Përtërihen marrëdhëniet diplomatike Iran – Arabi Saudite
Armiqtë e vjetër Irani dhe Arabia Saudite u ofruan në mes tyre me ndërmjetësimin e Kinës.
SHBA e Izraeli njehsohen si humbës, por kush e paguan çmimin më të lartë?
Qeveria e Kinës këto ditë arriti t’i ofrojë dy armiq të vjetër, Iranin dhe Arabinë Saudite. Me këte gjest, Kina forcoi rolin e vet gjeopolitik. Ministri Vang Ji ka “meritë”, pasi në Pekin, në fund të marsit i shtrinë dorën njëri tjetrit përfaqësuesit e sigurisë së këtyre dy shteteve. Dy fuqitë e mëdha regjionale në të dy anët e Gjirit të Persisë do t’i rivendosin marrëdhëniet e tyre diplomatike pas më se shtatë vjetësh ndërprerjeje, qysh kur demonstruesit iranian vërshuan ambasadën saudite në Teheran.
Në Iran festohet për marrëveshjen e çtendosjes pa përzierje nga pjesët tjera të botës. Kjo do të ndërrojë dinamikën në tërë regjionin, thuhet në Teheran. Kina ka raporte të mira me të dy shtetet dhe ky përparim do të ndërrojë gjendjen gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Rivaliteti në mes të këtyre dy shteteve me vite të tëra ka rënduar politikën, tregtinë dhe iu fryu zjarrit të konflikteve në disa vende për rreth, ku pritet stabilitet në disa konflikte. Këto dy shtete nuk patën luftë të drejtpërdrejtë në mes tyre, por ato gjatë e luftojnë njëra tjetrën përmes aleatëve të tyre në konfliktet dhe luftimet në vendet e treta.
Një suni koalicion, i udhëhequr nga Arabia Saudite bëri invadimin e Jemenit në vitin 2015, kinse duke përkrahur kryetarin e Jemenit Mansur Hadi, të cilin kryengritësit huti e detyruan të emigrojë në Arabinë Saudite. Ky koalicion bëri luftë të pamëshirshme ndaj Jemenit të varfëruar, konflikt të cilin edhe KB e përshkruan si katastrofën më të madhe humanitare në botë. Irani shit, nga ana e tij ka furnizuar kryengritësit shit, huti. Jemeni nuk është i vetmi vend ku të dy vendet zhvillojnë luftë përmes palës së tretë, pasi Irani i përkrahë grupet e armatosura shite në Siri, në Irak dhe në Liban.
Arabia Saudite në ana e saj i përkrahë grupet rivale sunite në këto vende, ku tashti e tutje shpresohet të ketë stabilitet dhe të varrosën sëpatat e luftës rreth Gjirit të Persisë.
Në Siri lufta plasi para dymbëdhjetë vjetësh, e nxitur nga rivaliteti në mes të Iranit, i cili e përkrahë kryetarin Asad, ndërsa Arabia Saudite i përkrahë grupet e armatosura sunite. Mundësia për një zgjidhje paqësore në Siri do të rritën me ndërprerje të këtij rivaliteti.
Arabia Saudite kundërshton programin nuklear të Iranit, duke shpresuar se nuk do të vazhdohet me të, pasi mund të nxiste që edhe Arabia Saudite të prodhojë armë të tilla. Shumë herë Arabia Saudite ka theksuar se armët nukleare iraniane mund të përdorën kundër saj. Ky rrezik zvogëlohet me afrimin e këtyre dy vendeve, çka e pranohet edhe nga SHBA. Për Arabinë Saudite është me rëndësi që të përfundojë lufta në Jemen, gjë që pa relacion të mirë me Teheranin është e pamundur.
Qëllimi parësor i Kinës në Lindje të Mesme është garantimi i tregtisë së lirë dhe një stabilitet më i madh regjional, ku prodhohet më shumë se 40 përqind e naftës, të cilën e përdorë Kina. Për këto arsye ajo bëri përpjekje të përmirësojë relacionet e të dy palëve.
