top of page

Përse dhe si u dënuan nga Komunistët tre fëmijë


Reshat Kripa

Reshat Kripa

(Përse dhe si u dënuan nga Komunistët tre fëmijë)


Tregim nga Luan Çipi


Reshat Kripa, ka lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës, në një familje intelektuale qytetare vlonjate. Babai i tij, Qazim Kripa, kishte kryer studimet në “Robert College” në Stamboll. U kthye në atdhe në prag të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912. Iu kushtua tregtisë, fillimisht me një kafene dhe më pas, me ngritjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit dhe tregtimin e tij. Nëna, Mynevere, ishte e bija e një avokati të njohur në qytet, Mehmet Radhimës, drejtor dogane në qeverinë e Ismail Qemalit. Nga martesa lindën shtatë fëmijë, katër vajza, Liria, Qamileja, Drita (Drita Pelingu, aktorja e madhe, Artiste e Popullit ), Fatushja dhe më pas tre djem: Agimi, Besniku dhe më i vogli, Reshati.

Duke filluar nga viti 1942 familja Kripa u shpërngul në Tiranë, ku vazhdonte tregtinë e vajit të ullirit. Djemtë ishin ende të vegjël, kurse dy motrat, Drita dhe Fatushja, ishin nxënëse të Shkollës Pedagogjike “Nana Mbretëreshë”. Ato ishin të lidhura fshehtas me grupet guerile, që vepronin dhe shpërndanin trakte në qytet.

Në vitin 1946, pas shtetëzimit të Fabrikës së Vajit, për ta “lehtësuar” sadopak kryeqytetin nga borgjezia, me vendim të Ministrisë së Brendshme, familjen Kripa, si shumë familje të tjera pasanikësh, i dëbojnë nga Tirana për në qytetin e origjinës, duke i trajtuar dora dorës me motive politike, si “armiq” të popullit.

Në këtë vazhdë trysnie, vëllai pak më i madh i Reshatit, Besniku, në vitin 1950, me dy shokë të tij vlonjat, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon, krijuan një grup të fshehtë nacionalist, antipushtet dhe nisën të shpërndanin trakte në gjimnazin ku studionin. Ata arrestohen dhe dënohen me egërsi, me nga 15 vjet burg secili. Lirohen në dhjetor 1961, pas gati 12 vjet burg.

Në këto kushte në shpirtin e Reshatit, vëllait pak më të vogël, lindi një urrejtje dhe revoltë kundër pushtetit anormal e diktatorial. Reshati atëherë, ishte minoren, vetëm 15 vjeç, në vitin e parë të gjimnazit, kur së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, në vitin 1951, krijuam një grup të fshehtë dhe ata, sipas modelit të mëparshëm, nisën të shpërndanin trakte në qytet. Pas katër muajsh veprimtarie klandestine dhe ata arrestohen. Akuza ishte po e njëjtë: Agjitacion dhe propagandë.

Reshati e kujtonte shpesh momentin e arrestimit: “Data 24 maj 1951. Kisha shkuar së bashku me Jorgon dhe Myrtezan tek Agjensia e Udhëtarëve, për të pritur hallën që do të vinte nga Tirana, po që nuk e di pse nuk mbërriti në kohë... Kishte filluar të errësohej. Në pritje të hallës, vendosëm të ngjisnim traktin që e kishim bërë gati në dy kopje. Njërën e ngjitëm, ndërsa tjetrën e futa në xhepin e këmishës. Në trakt shkruhej: “Për Liri, për Shqipëri për Flamurin Kuq e Zi!” Kishim ngjitur, në muret e qytetit të Vlorës edhe tjetër herë trakte, po nuk e dinim se ishim në gjurmim e ndjekje. Në ato njoftonim se “Atdheu është në rrezik”. Traktet nënshkruheshin me emrin e “ATDHETARIT” dhe kishin për qëllim t’u tregonin popullit të vërtetën, sado e hidhur që të jetë, për Shqipërinë tonë, me shpresën se “E vërteta do të triumfojë!”.

