Vangjush Saro
PËRSE “SHQIPËRIA…” IME NUK U GJEND
NË LISTËN E MASH?!
Nuk mund të them se u dëshpërova që libri im “Shqipëria në dy kohë”, një ese për jetën, artin dhe “humorin” e shqiptarëve, s’u gjend në listën e MASH. Libri u prek nga lexuesit; edhe nga Mendimi Letrar. Që të jem i sinqertë, mendoja se mund të afrohej më shpejt koha për një botim të dytë, të përmirësuar; por me sa duket, arsyet dhe pengimet që po shtjelloj më poshtë në lidhje me komisionet e anuara të MASH, janë të njëjtat pse “Shqipëria në dy kohë” mbeti disi “prapa kohe” (!)
Po përpiqem ta shtjelloj pak më gjerë këtë kundërti. Nuk u dëshpërova për librin e për veten, por për ato që janë shkruar aty kundër prapambetjes, kundër fiksimeve e dasive, dukuri që, me këtë rast, i pashë sërish të shpalosen në mënyrën më cinike. Pra, e thënë me fjalë të tjera, druaj se kemi të bëjmë me një pavëmendje (në mos padrejtësi) ndaj një libri nga të paktët në këtë zhanër, ndaj një teksti të inspiruar nga fakte dhe përjetime reale, ndaj një interpretimi profesional (për të cilin s’duhej të prisja shprehje simpatie nga individë që vërtet janë gjithnjë në panele e në komisione, por vetë nuk kanë shkëlqyer në asgjë).
Ndonjëherë habitem; po, habitem se si dhe kush i bën bashkë snobët e grafomanët (!) Ta lëmë për një çast mënjanë modestinë: Çfarë i mungonte librit “Shqipëria në dy kohë” që nuk e gjeti dot atë listë? Ishte i ndonjë autori të panjohur? Merrte në shqyrtim një temë të parëndësishme? Nuk ishte shtjelluar bindshëm subjekti, nuk kishte stil e nuk ridhnin frazat? Ishte shkruar keq dhe me tendenca? Nuk e kishin përfillur më parë mediat dhe lexuesit e Mendimi Letrar? Për të gjitha këto mund të thuhet vetëm një “Jo!” e trishtë. Thjesht, librit i mungonte miku, ndërhyrja; se ashtu bëhen punët në Shqipëri.
Unë, në fakt, nuk kam pasur dhe nuk kam kund raporte me struktura dhe institucione në atë vend. Dhe me sa duket, po nuk qe aty pari, në ndonjë përurim me qofte, në ndonjë shërbim partiak, në ndonjë klan, ata heshtin, të vënë bërrylin. Mbase nuk e vlen të bësh detaje me të tilla institucione e mendësi, por ndonjëherë duhet. Bie fjala, autorit të atij librit të njohur me derkucë iu dha vjet (a parvjet) çmimi për… poezi. Unë e njoh prej një jete atë zotëri dhe kurrë s’e kam ditur (jam i bindur që edhe kolegë të tjerë nuk e dinë) se ai na shkruakërkej edhe poezi (!) Por ja, një t’i qarë ai me lot poezitë, sakaq u gjend edhe çmimi. Emri i tij dhe njohjet e tij mjaftojnë. Kush po pyet se është kaq fyese!
Le të kthehemi te “Shqipëria në dy kohë”, që në fakt është Shqipëria e çdo kohe; dhe po e shpjegoj pse. Tek ne, ka një kaos sa i përket temave të rëndësishme: E shkuara, e sotmja, lufta, filmat, kultura, dasitë kombëtare, etj. dhe, në këto tema, gjithnjë anohet dukshëm ose andej ose këtej, bëhet mjegull, ka luftë për protagonizëm, por jo për Shqipërinë dhe fatet e saj, jo për çfarë u intereson shqiptarëve, veças brezave të sotëm. Ky libër, siç shprehet një nga ata që kanë shkruar për të, rreh ta shpërndajë disi këtë mjegull. Në këtë libër, nuk ka as mburrje, as shpifje, as brohori, as denigrim. Por mbase snobët e grafomanët nuk mund ta gëlltisin dot këtë ballafaqim me të vërtetën për Shqipërinë… Libri godet ekstremizmin, shtyn tej pasaportizimin e hipokrizive gjithfarë, stigmatizon rrahjen e gjoksit për disidencë, më në fund përpiqet të pajtojë mërritë ndaj njëri-tjetrit e ndaj kohëve që s’u kanë faj ekstremistëve të mjerë. Libri sjell pozitivitet dhe vlerëson ato që janë për t’u vlerësuar, në çdo kohë. Ky drejtpeshim nuk u pëlqen, mbase nuk u duhet fare komisioneve të MASH, anipse lexuesit, shqiptarët gjithandej ku ndodhen, për më tepër më të rinjtë, duhet të shfletojnë edhe diçka qetësuese e paqësore.
