PËRNDRYSHE, NJERËZIMI DO TË NDËSHKOHET PAPËRFYTYRUESHËM


GJOKË DABAJ


Në kohën tonë njerëzimi, përgjithësisht, po tregohet mosmirënjohës ndaj natyrës, e cila e ka krijuar njeriun.

I ka braktisur hapësirat e madhërishme rurale dhe po grumbullohet nëpër qytete, gjithsesi të madhërishëm, por edhe fatalë potencialisht, nëse nuk do të tregohemi të vëmendshëm.

Qytetet po i mbyll, po i izolon kovidi (sot ky, nesër ndonjë kovid tjetër), fshatrat po i shkreton braktisja.

Pyjet e Kalifornisë dhe të Amazons po digjen, Lindja e Afërme, Lindja e Mesme dhe Afrika po dynden drejt Evropës Perendimore, drejt SHBA-së dhe Kanadasë, duke lënë prapa luftëra, rrënime, kampe mjerimi, ushtri mjekrroshe pa kurrfarë perspektive, duke mbytur fëmijët e vet në Detin e Mesdheut dhe në Gjirin e Meksikës. Shpërthimi demografik i Kinës (dhe jo vetëm i Kinës) po përgatitet që t’i invadojë edhe Evropën, edhe SHBA-në. Krejt bota ish-komuniste po e kërkon lumturinë pikërisht atje ku anatemohej komunizmi dhe ku çdo kundërshtar politik, për ta diskredituar, etiketohej dhe etiketohet si komunist.

Në të vërtetë, njeriu i sotëm, përgjithësisht, s’po ka ideal tjetër, përveç rendjes pas një jetese më të lehtë. Këtë jetesë më të lehtë, me sa më shumë pará, me sa më pak punë dhe, mundësisht, pa bërë kurrfarë pune, njeriut po i duket se mund ta gjejë vetëm në qytet.

Jo vetëm në Evropën Perendimore dhe në Amerikën Veriore (atje ku, para se të vërshojnë turmat milionëshe të regfugjatëvet, ka vërshuar kapitali, thithur siç thithet lëngu prej një ene të madhe me një aparat thithës fare të thjeshtë), por edhe në Azi, në Amerikën Latine e në Afrikë, janë qytetet milionësh, ata që po e joshin popullatën. Thithet kapitali, vrapon turma pas tij! Ndërtesat 100-katështe po reklamohen si parajsa e të jetuarit sa s’ka më mirë. Qendra megaqytetesh, me të tillë komplekse dhjetërakatesh po paraqiten si parajsa mbitokësore, që s’i kishin përfytyruar dot, as Buda, Konfuci, Jezusi e Muhamedi, jo më për “jetën e këtushme”, por as për “jetën e përtejvarrit”.

Rendje të këtilla drejt qytetevet dhe, e kundërta, thirrje njerëzish të mençur për t’iu rikthyer natyrës edhe tokës, për t’iu kthyer ugarit, ka pasur edhe në kohë të shkuara. Lexoni Hesiodin e lashtë, lexoni Virgjilin, por edhe Naimin tonë: “Larg, larg, nga qytetit, / Nga rrëmuja, nga rrëmeti!”

Puna ka arritur deri atje, sa, njeriu i sotëm, “i qytetëruar”, nuk po njeh kafshë tjetër, përveç maces edhe qenit. Kur i shoh nëpër parqe e lulishte zonjat që mbajnë nga një qen me vete, s’po di cili të më dhimbet më shumë, qeni i lazdruar, apo zonja e ngazëllyer. Mbasi të jenë shpirë e freskuar në ambientet e parqevet e të lulishtevet, edhe qeni, edhe zonja, do të kënaqen duke fjetur bashkë në një dormeo të prodhimit të fundit. Reklamuar dormeoja me këmbëngulje të papërmbajtur dhjetëra herë në ditë!

Miliarda njerëz po lindin, po jetojnë e po vdesin, pa kullotur lopë, dhen e dhi, pa grazhduar e pa mjelë të paktën një herë në jetë, një dhi, një dele, një lopë, pa qethur një dash a një sheleg motak, pa i pastruar bajgat një lope dhe pa ditur si ndillen pulat, rosat a bibat. Të gjithë këta po hanë vezë, qumësht, djathë e mish, ditë për ditë, pa ditur e pa dashur t’ia dijnë nga vijnë këta ushqime kaq të domosdoshëm për jetën e tyre.

