari del përpara lexuesit më veprën e tij më të re “Rrëfime bregamatase”, ku përshkruhen mjaft fakte dhe ngjarje të kohëve të kaluara, por do të dallhet edhe një stil i thjeshtë, tërheqës dhe mjaft i butë në kufijt e rrëfimit të zakonshëm. Kam lexuar para pak kohësh librin e tij “Tregime të kohëve të para”, i cili më pati pelqyer shumë, duket qartazi se autori ka ecur në atë linjë, por duke e përsosur mjeshtërinë e rrëfimit dhe metodikën e të shprehurit artistik. I gjithë cikli prej 49 tregimesh duket se janë shkruar në formë kujtimesh, mbresash dhe përjetimesh me subjekte interesante, që i kanë mbetur në memorje autorit, që nga koha e fëmijërisë e më vonë e rinisë së hershme, ku vendlindja dhe dashuria për të dhe banorët e saj zë vend nderi në kujtimet e tij. Që në fillim autori prek vlerat ekonomike dhe bujqësore të Ultësirës Perendimorë, sidomos të fushës mes Matit dhe Drinit, ku janë vendosur gjatë shekujve malësorët e Mbishkodrës. Në këtë kuadër autori na jep edhe të dhëna interesante, duke gërshetuar përshkrimet letrare me të dhëna historike. Kështu autori ka dokumentuar se studiuesi i njohur Mila Shuflai sqaron se: “…Druri i lisit dhe vidhi për ndërtimin e galerave dubrovnikase dhe veneciane eksportohej nga gryka e Bunës dhe e Drinit. Që më 1359 – shkruante një vëzhgues venedikas, - druri dhe gruri eksportohej nga “Zali de Mateo”, pra bregu i Mates më 1397”. Kjo ndoshta ka qënë arësyeja që ultësira perendimore e Lezhës u popullua aq shpejt.



Përshkrimet dhe vlerësimet letrare të ngjallin emocion, sepse Shyti na sjell në vepër edhe disa rite dhe zakone që zbatoheshin nga të parët e tij me përpikmëri, sepse i kishte mësuar vetë jeta. Një zakon i bukur ishte edhe shtegëtimi i tufës në bjeshkë. Kryesisht shtegëtonin tufat e barinjve të krahinave të Kastratit, Reçit, Lohës, Shkrelit etj. Si një njohës i mire i këtyre udhëtimeve autori na tregon mënyrën e përgatitjes për shtegëtim, masat që duheshin marrë, si dhe na ban me dije se çdo fis kishte bjeshkën e vet, ashtu siç kishte edhe fisi i Shytajve Trojanin. Me shumë respect dhe dashuri autori flet për familjen e Pjetër Llesh Dakës, babai i të cilit Llesh Nikë Daka ka qënë një nga heronjtë e kryengritjeve për pavarësi. Kjo familje bujare dhe patriote e kishte strehuar dhe ushqyer mësuesin e rid he familjen e tij për pesë vite rrjesht, një shembull pozitiv ky, që autori e vlerëson dhe e përjetëson në histori. Kjo mirësi dhe ky zakon i mikëpritjes u bë normë për vendlindjen e autorit, sidomos për fshatin e njohur Markatomaj. Ja si e shpjegon shkrimtari Gjergj Shyti këtë fenomen: ” Tregojnë se Marka Toma…dilte tek foileta e moçme, përbuzë së cilës ngjatte “Rruga e Pazarit”. Uleshin aty burrat e mehallës dhe dredhnin duhan, e ndrronin muhabet…

- Mbramja e mirë! – uthoshte rrugëtari tek tërhiqte për kapistre mushkun…

- Mirë se të bjen mbramja! – ia kthente ky Marka Toma.

- E ku ke ndërmen me bujt sontë? – e pyesnin burrat që po kuvendonin nën fojletë.

- Po ecim veç, deri ku të mbrrijmë, - përgjigjej tjetri si në kalim. Dhe e ndalte rrugëtarin, i printe dhe e çonte në shtëpiat e veta… Dhe kështu, burrëria, bujaria, ndjenja e punës, respekti dhe vlerësimi për njëri – tjetrin, u kultivuan dhe u ruajtën ndër shekuj në këtë fshat të vogël afër Zejmenit.

