Ti s'ke si ta dish ç'është lëmi,
I drunjti strumbullar pse dukej i artë.
Pse kuajt spërkatin me xixa kalldrëmin,
Pse qielli ishte dikur më i kaltër.
Ti s'ke si ta dish ngarësin e kuajve,
Epoka e Lëmenjve për ty është fikur.
Ama, kokrën e grurit e shkoqitnin prej kallinjve,
Thundrat e atyre që quhen Krifëngritur.
Ti s' ke shijuar lëpjeta me gjizë,
Përshesh me dhallë e as lakror me rradhiqe.
Nafora, që ty të japin në kishë,
Bekim lëmenjsh është, në mijra vite.
Ti s'ke si ta dish ç'është vrahtari,
Si e pastron grurin me erën e mbarë.
Pastaj, për jastëk, qafën e një kali,
Të njërit, prej kuajve, që unë kam ngarë...
2012
Opmerkingen