top of page

PËRKTHYESIT E BURGOSUR, ÇLIRUES LIBRASH TË MËDHENJ…



nga Visar Zhiti

RRËFIM DHE POLEMIKË:

Herë pas here flitet dhe për përkthyesit në burgje, punët e të cilëve dihej nga vinin, por s’dihej ku shkonin, dhe nëse botoheshin, do të dilnin pa emër dhe ky anonimat si një enigmë sikur binte dhe mbi fatin e tyre. Si punonin ata në burg? Cilët ishin? Ç’bëhej me ta? Po sot si kujtohen? Ndërkaq dijet e tyre i kapërcenin telat me gjemba, jo vetëm të burgjeve, por dhe ato të shtetit, të vendit, lidheshin me Europën e ndaluar, shkonin më së shumti në antikitetin helenik dhe romak, por dhe më tej, në atë të Orientit, qëndronin në Bibël, te kryqi, që ia ndjenin peshën dërrmuese, edhe vetë ishin bërë kryq, por ja merrnin dhe ca frymë kur përkthenin, me gjuhët e vdekura, me një kulturë të vdekur, kështu ishte për ta kultura e botës.

U jepnin për të përkthyer dhe libra të rinj, bashkëkohorë, nga anglishtja që ishte bërë si latinishtja dikur, nga frëngjishtja, që në burg u nëpermendëte diçka prej zonje, nga italishtja dhe greqishtja dhe gjuhët sllave në Ballkan, që ishin afër, pra më të rrezikshme, deri te rusishtja, edhe më tej nga turqishtja e gjuhët arabe. Histori, gjeografi, zbulime, ato ushtarake natyrisht, po edhe ndonjë shkencore, sidomos në armatime, NATO, Traktatati i Varshavës, strategji, pikësynimet e armiqve, i përkthenin armiqtë, çfarë i duhej shtetit për përdorim të brendshëm, sundimtarëve, udhëheqësit të partisë, të parit dhe pasardhësit, ministrive të mbrojtjes, të brendshmes më shumë, rrjetit të spiunazhit, sekrete të gjitha, dhe literaturë të ideologjisë së tyre, marksiste-leniniste, Manifesti, kushtetutat, i përftonin siç ua jepnin përkthyesit e burgosur, deri edhe himnin, “Internacionalen” që këndonin tribunave të kongreseve, në televizionin shtetëror kishin parë dhe Enverin që lëvizte buzët, këndonte me shokët, ndërsa fjalët ishin përkthim i kundërshtarit të tij, që ai e çoi në internim dhe e la baltave deri sa vdiq, Sejfulla Malëshova, etj. Ai kishte përkthyer dhe “Zgalemin” e Gorkit, që mësohej përmendësh nëpër shkolla, por pa emrin e përkthyesit.

Por kishte dhe më keq se kaq. Vuajtje më shumë, tortura dhe mister më shume, atje në ferrin e të gjallëve, ku e madhërishmja ngjante me shembjet nëntokë. Përkthyesit e burgosur që nga andej do të sillnin në shqip vepra të mëdha nga letërsia botërore, nga ato më të vështirat. Punën e nisur qelive do ta vazhdonin dhe pas burgut, me vite e vite, ashtu të mbyllur sërish si murgjërit dhe me emër të vdekur sërish.


I merrte roja i brendshëm i burgut, i çonte te tryezat parake të punës, u hiqnin prangat nga duart dhe u jepnin penën, diçka me të cilën mund të shkruhej, mbase dhe makina të vjetra shkrimi, të përkthenin, me policin te kryet dhe me ushtarët me automatik gjatë gjithë rrethimit. Shpesh dëgjohej britma “Ndal”, por s’ishte për ta.

“E pse dinë kaq shumë gjuhë të jashtme, ku i kan mësu?” – ndodhte të bëhej kureshtar ndonjë nga kapterat brenda dhe kur dëgjonte që ata, edhe pse ashtu të dobët, të qethur, veshur njëlloj me rrobat e burgut, të vjetruara, dikur shkëlqenin, kishin studiuar shumica jashtë, në Romë, Firence, Torino, në Paris e Bukuresht, Athinë, Vjenë e Berlin, Varshavë, Londër e Stamboll, etj, ishin dhe të shkollës së re të Moskës, dhe të asaj më afër, të Beogradit, por dhe deri matanë oqeanit, të shkollës Amerikane, kapitaliste, etj, kapteri vinte duart në kokë dhe thoshte: “tamam armiq” dhe e kapte një frikë si të ndodhej mes djajsh.

Gjenerata përkthyesish të dënuar, ndokush ministër në kohën e mbretërisë a gjatë pushtimit, të akuzuar si kolaboracionistë, klerikë, gazetarë, juristë, shkrimtarë, poetë, etj, etj, ja, thoshim emrat e tyre, Mirash Ivanaj e tragjediani Et’hem Haxhiademi, që do të vdisnin në burg, Arshi Pipa që do të arratisej me gjithë poezitë e përkthyera, Mitrush Kuteli – tregimtar brilant e Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi e Lazër Radi – gazetar e jurist, Guljelm Deda e Mark Dema, Vexhi Buharaja – naimjan e Ali Cungu i anglishtes, Mustafa Greblleshi, i njohur për romanin “Gremina e dashurisë” e Jusuf Vrioni – parisien, Pjetër Abnori i urtë e Kasëm Trebeshina – ters, Uran Kalakulla e Kudret Kokoshi, që vinte dhe nga internimi gjerman, Amik Kasoruho e Abdulla Sallaku e më të rinjtë si Daut Gumeni, etj, ndjesë për harresat e për ata që s’i di, e deri te çmendinat, te marramendësi gjuhësisht, Petro Zheji. Po dhe Lasgush Poradeci ishte i dyshimtë, borgjez, edhe Robert Shvarc se ç’kishte në biografi, siç thuhej atëherë, ja është hebre, po Izraeli është armë në duart e imperializmit amerikan, ka thënë shoku Enver, etj, etj.

Unë u miqësova në burgun e Spaçit me inxhinier Ismail Farkën, i diplomuar në Leningrad siç quhej atëherë Petërsburgu, i apasionuar pas Dostojevskit dhe Kafkës, kaq, letërsinë tonë e quante “rreno-realizëm socialit”, ai përkthente librat e trashë të makinave suedeze për minierat, që s’i kuptonte askush e nuk dinte t’i përdorte asnjeri. Atë e merrnin me pranga ndër duar në miniera të tjera, që të mësonte specialistët e lirë andej… Etj, etj.

