top of page

Përtej thashëthemeve me shkas


Vizioni i shqiptarëve në kohë të hershme, përtej thashëthemeve me shkas


Nga Fatmir Terziu



Nëse do të shikosh dhe kuptosh qartë se ku qëndronte vizioni i shqiptarëve në kohë të hershme, mjafton të lexosh „Smoko With the Balkans“, që është një shkrim i shkruar herët por i botuar shkurtimisht dhe në gazetën australiane, 'Tribune“ disa vite më pas botimit të tij. Shkrimi ndodhet në arkivën e Universitetit të Queensland të Australisë në formën e një libërthi. Në arkivën e Universitetit, faktikisht ndodhen dy kopje nga „Smoko With the Balkans“ (Një pushim nga puna për një tym me Ballkanasit) të autorit australian John Streeter Manifold.

Në thelb ky shkrim i veçantë, sipas trajtesës së tij, nuk është thjesht një rrëfenjë, apo një tregim i ekzagjeruar, i fiksuar, apo edhe i përdorur me shkas, por një përditësi e kohës kur autori udhëtoi atje, duke vënë në fokus dy fqinjë, dy njerëz të shteteve fqinje në Balkan, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Njëri është Danilo dhe është nga Mali i Zi dhe tjetri është Xhafer dhe është shqiptar. Danilo dhe Xhafer janë dy protagonistë të një rastësie në tregun e gjësë së gjallë, pasi ata si punëtorë, kanë lënë punën e tyre në ndërtimin e një hekurudhe, dhe ku mes bisedës së lirë autori shkon më tej të zhbirojë dhe të tregojë realitetin e asaj përditësie, por që në fakt sot na jep një fakt mjaft domethënës, atë të qasjes identitare dhe të lidhjes në tërësinë e tillë.


Duke e lexuar me kujdes këtë tregim, kuptojmë se Danilo, pra shtetasi malazez, kërkon të shpërthejë në thashëtheme për shqiptarin, Xhafer, si e një natyre vrastare, duke shtuar e duke i thënë autorit se "Një shqiptar i mirë," tha Danilo, do të ishte përpjekur të më vriste deri tani. Edhe ata të mirët janë agresivë”. Nga ana tjetër në gojën e shqiptarit autori vendos këtë për të kuptuar më tej lidhjen "Unë nuk i kushtoj vëmendje," tha Xhafer. "Unë jam shqiptar i mirë, ... dhe jo barbar si fshatari bandit sllav. Jam i arsimuar."

Pra me këtë kuptohen dy gjëra që vijnë nga aktualiteti. Njëra është se të dy kanë në thelb dy fakte, dhe faktet janë tek urrejtja e lindur dhe e stisur, dhe tjetra tek arsyet që e shtojnë këtë urrejtje. Danilo, malazezi, duket një njeri i influencuar, i rënë në një pikë të realitetit që shkon vetëm tek pasurimi me hir, ose me pahir, tek tregu dhe dominimi i tij me forma dhe forcë monetare, dhe Xhafer, pra shqiptari, që rrëfen se „Babai im më dërgoi në kolegjin e Konicës. Ai ishte një njeri i respektuar dhe i pasur. Më bëri thirrje që të isha gjithnjë mik i mirë me miqtë e duhur. Në atë kolegj kishte djem bejlerësh”.

Fjala „bejlerë“ e shpie rëfenjëshkruesin të shkoj në një kuptim tjetër, ku ai citon fjalët tipike britanike, si: „Lords dhe Duke“, kur i citon në tregim se "Ju mund të thoni Lords ose Dukes“. Por shqiptari sqaron se „Bej është fjalë turke. Beu ka tokë“. Dhe kur shqiptari përmend Skënderbeun dhe krenarinë e tij se është një pasardhës i një heroi të madh jo vetëm për shqiptarët, por dhe për ballkanasit e më gjerë, shkruesi nuk gjen më shumë se sa fjala habi, ndërsa citon mjaft shumë një nënkuptim tjetër të urrejtjes kur në të njëjtën kohë malazezi Danilo pështyn në zjarrin që ishte bubulak: „Danilo bluajti dhëmbët dhe pështyu në zjarrin bubulak, kur ai ishte duke apostrofuar dikë që quhej Skënderbeu, ndoshta një shenjtor.“ (po aty)


Teksa tregimi shkon më tej në thashëtheme, natyrshëm në një bisedë të tillë, ku i huaji, apo shkruesi i huaj është në mes na jepet qartë të kuptohet se kjo urrejtje fqinje mirëkuptohet, se ajo vinte dhe realizohej me negociatorin e bisedës, pra edhe pse ishte prezente „një ndjenjë e errët e solidaritetit të huaj“. Në thelb në të gjitha arsyet e rrëfimit, me dashje, apo dhe pa dashje, në dy karakteret e cituar, ajo që shkon nga e shkuara i përket otomanizmit dhe sundimit të tij, por ajo që shkon nga Perëndimi, natyrshëm i rrëfehet faktit se shqiptari, tashmë kishte sytë nga italiani, pra nga Perëndimi, kur citon se babai i Xhaferit, edhe pse i pashkollë, por me pasuri toke, e kishte dëshiruar dhe dëshironte Italinë. Kjo është e vetmja që shkon larg thashëthemeve, e gjitha, ajo që shkon tej dialogut, na jepet se prek jopadashje qëllimin e thashëthemeve.