Miliarda njerëz po lindin, po jetojnë e po vdesin, pa e punuar tokën ndonjëherë. Pa ngarë një traktor, pa shijuar pas vetes hapjen e brazdavet. Pa prekur me dorë, kazëm, bel, lopatë e shatë dhe pa i ngulur ato vegla në dhé, të paktën njëherë në jetë, qoftë edhe për nostalgji evolutive: Si evoloka kështu njeriu e këto hekurishte mbetkan po këto! Pa ditur dhe pa dashur të dijë, si mbillen, si rriten dhe si korren, gruri, misri, elbi e tepa. Pa mbjellë, pa ujitur dhe pa mihur rretherrotull me shatë, një vllajë domate, një vllajë speca, një vllajë patëllxhana apo dhjetë gropa patatesh. Pa ditur dhe pa dashur të dijë si mbillen dhe si rriten kungujt. Por, që të gjithë këta, muliarda njerëz të sotëm, nuk po rrinë pa ngrënë nga tre e më shumë herë në ditë, byrek me djathë a me qepë, gjellë me zarzavate dhe bukë. “Bukën tonë të përditshme falna sot!”

..Dhe po këta, miliarda njerëz, nuk po përtojnë të dalin e të bërtasin nëpër rrugët e qytetevet për më shumë bukë (Cilën bukë?! Bukën që nuk e prodhojnë vetë?!) Nuk po dua të them që s’kanë të drejtë të kërkojnë bukë të pabukët, por po dua të vë dukje kontradiktën që e ka mbërthyer shoqërinë njerëzore.

Të dyja palët, edhe ata që po e menaxhojnë prodhimin dhe që po qeverisin (zotëruesit e kapitalevet), edhe ata që po i prodhojnë prodhimet me adhap të madh, (milijarda njerëzit që s’kanë asgjë në dorë), kanë mbetur dhe po vijnë vërdallë në një rreth vicioz, pa e ditur, as ku po shkojnë, as ku duhet të shkojnë.

Por dihet që rrethi vicioz është vorbull, rrethi vicioz është krater, madje vrimë e zezë! Po e vazhdoi njerëzimi këtë rrugë, rrugën e ikjes nga toka dhe nga jeta aktive në natyrë, e cila është treguar aq bujare me njeriun, njeriu si specie, do të ndëshkohet rëndë e mbase edhe pakthyeshëm!

Si duhet të veprojë njerëzimi, që të mos e shohë veten një ditë në vorbullën e një vrime të zezë të pakthimtë?!

Unë nuk e kam në natyrën time vetëm konstatimin. Kur shoh një gjendje të keqe, aq më tepër, gjendje kritike dhe të frikshme, mundohem të gjej edhe rrugëdaljen. Kjo është detyra e sociologjisë. Të pasqyrojë realisht situatat dhe të dëftojë udhët e daljevet dhe të shpëtimit nga katastrofat, para se ato të ndodhin.

Puna e parë që duhet të bëjë njerëzimi, është, ta shohë gjendjen me sy të kthjellët. Ta kuptojë njerëzimi që ky trend zhvillimi i është afruar tashmë pikës ku përfundon zhvillimi. Përfundon zhvillimi dhe, po nuk u morën masa të ngutshme dhe energjike, vjen pashmangshëm edhe shkatërrimi!

Puna e dytë që duhet të bëjë njerëzimi, është gjetja e një rruge apo e disa rrugëve, për t’iu shmangur katastrofës. Revolucionet që inicoheshin nga poshtë, nga skllevërit (Spartaku), nga bujkrobërit (Pugaçovi), nga proletariati (Lenini), tashmë janë sfumuar. Nuk mund të presësh asgjë nga turmat e sotme që dalin në rrugë, përmbysin vetura e thyejnë xhama, sepse ato turma, në kohën tonë, nuk kanë as program, as perspektivë.

