top of page

Përlotiet e dëshiruara të një kombi


Nga: Armela Hysi


Përlotje më të bukur, ndjenja më të vyera dhe vaksina dinjiteti më të suksesshme kam përshtypjen se nuk mund të gjenden, sesa kur vijnë nga krenaria për bijtë që rrisim.

Maratona përgatitëse e “Merr një varg dhe eja” dhe Antologjia Letrare për fëmijët pjesëmarrës që krijojnë shqip në diasporë, në datën 4 prill 2021 arriti në destinacionin e saj të planifikuar e fatmirësisht më të mirin e dëshiruar. Them fatmirësisht që u gjendëm aty, që rrethanat e vështira të kësaj faze të çudë globale që përjetojmë nuk i larguan dot asgjë nga rëndësia dhe mesazhi historik që përçoi kjo nismë. Them fatmirësisht që kemi në mes tonë njerëz këmbëngulës, punëtorë, me talent, me ambicie shoqërore e kombëtare, me qëllime e përgjegjësi për gjuhën shqipe, me nerv për të vepruar e jo thjesht për të sharë a për t’u ankuar, për të arritur, edhe kur arritjet personale janë të japësh më shumë se të marrësh. Them fatmirësisht sepse, megjithë zhgënjimet që pësojmë nga largimi prej tokës mëmë, dëshira e prindërve për t’u folur gjuhën - e falur fëmijëve të tyre identitetin kombëtar - nuk mungon edhe pas dekadash të tëra në emigracion. Për të tjerat asgjë nuk iu la fatit, por vetëm punës me pasion dhe përfytyrimin ideal. Për të tjerat duhet cilësuar se pas gati tridhjetë vjetësh në emigracion asnjëherë nuk kemi parë një aktivitet të tillë, me përmasa të tilla, me kohëzgjatje e shtrirje gjeografike në pjesëmarrje, sa dhe si tek ky deputim në gjuhën e nënës për fëmijët shqiptarë të lindur e rritur në diasporë. Për këdo që e ka hasur diku në rrjetet sociale, në disa botime në shtyp, në disa pak emisione televizive, është e njohur se si nisi tre vite më parë edicioni i parë i këtij konkursi. Një aktivitet modest nga shoqata kulturore “Korça” në Athinë, me kryetare shkrimtaren e talentuar Elona Gjergo Tanga, aktiviste e njohur dhe plot dritë, që mbështeti idetë e saj tek disa veprimtarë për ndihmesë dhe u arrit të realizohej një takim i ngrohtë që u tha fëmijëve: Merr një varg dhe eja! Mes këtyre aktivistëve, zonja Brikena Qama, një ndër veprimtaret e mirëfillta e më në zë në komunitetin shqiptar të Greqisë, nga zelli i të cilës kanë kaluar e janë arritur sa e sa aktivitete cilësore, nga të çdo zhanri në organizmat e nismat e komunitetit, duke u bazuar dhe në aftësitë e larta të menaxhimit e shumëllojshmërinë e talenteve që zotëron. Kjo ishte zanafilla dhe nisma mbeti si një kujtim i bukur në disa foto. Është, sipas vëzhgimit tim, një fund afërsisht i ngjashëm, për përgjithësisht këto lloj aktivitetesh në emigracion. Sado të bukura të jenë idetë; sado të vlefshme të jenë për rritjen e kontaktit njerëzor në komunitet dhe krijimin e marrëdhënieve dypalëshe mes shtetit ëmë e shtetit mikpritës, apo mes diasporës sonë kudo që ndodhet, si dhe mes diasporës dhe rrënjëve të saj; sado që për qëllim kanë ruajtjen e përçimin në breza të gjuhës shqipe, kulturës, identitetit, historisë e traditës sonë të lashtë e të ndriçuar; sado dhe i entuziastë realizimi i tyre, emigrantët mbeten të pambështetur përveç se tek ky entuziazëm. Ky entuziazëm është një fillim i përsosur, por dihet që nuk mund të mbajë gjatë kur nuk sheh asnjë shpërblim moral, pale që është gjithashtu dhe i kushtueshëm ekonomikisht, pasi jo vetëm kohë e punës dhe energjia, por qoftë edhe organizimi, dhuratat e trofetë, sallat e mbledhjes, mbulimi praktik, filmik apo fotografik e gjithë të tjerat janë shpenzime nga dëshira e tyre për një aktivitet me dinjitet dhe dashuri. Nga paga e tyre halleshumë.