Përkthyesit e burgjeve i shërbyen diktaturës, kështu? Dhe këtë sikur donte të pohonte një emision televiziv për përkthyesit në burg, dhënë së fundmi në një media kombëtare në Tiranë, linkun e së cilës ma dërgoi një mik shkrimtar, i riu Andreas Dushi. E them këtë se duke tërhequr vëmendjen e brezit më të ri tani kjo dukuri, “përkthyesit në burg”, atëherë duhet të nxitemi të tregojmë nga kjo e vërtetë-enigmë.

Sipas meje, jo ata, por shteti u shërbeu atyre, “përkthyesve në burg”, natyrisht në mënyrën më mizore, që u ngjan dhuratave të frikshme të një përbindëshi..

Në këtë emision, studiuesi i intervistuar, Shaban Sinani, zbuloi një aspekt orwellian, sipas meje, një absurd rrëqethës, kur ai punonte pranë kryetarit të shtetit dhe të partisë-shtet, Ramiz Alisë. Teksa konsultohej me buletinet e botimeve në botë, ai, aq i ri, rekomandonte se ç’mund të përktheheshin, deri dhe nga ata në burgje. Kurse poeti dhe përkthyesi Primo Shllaku tregoi për xhaxhanë e tij homerik në burg, Gjon Shllaku, ndërsa ish i burgosuri Daut Gumeni, poet dhe prozator, zbuloi thjeshtësisht përvojën e tij si përkthyes në burg, rrëfime e tilla janë mahnitëse, ndërsa ish i burgosuri tjetër, Spartak Ngjela, memuarist i njohur, tha se atij nuk i thanë ndonjëherë të përkthente, se e dinin që s’pranonte, se ishte kundërshtar i hapur.

Të përkthesh a të mos përkthesh, kjo është çështja. Hamletizëm shqiptar. Unë do të thosha se në burg, edhe nëse nuk ke qenë kundërshtar i hapur, je apo shihesh si i tillë. Bëhesh. K-u-n-d-ë-r-sh-t-a-r. Atëherë pse përkthenin kundërshtarët, sidomos ata që ishin klasikë dhe si armiq?

Kur mua më çuan në burg, në minierën e Spaçit, nuk e gjeta ndonjë shkollë përkthimi. Përkthenim copa poezie për vete, fshehurazi dhe i fusnim në thesin e burgut. Ndërkaq mësova që në Burrel, ku të burgosurit nuk i nxirrnin në punë, por dergjeshin të mbyllur me vite e vite, shkruanin, përkthenin, për vete a për shtetin, s’e dija. Ndoshta regjimi tashmë kishte arritur të kishte përkthyesit e vet, por gjithsesi, ata, përkthyesit “e deklasuar”, siç tha në emision pedagogu Edmond Tupje, përkthyes dhe vetë, vazhdonin t’i shfrytëzonin, pas burgut natyrisht, edhe duke i mbyllur në Shtëpinë e vetme Botuese, shtetërore patjetër, në një kat ku dera ishte me hekura, si derë burgu.

Kujt i shërbyen ata përkthyes infernalë ashtu? Në burg dhe pas burgut? Shtetit? – rivjen me një kumbim qelish pyetja. Në Top Channel, në “Exclusive”-n e tij televizive sikur kështu u tha.

Përkthyesve të burgut vërtet porosinë ua jepte shteti, nëpërmjet komandës së burgut, – sa veprim kafkian ky, – por puna e tyre, veprat ishin për më tej, më shumë se sa shtetit, i shërbenin Dijes, do të thosha, kulturës, letërsisë.

Po a ishte përkthimi streha e “mëkatarëve”, siç u tha në emision? Dhe pse në thonjëza fjala “mëkatarë” siç bëri gjestin me gishta gazetarja, për të shkërbyer ato? E vërteta e mëpastajme tregoi që mëkatarët deri në krim ishin ata që futën përkthyesit në burg, pa thonjëza fare, por me pranga e plumba. A nuk jemi kështu në të vërtetën e mëpastajme? A dyshohet më që përkthyesit në burg, për të mos thënë çdo përkthyes, ishin kundërshtarë? Të regjimit po se po. Edhe të Realizmit Socialist – mund të shtoj.

Përkthyesit e burgosur ishin tmerrësisht kundërshtarë, në kulturë dhe ide, në sjellje e gjeste, deri dhe në buzëqeshjen e tyre shpotitëse europiane, edhe në heshtjen para komisarëve të burgut, po dhe me biseda të hapura me bashkëvuajtësit, dhe me veprime dhe me deklaratat në gjyq, dhe me fjalën që zgjidhnin në përkthim, etj, etj. Po pse pranuan të përkthenin? – mund të ngulmohet ende. Pagesa për të cilën u fol në emision, është një turp po të zihet në gojë, s’ndryshonte gjë, në burg të ushqenin aq keq, sa të kishe fuqi për t’u ngritur që të punoje prapë. Përkthyesi në burg, Daut Gumeni shpjegoi që përkthimi atje ishte si “një shplodhje për atë që ka merak të shkruarit”. E quaj me rëndësi këtë, edhe pse e thënë kaq thjeshtë. Është të ushtruarit e të shkruarit, të atyre që kishin këtë talent, e krijimit, që të mos ndryshkej kjo makineri misterioze, që do të duhej më shumë për më vonë. “Libri s’të lë vetëm” – tha z. Gumeni më në fund. Pra përkthimi ishte si një sfidë kundër vetmisë. Edhe Shqipëria atëherë ishte fare vetëm.

Përkthimi në burg, edhe pse jo i fshehtë, mbas krijimtarisë së fshehtë atje, mbetej një mrekulli e zymtë, do të thosha, që e tejkalon kohën- burg e socializëm, ishte mision për gjuhën dhe kulturën, për letrat shqipe, duke i fuqizuar ato, që nga nëntoka, si nga një rrënjë, duke i bërë më të forta librat dhe se vetë burgjet, edhe sot, edhe nga BunkArt 1, 2… 5, 7, nga “shtëpia me gjethe” e përgjimeve, nga çdo shtëpi muze shkrimtari; ata, të burgosurit në Had bënë shqip “Iliadën” dhe “Komedinë hyjnore”, magjinë arabe të 1001 netëve, sollën Rilindje Europiane, Faustin, deri dhe dramën e Brehtit, Lorkës, atë të tyren, etj, etj, ata madje bënë dhe të ndërsjelltën, kaluan letërsi shqipe, sidomos nga e reja e kohës së tyre, në frengjisht e italisht e anglisht e gjermanisht, etj, ku mori njohje ndërkombëtare Kadareja me Jusuf Vrionin tonë, pa emër në fillim.

