top of page

Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit”


Shkrimtari, studiuesi dhe poeti Timo Merkuri shkruan Të lexosh një poezi do të thotë të jetosh në poezi. Si te kjo poezi e bukur joniane e Fatmir Terziut, të cilën unë ju ftoj ta rilexoni përsëri:


Të lexosh një poezi…. Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit” e Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri


Të lexosh një poezi, nuk mjafton që të dish shkrim e këndim. Nuk mjafton të shëtisësh nëpër vargje si në parqet e qytetit duke admiruar së jashtmi bukurinë e shatërvantë të metaforave apo bronxin statujor të krahasimeve. Nuk mjafton të mësosh përmendësh disa vargje e ti recitosh ato. - Kjo është si të bësh disa poza fotografie gjatë një shëtitjeje turistike, duke pretenduar që po mer me vehte bukurinë e vendit apo historinë e objektit që fotografon. Në fakt, ti vetëm sa fikson vetveten në celuloid apo memorikart pranë një vendi, që gjithsesi mbetet aty ku ka qënë edhe më parë. Je ti ai që ikën prej tyre. -Kjo është si të kalosh pranë një floriri (poezie) dhe të mos e shohësh atë. Nuk humbet vlerën floriri pse nuk e pe dhe nuk e more ti. Do gjëndet dikush që ta shohë dhe ta marë, dikush që do fitojë. Të lexosh një poezi do të thotë të jetosh poezinë. Të jetosh poezinë do të thotë që bëhesh banor i “qytetit poetik” që ka ndërtuar poeti. Do të thotë që të shkrish veten në botën e poetit, si lumi që shkrin e mohon vehten kur derdhet në det. Dhe të të mehet fryma në vargjet….dritaren e mbaj hapur/për të dëgjuar zhurmën e valëve/pëshpëritjen tënde të shpirtit/..ison e fjetur bunacë… Të lexosh e të jetosh te këto vargje një deklaratë dashurie. Dhe të mendosh se kjo pëshpërimë e shpirtit që poeti e dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të Jonit, më e pakta që mund të bësh është të admirosh këtë dashuri të madhe tejëkontinentale. Të lexosh këtë poezi do të thotë të jetosh këtë poezi të ardhur si një kontribut në debatin e rindezur me temën …Polifoni apo iso-polifoni dhe origjinën e këngës sonë popullore nga ritet mortore të vajtimit. Sepse, jo rastësisht, rrymat kryesore të idesë së poetit janë ato të këngës sonë iso-polifonike. Dhe këto të para me syrin jonian… …Jon, a e dëgjon/Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote …a të kujtohet kur lanim lotët bashkë/…është isoja jote në këtë guackë/është kënga që erdhi nga dashuria e pastër e Afërditës…

…e ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti/..një shpërthim nga de(r)ti Të lexosh këtë poezi joniane të Fatmir Terziut do të thotë, jo vetëm të dëgjosh ison e valëve që era ta sjell pranë me tramudanë, nga Joni në Londër, por në radhë të pare, të jetosh këtë iso, që vetiu të përlot, jo aqë nga shija e athët e kripës së detit (apo e lotit), se sa nga fakti se vetë kjo iso është shpërthim i një shpirti , nga derti e nga dhimbja. Dhe deti Jon vetiu të kujton dhimbjen dhe lotët, qysh nga vdekja e Jonit në hershmëri, nga kënga vaj e sirenave, nga dhimbja e Vajzës së Valëve për të klithur më pas te kënga “O pampor o dhog e thatë”. Instiktivisht poeti dëshmon një të vërtetë të madhe shkencore, të vërtetën e pakundërshtueshme që kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi me ligje. Këtë poeti e thotë me finesë… a të kujtohet kur lanim lotët bashkë. Këtë të vërtetë të cilën disa pseudo studiues e anatemojnë, si diçka arkaike, jo shumë e “bukur”, pa kuptuar se anatemojnë pikërisht identitetin shqiptar të këngës popullore. Të asaj kënge që u njoh nga UNESCO si kryevepër e njerëzimit