Reshat Kripës, nuk i shkulej gjithë jetës nga mendja ngjarja e kobshme dhe çastet e vështira torturuese, që kishte përjetuar edhe pse në moshë fëmijërore:

“Ora po afronte dhjetë e mbrëmjes. Ishim e gjithë familja në dhomë. U dëgjua një trokitje e fortë në portë. Agimi, vëllai i madh, u ngrit dhe e hapi. Hynë me zhurmë e duke bërtitur dy oficerë, një civil dhe disa policë. Njërin nga oficerët e njihja, ishte marshall Demir Zhupa, hetuesi i sigurimit për shkollën tonë. Njihja edhe civilin. Ishte Dhimitri, një banor i lagjes tonë, pikërisht ai spiuni, i cili na kishte parë kur ngjitëm traktin dhe na kishte denoncuar në polici.

–Ky është, – tha ai, duke më treguar me gisht.

Oficerët, panë njeri-tjetrin me dyshim. Pastaj Demiri foli egërsisht, duke u drejtuar nga unë:

– Ngriu! Në emër të popullit je i arrestuar!

Më hodhën prangat. Menjëherë mendja më shkoi në xhepin e këmishës, ku kisha traktin e dytë, që nuk kishim arritur ta ngjisnim. U mundova ta nxirrja dhe ta hidhja gjëkundi, por nuk munda.

Sytë e të gjithëve ishin drejtuar nga unë. Kontrolluan gjithandej dhe si nuk gjetën gjë, morën fletoren time të hartimit, ndofta për të krahasuar shkrimin.

U nisëm. Shkuam edhe në shtëpitë e Jorgos dhe Myrtezait ku u bë edhe arrestimi i tyre. Në Degën e Punëve të Brendshme më futën në zyrën e zëvendës kryetarit të degës, Fadil Kapisyzi. Pas meje hyri edhe Demiri. Zëvendës kryetari, nxori nga çanta një tufë traktesh, të hequra ditë më parë nga muret ku i kishim varur ne dhe mi vuri para syve, duke thënë:

– Ti i ke shkruar këto?

– Jo.

U ngrit nga tavolina, u afrua përballë meje dhe, duke më shkulur fort veshin, tha: – Dëgjo, djalë! Po deshe, mos merr veten më qafë!

Tunda kokën, në shenjë mohimi dhe thashë me vendosmëri:

– Unë, nuk kam shkruar gjë!

Një breshëri pëllëmbësh flakërinë në fytyrën time. Goditja ishte e papritur. Pastaj filluan grushte e shuplaka të tjera. Në rrahjen, nuk merrte pjesë vetëm kryetari. Ndieja që po më linin fuqitë. Nuk qëndroja dot më këmbë. Një grusht i fortë mu plandos në fytyrë. U rrëzova për tokë. Filloi të më rridhte gjak nga hundët.

Mendja më shkoi te trakti që mbaja në xhepin e këmishës. Instinktivisht dora më shkoi sërish atje. Syrit të sprovuar të zëvendës kryetarit nuk i shpëtoi një veprim i tillë. Eksperienca e gjatë e tij, triumfoi mbi paditurinë time fëmijërore. U afrua, më futi dorën në xhep dhe nxori traktin. Buzëqeshi si fitimtar dhe pasi e lexoi tha:

– E more karafil, do të vazhdosh të heshtësh më?

E pashë se nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të pranoja duke i marrë të gjitha fajet mbi vete.

Demiri thirri dy policë. Ata erdhën, më ngritën në këmbë dhe ashtu, pothuajse duke më hequr zvarrë, më morën dhe më mbyllën në qelinë që ndodhej nën rampën e shkallëve që të shpinte në bodrum, ku ishte vargu i qelive. Në dy qelitë e tjera mbyllën shokët e mi.”