Përkthimi në burg s’ishte strehë e disa intelektualëve, një përvjedhje ndaj mundimeve deri në tortura, edhe pse është dhe kështu, por në fund të fundit puna e tyre antistrehë është shpërthim fryme, nga ajo e epërmja, universitarja, dilte nga qelitë, nga shpellat e ciklopëve me një sy-llahtari, kalonte përmes Shillës dhe Karibdës, Komitetit Qendror të Partisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, çante telat me gjemba, ndanë sirenash mitike e policësh, përmes armëve dhe fjalorëve, urisë dhe urdhrave mizorë për “zjarr”, polen i fjalës së lashtë, i buzëve të plagëve, anonimat emrash për të pavdekshmen, gjithkrijimin, një rravgim infernal për në Itakan më të bukur të letrave shqipe.

KARTELA SHQIPËRUESISH:

Nuk mund të rri tani pa treguar disa nga kartelat e përkthyesve në burg, I kam në librin tim të porsabotuar, sprova letrare, “Kartela të Realizmit të Dënuar”.

HOMERIKU Gjon Shllaku (1923 – 2003)

që mori prej dore bardin e verbër, të lashtin, të parin, Homerin, dhe e solli në viset e tij të këndojë në shqipen e sotme dhe thonë që greqishtja e vjetër është më afër me shqipen, si trashëgimtare e pellazgjishtes, etj, etj, por janë punë shkencëtarësh këto, le t’ua lëmë atyre, ndërkaq kam dëgjuar që Gjon Shllaku vetë është përgjigjur se “Iliadën e përktheu nga shqipja në shqip”. Sa e vërtetë është kjo?

Unë jam takuar me Zotin Gjon Shllaku, madje kemi shkuar bashkë në Greqi, në një konferencë në Delfi, ai dilte për herë të parë jashtë atdheut dhe më afronte si bashkëvuajtës të vetin, rrugës i tregova nga dritarja e autobusit Malin e Olimpit, magjepsej si fëmijë ai burrë i moshuar, shtatlartë, i urtë që e adhuroja si gjysmë-perëndi.

Tani ju, o muza, që n’Olimp banoni, dhe si hyjnesha para syve keni çdo send dhe nuk ju mbetet gjë pa ditur…

I thashë se kur kam qenë student në Shkodër, mora si punë vjetore të nxirrja gjithë epitet e “Iliadës”, kurse shoku im i dhomës pati metaforat, punum net të tëra, u magjepsëm.

Ju ku ishit? Aty…

…shkodran, me gjyshërit e zbritur nga Shllaku, jetim që rritet te dajat. E çojnë në shkollën françeskanë dhe mbaron në atë të jezuitëve, ndërkaq mësoi shkëlqyer greqishten e vjetër, latinishten dhe bija të saj. I njohu klasikët grekë e latinë të gjithë, nisi t’i përktheje dhe shkruante dhe vetë me emrin letrar Lyricus.

Ishte 23 vjeç kur e arrestojnë në dhjetor të vitit 1946 dhe e dënojnë me 101 vjet burg, pra burg të përjetshëm si pjesëtar të grupit “Bashkimi shqiptar”, se shqiptarët u dashkej të ishin të përçarë e të ndarë. Punon si i dënuar në ndërtimin e aeroportit të Rinasit, në tharje kënetash, në baltërat e Myzeqesë dhe pastaj e mbyllin në burgun e Burrelit. U njoh me të dënuarin tjetër, peshkopin Visarion Xhuvani dhe me të thelloi njohuritë në gjuhët e vdekura e nisi të përkthejë pjesë nga Bibla, Apostuj dhe Shenjtorët dhe gjeti Homerin. Homerin në burg. Këtu nisi “Iliada”, sipas Gjonit tonë.

Pas 13 vjetësh burg, e lirojnë dhe kthehet në Shkodër. Mbase në trastë kishte Homerin, por në pasaportë kishte të shkruar se dinte 18 gjuhë të huaja. Punon në ndërmarrjen Zukth-Kashta. I heshtur, i pa njohur.

Po i kërkojnë “Iliadën”, duhej botuar dhe del e plotë në vitin 1965, gegërisht. Lexuesi shtang para bukurisë së saj homerike, me një shqipe të begatë, të pa parë, plot me rrapëllima fjalësh sikur rendnin qerret e luftës, zëra heronjsh dhe dallgësh, plagë yjesh që rridhnin gjak, beteja stilistikore, strategji krahasimesh të gjata që shndërroheshin në similituda peizazhesh dhe bëmash, mburoja të historisë, të ndërgjegjes së leximit nëpër shekuj.

Kujtoj tim atë, që sa kthehej nga puna, merrte “Iliadën” dhe seç kërkonte. Përkrenaren? Jo, syzet. Dhe na e lexonte me zë të gjithëve.

Kërkohej gjithandej “Iliada” dhe ribotohet në 1979, me gjuhën standarde, përsëri, sipas Gjonit tonë. Kaq. Dhe ai del në pension. Duke punuar më shumë, i mbyllur në shtëpi, gjithmonë e më ngushtë se vendin ia zinin librat dhe ato që shkruante, fjalorët.

Ashtu deri sa shembet Muri, jo ai i Trojës, por i Berlinit. Komunizmi bie.

Dhe hapim dosjet e Gjon Shllakut, ç’të shohësh, kishte përkthyer dhe Sofokliun, të shtatë tragjeditë, që u botuan menjëherë. Po kështu dhe “Këngët e Rolandit”, kishte dhe Ovid, dhe Horac, dhe Shekspir, dhe Kornej, dhe Hygo, dhe Myse, dhe La Martin, dhe Shatobrian dhe kishte arritur edhe te Shën Gjon Pali II, Papa Vojtila.

Shumë vepra i humbën në burg, por arriti të nxjerrë dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni”, “Skënderi dhe Zulekja”, etj.

Iu dha titulli Profesor dhe dekorohet “Mjeshtër i Madh”, shpallet “Qytetar Nderi” i Shkodrës, fiton “Penën e artë” dhe në vitin 2001 qeveria greke i jep “Diskun e Argjendtë”.

