
PËRSHTYPJE RRETH ROMANIT
"FRIKA"
Të shkrimtarit FATMIR MINGULI
Është gjë e bukur dhe tërheqëse kur sapo shfleton faqet e para të një romani ai të përpin me stilin e tij modern të të shkruarit dhe të merr për dore rresht pas rreshti e faqe pas faqeje dhe kënaqësia që të dhuron të shtyn ta lexosh me një frymë.
Një gjë e tillë të ndodh me romanin "Frika" të shkrimtarit Fatmir Minguli. Është llogjike dhe normale për shkrimtarin në fjalë të presësh një bukuri të tillë. Autori i romanit vjen nga një përvojë dhjetra vjeçare me shkrimet e tij dhe i mirënjohur dhe si kritik letrar, kjo sigurisht ka ndikuar mjaft në kompozimin e mrekullueshëm në raporte të drejta dhe në funksion të njëra tjetrës të formës dhe përmbajtjes që të gërshetuara me elementet e tjera të stilit karakteristik të autorit, të na japi këtë vepër kaq të bukur dhe interesante në temat që trajton, në problemet që ngre, në epokat që paraqet, në personazhet që skalit e në mesazhet që përcjell tek lexuesi me një zhdërvjelltësi dhe natyralizëm të bindshëm e llogjik që shumëkush, sidomos brezi ynë që ka jetuar në atë kohë, gjen veteveten.
Ngjarjet e romanit vendosen në mjediset e para demokracisë dhe të pas demokracisë. Bartësi kryesor i fabulës së romanit është intektuali i zgjuar, me vullnet të lartë, njeri që e dashuron profesionin e tij si veteriner, njeri që ndjek të rejat e shkencës dhe kërkon të jetë gjithmonë i azhornuar, patriot dhe njeri që veç profesionit kërkon të ketë një diapazon të gjërë kulturor duke u dhënë dhe studiuar edhe pasionet e tjera që e grishin siç ështe ai i letërsisë dhe në veçanti ajo e domethënies së simboleve të ndryshme si: simboli i gjethes së dushkut në jakat e xhaketave të ushtarëve gjerman, i kryqit svastik dhe i shqiponjës në flamurin gjerman që ngjan për nga forma me anijet liburne etj, elementë që gjermanët i ruajtën si simbole të paraardhësve të tyre po që me kërkimet që bën dhe me llogjikën analitike të çojnë në gjenezën tonë pellazgo-ilire që shpesh herë është kamufluar, lënë në harresë, ngatërruar o mbuluar me hije të ndryshme për arsye e qëllime të ndryshme o për mungesë studimi dhe gjetje provash edhe nga nga ata vet që e kanë për detyrë, për punë, si historianë, studiues deri edhe nga akademikë dembela apo të pazotë duke na mohuar një gjenezë të tillë si një nga popujt me të vjetër në Evropë.

Romani është shkruar në një formë që ruan freskinë e leximit dhe kuriozitetin e zhvillimit gjatë gjithë ecurisë kohore te trajtimit të problemeve duke ndenjur larg dialogjeve, replikave të rëndomta, përshkrimeve lodhëse. Një formë dhe një mjeshtëri e autorit që e stakon veprën dhe e ngre në një stad të lartë cilësor në krahasim me shumë romane qofshin ato bashkëkohorë apo klasikë, këto ujëra të panevojshme që do të krijonin lodhje mërzitje për lexuesin, apo nëse do të shpreheshim në mënyrë figurative, do të krijonin moçale në trevat e romanit, këtu nuk do t'i gjejmë.
Me një zhdërvjelltësi të veçantë personazhin kryesor Zafon, autori na e kalon në situatat e ndryshme në roman, në hapësirë dhe në kohë ku shtrin zhvillimin e subjektit duke na gdhendur e mishëruar në figurën e tij të gjithë atë shtresë intelektualësh të ndershëm, punëtor dhe kërkues në punën e tyre që megjithë terrorin e ashpër dhe të paskrupullt të luftës së klasave të lindur, të rritur e të nxitur nga regjimi i kohës, ata duke qenë shumë të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm e të ndershëm në detyrën e tyre jo vetëm gjetën forcat për t'i përballuar këto vështirësi por dhe u dalluan në punën e tyre sa që dhe regjimi shpesh qe i detyruar nga aftësitë e tyre t'i stimilonte si Zafon duke e çuar për eksperiencë e në seminare te ndryshme si në Kinë, në Bullgari, në Itali etj.
Por sigurisht kjo luftë klasash, me shtypjen e saj të madhe psikologjike dhe ideologjike nuk mund të mos linte gjurmët e saja të zeza në këtë shtresë të intelektualëve. Këto i shohim më së miri në portretin e Zafos, ai gjatë gjithë kohës shoqërohet nga kjo hije e zezë që ka marrë formën dhe forcën e frikës. Do të theksoja se autori këtë frikë e ka pasqyruar aq bukur, aq reale dhe konkrete sa të jep përshtypjen dhe imazhin e një personazhi veprues në vepër që shkon krahas Zafos, bashkë me të dhe kundër tij. Do të kishte bërë më shumë ky brez inteligjence, këta quadro po të mos i ndiqte nga pas kjo frikë, do t'i kishin dhënë më shumë Atdheut, familjes dhe vetes së tyre.