Shpresa e vetme, sot për sot, mbetet te klasat që kanë pushtetin. Klasat që mbajnë pushtetin, nuk kanë zgjedhur rrugën që të shpëtojnë veten dhe krejt njerëzimin nga asgjësimi, por kanë zgjedhur, për shembull, rrugën e fuqizimit të religjionevet, në mënyrë që ta mbajnë turmën sa më të verbër dhe vetë të mund të sundojnë e grumbullojnë pasuri me sa më pak kokëçarje. Por kjo rrugë i çon në greminë njëkohësisht, edhe klasat pushtetmbajtëse (të organizuara në parti që i nxjerrin sytë njëra-tjetrës), edhe turmat qëllimisht të verbuara, me anë të religjionevet dhe me dhjetëra forma të tjera, verbimi dhe vetëverbimi.

Klasat që kanë pushtetin po tregohen madje qesharake, duke nxjerrë si “mundësi shpëtimi”, në rast se këtu ndodh hataja, shkuarjen diku gjetkë, në ndonjë planet tjetër, për të shpëtuar lëkurën. Ky është kulmi i idiotizmit!

Në këtë situatë, si fillim, rruga më e mençur dhe më e lehtë për t’u zbatuar, do të ishte lehtësimi i qytetevet nga mbipopullimi dhe kthimi, sa më shpejt të jetë e mundur, i sa më shumë banorëve nga qyteti në fshat.

Gjithkush e kupton që kjo punë nuk mund të bëhet me bindje e me propagandë. Njeriu i sotëm, i pavetëdijshëm, pranon më parë të ngordhë nëpër rrugët e qytetevet, sesa të kthehet për të punuar e jetuar në fshat. Atëherë, si mund të realizohet që qytetet të lehtësohen nga barra e mbipopullimit dhe e mbiinfektimit social, me një të ardhshme dukshëm të zezë?! Kjo do të mund të arrihej vetëm me ligje dhe unë po rendit këtu dy as tre prej tyre, sa për ta kuptuar shtegun, ose më mirë të themi, njërin nga shtigjet e rrugëzgjidhjes.

Të krijohen dhe përkrahen gjithanshëm pronat bujqësore 10-hektarëshe! Si rregull, kurrsesi më të mëdha se 10-hektarëshe! Të përkrahen me vendime qeverishë, të përkrahen me stimuj monetarë nga bankat e buxhetet e shtetevet! Të shkojë puna deri në OKB dhe të quhet ky një revolucion agrar në shkallë botërore me perspektivë krejt të dukshme zhvillimi e përparimi! Në këtë mënyrë, miliona njerëz, punëtorë dhe të mençur, do të kthehen për të punuar e jetuar në hapësirat rurale. Brenda pak vitesh, në të gjithë kontinentet, do të lulëzojnë qindra e mijëra ferma bujqësore 10-hektarëshe. Bashkë me tokën, edhe njeriu do të ndryshojë.

Projektin e një të këtillë revolucioni agrar, të inicuar, organizuar dhe drejtuar nga lart, unë e kam të ideuar dhe hartuar deri në hollësi. E di që, një të këtillë fuqizim dhe ripopullim të hapësiravet rurale në shkallë globi, latifondistët, pronarë të qindra e mijëra hektarëvet, që pronat i kanë në fshat e vetë jetojnë në qytete, do ta kundërshtonin me të gjitha mundësitë. Por ne u themi pronarëvet të mëdhenj të tokavet: “Epo mirë! Mbajini tokat tuaja, deri sa një ditë t’jua shkrumbojnë zjarri dhe rrezatimi i armëvet bërthamore!”

Në legjislacionin juridik, në pjesët që merren me ndëshkimet, të formulohen ligje të veçantë, në funksion të ripopullimit të fshatravet.

Legjislacioni juridik ndëshkimor në kohën e sotme është tërësisht i verbër dhe në thelb antinjerëzor. Njeriu e shkel ligjin, dënohet, e kryen dënimin dhe, kur del nga burgu, s’ka asnjë rrugë tjetër, veçse për t’u kthyer prapë në burg. Burgjet e të gjithë shtetevet janë mbushur me të burgosur, shoqëria e sotme njerëzore ka të hapura vetëm rrugët e shkuarjes në burg, ndërsa rrugët për të shpëtuar nga burgu ose nga riburgimi, duhet t’i gjejë vetë individi.