Instiktivisht poeti thotë…Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote/ lindin bashkë me të poezitë e reja… Duket si një varg i bukur që admirohet menjëherë, por unë do ju ftoja të ndalojmë pak këtu, para se të kalojmë te vargjet vijuese, po aqë të bukura. Unë ju ftoj të ndalojmë këtu, për dy arsye. E para se ky varg…deri në Londër ndjehet isoja jote…nuk është thjeshtë dhe vetëm dashuria e poetit për Jonin apo ison. Kjo më më shumë dëshmon shtrirjen dhe jetëgjatësinë e isos, në distancë gjeografike dhe kohore. . Nuk e thëret poeti ison, e gjeti isoja poetin në Londër. Ajo që në kohët e sotme u ndje nga poeti deri në Londër, duke kaluar lirshëm nëpër “kakofoninë” muzikore moderne nëpër distancën Sarandë-Londër, ajo shumë lirshëm ka lëvizur nëpër shekuj në trevat e saj. Jo vetëm ka lëvizur, por edhe është ritur, burëruar e fisnikëruar. Vargu fin…lindin bashkë me të poezitë e reja…, menjëherë i dashuruar prej meje, është paraqitja më elegante e faktit shkencor të gjenezës së këngës sonë popullore nga vajtimi. Populli ynë, i cili nga rrënkimin vajtimtar (isoja) nxori kryeveprën e njerëzimit, këngën iso-polifonike, nuk e ndërpreu procesin krijues në laboratorin e tij. Prej këtij rrënkimi vajtimtar (iso) ai tashmë prodhon …poezi. Është e bukur isoja jonë. Unë dua të mendoj se edhe Afërdita këngën tonë me iso ka kënduar në tempullin e saj në Onhezmin e antikitetit, Sarandën e sotme. Por në qoftë se nuk e dëshmoj dot këtë hipotezë, deri tek ne sot, kanë ardhur dëshmitë që Isadora Dunkan, kur u vendos në Sarandë, bashkonte zërin e saj me gratë e vajzat e Sarandës në këngën iso-polifonike, duke lehtësuar kështu edhe dhimbjen e sëmundjes së saj. Është e bukur iso-ja jonë. Madje është jetëdhënësia e këngës. Po të shuhet isoja, automatikisht shuhet edhe kënga. … Duhet të dishë se një deti i vjen vdekja/…kur i shuhet isoja…Më poetikisht nuk mund të thuhet një e vërtetë shkencore. …E ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti…. A mos vallë duhet të kujtojmë faktin se populli ynë u ka kushtuar këngë të mrekullueshme edhe popujve të vendeve të largëta, kur ata kanë qënë në situate problematike (boerët zun e luftojnë). S’është nevoja të sjell unë shëmbuj, e ka thënë shumë bukur Fatmir Terziu te vargu i mësipërm. Ne na mbetet vetëm ta admirojmë. Të lexosh një poezi nuk mjafton të dishë shkrim e këndim, apo të keshë një diplomë. Të lexosh një poezi do të thotë të jetosh në poezi. Si te kjo poezi e bukur joniane e Fatmir Terziut, të cilën unë ju ftoj ta rilexoni përsëri:

Isoja e detit Nga Fatmir Terziu


Edhe pse jam larg në Londër, dritaren e dhomës së gjumit e mbaj hapur, jo vetëm për të ndjerë freskinë e gushtit, më shumë për të dëgjuar zhurmën e valëve, pëshpëritjen tënde të shpirtit penën që rrëshket mbi dallgë ison e fjetur bunacë. Sepse e njoh këngën tënde është përzgjedhur në armatën e madhe të kulturave pranë jetës, pranë puthjeve, pranë dashurive herë ndjen frymën e shpirtrave të lodhur, herë frymën tënde të jodëzuar, Jon, a e dëgjon? Deri këtu në Londër ndjehet isoja jote, lindin bashkë me të poezitë e reja. Je përzgjedhur nga të gjithë e duhet t’ua kthesh me shpirt, natë e ditë në vrullin tënd si Leukotea. Mund të biesh në bunacë e trupi yt mund të të dhëmbi po në shënimet e mia duhet të flesh mbi fjalë, ashtu i madhërishëm përsëri, a të kujtohet kur lanim lotët bashkë? A e dëgjon? Këtu zëri yt vjen i radhë është isoja jote në këtë guackë është kënga që erdhi nga dashuria e pastër e Afërditës duhet ta dish se një Deti i vjen vdekja kur i bie në trup e në zë urrejtja kur i shuhet isoja. Edhe pse jam larg në Londër, e ndjej pulsin tënd ku përlotet planeti një atribut i njohur i perëndeshës së këngës një shpërthim nga de(r)ti. Pak fjalë desha të ti them. Në këtë kohë secili duhet ta dijë çmimin tënd e ta thotë me gojë, me fakte apo me penë.

 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page