Frika na jepet kaq bukur, reale dhe aktive, sa për meritë te autorit do ta quaja personazh virtual, ajo është një forcë motorrike në gjithë ngjarjet e romanit me të vetmin ndryshim se ështe një forcë motorrike regresive, që pengon zhvillimin, ecjen përpara, realizimin e objektivave të personazheve ose vonimin e tyre e deri diku dhe mohimin apo dëshpërimin e demoralizimin e personazheve.
Frika, ky personazh virtual, ka format, mjetet dhe mënyrat e saja për të realizuar qëllimin e saj-regresin, ka ligjin, ka sigurimsat, ka servilët shpirtliq e spiunë te regjimit, njerëzit meskinë të paaftë, xhelozët, cmirëzinjtë që kërkojnë të fitojnë besimin e regjimit duke luftuar këta njerëz të mrekullueshëm e patriotë, punëtorë e të palodhshëm.
Presioni i frikës është aq i madh sa njeriu ka frikë nga vetvetja mos i shpëton ndonjë fjalë e pakontrolluar, mos bën ndonjë veprim që mund të bjerë në sy për keq. Kjo frikë do të ndjehet edhe tek personazhet që mbartin linjat e tjera të romanit por tek Zafo ndjehet më shumë edhe për faktin se i dhënë me aq zell pas punës dhe duke qënë dhe krijues në punë, rezultatet janë te dukshme dhe kjo mund te nxis cmirën, luftën e të paaftëve elementë që e shtojnë frikën dhe këtu duhet të shtojmë dhe vet karakterin e ndjeshëm të Zafos.
Frika është aq tronditëse sa metastazat e saja i shtrin larg në kohë edhe pas kthimit te sistemit politik të vendit. Do të shohim në faqet e romanit që herë pas here këtë frikë edhe pse me intensitet më të dobët Zafo do t'ja ndjejë prapë kthetrat.
Autori, krahas duetit Zafo - Frikë, që përshkon tejembanë romanin dhe mban peshën kryesore të permbajtjes, na jep bukur edhe linjat Zafo-Kurti, profesori i interesuar edhe ky per simbolet si dhe marrëdhëniet e Zafos me plakun e mençur Toto dhe me gjermanin Hans, edhe këta janë të apasionuar pas studimit të simboleve dhe prejardhjes së tyre dhe e ndihmojnë Zafon në kërkimet e tija dhe në një farë mënyre plotësojnë njeri-tjetrin me studimet, kërkimet dhe hulumtimet që bëjnë duke gjetur fakte dhe interpretime nga studiues dhe nga gjurmë të hershme në histori që ndihmojnë dhe hedhin dritë në gjenezën tonë pellazgo ilire.
Përmbajtjen e romanit e zbukuron nga ana estetike dhe e pasuron nga ana tematike dhe ideore linja tjetër e bukur dhe reale Zafo-Lea që mishëzohet me pjesën tjetër të përmbajtjes, si pjesë e pandarë e atij realiteti, ajo e dashurisë dhe dramat që pësonte ajo si pasojë e mentaliteteve të krijuara e të kultivuara në atë regjim.
Një dashuri që lind në rininë e hershme të dy të rinjve por që ndërpritet nga mospëlqimi i babait të Leas që edhe pse ishte mik shtëpie me prindrit e Zafos, kur sheh rastësisht foton e së bijës në dhomën e Zafos, gjatë një vizite miqësore në shtëpinë e tyre, nuk e lë më vajzën të takohet me djalin e zemrës dhe miqësia ftohet. Kaq i fortë ishte ndikimi i mentaliteteve të dobëta sa që dhe një njeri me kulturë siç ishte i ati Leas profesor, nuk i shpëton dot. Pastaj vjen koha e tranzicionit dhe familja e Leas ikin në Gjermani e pastaj në Izrael si ebrei që ishin. Por kjo ishte një dashuri që kishte çuar rrënjë të forta dhe ushqehej nga dy zemrat e të rinjve ndaj nuk vdiq, nuk e mposhtën as mentalitetet, as koha, as largësia, as vështirësitë.
Lea, pas shumë vitesh në mërgim kthehet në Durrës tek i dashuri dhe vazhdojnë të jetojnë të lumtur dhe të merren me pasionin e tyre te studimit të simboleve që i pëlqente shumë dhe asaj. Kthimi i saj u jep nje impuls më shumë.
Të gjitha këto, në faqe e kapituj të tërë të romanit, autori na i motivon aq bukur dhe me art duke na dhënë tabllo të atij realiteti me një realizëm aq të besueshëm sa lexuesi gati-gati e përjeton historine e të rinjve.
Romani perveç vlerave ideo-artistike që përmendëm, duhet theksuar se shquhet edhe për gjuhën e leksikun e zgjedhur, të një kulture të lartë si dhe një sintaksë të pëlqyeshme, të kualifikuar në ndërtimin dhe shprehjen e mendimeve që e bëjnë romanin më elegant duke i shtuar rrezatimin në forcën e përcjelljes së mesazheve tek lexuesi.
Ndarja e romanit në kapituj të shumtë dhe kalimi me lehtësi nga njeri kapitull tek tjetri si dhe ndërthurja bukur në kohë e në veprim është një tjetër veçori e stilit të të shkruarit të autorit që e bën rrëfimin e ngjarjeve të rrjedh lirshëm e ngjan sikur çdo kapitull hap një dritare nga ku të joshin pamjet e bukura.
Duke i uruar autorit suksese e me vepra të tjera të këtij kalibri, i drejtohem lexuesit se leximi i këtij romani do te jete një vlerë shpirtërore më shumë si nga ana e kënaqësisë artistike si dhe për vlerat njohëse që sjell.
Kujtim Hajdari