top of page

Përndjekje kohërash



Përndjekje kohërash


(Fëmijëria ime vjen në valë kujtimesh.)


Nga Fatmir Terziu



Hapësirat e festave të Fundvitit kanë qenë gjithmonë periudhat e mia të preferuara. Kohë në të cilat lidhjet familjare ndiheshin më të forta. Ishte kaq e lehtë dhe e mrekullueshme të përfshiheshe në magjinë e çuditshme të festives. Problemet, ose shqetësimet e vogla harroheshin për hir të përsëritjes së një viti tjetër, mes një kursimi të sikletshëm falimjar të një viti të tërë, për pak ditë gëzimi, që ëndërroj të ishte sa më e kompletuar, sa më e ndërtuar mirë.

Do të dridhesha nga gëzimi ndërsa e vendosnim bredhin tonë të vogël prej tre këmbësh, e vendosnim mbi një pirg kutish të mbuluara me çarçafë dhe e dekoronim me kujdes më letra punëdore, të cilat i kishim mësuar që në klasën e dytë të shkollës fillore. Shfaqej me krenari në dritaren e kuzhinës sonë të modeluar me divanë njëmodelësh me komshinjtë tanë, prodhim i Kombinatit të Drurit „Nako Spiro“ në Elbasan. Çdo natë para gjumit e shikoja me admirim.

Thoja me vete, ja shkëlqeu. Shkëlqeu. Dhe fap zgjohesha se ai shkëlqim më dëneste, nuk mund të ishte si ai shkëlqim në ekranin revizionist të Shkupit, që e shikonim me atë antenën e madhe prej teli alumini e të strukur mes hurmave.

Nëna ime dhe unë do të bashkonim disa gjerdanë gështenjash të ziera në një tavolinë të vendosur në dhomën tonë të ndenjjes ndërsa shikonim filmin „Prita“ dhe „Partizani i vogël Velo“ për fundvit në Televizionin e vetëm shtetëror të Tiranës. Në disa pjata vendosnim portokallë, mollë stërkinga të Korçës, në bufenë gjashtëmbëdhjetëmijë lekëshe do të bëheshin gati gotat dhe pastaj do të thyheshin arra për bakllavanë e rastit. E do të prisnim ndonjë kulaç për ta pjekur, se ai vinte erëmirë në qillzën e gojës sonë dhe në hundët tona të buta… Vëllai im do të qëndronte në radhë për Gjelin e detit, ose çfarë të qëllonte, Pulë Deti, pulë racioni… Ishte modest, por nuk do ta ndërroja me asgjë, as me ata fëmijët revizionistë që na kishin mërzitur fare me ato sjelljet e tyre. Shpenzonin aq shumë sa na dukej se një fëmije i jepeshin dhurata sa për të shtatë neve. Nuk i duroja dot shpenzimet e tyre mikro-borgjeze. Nuk i duroja se mësuesi i klasës së dytë na kishte mësuar të kursejmë dhe thërrmijën e fundit. Ishte kohë revolucionare, kohë kalitjesh të tilla dhe kursimesh të udhëzuara me libër të madh.

Më kujtohet se u mërzita një vit kur babai im (me saktësi) mendoi se i bleva një cigarishte si dhuratë nga unë dhe mamaja ime për këto festa të fundvitit. E kishte kuptuar shakanë tonë. Ne kërkonim me ngulm që të linte duhanin, por ai e tërhiqte mënjanë mamanë, dhe në dhomën tjetër i thoshte gjoja me zë të ulët „Ë, ta lë duhanin ë, pastaj të më ikin trutë e të shkoj tek yt Atë, atje… e kështu do…“ Nëna ime lotonte dhe kapërcente me fshehtësi dhimbjen duke ma kthyer me buzëqeshje… Më pas babai im bëri një koment duke sugjeruar se nuk kishte nevojë për një cigarishte tjetër, e kishte një. Më tronditi, sepse mendova se ishte dhurata perfekte për një burrë me të cilin u përpoqa kaq shumë të lidhesha.