Sivjet, aktiviteti “Merr një varg dhe eja” – konkurs letrar për fëmijë të lindur e rritur në diasporë që shkruajnë e krijojnë në shqip – u ripërtëri e pati një shkrepje feniksjane. Shoqata “Korça” dhe kryetarja e saj, e përqendruar në dashurinë për gjuhën shqipe, Elona Gjergo, u mbështet tashmë jo vetëm në kënaqësinë personale për të ndihmuar të energjikes Brikena Qama, e cila është në vitin e dytë, tanimë, zgjedhur në timonin e një organizmi të rëndësishëm, që ka prekur një pjesë të madhe të fashës së suksesshme vepruese në diasporë, Lobit Euro-Atlantik shqiptar me veprimtari pesëvjeçare, por dhe të një tjetre zonjë aktiviste në mërgatën e Zvicrës, Aina Hoti, kryetare e Swiss Albanian Event, e impenjuar përherë për integritetin dhe evoluimin e komunitetit duke ruajtur e përforcuar ndjenjën kombëtare. E ndërsa kjo e fundit qe një ndihmë e aktivitetit për mbarëvajtjen e zë-dhënies mediatike, Lobi Euro-Atlantik Shqiptar i dha këtij aktiviteti hirin e një organizimi mbar-shqiptar si dhe më të vlefshmen ide, botimin e një antologjie letrare me të gjitha krijimet e të gjithë fëmijëve pjesëmarrës. Organizatoret e dhjetëra intelektual përfaqësues të një dëshire të mirërealizuar tashmë, që nga shtatori i vitit 2020 të bashkuar, përfunduan këtë “fushatë” në një festë të veçantë mbajtur simbolikisht rreth Ditës Botërore të Librit për Fëmijë. U ftuam pra, të gjithë ne, pjesëmarrësit në një mënyrë a në një tjetër, e në radhë të parë të rreth pesëdhjetë fëmijëve konkurues, prindërit e tyre të ndërgjegjësuar, të përkushtuarit mësues të tyre të gjuhës shqipe të festonim së bashku kurorëzimin ideal e marrjen në dorë të antologjisë letrare “Merr një varg dhe eja”. Mbrëmja e së dielës qe një mbrëmje ngazëllimi, fuqie, por mbi të gjitha një mbrëmje bashkimi për shqiptarë nga dhjetëra vende të Evropës. Qe një mbrëmje që si rrallë herë fëmijët shqiptarë nga dhjetëra familje në diasporë duartrokitën së bashku. Ndonëse të shpërndarë e secili duke njohur një tjetër atdhe e një tjetër gjuhë të flitet përreth, qe një rast unikal që të gjithë fëmijët të flisnin shqip, të tregonin se krijojnë dhe guxojnë në shqip dhe me zemër shqiptare. Ky rast është një rast i shenjtë. Librat që mbanin në duar organizatoret dhe që së shpejti, bashkë me Mirënjohje për pjesëmarrjen do marrin si dhuratë, falë sponsorizimit të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar të gjithë fëmijët e këtij aktiviteti, janë një stacion i mrekullueshëm në jetën e secilit prej nesh dhe të gjithëve sa interesohen vërtet për shqiptarinë. Dhe pikërisht për këtë interesim duhet me mirënjohje të flasim për të gjithë ata intelektualë, mësues, artistë e letrarë që mbështetën në mënyrë vullnetare dhe me koshiencë kombëtare këtë ndërmarrje kolosale.