Pas shumë vitesh punë në 2003 mbaroi “Fjalorin Latinisht-Shqip” me 65.000 fjalë dhe vdes pa përfunduar atë të greqishtes.

Tashmë “Iliada” në shqip ka vetëm emrin e tij. Gjon Shllaku. Dhe më nëpërmendet se kryet e tij ngjasonin me kokën e mermertë të Homerit.

DANTESKU Pashko Gjeçi (1918-2010)

Jo me Virgjilin, por me Pashko Gjeçin si udhërrëfyes erdhi Dante në ferrin shqiptar.

Në mes të shtegetisë së kësaj jete u gjeta në një pyll krejt errësi, se kishe humbë rrugën e vërtete.

…nga Shkodra ishte, jetim mbeti dhe ky me nënën dhe dy motrat dhe nisi shkollimin në Kolegjin Saverian dhe, pasi mbyllen shkollat fetare me “Ligjin Ivanaj”, kalon në gjimnazin e Shkodrës. Ka shokë klase ata që do të futeshin burgjeve Arshi Pipën, Lazër Radin, etj. Kolë Ashtën… Nis të përkthejë nga Dante, Petrarka, Leopardi, etj dhe po shkruante dhe vetë me emrin letrar Surgens.

Duke qenë nxënës me rezultate të larta, Ministria e Arsimit i jep një gjysmë burse për të studiuar Letërsi dhe Filozofi në Romë. Diplomohet në vitin 1942 me tezë diplome poetin Ndre Mjeda dhe merr gradën Doktor i Shkencave. Duan ta mbajnë asistent pedagog, por dhe me këshillën e shkrimtarit Ernest Koliqi kthehet që të punojë në atdhe.

Kur vijnë partizanët në pushtet, ishin familjarisht nga Shkodra në Durrës dhe jep lëndën e letërsisë në gjimnazin e qytetit dhe zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Durrësin. E arrestojnë në vitin 1947 me akuzën se ishte pjesëmarrës në një grup kundër pushtetit të ri dhe e dënojnë me 5 vjet burg.

E çojnë në burgun e tmerrshëm të kënetës së Maliqit, por duke qenë shumë i dobët, mezi punonte dhe si për të mbijetuar ndryshe, i hyn përkthimit me mend të Dantes. Kërkonte rima për tercinat dhe policët dyshonin ç’thoshte ashtu nëpër dhëmbë dhe e ndëshkonin, i binin ku të mundnin me bishtin kazmës.

Pasi lirohet në vitin 1952, rikthehet në Shkodër. I kërkojnë përkthime, ca librete. Shkon mësues në Fushë-Krujë në një shkollë 8 vjeçare dhe i përvishet punës për të kompletuar përkthimin e “Komedisë Hyjnore”. Që ta mbaronte i duheshin ca kushte dhe i shkruan diktatorit. E sjellin në gjimnazin e Tiranës, që i kishin vënë emrin e dëshmorit “Qemal Stafa”, që e kishte patur shok klase. Banonte në rrënoja, i duheshin për përkryer “Ferrin”.

Komedia Hyjnore botohet e plotë në vitin 1962. Pas dy vjetësh martohet. Por veç një dhomë kanë, nëna, ai, nusja, foshnja, e pamundur të jetonin ashtu bashkë. Jep latinisht në fakultetin e mjekësisë, ndërkohë botohet “Komedia Hyjnore” dhe në Kosovë në vitin 1969.

Martohet sërish. Latinishtja hiqet nga programi. Punon si korrektor te libri shkollor, ku dhe del në pension në 1978. Heshtje deri sa bie perandoria komuniste.

Në vitin 2000 ribotohet Dante-ja i tij dhe disa kryevepra që i kishin mbetur në dorëshkrim, “Odiseja”, “Andromaka”, “Fausti”, për të cilin Ministria e Kulturës i dha dhe një çmim.

Shoqata italiane “Dante Aligieri” qysh në vitet ’70 e kishte shpallur “Komedinë Hyjnore” të Pashko Gjeçit si ndër tre përkthimet më të mira në botë dhe Presidenti Italian, Ciampi, do ta dekoronte në 2004 me “Ordine della stella della solidarieta Italiana”.

E pashë një ditë në rrugë në Tiranë, përkthyesi i Dantes, ma treguan. Si me ca “purgator” m’u duk, ferrin e kishte lënë në njërën anë dhe parajsën në anën tjetër, të pa mbërritshme. Kishte humbje kujtese, më pëshpëritën.

Vdiq 91 vjeç në vitin 2010. Por ai tani është brenda në kujtesën danteske…

ORLANDI I ÇMENDUR me Guljelm Dedën. (1915 – 1994)

Shkodran dhe ky, bir i një familje patriotësh dhe intelektualësh…

Studion për letërsi dhe filozofi në Itali, në Universitetin e Padovës. Mbron diplomën me një studimin për “Cuneus Profetarum” (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, ku mori vlerësimin më të lartë “Summa cum laude”.

Punon në atdhe, jep letërsi nëpër shkolla. Në vitin 1939 Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Guljelmi themelon revistën “Balli i Kombit”.

Me t’u çliruar Shqipëria, në nëntor të 1944, e arrestojnë në dhjetor dhe e dënojnë me pesë vjet burg. Bën punëra nga më të rëndat.

Edhe kur e lirojnë, prapë në punë të rëndë e lënë, thyente gurë me varé rrëzë malit të Taraboshit si skllav. Dhe bisedonim për letërsinë, – më tregonte një miku i tij i vuajtjes, Mërgim Korça. – As në auditorët më të famshëm nuk i dëgjoje ato që thoshte ai në ato gropa guri…

E arrestojnë prapë në vitin 1954 dhe e dërgojnë në Shtyllas, në një kamp ku e mbyllin dhe me 50 intelektualë të tjerë, po nga Shkodra. E çojnë ende më thellë, në kampin e Kuçit të Vlorës.

Dhe ai nis një punë tjetër të madhe, të pabesueshme. Sfidë fatit dhe jo vetëm. Nisi të përkthente poetin e madh italian Lodovico Ariosto,Orlandi i Çmendun”. Pse e zgjodhi atë? Çfarë çmendurie gjeniale ndjeu brenda vetes?