E di që në këto lista e projekte, thënë shqip, gjithnjë ka bërryla, ndërhyrje, zarfe, luftë për lekë, etj. Vetë, nuk e kam parë asnjëherë profesionin tim dhe sjelljet e mia si një plan për fitime. Doemos, çdokush i vlerëson të mirat materiale. Sidoqoftë, me sinqeritet, ndoshta ngaqë - në të gjitha kuptimet e fjalës - kam qenë një njeri me fat, nuk i kam në fokus lekët si qëllim në vetvete. Nuk e kam vlerësuar si alarm ngushtësinë ekonomike (edhe kur mund ta kem ndjerë atë). Megjithatë, përpiqem t’i kuptoj mëtonjësit e shumtë, në art e në projekte e në tituj; situata ekonomike a ku di ç’tjetër, mund të të ndryshojë, (gjë që s’e besoj për veten). Por duhet t’i mëshirosh të tjerët kur bëhen rogoz për ca lekë më shumë… Kohë më parë, një kolegia jonë, poeteshë e njohur në X zhanër, u ofrua në krye të një shoqate me të cilën isha i lidhur disi. Ne mendonim se… hë, po i jep një dorë kësaj letërsie e po ndihmon që të ndryshojnë disi raportet me institucionet. Por jo. Ajo nuk dha asgjë; thjesht donte të tërhiqte pak vëmendje mbi staturën e vet, për të arritur atë që quhet Pension Suplementar (çfarë turpi!) dhe e fitoi dikur. Madje e shpalli që po, e kishte marrë kryesimin e Shoqatës pikërisht për këtë qëllim…
Kështu janë ndarë njerëzit; ca nuhasin pareshtur ku të munden, edhe atje… nuk e them se i urrej fjalët e pista; kurse të tjerë ndjekin linjën e tyre të modestisë e të ndershmërisë njerëzore e profesionale, u lipset ajër i pastër. Dhe meqë njëri episod sjell tjetrin… kur isha herën e fundit në Shqipëri, teksa ktheheshim nga kafja te Liqeni - me time shoqe dhe me një mik e koleg të vyer, artist, tash në pension, në një pension fyes - hymë në një dyqan buke; e ndërsa unë dhe gruaja po “zgjidhnim”, kolegu im i urtë i tha shitëses pa asnjëlloj “dredhie”: Një masive. (Domethënë “një bukë masive”.) Dhe ju mund të mos e besoni; më erdhi keq, teksa kujtoja sa shumë i ka dhënë ai artit, vendit të tij, në dekada… Por ai, ne, një pjesë nga ne, nuk dimë të lypim, të lutemi, të qajmë, të shkruajmë letra, ta dredhim, të përulemi, të fusim miq, t’ia gjejmë anën, të ndjekim partitë dhe klanet, të poshtërohemi… Epo, o do të shkruash e do bësh art siç duhet, o do të merresh me ato aktet që përmenda më lart (!) Disa nga ne, s’i bëjnë dot të dyja. Dhe, normalisht, nuk bëhen të dyja. Prandaj titujt, projektet, listat, gjithë sa prodhojnë institucionet në papërgjegjshmëri të plotë, janë episode për t’u harruar, krahas shumë gjërave të tjera që nuk shkojnë siç duhet në atë vend.
Tani disa shpjegime të fundit: Assesi nuk dua të them se të gjithë ata që mund të jenë “më me fat” në këtë temë, janë me doemos ashtu, të pavlerë. Lipset ta kuptojmë siç duhet përmbajtjen e këtij shënimi dhe interpretimin e dukurive në fjalë. Por, larg e larg, përjashtimi pa arsye, përgjithësisht sjellje të tilla janë pothuaj njëlloj dhune. Pra, botoji librat atje ku ne përzgjedhim më shumë, atje ku “na e kanë gjetur anën”, atje ku na e dinë “marifetin”. Përndryshe, ngrohu në diell!
Ani. E gjithë kjo nuk është fundi i botës, nuk e cënon as karrierën; e bezdis atë, por nuk e cënon. Që ta mbyll, nuk i them e nuk i shkruaj këto për shpagim. Absolutisht jo. Prapë përpiqem ta ngre problemin në parim, duke shpresuar të rishikojmë e mbrothësojmë ç’të mundim sa u takon halleve dhe sjelljeve vetjake, por sidomos atyre institucionale, në Shqipërinë e kësaj kohe…
Commentaires