E organizuar në formën e një konkursi, që nga ideja primare e Elonës, kjo fushatë kësaj radhe kishte jo vetëm një juri të përzgjedhur që do ta kishin zili edhe organizime të njohura në atdhe, por dhe shtrirje të gjerë gjithashtu në disa vende të Evropës. Sipas një renditje alfabetike: Ardita Jatru, një nga poetet shqiptare më të talentuara dhe mbresëlënëse të brezit të vet, nga Greqia; Besë Camaj, lektor e një poet me fuqinë e thershme të brishtësisë poetike, nga Zvicra; Eleana Zhako, letrare me intelekt dhe një nga përkthyeset e reja më të suksesshme shqiptare, nga Belgjika; Ndue Lazri, me përvojën e tij të nderuar në publicistikë, gazetar e poet i njohur e i vlerësuar; Ornela Musabelliu, redaktore, botuese dhe një prozatore me përshkrime të thekshme e plot lëng, arritën madje të nxjerrin pothuaj një zëri vendimin e fituesve. I veçantë qe dhe sistemi i pastër i vlerësimit ku asnjë anëtar i jurisë nuk kishte të dhëna personale në lidhje me krijuesit e vegjël. Siç sqaroi gjatë aktivitetit organizatorja Qama, (ashtu edhe nga deklaratat për media gjatë angazhimit të fazës së parë) anëtarët e jurisë dispononin thjesht një dërgesë elektronike nga organizatoret, të përbashkët me të gjitha krijimet, e cila përfshinte vetëm tekstin (që kish sjellë nëpërmjet postës elektronike prindi, apo mësuesi i gjuhës shqipe i fëmijës tek organizatoret në adresën e konkursit) dhe një numër të caktuar radhitës për secilin krijim. Ndonëse e panevojshme konkretisht, kjo ishte një siguri praktike për pjesëmarrësit se bënte të pamundur ndikimin e çdo faktori tjetër veç kushtit të shijes letraro-artistike (dikush do të thoshte dhe për mbylljen e gojëve të liga, ndoshta, por kur flasim për fëmijë dhe shpirtin e tyre të pastër le të mos hyjmë në të tilla tema). Bashkimi i të gjithë letrarëve cilësorë të jurisë, ndonëse secili me angazhime të shumëplanëshe dhe vetëm me dëshirën e rrallë e shpirtin e ndjeshëm të artistit për të ndihmuar kursyen kohë, si të gjithë ata që ndihmuan, qe që i shtoi peshën profesionale këtij organizimi. Shtoi dhe shpresën tonë se shumë nga këta fëmijë kanë mundësi me zgjimin e vlerësimin e fantazisë së tyre të gjallë, të marrin shtysën kryesore e të thurin me talentin e tyre një jetë të pasur letrare. Siç u shpreh kryetari i respektuar, zoti Ndue Lazri gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve në fjalën e tij të veçantë: “Urojmë që në këtë libër me shkrimet modeste të tyre sot, të shohim pas disa vjetësh poetët e shkrimtarët e ardhshëm!”. Përsa i përket antologjisë letrare “Merr një varg dhe eja” që shumëkush do ta gëzojë në bibliotekat e veta (ndonëse në botimet shqiptare, mjerisht, është i shpeshtë-gjendshëm fakti i botimit të librave pa një redaksi të plotë botimi) organizatoret kërkuan të realizohej një libër i denjë dhe i kualifikuar. M’u drejtuan kështu, mua si letrare, autore e redaktore e disa librave, duke më dhënë besimin e nderuar dhe detyrën të krijoja një bord ekzekutues, por dhe rastin të gjithëve ne të ndihmonim e bëheshim hallkë e këtij vargu atdhedashurie për gjuhën shqipe e fëmijët tanë. Eriketa Kollçaku Qorlazja, si korrektore letrare, mësuese e gjuhës shqipe në emigracion, aktiviste dhe anëtare e Lidhjes së Mësuesve vullnetarë të gjuhës shqipe; Ermal Hysi në përkujdesjen grafike; Xhoi Keliraqi, në krijimin e përgatitjen e ballinave të librit, edhe vetë është një letrare e re, fëmijë i lindur dhe rritur në emigracion që për pikturat origjinale dhe simbolikën e tyre përdori punime të të vëllait, Kreshnik Keliraqi, nga fëmijëria tij (të cilat gjithashtu kanë një vlerë të të veçantë pasi janë përfshirë në një dërgesë për muzeun Ikumeni në Ksanthi të Greqisë për moshat parashkollore ku përmblidhen punimet më të mira të fëmijëve nga e tërë bota); si dhe unë, Armela Hysi redaktorja, patëm fatin të bashkëpunonim, për rreth një muaj, siç kemi bërë për një sërë botimesh deri tani, por me mallëngjim e entuziazëm të paprovuar ndonjëherë më parë, mbi këtë projekt fantastik e të dlirë. Në vazhdim, Shtëpia Botuese “Koliqi” nga Kosova që duke i dhënë përparësinë e vlerësimin e një projekti kombëtar, nuk u mjaftua me botimin, por rishqyrtoi të gjithë projektin për një cilësi sa më të lartë teknike. Kjo sepse vërtet nuk ka shpërblim më të bukur sesa të ofrosh ndihmë, por kur kjo ndihmë shndërrohet në një libër, që do ruhet e ruan shpirtin e më se pesëdhjetë fëmijësh që e krijuan dhe sa e sa qindrave që do e lexojnë, nuk është më një aktivitet emigrantësh që harrohet, mbetet në një letër në sirtar, a vetëm në një gisht letër në ndonjë pasazh gazetaresk. Një libër është një përmendore e gjuhës sonë, një stacion për ne dhe historinë e diasporës. Ky libër është dhe përmendore e këtij bashkimi të madh të shqiptarëve dhe si rrallë herë bashkimit të fëmijëve tanë. Është dhe një dhuratë që siç pohoi mësuesja e gjuhës shqipe zonja Lefteri Metkaj teksa vlerësonte: “është më e bukur se çdo dhuratë tjetër, pasi një dhuratë e hap një herë, por një libër e hap shumë herë dhe është një dhuratë më vete për këdo që e lexon”. Zonja Metkaj ishte gjithashtu edhe mësuesja që fitoi kupën e këtij festivali fëmijnor me shkollën e saj në Redi të Greqisë, (pasi u vlerësuan në veçanti mësuesit në emigracion e aktivistët që me devotshmëri nxitën nxënësit e tyre në këtë debutim të gjuhës shqipe) për prurjet më të shumta në këtë edicion. Qenë të shumtë të ftuarit në këtë mbrëmje, dhe qenë të shumta përlotjet. Qenë të bukur zërat e fëmijëve që merrnin fjalën e recitonin krijimet e tyre, falënderimet dhe reagimet e qeshura e mirënjohëse të prindërve. Qenë kuptimplota përshëndetjet nga mësuesit Alma Hani, Pjerin Lleshi e Eriketa Qorrlazja që treguan përvojat e tyre për mësimin e pjesëmarrjen në këtë antologji. Qenë fantastike e plot energji duartrokitjet e shumta e që një çast, kur mësuesja e shkrimtarja Alma Ibi Zekollari në fjalën e saj propozoi të hapnim të gjithë tok mikrofonat për të përgëzuar heronjtë tanë të vegjël, buçitën sa mend u dëgjua deri në atdheun tonë që të gëzojë edhe ai dashurinë e mirësinë dhe për më tepër meritat e vogëlushëve tanë. Ata shprehen në shqip dhe dashurojnë jetën në shqip, kudo ku gjenden. Ndaj u bë i gjatë e i gjatë edhe ky shkrim, të mund të përfshinim e të përshkruanim të gjitha etapat dhe tërë zinxhirin e duarve për t’u bërë një përqafim sa e tërë bota. Ju lutemi, rrini dhe pak të lexoni emrat e fëmijëve pjesëmarrës e të mësuesve të tyre plot zell, por fituesit nuk do mund t’i lexoni në veçanti, këtu, pasi për mua të gjithë e secili më vete janë fitues! Përkundrazi duke kujtuar gjestin e mrekullueshëm të profesor doktor Ymerit që teksa shkroi në shtyp mbi këtë atologji të shenjtë për gjuhën shqipe dhe diasporën që mëson fëmijët e saj të flasin gjuhën tonë me fisnikëri të rrallë shkroi të gjithë emrat e fëmijëve dhe mësuesve, më dha një shembull të shkëlqyer, si të përfundojë këtë shkrim:

Mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për punën e përkushtuar të mësuesve, kujdestarëve e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës! Krijimet e fëmijëve nga shkollat në Redi dhe Aspropirgo, në Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Lefteri Metkaj. Krijimet e nxënësve të kursit të gjuhës shqipe Shtëpia Shqiptare “Porta” në Athinë kanë ardhur nën kujdesin e mësueseve Alma Zekollari dhe Eriketa Kollçaku Qorlazja. Krijimet e fëmijëve nga kursi i gjuhës shqipe në Athinë kanë ardhur nën kujdesin e mësuesit Pjerin Lleshi. Krijimet e nxënësve nga Dhomoko, Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Alma Hani. Krijimet e fëmijëve me banim në Norvegji kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Lumnije Tafolli Salihu, nga Shoqata “Fehmi Agani”. Krijimet e fëmijëve me banim në Londër kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Juliana Shalla - organizatore e talenteve të reja në Londër. Sipas renditjes në botimin antologjik fëmijët shfaqen si mëposhtë: Rebeka Zero, 12 vjeçe, Itali; Melisa Galloshi, klasa e pestë Shkolla Shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Asja Galloshi, Shkolla shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Maria Musaraj Shkolla Shqipe Shoqata “Nënë Tereza”, Selanik, Greqi; Xhoana Deliaj, 14 vjeçe, Greqi; Vasil Bilushi, 9 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Melina Bilushi, 15 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Arianit Gjoka, 8 vjeç Tuz, Mali i Zi; Aristotel dhe Natalia Zenelaku, 12 dhe 9 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Alesia Hysa, 7 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Amelia Maksutaj , 7 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Patricia Bliku, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Dejvi Bliku, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Klaudio Doko, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Mateo Doko, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Rafaela Aliu, 12 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe Aspropirgo, Greqi; Venessa Juniku, 13 vjeçe Kl. VII, Arendal, Norvegji; Elisa Juniku, 14 vjeçe Arendal, Norvegji; Ema Berisha, 7 vjeçe Shkolla shqipe Monthey-Chablais, Zvicër; Ronaldo Zhupa, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Katerina Malaj, 13 vjeçe Klasa e 3-të, Athinë; Rexhina Gjoka, 11 vjeçe Rodos, Greqi; Dionis Jashari, 10 vjeç Birkeland, Norvegji; Monika Jashari, 10 vjeçe Birkeland, Norvegji; Sesila Zëra, 8 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Chiara Xoxi, 14 vjeçe Shkolla shqipe Lorraine, Bern; Sidorela Kristo, 13 vjeçe Athinë; Rebeka Zero, 14 vjeçe, Shkolla shqiptare Modena, Itali; Marilena Pasho, 8 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Mariglena Bushpepa, 10 vjeçe Dhomoko, Greqi; Elias Syla, 9 vjeç Shkolla shqipe Monthey-Chablais, Zvicër; Xhoja Kurti, 11 vjeçe, Suedi; Aldo Prendi klasa e 3- të, Athinë; Erlinda Nebiu, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe Aspropirgo, Greqi; Iliando Simoni, 8 vjeç Kursi i gjuhës shqipe Redi, Athinë; Sara Fatmir Bicari Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Tergita Asllani, 13 vjeçe. Londër; Adela Kelmendi, 12 vjeçe Arendal, Norvegji; Erika Vishkurti, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Xhesika Pira, 10 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Aspropirgo, Greqi; Rea Fatmir Mone Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Angjelo Allkanjari Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Margarita Ilir Braho Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Arbër Kelmendi, 10 vjeç Arendal, Norvegji; Janula Lushka, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Veriola Pashaj, 9 vjeçe Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Dafina Agim Papaj Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Xhina Cenolli, 8 vjeçe Shtëpia Shqiptare “Porta”, Athinë; Asqeri Velmishi, 11 vjeç Kursi i gjuhës shqipe, Redi, Athinë; Nadia dhe Agjelo Liço, Athinë; Ana Xhaferri, 9 vjeçe Shtëpia shqiptare “Porta”, Athinë; Sabrina Maria Kocibelli, 9 vjeçe Bazel, Zvicër.