Pas punës së rëndë në fusha, ja, aty mbi shtratin e tij të varfër shkruante e shkruante… Rridhnin pikat e ujit në shtëpi, rridhnin dhe vargjet. Faqja e parë, e dyta, 100 vargje, 1001… 17 vjet rresht, 40.000 vargje, katërdhet mijë vargje njëmbëdhjetë-rrokëshe, të rimuar e të hedhur me bukurshkrim në katërqind fletore. 17 vjet punë.

“…me një guxim e forcë vullneti të pathyeshëm dhe durim prej murgu të manastirëve mesjetare që i shkruenin librat me pupël pate… “ – thotë miku dhe bashkëvuajtësi i tij Lek Pervizi… – “…5000 strofa… që kritiku i madh De Santis i quejti «Tetëshe t’arta» (Ottave d’oro) për nga përsosmënia e tyne. Guljelm Deda i dha edhe ai po në strofa «tetëshe t’arta» shqip…”

Si mundi mes baltës të krijojë ar?

Kjo merr randësi edhe ma të madhe se rezulton se Orlandin e Ariostos nuk ka mundun ta përktheje kush me vargje të rimueme në asnjë shtet evropian, përveçse të rradhitun ne prozë.”

Lekë Pervizi vazhdon: ...vlen të theksohet heroizmi i bashkëshortes tij, Znj. Marie Muzhani… Të pllakosun 25 vjet (1964-1989) në një kooperativë të humbun, siç ishte fshati Ndërnenas i Fierit, Maria kryente edhe normën e të shoqit në bujqësi, që të mos i ndahej përkthimit.

Dhe Lekë Pervizi rrëfen kur i shkonin Guljelmit në kasolle a dhomë internimi, çfarë ishte, një grup miqsh të dënuarish, ai vetë dhe me radhë: “Prof. Dr. Mitat Araniti, Lazër Radi, Ali Erebara, Zef Shiroka, Ibrahim Sokoli, Mark Temali, Lin Deda, Sandër Saraçi, Loro Muzhani, Salvator Kurti, Baltasar e Zef Benusi, Karlo Çoba, Pandeli Nase, Vasil Avrami, Ali Cungu, etj”, – ç’është ky, apeli në internim? – dhe Lemi, kështu i drejtoheshin Guljelmit miqësisht, niste dhe lexonte nga përkthimi i tij, një orë, dy, një çast, një përjetësi: Gjuha shqipe arratisej nga internimi, e lirë. Ç’llambë tjetër ndizej ashtu, nga erdhi, kush e solli? Nata…

Mahnitëse! Përurim tronditës a përbetim burrash të mbledhur kokë më kokë, ç’do të shpëtonin ashtu, poezinë e jetës? Ndërsa s’kishte akademi e institucion, ministri e Komitet Qendror që ta botonte Kryeveprën, mbase ajo i patakste të gjithë, ishte një arritje përtej normales, s’ishte vetëm punë, por dhe qëndresë, dhe sulm, derdhje e shpirtit në Europë….

Dhe me të rënë diktatura, Guljelm Deda iku në Itali, atje ku kishte studiuar, në Padova. Pse, që të vdiste andej, i sëmurë, i çmendur nga një dashuri qiellore? Dhe mbylli sytë përgjithmonë në vitin 1994.

Kujtoj kur punoja në Romë, në ambasadën e Shqipërisë, telefonatat me nipin e tij dhe të shoqen, Laureta e Eugen Muzhani, interesoheshin për botimin e poemës madhore, të cilët ata e kishin kompjuterizuar dhe bërë gati. Mecenati mungonte. U trondita dhe u preka. Më dukeshin si engjëj të dërguar nga qielli.

Iu luta dhe më dërguan 75 strofat e tetsheve të arta, të gjithë “Kangën I”

Për Orlandin do them po në kët rend sende që n’prozë as varg tregue nuk janë, si nga dashnija krisi krejt ndër mend, ai që të urtë gjithë bota e pat thane; në se ajo që gati t’marrë njimend m’bani, e kto pak tru m’i bre nuk pranë, ka me më lejue që gjatë këtij poemi të kryej si duhet çka premtue ju kam….

Po ky është premtimi i vetë Guljelm Dedës, dhënë jetës, të ardhmes, Hyut.

Pas ca vitesh, në 2013, këtë kryevepër botërore e botoi Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Ngjarje e madhe kulturore.

Përurimin e bëmë në sallën e Ministrisë së Kulturës në Tiranë dhe unë si ministër, ja çfarë i shkruajta mikut të përbashkët, zotni Lekë Pervizit:

“...kur m’u dhurua ky libër… unë e putha në prani të publikut që ishte ftuar ne sallën… ku dikur diktatura kishte dënuar shkrimtarë dhe artistë, teksa sundonte socializmi dhe metoda (anti)letrare e realizmit socialist. Prandaj triumfin e botimit të ‘Orlandit të çmendur’ e ndjeva të shumfishtë, triumf të artit të madh, të sakrificës njerëzore, që edhe vuajtjen e kthen në vlerë të pavdekshme…”

NJË BIBËL për Mark Demën (1920 -1998)

…e çuan në gjyq bashkë me të shoqen, Terezina Dema, që e arrestuan dy muaj pas tij… ishte viti 1972, që quhet dhe vit i liberalizmit, kanë të njëjtën akuzë të dy, “agjitacion dhe propagandë”, kundër partisë dhe shtetit, që zakonisht nuk e shkruajnë se nënkuptohej, mjaftonte kaq, u dënua për agjitacion…

Si i sollën në bankën e të akuzuarve, me një prangë të dy, lidhur dorë për dore? Dhe ishte muaji korrik, kohë plazhi në Durrës, po dy fëmijët e vegjël kush ua mbante tani?

Terezinën e dënojnë me 4 vjet burg, kurse Markun, eh, ai kishte studiuar jashtë, profesor, me gjuhë të huaja, si tha ai në gjyq: “e urrej komunizmin”, nuk i mjaftuan 7 muaj tortura? Dhe ia bënë më të rënda akuzat: “tradhti ndaj atdheut”, “spiunazh”, 17 vjet burg.

Dhe mbeti “Eneida” e tij pa botuar, 13 vjet punë me Virgjilin, e nxitën Prof. Eqrem Çabej, Llazar Siliqi, Pashko Gjeçit, ta përkthente, ja ashtu si fshehurazi. Dhe ia doli…

Në burg u mësonte gjuhë të huaja bashkëvuajtësve, sidomos të rinjve, por dhe përkthente, ia kërkonin ata të komandës, e dinte shteti dhe botoheshin pa emër përkthyesi apo me emrin e ndonjë akademiku.