Po të futesh në shtëpinë e një malësori të veriut, do të gjëje varur në murë armën dhe çiftelinë, si dy reliket më të shtrenjta për malësorin. Nëse qëllon që të gjendesh në një moment kur në kullën e malësorit lindte djalë, veç gjuajtjes tre here me pushkë, do të vinte urimi: ”T’u baftë djali për pushkë”. Kjo ndodhte pasi populli ynë ka qënë shumë i etur për liri dhe këtë tipar njerzorë besonte se mund të fitonte vetëm me grykën e pushkës. Të tilla norma zbatoheshin edhe në kullën e fisme të Pal Gjergj Kolës, babait të autorit, të cilin e përshkruan plot respekt dhe krenari: “…Këtij fisi do t’i përkiste edhe baba im Pal Gjergj Kola – Shyti. I biri i Gjergj Kol Shytit dhe i Lenë Matushës. Pati lindur në vitin 1909. Madhështor, me pamje epike dhe të folme të hershme, Pal Gjergji do të sillte para teje tipin klasik të banorëve të maleve, një botë tashmë e largët, prej nga mendon se rrjedh ajo race burrash trupgjatë e të parëve tanë…”. E nga kjo race burrash fisnikë rrjedh edhe shkrimtari ynë Gjergj Shyti, i cili po ruan më së miri jo vetëm tiparet burrërore të të parëve, por edhe zakonet dhe traditat më të mira të tyre. Autori kujton se në atë fshat të vogël prej 12 – 15 shtëpishë funksiononin pesë mullinj bloje me uji, madje tre prej të cilëve i mbante mend edhe vetë. Ky fakt is jell ndërmend mullinjtë e trojeve të vjetra atje në Kelmendin e largët, sepse nga Vitoja deri në Tamarë, sipas etnografit të shquar atë Kol Berishaj kishin funksionuar rreth 15 mullinj, të cilët furnizoheshin vetëm me ujin e lumit Cem, kështuqë malësorët e e ardhur, ruajtën traditën e ndërtimit të mullinjvë edhe në vendbanimin e ri. Kjo do t’u shërbente fshatarëve të varfër të Markatomajve dhe fshatrave përreth për të bluar drithin dhë për të përgatitur bukën për stinët e vitit. Tek tregimi “Nuk ka njerëz më bukëdhanë se Markatomajt”, autori ndalet tek bujaria e këtyre njerëzve që ndër shekuj njiheshin si familje bujare dhe sofërshtrue. Ai kujton një rast me prof. Mark Camajn, professor i latinishtes në Universitetin e Podgoricës, i cili kur kishte marrë vesh se Gjergji ishte prej Markatomajve, ishte shprehur: “Unë kurrë nuk kam qënë në Markatomaj, por baba im, për disa rrethana të vetat, kishte rastisë të merrej në besë në atë katund, ku pati qëndrue plot tre vjet, por sa here fjala shkonte për ta, im atë do të çohej në kambë e mbasi një pikëz loti do ti rrëzohej poshtë faqeve, do të thoshte: - Jo, jo! Nuk do ketë njerëz më të besës, ma bujarë, ma mikpritësa e ma bukëdhan` se sa ata Markatomasit, nën këtë qiell…. Ja pra që edhe një figure e njohur e arsimit dhe cultures që punon në shtetin fqinj, e njeh traditën e mikpritjes shqiptare, sepse kjo traditë është transmetuar brez pas bresi nga të parët tanë. Mjaft tërheqëse dhe interesante është edhë kapitulli “Kajde, Shpoti, urti të moçme dhe ndonjë anecdote”perms së cilës sintetizohen vlerat shpirtërore, mençuria dhe shkathtësia e malësorit.

