NË AMSTERDAM
Përshtypje udhëtimi, nga Luan Çipi
Nuk mund të largohesh nga Holanda pa e parë kryeqendrën e saj, Amsterdamin. Kryeqyteti administrativ ligjor është Haga, po, në shumë drejtime, Amsterdami luan rolin kryesor në jetën ekonomike, kulturore, shkencore, artistike dhe sportive. Në datën 13 qershor, në një ditë të bukur, që në Shqipëri do ta quanim pranverore, nisemi me automjet nga qyteti më jugor i Holandës, Roosendaal, për në veri, drejt Amsterdamit.
Një ballkanas çuditet nga pamja e rrugëve të Holandës: Arterie të pafundme rrugësh të asfaltuara fushore, paralele e tërthore, nënkalime e mbikalime. Fushë dhe vetëm fushë e pambarim. Të gjitha të mbjella me foragjere; lopë, kryesisht laramane, po dhe xhers e raca të tjera të zgjedhura; kanale të mbushura me ujë, gjithnjë plot, megjithëse reshjet këtu janë gjithëvjetore e si me porosi; pemë të shumta, që rrethojnë e kufizojnë parcelat, qendrat e banuara, fermat e veçanta, anës rrugëve; sera diellore dhe me ngrohje të ulëta e të larta; dy palë shina hekurudhe për trenin elektrik të shpejtë dhe atë super të shpejtë; mure me rrjeta teli, betoni, hekuri, dërrase, apo të kombinuara, anës rrugëve kryesore, për mos shqetësuar me zhurmën e qindramijëra mjeteve kalimtare, banoret e zonës për rreth, rrjeti elektrik i tensionit të lart, me shtyllat prej hekuri kryq e tërthor dhe... asnjë mal, apo kodër.
-Jo, me thotë shoqëruesi, dhëndri im holandez Willem, ka dhe ndonjë kodër.
-Unë nuk po shoh asnjë.
-Ja, këtu janë “Shtate kodrat”, kështu quhet ky vend.
-Po ku janë kodrat, unë vetëm fushë shikoj tej e tej dhe pemë e gjithfarë gjelbërimi e ndërtesa të ulëta.
-Para shume vitesh, kur u përmbyt gjithë Holanda nga batica detare dhe reshjet e shumta dhe u mbulua krejt me ujë, te kjo zonë ngelen 7 parcela të pa inonduar. Më vonë ishin pikërisht këto që u populluan me banorë e ndërtesa dhe u quajtën të shtatë kodrat.
udhëtimin, po, diku bllokohemi nga trafiku i rënduar, në këtë ujkend, ku gjithsecili rend drejt një vend pushimi të zgjedhur, me biçikleta varur, në kapëse të posaçme, pas automjetit personal, apo me te gjitha komoditet e gjuetisë, kanotazhit, gatimit, apo fjetjes, në rimorkiot e përkatëse, nga njëherë tepër të mëdha, por që tërhiqen edhe nga vetura te vogla.
-Mos u mërzit, ndërhyn Willem. Ne radio po orientohem se ka një drejtim tjetër, më pak të ngarkuar. Dhe kthehet mbi 10 kilometra e gjen baipasin e përshtatshëm, për të kaluar në një rrugë dytësore, gjithashtu të mrekullueshme, midis pemësh, serash e fushash të gjelbëruara.
-Po, nuk do kalojmë ne autostradën që sapo lamë?
-Mos u shqetëso, do ta gjejmë një më të lirë. Janë 6 autostrada paralele që shkojnë drejt veriut.
E lemë Rotterdamin në anën e majtë dhe vazhdojmë drejt veriut. Pas gati dy ore rrugë duken godinat e para shumëkatëshe. Tabela me emrat e firmave famëmëdha: ING, Heineken, Benc Mercedes, IKEA, Filips, Tom Tom etj., etj., gjithë liderët e biznesit të madh botëror i kanë emrat këtu me drita e reklama të dukshme. Shtatë nga 500 firmat më të fuqishme të botës e kanë drejtimin qendror në Amsterdam.