Projekti im, për të dalë nga ky handikap gjithjerëzor, projekt i përshtatshëm për kohën e sotme, është ky: Njeriut që lirohet nga burgu, duhet t’i ndalohet për të jetuar në qytet dhe duhet t’i hapen perspektiva për të jetuar, bashkë me familjen e vet, në një fshat që ia ka paracaktuar gjykata. Pra, të jetojë i lirë në një hapësirë rurale. Në u kaptë në thyerje të këtij vendimi gjyqësor, ligjet duhet të parashikojnë dënime shumë të rëndë. Mos më thoni se kështu do të shkelej demokracia!

Shko në fshatin e gjyshërvet të tu ose, në mos paç fshat të gjyshëvet të tu, shko në ndonjë fshat tjetër, rigorozisht të përcaktuar prej gjykate, dhe puno e jeto atje me ndershmëri! Në mos paç tokë të trashëguar nga të parët e tu, tokën (edhe shtëpinë), do t’i marrësh me kredi, me ndihmën e organevet të shtetit. Kuptohet, asnjëherë më shumë se 10 hektarë.

Një pjese ligjeshkelësish, madje, do të mund t’u hapej rruga e të jetuarit në fshat, pa i mbyllur fare në qelitë e burgjevet. Për shembull, atyre që gjykata do t’i dënonte nën 5 vjet heqje lirie, mund t’u ofrohej liri e plotë, anulim i dënimit me burg, me kusht që të shkojnë për të jetuar në fshat dhe të zotohen për të mos i shkelur kurrë më ligjet e shtetit.

Është e vërtetë që, çuarja në fshat e elemntëvet me precedent penal krijon atje një shtresë jo fort të pëlqyeshme dhe me mjaft probleme. Por gjithsesi, është më mirë që shkelësit e ligjevet të sistemohen nëpër fshatra, sesa të mbushen qytetet me të quajturin llum social.

Nëpër qytetet e sotëm ka shumë llum social të kategorivet të ndryshme, aq sa njeriu i ndershëm e i padjallëzuar e ndien veten ngushtë dhe s’di nga t’ia mbajë e ç’të bëjë. Por, me këtë mënyrë, largohen nga qyteti të paktën ata që gjyqësisht janë cilësuar si shkelës të ligjevet.

Një tjetër dukuri që i krijon qytetit vështirësi të mëdha, gati sa një kovid, sa një sëmundje, së cilës njerëzimi s’po ia gjen dot ilaçin, është kalimi i mallit, në tri, katër apo pesë duar, para se të shkojë te konsumatori. Në këtë mënyrë, popullata (jo vetëm e qytetevet, por krejt populli) është vënë në vështirësi të mëdha ekonomike. Ajo është e detyruar ta blejë mallin shumëfish më shtrenjtë se ç’do të mund ta blente prej dorës së parë apo e shumta prej dorës së dytë. Puna ka mbërritur deri aty sa, një shumicë e madhe banorësh të qytetevet jetojnë thjeshtë duke blerë e shitur, pa prodhuar asgjë. Kjo është armata e gjysmëparazitëvet, së cilës njerëzimi, o do t’ia gjejë mënyrën për ta larguar nga parazitizmi, ose do të detyrohet të përjetojë kriza.

Mënyra më e mirë, pa asnjë dyshim, është që, e pakta 40% e banorëvet, sidomos e vendevet që konsiderohen të zhvilluar, të çohen për të punuar e jetuar në fshat. Me format që i përmenda, si dhe duke ia përshtatur ligjet kërkesavet që tashmë i ka shtruar koha.

Vetëm kështu shoqëria njerëzore do të mund të hynte në një tjetër fazë zhvillimi, natyrisht, duke mos harruar që njerëzimit i mbeten edhe shumë reforma të tjera, për t’iu shmangur katastrofës, ku kjo shoqëri po e shtyn ditë për ditë vetëveten.

5-9 nëntor 2020 Gjokë Dabaj

46 views

Shkrimet e fundit