Si një personalitet i shquar i kulturës dhe njohës i mire i letersisë, Gjergji kishte shumë miq e shokë në Lezhë dhe më gjërë, me të cilët takohej shpesh, mësonte prej tyre, bisedonte me ta për tema të ndryshme sidomos historike. E shihje të bisedonte me prof. Mark Vujin, poetin e njohur Ndoc Gjetja, intelektualin e shquar të arsimit Gjon Simoni, i cili është bërë subjekt përshkrimi në këtë libër, duke mbetur një shembull pozitiv në kujtimer e tij, ku lartësohet figura e mësuesit, drejtuesit. Poeti dhe krijuesi Gjergj Shyti u dallua për praktikimin e metodave të reja në fushën e të rrëfyerit, sidomos dhe ndërthurjen e subjekteve reale me ato historike, krijimin e një tregimi me vlera narrative dhe artistike. Kështu ndërthurjet e imazheve konkrete dhe tablove tipike malësore me mendimet sintetike të shkrimtarit, marrin shpesh force force pasqyruese proverbial, përshkojnë gjithandej tregimet dhe e tërheqin lexuesin.

Ky vëllim me tregime është shprehje e patriotizmit të autorit, e dashurisë për vendlindjen, respektin e pashuar për të parët e tij dhe për figurat e njohura në malësitë tona të veriut. Prandaj tregimet e këtij vëllimi shprehin qartazi pjekurinë e mendimit të shkrimtarit, tregon se shkrimtarët e sotëm janë në gjendje të sintetizojnë aspektet më të rendësishme të realitetit të sotëm dhë atij të shkuar, dine të interpretojnë drejt fenomenet tona shoqërore dhe historike. Kjo ndodh, sepse fusha e të treguarit mjeshtërisht ishte në qenien e tij, vlonte në shpirtin e tij, prandaj shpertheu me vëllimin me tregime “Tregime të kohëve të para” dhe tani me librin “Tregime bregamatase”, duke sjellë para lexuesit një tufë të bukur me tregime të ndërtuara me kujdes dhe të arrira artistikisht Në këtë vëllim autori Gjergj Shyti përshkruan jetën e vështirë të fshatarit bregamatas, sepse me të ai bashkoi rrahjet e zemrës, hovet e shpirtit dhe frymëzimet djaloshore. U dashurua me këta njerëz kur ishte fare i ri, kur ashtu i zbathur vraponte pas zogjëve arave të Markatomajve dhe Zejmenit, kur bridhte rrugëve të fshatit me një top llastiku në dorë. Takonte e bisedonte me të moshuar për të njohur më mire punën dhe aktivitetin e tyre, përpjekjet për të mbijetuar në kohë të vështira, të njihte më mire zakonin e mikpritjes, besës, bujarisë dhe të dëgjonte prej tyre ngjarje historike dhe legjenda për burra trima dhe të mençur që dinin t’i dilnin zot fatevë të atdheut. Ȅndërron shkrimtari Gjergj Shyti, sepse i duhet të kthehet prapa në kohë, madje të mos harrojë edhe imtësitë e ngjarjeve, të jetojë të kaluarën, me ngjarjet, me pleqtë e mençur malësorë, të përshkruajë marredhëniet shoqërore dhe njerëzore të tyre. Prandaj vepra e tij ka frymëmarrjen e kësaj kohe, ka jete. Gjergj Shyti, i përshkruan personazhet sipas ambientit ku veprojnë dhe sipas një vizioni të qartë letraro - artistik mbështetur në metodën artistike të rrëfimit, ku në çdo detaj të tij lexuesi zbulon një mesim, një emocion, një vlerë edukative dhe një factor për të njohur të shkuarën. Në këtë kontekst shkrimtari betonon përvojën e tij jetësore dhe kërkon t’ua transemetojë brezave të ardhshëm këtë përvojë, sa të bukur, aq edhe me vlera.

Shkrimtari dhe poeti Gjergj Shyti tashmë ka zënë vendin e tij të nderit në radhën e plejadës së shkrimarëve të njohur shqiptarë, ai është njeri i nderuar, shembulli më pozitiv i vlerave njerëzore, sepse të tillë e kam njohur shkrimtarin dhe krijuesin Shyti, krijues të apasionuar, njeri të dashur dhe mik të çmuar.

18 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page