Edhe kur kishte qenë i lirë, i lirë s’mund të ishe nën diktaturë, por jashtë burgut, kishte çuar përkthime, pa emrin e tij, nga autorë klasikë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Po ku i ka mësuar gjuhët e huaj, pyesnin të burgosurit. Eh, shkodran, ka qenë në Kolegjin Severian të Jezuitëve, pastaj në Romë shkon për teologji, në Kolegjin Papnor Urbano “Propaganda Fide” dhe diplomohet për Filozofi. Mori dhe leksione në fakultetin e Letërsisë dhe jep mësim në vitin 1943 në liceun “G. Leopardi” të Romës.

Në 1944 kthehet në Shkodër. Në 1945 në Tiranë në Bibliotekën Kombëtare, pastaj në Gjirokastër, pedagog i latinishtes dhe i asaj letërsie, aty është bashkë me Injac Zamputti-n, studiues dhe kritik, përkthyes dhe…

Kur po dënohej At Anton Harapi dhe e pyesin nxënësit, ai u thotë se “është shkrimtar i zoti”. Le që maturës i kishte si temë hartimi: “Puna e rëndë fizike përkul trupin. Paraja përkul shpirtin.”. Po përsëriteshin gabimet politike dhe e heqin menjëherë nga arsimi dhe shkon në Shkodër, punëtor krahu.

Del nga burgu në 1987. Në atë vit jam liruar edhe unë.

Dhe iu kthyem letërsisë, le që s’e kishim lënë…

Na la dhe diktatura, Mark Dema shkon në Itali dhe merret me përkthime biblike. Unë në ambasadë…

Në 1995 botohet Eneida nga shtëpia botuese “Enciklopedike” në kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Dhe latinisti i mërguar sikur ndjehet i dëmshpërblyer dhe vendosi të vdesë në 1998.

* * *

Duket sikur perënditë i kishin caktuar për shqipërues të mëdhenj dhe i dërgoi një herë në ferr, atje ku gjuha bëhet dhimbje dhe rënkim, britmë që sikur flasin plagët.

Katolikë të mëdhenj, heronj të verbit, që duke u shuar të gjithë, mbyllet dhe shkolla e madhe që ata themeluan, por lanë gjallë klasikët botërore në shqipen “gjuhë perëndish”, krijuan përvojën e lartë duke u bërë klasikë të përkthimit… në panteon…

MEDRESEJA E PËRKTHIMEVE

Pikërisht Medreseja e Tiranës, një ngrehinë e hijshme, tre katëshe e me ballkon të gjatë, e ngritur në vitin 1938, me arkitekturë të përzierë “ndërkombëtare”, do të ishte për shumë kohë dhe burgu i veçantë i përkthyesve, ndërmarrja e tyre e çuditshme, e pa ngjashme me asnjë institucion tjetër të punës së tyre a ata të kulturës së re socialiste e as me ato të diktaturës, të komiteteve të partisë apo Degëve të Punëve të Brendshme.

Medreseja do të rrethohej me tela me gjemba, me ushtarë të armatosur, do të ngriheshin kullat e drunjta të vrojtimit për rojat dhe kolibet për qentë, që lehnin njëlloj në çdo gjuhë.

Aty do të shkarkoheshin ata, përthyesit e prangosur. Do t’u hiqeshin prangat një nga një e do t’u jepeshin librat. Mbase dhe ushqim pak më shumë dhe më pak të keq…

Si do të shkruanin, me pena apo me makina shkrimi të luftës, që prej hutimit dhe të pa ngrënit, ngjanin me vegla të zeza torture. Kontrolli do të ishte i rreptë, vëzhgim kafkian.

* * *

Të mbyllur, vazhdonin të përkthenin, në fshehtësi si robër, si të mallkuar, por më të lumtur se të mallkuarit e tjerë të ferrit.

Ç’botime të reja erdhën? Prapë nga ato sekretet për përdorim të brendshëm, ja, ja një fjalim, shshshshsht, qepe gojën, sa mirë, libra historikë të Anglisë, Rusisë, Francës, Izraelit, prapë strategji betejash, taktika të ushtrive X, Y, marrëveshje, diplomaci, romane me spiunazh, eh, duhet ditur si vepronin, si silleshin ata jashtë, si…

Po ndryshon, po kërkojnë dhe letërsi të madhe, nga antikiteti dhe Rilindja, klasikët, Dostojevski, të burgosurin e madh dhe të ndaluar, drama, që s’dihej ku çoheshin, ashtu pa emër përkthyesi, t’i lexonin në Komitetin Qendror, për Akademinë e Arteve etj.

MES MBRETËRVE TË ORIENTIT Vexhi Buharaja (1920 – 1987)

– Unë do të vdes sonte, – u tha familjarëve të vet dhe u nda me ta si ai që ikën për rrugë të largët, pa kthim. Pastaj kërkoi të rrinte vetëm përballë librave të tij. I ledhatoi. Nga dera pak e hapur panë se i puthi. S’dihej se ç’foli me shpirtrat e librave. Ç’lamtumira i dha jetës? Po vdekjes çfarë i kërkoi? Po këto hije nga vinin, nga ferri? Po ai kishte qenë një herë atje, në burg dikur. Le që ashtu e trajtonin, si të burgosur vazhdimisht…

Vexhi Buharaja poet dhe mistik nga Berati, bir hoxhe, u shkollua në Medresenë e Tiranës, ku dhe nisi punë, 20 vjeçar, në redaksinë e revistës “Kultura islame”. Merr çmimin e parë për poezi, shkruan artikuj filozofikë e teologjikë dhe përkthen.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore familja e tij strehoi hebrenj për t’i mbrojtur nga holokausti. Me të mbaruar lufta, fitimtarët e burgosin në vitin 1946 si kundërshtar të regjimit komunist. Mbasi del, do të jetë punëtor krahu, por e emërojnë si mësues rusishteje, që e kishte mësuar në burg. Por talenti i tij ishin gjuhët osmane dhe persishtja, përkthyes i dokumenteve të shumta të Rilindjes, të Lidhjes së Prizrenit, etj, i mbishkrimeve turko-arabe, etj, etj, prandaj herë e merrnin në institutin e historisë si bashkëpunëtor, ku prej përkthimeve e studimeve të tij u shquan punonjës të tjerë shkencorë, më saktë grabitës shkencorë dhe, kur ashpërsohej lufta e klasave, e hiqnin.