Shumica e kujtimeve të mia të fëmijërisë janë të mbushura me gëzim. Gëzime që vijnë që nga mbledhja e Pullave Postare me një kushëririn tim dhe mbajtja e tyre me kujdes. Pa e kuptuar atëherë, sot mendoj se isha një koleksionist, sikurse thuhet në ditë të tjera. Po nuk e di pse i betonuam ato pulla dhe nuk u kujtuam më të grumbullonim të tjera. Më duket se ishte një shpullë… Nuk e di, por një nga pullat tona postare kishte pasur fytyrën e një Armiku të Popullit dhe të Parisë, e kështu gishtat, të pestat ebabait në sy të mësuesit tim mbetën për disa në orë në faqet e mia… Kushëriri hëngri një rryp pantallonash, se babai i tij ishte anëtar më i devotshëm i PPSH-së.

Dhe kështu mbeta vetëm tek bredhi. Bredhi im i vogël. Eh, sa kujtime… Duke pretenduar një natë se njëri nga ata karakteret e një zbukurimi festiv të TV të Shkupit banonte në degët e pemës sonë të ndriçuar lehtë, gati e kisha pranuar. Zbukurimet e kukudhit dhe engjëllit ishi,n ose mik, ose armik, dhe ofronin, ose strehë, ose një komplot djallëzor shkatërrimi. Engjëlli në majë të pemës (nga martesa e parë e nënës së djaloshit endacak në atë sistem revizionist, që kishte tetë palë rrobash vetëm për një natë, në vitet '70) ishte mbretëresha që të gjitha stolitë dhe ushtarët e tjerë u përkulën përpara, ndërsa sytë e mi rrotulloheshin fshehtas nën jastëk, që të mos më shikonte babai, se edhe unë e ndiqja atë film në atë ekran të poshtër revizionist.

U vendos si nëj ëngjëll në pemën e tij të fundvitit. Ishte një bukuri e mahnitshme. Të bënte të flisje me veten. Ajo ishte një perëndeshë. Ishte…

Kur u zgjova përqak kisha famijen…

Këto ditë nuk mund të mos jem brutalisht i sinqertë me veten time dhe të pranoj se lidhja me familjen time biologjike mezi ekziston.

Nuk ka enigma me festivitet të detyruar kursimesh.

Nuk ka cigarishte.

Nuk ka drita shkëlqyese revizioniste, por janë dritat më shpërthyese, edhe pse thuhet se çmimet e energjisë po rriten.

Asnjë pemë nuk më duket njësoj, por në rrugë ato janë plotë me drita që tani.

Vetëm unë me gruan, me fëmijët e mi në shtëpitë e tyre, vetëm në një banesë me një gotë uiski, dhe jo për këtë festivitet.

Atëherë ishte kohë tjetër. Prisje dhe ndonjë trokitje. Trokitje… Kishte një kohë kur vazhdoja traditën e gëzuar të festave. Me tre fëmijët e mi pranë, vendosa me kujdes atë engjëll revizionist të viteve '70 në majë të pemës.

Unë mendoj se ata ishin aq të dashuruar pas saj sa unë dikur, që e shihja në qelq dhe me frikën e babait se do të më detyronte të flija. Unë mund të shihja emocionin e pafajshëm në sytë e tyre.

E kisha të njëtin për vete. Unë nuk e kam parë në sytë e mi për shumë vite.

Eksitimi naiv i fëmijërisë i sezonit të festave është një kujtim i largët. Tani, këto ditë në kalendar më kujtojnë gjëra që nuk do t'i përjetoj më kurrë. Ata hyjnë butësisht, por me dhimbje si një kamë midis brinjëve të mia.

Plaga rihapet çdo vit.

Unë shikoj përreth dhe shoh familje të vogla të lumtura që blejnë ushqime dhe dhurata për pushime ndërsa shtyj karrocën time me sasinë e një konsumatori ndryshe. I imagjinoj me një oxhak kërcitës në dhomën e tyre të ndenjjes si dikur, duke dekoruar pemën dhe duke dëgjuar meloditë e festave. Duke kërcyer dhe duke qeshur.

E tashmë e di që fëmijët e mi po e vendosin atë engjëll në majë të pemës festive.

Engjëlli kaloi udhën për tek prindërit e mi, nëna dhe bai, vjehrri i mi, pra u qafua atje me gjyshërit dhe gjyshen e fëmijëve të mi.

Largësia në lotë.

Largësia në këtë Botë.

E megjithatë, ai engjëll prej kartoni ulet në majë të pemës duke përhapur gëzim, gëzimin e ndaluar e të hestur revizionist të fëmijërisë sime. Ne ende e kemi përndjekur atë engjëll.

Ai engjëll është një perëndeshë dhe perëndi. Të paktën në sytë e mi. Në sytë e mi ende të përndjekur nga kohërat.


30 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page