Në birucat e sigurimit të shtetit Reshat Kripa qëndroi gjashtë muaj dhe njëzet ditë, në kushte jetese të vështira e torturuese, shpesh pa ujë e pa bukë, në errësirë e ftomë.

Hetuesi cinik, marshall Demiri, që kishte pasur nën hetim edhe Besnikun, vëllain e Reshatiti, kishte krijuar bindjen se duhej të kishte një person të tretë më të madh e më të rëndësishëm që i kishte drejtuar djemtë në këtë rrugë. Nga ana tjetër synonte të merrte të dhëna plotësuese, ndaj dhe e pyeste dhe e torturonte Reshatin, midis të tjerave, për të treguar për “florinjtë e fshehur” të babait të tij. Po, ku i kishin mbetur florinj te Kripajt, pas gjithë atyre peripecive që kishin hequr ata dhe “borgjezët” e tjerë , kur për mbijetesën e familjes numeroze, në disa vite pa burim të ardhurash, ishte shitur gjithçka dhe kishin mbetur vetëm disa mindere të vjetër prej dërrase dhe jo më të kishin florinj. Këtë skenar torturues, Reshati, e tregonte shpesh, midis miqsh, me mjaft keqardhje e dëshpërim:

“Hetuesi më lidhi duart me hekura dhe mi shtrëngoi fort. Më shtriu në tokë dhe filloi të më godiste me të dy pëllëmbët me sa fuqi kishte. Shikoja krahët e tij që hapeshin me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma deri në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë:

– Hë, fol, ku janë florinjtë?

Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi të më rridhte sërish gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.” Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë Reshatin e çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai e pyeti:

– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?

Pyetja erdhi e papritur. Vendosa t’i thotë të vërtetën:

– Jo.

– Ashtu? Atëherë bëjë një deklaratë për sa the!

Dhe Reshat Kripa, ky vlonjat heroik, trim i pa shoq edhe pse fëmijë 15 vjeçar, po i pjekur para kohe, formuloi deklaratën e mëposhtme, që përfaqëson një dokument të rëndësishëm e me vlerë historike botërore, një nderim kombëtar në rezistencën antikomuniste shqiptare:

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që procedohem si pjesëmarrës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjigja si më poshtë: Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vendin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj. Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vetë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri:

Reshat Kripa

Vlorë më 11-VIII-1951

Hetues Demiri, marshalli komunist terrorist, sa nisi të lexoj i tronditur deklaratën, me fytyrën që filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra dhe me egërsi të pa parë, filloi ta godasë Reshatin imcak e të brishtë me pëllëmba, grushte dhe çfarë të mundte. Pastaj urdhëroi që ta lidhnin këmbë e dorë dhe ta çonin në qeli.

Pas gjashtë muajsh e njëzet ditë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit. Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishin nëntë veta që u gjykuan. Tre shokët nga qyteti i Vlorës, Halo Çanaj nga Dukati, Ymer Rakipi nga Gjormi, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebre.

Gjykimi u zhvillua në dy seanca të përshpejtuara, që zgjatën rreth pesë orë secila. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhet:

“Të tre të pandehurit bashkërisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me iniciativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.

Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte

Myrteza Baboçi.

Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në

shpërndarjen që të tre së bashku.”

Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit. – Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja Reshat Kripa dhe po njësoj, të dy shokët e tij.

Trupi Gjykues që priste që të pandehurit të kërkonim mëshirë dha prerë, ku thuhej: “Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonëse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me radhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin.

U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari”.

Të tre të pandehurit janë konsekuent në pjesëmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjen e fletushkave me përmbajtje antipushtet.’’ Sipas Vendimit, Reshatin dhe Myrtezanë, i dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.

Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake, që arsyetoi se:

Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar, prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin. Vendimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake, ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

Tiranë, më 25 Mars 2020

31 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page