-Këtu nuk shkohet normalisht me tej me autoveturë, thotë Willemi, se çmimi i parkingut rritet shumë. Diku duhet parkuar këtu afër. Dhe drejtohemi nën stadiumin gjigand të AJAKSIT. Na hapin rrugë një tufë pëllumbash, që bashkëjetojnë në turmë me qindra qytetarë. Sipas programit kalojmë te stacioni qendror i trenit dhe nisemi drejt sheshit të Kishës madhështore të Shën Nikollit. Presim biletat dhe imbarkojmë në një anije turistike lumore, së bashku me dhjetëra turistë, të të gjitha ngjyrave, gjuhëve dhe kombësive. Ndihet zhurma e qytetit të madh, që gumëzhin në dhjetëra gjuhë. Shumë anije lumore njëra pas tjetrës nisin intenerarin e shëtitjes në kanalet ujore të deltës së lumit Amstel. Nga altoparlantët dëgjohen, njëra pas tjetrës shpjegime në disa gjuhë kryesore.
Amsterdami është, padyshim, qyteti më i madh i Holandës. Tani ai ka mbi 760 mije banorë dhe me gjithë rrethinat shkon në 1.5 milion. Është qendër e madhe tregtare dhe portuale, qendra e drejtimit financiar e kulturor për krejt inderlandin.
Ai vizitohet nga mbi 4.5 milionë turistë çdo vit, nga e gjithë bota. Lumi Amstel ndërhyn deri në qendër të qytetit me një rrjet të dendur kanalesh, nën urash e tunelesh. Janë mbi 1200 ura me gjatësi të përgjithshme mbi 7 km., që bashkojnë sipërfaqen prej 220 kilometër katrore, ku shtrihet qyteti. Me gjithë ndërtimet e reja të shumta moderne të apartamenteve të banimit, në qytet ndihet mungesa e strehimit, ndaj ende shumë banorë strehohen, gjithë kohën, buzë kanaleve në godina anije, ndërsa shumë të tjerë vijnë e punojnë këtu duke banuar qindra kilometra larg.
Qyteti u themelua zyrtarisht me 27 shtator 1275 mbi bazën e një fshatit peshkatarësh me emrin Dambe, në deltën e lumit Amstel dhe nga bashkimi i dy toponimeve doli emri i qytetit, që shpejt u bë i famshëm dhe shumë i fuqishëm.
Amsterdami është qendër e zhvilluar industriale: Këtu është përqendruar industria elektronike, makina ndërtuese, industri moderne për ndërtim avionësh, industria petrokimike dhe përpunuese, me rafineri tejet të fuqishme, si dhe industria e lehtë e ushqimore e duhanit, kafesë, miellit, bukës, patates, pijeve freskuese, birës etj.
Në Amsterdam lëvizin mbi 465 mijë biçikleta. Atje ka qendra të veçanta shumëkatëshe për parkim biçikletash, pa marrë parasysh qindra biçikleta të lëna, si pakujdes njëra mbi tjetrën në çdo qoshk rruge. Dhe këtu nis madhështia e këtij qytet për organizimin e transportit shumë planesh: Me automjete, autobusë, tramvaje e trena, anije lumore, motoskafë e lança e deri me avionë. Aeroporti i Amsterdamit është me i madhi në vend dhe renditet në katër vendet e para të Evropës, qendër e madhe shpërndarjesh pasagjeresh, me rrjet në të gjithë botën. Ai të duket i çuditshëm edhe pse shtrihet në dy fusha të stërmëdha, 5.5 ml. nën nivelin e detit, që lidhen me njëra tjetrën me urë, në të cilën kalojnë mbi rrota avionët e radhës. Lëvizja me trena, tramvaje, anije e autobusë mund të bëhet me të njëjtën biletë të quajtur sttrippenkart, kjo për 24 dhe 48 orë edhe për turistët e huaj.
Amsterdami është qendër e madhe shkencore e arsimore. Janë me emër dy universitet e lashtë të tij: Universiteti i Amsterdamit, me 25 mije studentë, themeluar në vitin 1632 dhe Universiteti i Lirë, krijuar ne vitin 1880. me dhjetëra fakultete të specialiteteve të preferuar nga e gjithë bota.