Vexhi Buharaja solli në shqip vepra të Hoxhë Tahsinit, Sami Frashërit, perlat të poezisë së Naimit, librin e tij të parë, shkruar në persisht, “Tahajjlulat” (Ëndërrimet), etj..

Falë tij erdhi në gjuhën tonë “Gjylystani dhe Bostani” i Saadi Shirazit, që mësohej përmendësh si dhe një nga kryepunët, eposi i madh iranian, ndër më të bukurit në botë, “Shah-Name-Ja” e Firdeusit ose e Homerit të Lindjes. Kjo vepër madhore barazohet me “Iliadën” dhe “Odisenë” e antikitetit helenik, me “Vedat” sanskrite, me “Ramajana-n” dhe “Mahabharata-n” hinduse, me “Gilgameshin” e sumerëve dhe “Qadesh-in” e egjiptianëve të vjetër, me “Torah-n” aramaike dhe “Eneida-n” e romakëve, si dhe me eposin tonë të kreshnikëve.

Ashtu si vetë Firdeusi, i përndjekur nga mbretërit shekuj më parë, që nuk arriti të shihte dot të botuar veprën e vet, edhe përkthyesi, binjaku shpirtëror, nuk e pa dot këtë botim të mrekullueshëm, e ëndërroi ndoshta në natën e vet, të zgjedhur për të vdekur.

Ishte ende diktaturë dhe unë shkruajta një poezi për vdekjen e tij, por nuk tregova se e kujt ishte, sepse sapo kisha dalë nga burgu.

Bashkëqytetari i tij, historiani Xhevair Lleshi do të shkruante: ”Portreti i tij dukej njëherit edhe i ashpër, edhe i bukur. Si qenka e mundur që ai të mbarte të ashtuquajturën dobësi njerëzore?… ai njeri ishte shenjuar nga një yll i ndritshëm, që… përherë i mjaftonte vetvetja…” Dhe dua ta them në të kundërt atë që ai vazhdon për Vexhi Buharanë: vjen si vuajtje dhe ikën si madhështi...

Në burg kishin qenë edhe dy kolegë të Vexhiut, po aq të mëdhenj, orientalisti Mykerem Janina, i burgosur dy herë, madje edhe kur ishte 80 vjeç, njohës i osmanishtes si ai, i paleografisë dhe dokumentacioneve historike, po kështu dhe Tahir Dizdari, të cilin fashizmi e internoi, por komunizmi e burgosi, autor i Fjalorit më të madh të Orientalizmave. Po gjuhëtari i madh Shaban Demiraj këtu kishte qenë? E kur do të ishte dita e lirisë?

Në qytetin e lindjes dhe të vdekjes së Vexhi Buharasë, në Berat, biblioteka tani mban emrin e tij. Para saj është dhe busti. E ashpra ka ikur, s’ishte e tij, ka mbetur veç e bukura. Sikur nuk do që të na qortojë, veç të na falë në heshtje….

NË ANGLISHT Ali Cungu (1898 – 1985),

…duhej dhe një përkthyes për në anglisht dhe prapë nga të burgosurit do të merrej…

Ishte nga Elbasani, kishte përfunduar shkëlqyer Kolegjin “Robert” të Stambollit, punoi në Tiranë në shkollën amerikane si pedagog dhe dha ndihmesën e tij në zhvillimet letrare, në art e sporte sidomos ndër të rinj, botonte dhe poezi, në shqip dhe anglisht, etj, por kur erdhën fitimtarët e luftës, e burgosën duke e dënuar me 7 vjet burg, “agjent i anglishtes”, pra i anglezëve, i amerikanëve… dhe kur e liruan, e internojnë, etj, etj, por u thirr të përkthente ashtu si Vrioni në frengjisht, si Kokoshi në italisht, pa emër… .

Kujtohen punët e tij, përkthimet në anglisht të De Radës, dhe të Naimit, të Migjenit dhe Kadaresë, por të Enver Hoxhës së pari, prandaj dhe u thirr…

…dhe vdes në vitin 1985.

Nuk do të doja të harrohej…

NË NJË QELI BASHKË

Në dimër, kur heje akulli kishin ngrirë mbi tavan, po, po brenda në qeli, se ajo pikonte dhe ata në këmbë vinin rrotull dhe ngrohnin njëri-tjetrin me trup, që të mos vdisnin, o Zot!..

Shkrimtari Mitrush Kuteli, që përkthente po aq bukur siç dhe shkruante, mërmëriste vargje nga “Poemi kosovar” dhe krijonte poezitë e qelisë, për hekurat dhe yllin mes tyre. “Duaje atdheun dhe kur të vret”, – do të linte porosinë.

Tjetri, ai i paemër si përkthyes i letërsisë shqipe në italisht, poeti Kudret Kokoshi, tregova për të, poezi të të cilit dinin përmendsh shumë të burgosur, por ajo, ku derdheshin emocionet e takimit të tij me nënën, kur lirohet, si. arriti të kthehej burgjeve?. Shumë poezi të tijat ai i mori me vete në varr.

I treti në qeli ishte:

Jusuf Vrioni. (1916 – 2001)

Përkthyes, por ka dhe një libër memuaristik të shkruar në frëngjish, në frëngjishten e tij brilante, me të cilën bëri të njohur nga letërsia shqipe, Kadarenë, që pas Francës, e cila e konsideroi si një zbulim, e mori dhe bota. Teksa përkthente romanet e tij, ndonjëherë punonte paralel me autorin, ç’shkruante ai, ia jepte përkthyesit.

Po pse libri dilte pa emrin e përkthyesit? Dhe ai përkthente dhe “Veprat” e Enverit, me radhë, ashtu si skrib, si skllav, pa emër gjithmonë…

Eh, kishte qenë në burg. Le të kishte studiuar në Francë, në tre universitete. Kishte lindur dhe në Korfuz, në 1916, por u rrit në Berat, familje bejlerësh. Babai i tij, Iljaz Bej Vrioni, ministër i jashtëm, emërohet në Paris si ministër fuqiplotë i ambasadës. Merr dhe familjen me vete. Jusufi dhe shkollën fillore dhe atë të mesme dhe të lartën i kreu në Paris.

