
Akademikët, shkrimtarët, krijuesit dhe poetët kohët e fudnit e kanë vënë theksin e tyre në një pikë të rëndësishme: “që fëmijët e moshës 14 vjeçare duhet të lejohen, mbase edhe të inkurajohen, të heqin dorë nga të gjithë etapat e një studimi të letërsisë”, është vërtet tragjike. Aktualisht, shumë nxënës sot shkojnë përmes të njëjtave ide dhe mësime: studimi i letërsisë siguron materialin për mësimin e gjuhës. Nëse studimi i gjuhës shqipe është vendosur që të bëhet gjithnjë e më i dobishëm në fokusin e saj, në aftësitë e shkrim-leximit, si pasojë si përbërës i letërsisë do të dobësohet. Nuk diskutohet, se mësimi rigoroz i drejtshkrimit, pikësimit dhe gramatikës është mjaft i rëndësishëm, në mënyrë ideale mund të shpresojmë që fëmijët i kanë zotëruar këto aftësi themelore, para se të fillojnë kurset e tyre në lëndët që ata përzgjedhin. Një dallim mjaft i theksuar midis dy lëndëve do të bëjë më pak të mundshme që ata të mësojnë vetëm gjuhë dhe të lënë disi mënjanë përvojën e kënaqësisë së leximit të romaneve, shfaqjeve ose poezive.
Problemet me letërsinë e sotme shqipe, si lëndë e lënë disi në një kënd të heshtur, kanë të bëjnë me natyrën e njohurive disiplinore. Më shumë sesa me çdo temë tjetër, sfidë për konceptin kulturor dhe autoritetin e ligjësisë, një lëndë e tillë, që ka qëndruar në sprovën e kohërave dhe është kaluar nga një brez në tjetrin në bazë të gjykimit të publikut, përsa i përket meritës, ndihet në mënyrë akute. Nëse mësuesve të gjuhës shqipe u mungon besimi për të pohuar, se “disa vepra të letërsisë janë më të denja për studim, sesa të tjerat”, atëherë ata vënë në dyshim premisën themelore të lëndës. Nocioni i poezisë si “fjalët më të mira në rendin më të mirë” bëhet i pakuptimtë, nëse mësuesit nuk mund të dallojnë se çfarë nënkuptojnë “më të mirë”, ose më tej madje të mbrojnë nocionin se një “më i mirë” mund të jetë i mundur.
Pa një ligj të shtruar në forma dhe mënyra të ndryshme edukative dhe akademike, pa një ligj të mirëfilltë të letërsisë për kohën dhe situatat e sotme, të bazuar në format edukative më të përparuara, që të nxjerrë në skenë rolin e duhur, roli i mësuesit të Gjuhës Shqipe nuk është më për të promovuar “një dashuri të veprave të veçanta”, as edhe për cilësinë e shkrimit, bukurinë e gjuhës, thellësitë e emocionit dhe gamën e përvojës njerëzore të hulumtuar. Në kontekstin e letërsisë, ekzistenca është zvenitur dhe lënë në hije, nga një “tirani e rëndësisë” dhe një më të keqe akoma, nga ajo e “komercialitetit meskin dhe grumbullimeve të mistershme”, por të qëllimshme për të shkëputur lidhjen e duhur dhe të nevojshme të gjuhës shqipe me letërsinë. Letërsia sipas kushteve të sotme, nuk zgjidhet më për meritat e saj, por për mbulimin e saj të çështjeve, që “gjoja lidhen me të rinjtë dhe i ndihmojnë ata të zgjidhin problemet e tyre dhe të promovojnë shkrim e këndim emocional dhe mirëqenie”. Në vend që t’i marrë të rinjtë e t’i delegojë tej rutinës, përtej përvojave të tyre “zhargone” të përditshme, letërsia shpesh mësohet t’i kufizojë nxënësit në terrenin e tyre ekzistues emocional. Letërsia bëhet si gjithçka rreth tyre, rreth të rrinjve.
Si e tillë, letërsia është vetëm një nga shumë lëndë, që nxënësit rreken që ta përjetojnë si të gjithën rreth tyre. Atëherë është e vështirë të justifikohet, pse studimi i letërsisë duhet të ndërmerret në kushte të tilla, kurrë mos të bëhet i detyrueshëm. “Rënia e letërsisë tregon rënien e një kombi”, shkroi poeti gjerman Johann Wolfgang von Goethe. Rreth 200 vjet më vonë kërcënimi që paraqet neglizhimi i letërsisë shqiptare në shkollat shtetërore, si rezultat jo thjesht i mosnjohjes së aktualitetit dhe realitetit të saj, por edhe si një fakt i mosaftësisë institucionale për ta vënë atë në rolin e duhur po bëhet efikas. Ky fakt është si një vemje druri që vazhdon punën me trarët e çatisë. Mos o Zot, sikur të pritet akoma me “padituri” institucionale … që të rrëzohet trarët.
Terence Francis Eagleton, teoricieni, kritiku dhe profesori i dalluar i letërsisë angleze në Universitetin Lancaster, që ka botuar mbi dyzet libra, por që mbetet më i njohuri për “Teorinë letrare: Një hyrje”, që është shitur mbi 750,000 kopje shprehet: “Letërsia dhe njerëzimi, atëherë, mund të shihen si të ngjashëm në atë që funksioni i tyre nuk qëndron jashtë vetvetes, por në veprimtarinë e vetë-realizimit të tyre.”