Nuk mund te largohesh nga Amsterdami pa vizituar qendrën kryesore historike të tij, me ndërtesa karakteristike të ndërtuara ndër shekuj, ku dallohen ballkone e dalje buzë kanalesh për parkim automjetesh, biçikletash e varkash, rrugë me kalldrëme gurësh e pllakash dhe me punime artistike me dekore e skulptura, rruga e gjate dhe e gjerë karakteristike “Damzak”, për tramvaje, autobusë, autovetura e biçikleta, mbushur me turistë, Pallati Mbretëror 200 vjeçar, Muzeu Tjusso, Pallati karakteristik Lindor, Monumenti Kombëtar, për nder të heronjve të Luftës së Dytë Botërore dhe të rezistencës kundër fashistëve, etj. Karakteristike është dhe rruga e putanave, ku në vitrina me ndriçim të kuq ekspozohen femra gjysmë lakuriqe, ku ka dyqane të specializuara seksi dhe të rinj që thithin cigare me droga te lehta.
Duke u kthyer për në Roozendaal bëjmë një vizitë te një miku ynë i moshuar, që banon në Papendreht, një qytezë e bukur prej 35 mijë banorë, si në përrallë. Ishte vendosur në një apartament 8 katësh, me pamje edhe nga ana e lumit. Miku ynë, tani pensionist, kishte punuar mbi 40 vjet në një kompani të transportit detar, pronë e disa izraeliteve të pasur holandezë. Qëndruam dy orë në ballkon, nga ora 8 deri në ora 10 të pasdites dhe miku ynë na shpjegonte, një për një, teksa shihnim që në çdo 5 minuta kalonin sa majtas djathtas dhjetëra anije, maune, tragete, tankerë, që venin e vinin drejt Rotterdamit, aty afër, për të shpurë mallra, qymyr guri, karburant e lëngje, që vinin nga e gjithë bota dhe destinoheshin për Gjermani e Austri, kryesisht, po dhe për gjithë vendet e tjera te Evropës plakë. Ato kalonin më tej me rrjetin lumor, ose me ane tubacionesh të fuqishme.
-Po mirë, o mik, po qytetarët e qytetit tuaj dhe ata të atij qytetet që shtrihet menjëherë pas jush dhe të atij tjetrit, më tej, me se merren, çfarë aktiviteti prodhues kanë?
-Nuk ka aktivitet prodhues të mirëfilltë, përveç rrjetit të shërbimeve tregtare dhe komunale. Ata veçse banojnë këtu, ndërsa për të punuar shkojnë në Rotterdam, e disa dhe në Amsterdam, që është mbi 50 km larg.
Vizituam apartamentin e pensionistit, që ishte me të gjitha komoditetet dhe komfortet për një jetë mbretërore: sipërfaqja e banimit 120 metrokatrore, kuzhinë me të gjitha pajisjet për gatim e larje të shpejtë; dhomë për ndenje e pushimi dhe për punë të pavarur, me televizor, kompjuter, kasetofon, telefon, citofon, etj; dhomë fjetje e pajisur për qetësi të plotë, banjë me të gjitha pajisjet dhe me një shkëlqim qetësues; garazh për automjetin dhe depo për gjerat e tepërta përkohësisht; gjelbërim e kopsht me lule të zgjedhura, si dhe të gjitha pajisjet dhe makineritë për ngrohje, ftohje, ajrosje e ndriçim qetësues. Asgjë e tepërt, çdo gjë e nevojshme për një jetë komode.
Miku ynë, bashkë me të shoqen, gruan e dytë, më të re, çdo vit organizonte me shoqërinë e vetë vizita turistike në vendet më te zgjedhura, kudo në botë, sipas ofertave më të leverdishme. Aty, në qytetin e tij të bukur ai, merrej me peshkim, duke pasur leje të posaçme dhe me mirëmbajtjen e kopshtit të vetë, shkonte me të shoqen dhe bashkëmoshatarët e tij në palestër dhe në shfaqjet artistike e kulturore të herë pas hershme. Dy fëmijët e martuar kishin jetën e tyre, me përpjekje e preokupime të përditshme, pa e pasur merakun për njeriun e tyre të dashur në distancë
Largohem për në Shqipëri me plotë përjetime dhe shembuj frymëzues.
Pjesë e Librit të Luan Çipit “Nga Llogoraja në Niagarë”
Comments