SHBA e Izraeli sikur nuk janë të kënaqur me afrimin, por aq më pak me aleancën në mes të Arabisë Saudite dhe Iranit, pasi SHBA dyshon në programin bërthamor iranian. SHBA e arsyetojnë pamundësinë e ndërmjetësimit, pasi nuk kanë kontakte me Iranin. Megjithatë, një aleat vajti rrugës së vet, por aq më keq me ndihmën e Kinës, e cila tashmë ka vu këmbën stabile në lëmi të diplomacisë në një regjion që gjatë dominohej nga SHBA.
Izraeli është edhe më i pakënaqur, pasi që Netanjahu kishte plane të mëdha për tërë Lindjen e Mesme, duke shpresuar afërsi me Arabinë Saudite për të kundërshtuar, sikur e konsideron Izraeli, rrezikun e ekzistimit të tij, Iranin. Izraelitët janë të vetëdijshëm se, bashkërenditja e një fronti kundër Iranit bashkë me vendet arabe dobësohet, por edhe presioni ndërkombëtar ndaj Iranit do të zbehet në të ardhmen.
Këtë sukses diplomatik, që bota paqedashëse e përshëndetë, duket se do ta paguaj një popull i robëruar në Turkmenistanin Lindor, pra ujgurët, që janë më se 20 milionë. Turkmenistanin Lindor (Kina quan provinca Sikijang Kina), u okupua në vitin 1918., kur u shthurë Perandoria Otomane. Shteti i ri i Turqisë i zënë me kryengritjen arabe, në luftë me Greqinë dhe në Kaukaz me Rusinë, çka Kina e shfrytëzoi dhe e okupoi atë vend, që ishte njëri ndër viset më të përparuara në Lindje të Turqisë. Kina, si despotitë tjera të lindjes, më vonë i vuri këmbën në fyt Tibetit, një shteti të brishtë dhe një populli shumë paqedashës, pastaj edhe një pjesë të mirë të Kashmirit (kur India e Pakistani po bënin përpëlitjet e përgjakshme rreth ndarjes së tyre).
Sot, 20 milionë ujgurë i janë nënshtruar si edhe në periudha të mëhershme dhunës, terrorit, kolonizimit dhe asimilimit të egër. Gjatë disa dekadave të fundit, në emër të luftës ndaj terrorizmit, Kina ka hapur llogore e kampe ku “rishkollohen dhe riedukohen” myslimanët ujgurë, me arsyetimin se “integrimi fillon nga sofra”, pra duke ua nënçmuar identitetin personal, familjar, kombëtar dhe fetar të një populli të tërë.
Në mesin e ujgurve të robëruar, bashkëvuajtës janë një numër i panjohur muhaxhirësh shqiptarë, të cilët i shpëtuan plumbit e thikës serbe e ruse, duke u përzënë nga Toplica e Nishi. Leskoci e Vraja (1877-78). Ata u caktuan atje nga pushteti osman, të jenë sa më larg Stambollit, në viset më lindore të perandorisë. Nga një masakër në Evropë, ranë në humnerën e robërisë kineze, të cilëve iu humbi çdo kontakt me kombin amë!
Sot, për turpin e botës, nëse politika e diplomacia, aq më pak qeveritë despotike e njohin këtë termin, askush nga këto shtete, për çudi as Turqia nuk e ngritë as zërin ndaj Kinës për mizoritë ndaj ujgurve, tibetasëve dhe të tjerëve në Kinë. Ajo me të drejtë kërkon që Tajvanin t’ia bashkojë Kinës, por atë të drejtë ua mohon të gjithë të tjerëve. Interesat e tregtisë me Kinën, janë më prioritare se “ca të ujgurë, me të drejta paksa të kufizuara”!?
Ujgurët e pakicat tjera në Kinë do ta paguajnë këte “sukses” diplomatik kinez. Për ta do të ketë edhe më pak interesim, përkrahje apo “brengosje” të qeverive e shteteve tjera.
Hamit Gurguri
+46762518888.
Comments