Ndërsa tregimi shkon tek përhapja e thashëthemeve, aq më shumë të atyre që bëhen në treg, kuptojmë në thelb atë që botimi i Universitetit amerikan Columbia, na rrëfen tek studimi „Ndarja e gjatë dhe krijimi i Azisë Jugore Moderne“ (2007). Autorja akademike e këtij studimi, Vazira Fazila-Yacoobali Zamindar, citon se „unë thjesht mbështetem në idenë se "thashethemet" në "ndërprerjet e respektit" nuk përdoren vetëm për të negociuar "një botë me vlerë dhe sjellje të ndryshme", por gjithashtu përbën një komunitet moral.“ (2007: 263). Ky komunitet moral është pjesë në vazhdim në këtë tregim, ku autori John Manifold me bindje majtiste natyrshëm kërkon të vendosë theksin dhe qëllimin e tij në atë kohë.

John Manifold (21 prill 1915 - 19 prill 1985) ishte poet dhe kritik australian. Ai lindi në Melburn në një familje të njohur Camperdoun dhe u arsimua në Geelong Grammar School dhe lexoi gjuhë moderne në Jesus College, Cambridge. Ndërsa ishte në Kembrixh u bashkua me Partinë Komuniste të Britanisë së Madhe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai shërbeu në inteligjencën në Ushtrinë Britanike, në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Francë. Ai u kthye në Australi në 1949. Ai u transferua në Brisbane dhe themeloi grupin e Shkrimtarëve Realistë në vitin 1950. Ai mblodhi këngë popullore australiane dhe botoi një studim mbi to. Më pas ai punoi dhe publikoi kryesisht këngë dhe muzikë australiane, duke recituar balada në festivalet e artit. Në Nderimet e Ditës së Australisë 1984 ai u bë Anëtar i Urdhrit të Australisë (AM) për „shërbimin ndaj letërsisë si poet dhe muzikant“. Ai vdiq në Brisbane.


Sidoqoftë, autori me këtë tregim të mbajtur vetëm në dy kopje dhe në një Universitet mjaft prestigjios në Australi, na jep një shans të mirë të kuptojmë se në thelb, qasja nga të gjitha këndet, kur thashëthemet kanë qëllime morale, kundërshtitë identitare mbesin një plagë e gjatë dhe një sëmundje për mos-shërrimin e urrejtjeve. Në këtë mes dhe mes tregimit kuptohet dhe një pikë e fortë e mjaft domethënëse se vizioni i shqiptarëve në kohë të hershme, përtej thashëthemeve me shkas, ka qenë dhe mbetet Perëndimor, ku ata edhe përtej të gjithë këtyre ngrehinave absurde mbesin të vendosur në këtë pikë. Sulmi që u bëhet shqiptarëve, si shkas identitar i emrave, apo dhe lidhjeve të vjetëruara në kohë, natyrshëm ka në thelb pagesën e majme të produktit të thashëthemeve, që edhe sot nuk është pa qëllimin e kohëmotshëm.

Tregimi flet më shumë e më shumë në këtë pikë nëse kemi parasysh togfjalëshat e stisur si „një fyes dhe një mashtrues“ për shqiptarin në këtë rrëfim, dhe më tej kur hapen tematikat e përfshirjeve në luftërat ballkanike, ku dalin edhe urrjetje të tjera ballkanase, lidhje e armiqësi të ndryshme, ku citohen grekët dhe italianët, gjermanët në kohën e Luftës së Dytë Botërore, apo dhe dilemat dhe thashëthemet e tjera rreth tyre. E ndërsa thashëthemet riskojnë në tregim, ata mbesin një frakturë, që riskon edhe sot, ku lexuesi kërkon dhe nënkupton atë që koha, hapësira dhe vendi prodhojnë diskursin e anatemuar. Mes kësaj, mes tërësisë që rrok dhe trajton tregimi, ka dhe disa gjëra që mbesin të analizohen më thellë, më tej, më shumë, për të nënkuptuar thelbin dhe qëllimin e tij në atë kohë, dhe atë që ai sot vendos si mesazh pas leximit.


@copyright material. Shënim: Nuk lejohet riprodhimi, botimi, apo shpërndarja pa lejen e autorit.

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page