Ndriçofshi përherë si diej fëmijët tanë të bukur!

Me respekt Armela Hysi

Prill 2021

Athinë

50 views3 comments

3 Komentar


Falenderime nga zemra zoti Maska, për urimet dhe ndalesën tuaj të vëmendëshme! E karakterizoni "BRISHTËSI E MREKULLUESHME" dhe vetëm kjo, dëfton karakterin tuaj të rrallë e shpirtin poetik. Respekt! Faleminderit dhe Fjala e Lirë që na lejon të shihemi me miqtë!

Suka

mich.maska
19 Apr 2021

Nderim, redaktores se librit: "Merr nje varg dhe eja", koleges dhe poetes se njohur

Zonjes Armela Hysi, korrektores letrare Eriketa Qorlazja si dhe nismetareve dhe perpiluesve te kesaj ANTOLOGJIE dhe sponsorizuesve per kete: "BRISHTESI E MREKULLUESHME" qe i erdhi gjuhes shqipe. Ndjehem shume i emocionuar! Urime mesuesve, prinderve, te vogelusheve dhe te vogelushve. Neser, sic thote dhe Armela, disa prej tyre do na ndricojne KOMBIN, ne letersi... Me shume respekt dhe dashuri, Myslim Maska. Athine.

Suka

Eriketa Qorlazja
Eriketa Qorlazja
18 Apr 2021

Armela Hysi,tashmë emër i konsoliduar në letërsinë shqiptare.

Urime për punën kolosale rreth antologjisë të shoqëruar me dashurinë për të vegjlit e shkronjat shqipe.

Suka

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page