Vjen nga Franca në Shqipërinë e sapo pushtuar nga Italia fashiste në 1939 dhe punon në Ministrinë e Jashtme në Romë, se atje kishin kaluar disa nga institucionet dhe rikthehet në 1943, pas kapitullimit…

Fitimtarët e arrestojnë. Ishte viti 1947. E mbajnë 3 vjet në qeli, në hetuesi e rëndë me tortura dhe akuzat për spiunazh e agjitacion e…

E dënojnë me 15 vjet burg. Punon si i burgosur në tharjen e kënetës së Tërbufit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit dhe… dhe lirohet nga burgu i Burreli dhe e çojnë në internim në Fier.

Po ai duhej, duhej si përkthyes, ku mund të gjenin si ai? Duhej për diktatorin. Dhe nga vitet ’80 u lejua të njihej emri i tij në Francë dhe në Shqipëri.

Pas rënies së diktaturës, isha bashkë me të edhe unë në Komitetit e Helsinkit në Tiranë për të Drejtat e Njeriut. Një herë kemi folur për burgun, më tregoi kur ishte në qeli me Mitrush Kutelin dhe Kudret Kokoshin.

Jusuf Vrioni rikthehet në Paris, në 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe për ‘frengjishten e tij elegante”, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur dhe babai i tij.

Vdes në 2001 në krye të detyrës si ambasador në Paris, kur ishte 85 vjeç. Në funeralin e tij në Tiranë, mes shumë e shumë njerëzve, diplomat, shkrimtarë, kishte bashkëvuajtës të tij.

Berati do ta shpallte “Qytetar Nderi”

Tregonte Jusuf Vrioni:eh, para se të më arrestonin, isha duke shkuar në një takim dashurie, e kishim lënë të shiheshim në Sheshin “Skënderbej”, por nuk arrita. Pasi bëra nja 10 vjet burg, 11, më shumë, dhe kur u lirova, shkova drejt e në Sheshin “Skënderbej”, të shikoja se mos ishte atje ajo dhe po më priste, por nuk e gjeta…

“KARTELË ÇMENDURIE” Petro Zheji (1929 – 2015)

…përkthyesi mahnitës, që e përndiqnin ndryshe, duke e mbyllur në çmendinë. Ashtu u dukej, dinte shumë më tepër nga ç’lejohej, eruditi dhe mistiku, gjuhëtar në lartësitë e shkencëtarit, shkencëtar dhe mendimtar.

I ati i tij kishte qenë ushtarak i lartë në kohën e mbretërisë, por dhe pse mori pjesë në luftë kundër pushtuesit, regjimi i ri komunist nuk e deshi, madje ia sekuestroi pasurinë

Petroja studioi për matematikë dhe u kthye të japë mësim në vendlindje, në gjimnazin e Gjirokastrës, pastaj studioi për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës dhe shkoi të punojë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, ku ishte dhe i vëllai, shkrimtari Gjergj Zheji.

Petroja ekscentrik, kështu u dukej, shkonte në punë duke mbajtur një kryq në qafë, kur feja ishte ndaluar me ligj dhe tempujt të gjithë ishin shembur. Ndërkaq ai celebronte dhe mesha të fshehta varrezave. Në apartamentin e tij të varfër, pa asgjë, kishte një dërrasë të zezë si të shkollave dhe aty shpjegonte me shkumës në dorë fizikë të lartë, astronomi, Ajshtajnin, gjuhësi, etimologji marramendëse, Niçe, Frojd, bërtiste kundër, magjepseshin ata që e vizitonin, studentë, poetë, të njohur, të panjohur, të përndjekur, vajza të reja, provokatorë, të fantaksur si ai. Kështu e dinin. Dhe e çonin herë pas here në çmendinën e Elbasanit duke i bërë terapi barbare, elektroshok. I shmangej burgut kështu. Shkonte në këmbë atje që nga Tirana, kalonte Qafën e Krrabës si murg në vapë apo dimëra,

Dhe përkthente. Ka rreth 13 mijë faqe, Gëten dhe Servantesin, Didero e Stajnbek, Breht dhe Asturias, etj, etj duke i përkthyer nga origjinali gjermanisht, spanjisht, anglisht, frengjisht, rusisht rumanisht, estonisht, nga nordikët e deri në kinezçe. Vepra të veta s’mund të botonte.

Me të rënë komunizmi, iku bashkë me djalin e vetëm, gazetar i njohur, Artur Zheji në Itali e SHBA, por u kthye shpejt. Nisi të botojë vepra të tij, 1996 “Shqipja dhe sankritishtja” në dy volume, vazhdoi, “Roli mesianik i gjuhës shqipe”, “Kristologjia”, librat për Algoritmin, “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe” dhe në 2012 “Libri i Aforizmave”. I besonte po aq sa dijes dhe intuitës, vjen nga lart, thoshte. Dhe iku atje, në qiell në mars të 2015.

Një statujë për Petro Zhejin. Njëri nga miqtë e tij në SHBA, Muç Xhepa, bën përpjekje që të mund ta ngrenë, ku? Në Elbasanin e tij, – thotë ai. A në Tiranën ku jetoi? – thonë miqtë e tjerë.

Fjala është shtatore e frymës së tij…

* * *

Ç’ishin këto, kartela apo flatra të thyera? Rëndësi ka që pati një fluturim të pa besueshëm, gati mistike, dhe ku, që nga ferri, për të sjellë qiell, në kulturën kombëtare të futej nga kultura e madhe e botës.

136 views1 comment

1 ความคิดเห็น


FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
17 ก.พ. 2564

Eshref Ymeri:

I dashur Visar, Lexova dje te “Fjala e Lirë” esenë tuaj të shkëlqyer me titull “Përkthyesit e burgosur, çlirues librash të mëdhenj...”. Është një ese që të ngall emocione të fuqishme, mall dhe trishtim të thellë. Homaxhi që u keni bërë atyre korifenjve të mëdhenj të kulturës shqiptare, është një nderim i jashtëzakonshëm për ta. Lexuesi i vëmendshëm, pasi vjen në rreshtat e fundit të kësaj eseje befasuese, kthen kokën prapa dhe përsiat plot mllef dhe dëshpërim: Si qe e mundur që ato personalitete të shquara të kulturës shqiptare, ata gjigantë të ajkës intelektuale shqiptare, u bënë objekt poshtërimesh dhe talljesh nga një njeri me emrin “askush”? Sepse Mustafa Kaçaçi kështu e pati etiketuar me shumë të drejt…

ถูกใจ

Shkrimet e fundit