Sot është ditë e shtunë, 5 nëntor i vitit 1932.
Pas dy ditësh, në Sheshin e Kuq, do të zhvillohet parada e fitores së Revolucionit të Tetorit. Po sot, Nadjezhda Allilujeva do të vijë në shtëpinë tonë. Ajo është gruaja e burrit më të fuqishëm në Bashkimin Sovjetik, Josif Visarionoviç Jugashvilit, Sekretar i Përgjithshëm i partisë bolshevike, i mbiquajtur Stalin. Kjo fjalë, në gjuhën ruse, ka kuptimin çelik. Vizita e Nadjas, për të ardhmen e familjes sonë, nuk është gjë e paktë.
Banojmë në katin e dytë të një ndërtese, në rrugën Arbat. Para njëqind e njëzet vjetësh, pothuajse gjithë banesat e kësaj lagjeje u dogjën nga pushtuesit francezë. Ndoshta ishin vetë moskovitët, që i vunë flakën qytetit të tyre. Është diçka që as historianët, deri më sot, nuk e dinë me saktësi.
Nëna ime, Natali Vilnëv, në mëngjes nuk shkoi në punë. Një ditë më parë u kujdes të merrte leje nga padruga Aleksandra Kuzminskaja: përgjegjëse e administratës së Institutit Bujqësor Ndërkombëtar. Ime më punon aty si përkthyese nga frëngjishtja. Në ndonjë rast, i japin për të kryer dhe punë llogarie. Dokumentet e futura në një dosje ngjyrë Isabelle i merr me vete në banesë.
Herët në mëngjes, ende pa gdhirë, u ngrit të pastrojë shkallët e brendshme të ndërtesës dykatëshe. U kujdes të kontrollojë për ndonjë kockë të tharë, të hedhur në korridor. Veçanërisht, në hyrje zbrazi kova të shumta me ujë, për të larguar erën e urinës. Porta e jashtme e banesës mbetet hapur gjithë natën. Rastis ta kapërcejnë gjithfarë të dehurish, endacakësh, njerëz pa strehë, shumica fshatarë të uritur nga Ukraina. Në ndonjë rast, me sy të përvuajtur, marrin guximin të trokasin edhe në derën e dhomës ku banojmë.
Si rrallë në këtë fillim nëntori, dita e djeshme u thye nën një diell të flakëruar, si top i zjarrtë që po perëndonte në horizont. Ndoshta, kjo qe një arsye më shumë që u ndjeva aq mirë, kur dëgjova se Nadja do të vinte për vizitë te ne. I ka premtuar nënës sime se, nga lartësia e Mauzoleut të Vladimir Iliç Leninit, udhëheqësit të madh të revolucionit, ku gjendet e balsamosur mumia e tij, do të më jepet mundësia të shikoj paradën e madhe ushtarake. Do të zhvillohet për të festuar përvjetorin e katërmbëdhjetë të triumfit të Revolucionit të Tetorit. Aty do njoh nga afër fëmijët e saj: Svjetllanën, Vasilin dhe Artjomin e adoptuar. Një ditë më pas do të marr pjesë në mbrëmjen që organizohet në Pallatin Poteshnij. Apartamentet e brendshme shërbenin dikur për të strehuar aktorët e Carit. Darkën e organizon, çdo vit, Kliment Efremovich Voroshilovi, ushtaraku më i fuqishëm në Rusi. Është komisar i popullit dhe kryetar i këshillit ushtarak revolucionar. Mbi të gjitha, do të më krijohet mundësia të njoh nga afër Stalinin. Thuhet se është guximtar, trim sypatrembur, po aq sa Lenini i Madh. Galina Samoillova, mësuesja-kujdestare e klasës së pestë, në valën e fjalëve lavdëruese, në ndonjë rast e quan Vozhd. Është një fjalë që, në gjuhën ruse, ka kuptimin udhëheqës: në kuptimin e madh, jo të zvogëluar, të një prijësi fisesh aborigjene...
Im atë, Igor Mihailoviç Gruzinski, nuk do të jetë në banesë kur të vijë Nadja. Për këtë, prindërit e mi u morën vesh qysh më parë. Do të dëshiroja që im atë të ishte i pranishëm në këtë vizitë. Ndjehem i ngrohur kur dalloj praninë e tij midis njerëzve. Është një tip i shoqërueshëm. I pëlqejnë bisedat me fëmijë të vegjël, burra të moshuar e gjithfarë njerëzish të thjeshtë, të varfër. Edhe kur këta janë të veshur me çizme të shqyera, xhybe të arnuara, të mbuluara prej lloj-lloj leckash me ngjyra të errëta, të valëvitura butësisht nga era, aq sa, në ndonjë rast, është e vështirë të dallohet stofi origjinal.
Jetojmë në kohë të vështira. Njerëz të uritur, me pamje të përhumbur e sy të çakërdisur, vijojnë të vërshojnë në kryeqytet, nga të gjitha anët e perandorisë së dikurshme të Carit. Përngjajnë me kufoma lëvizëse të plogështa, pothuajse pa jetë. Më krijojnë, padashur, përshtypjen sikur lëvizin në një labirint pa çati, teksa mbi kokat e tyre rëndon qielli vjeshtor moskovit, ngjyrë gri, që duket sikur ka lëshuar përmes reve mijëra leqe përgjues, si për të lehtësuar fluturimin e shpirtrave në lartësi të panjohura. Veçanërisht në Ukrainë, fshatarët vdesin çdo ditë, me mijëra, si milingona të spërkatura me flit, në lëvore të kalbura mështeknash të bardha, të futura aty për të mbijetuar qoftë dhe disa çaste më shumë. Policia grumbullon në orët e para të mëngjesit trupa endacakësh pa jetë, të ngrirë në rrugët e zbardhura nga dëbora.
Ma merr mendja se diçka të mençur duhet të kenë menduar prindërit e mi, që im atë të mos jetë i pranishëm. Nadjezhda Allilujeva mund të na krijojë mundësinë për t’u kthyer në Marsejë, një qytet bregdetar, në jug të Francës. Para se të vendosnin për të ardhur në Rusi, prindërit e mi kanë banuar në atë vend. E përfytyroj qiellin e Marsejës përherë të përmbytur prej një drite të fortë, karakteristike, dritë vendesh mesdhetare, të panjohura për mua. Pak a shumë është si efekti i shkaktuar në sy nga thyerja e dritës, kur qiellin pa re përpiqem ta vrojtoj nga brendësia e një gote kristali. Në pranverë, kur bora nis të shkrijë, me njërin sy të mbyllur, gotën bosh, të markës ruse Gus-Crystal, ia drejtoj diellit të bukur moskovit, derisa buzët e saj më lenë një vijë të harkuar në ballë. Vetja më duket si xhindi i Njëmijë e një netëve, i mbyllur nga mbreti Solomon gjatë mijëra vjetësh në vazon prej bakri, sipas përrallës së famshme arabe. Pastaj, me të njëjtën logjikë mistike, nga e njëjta botë e lashtë orientale, mua më krijohet përshtypja se një magji akoma më e fuqishme ka mundur të vulosë gjithë kufijtë shtetërorë të vendit ku banojmë. Ka kohë që ne, në familjen tonë, ndiejmë se kemi humbur gjënë më të çmuar: lirinë.
Kam më shumë se një orë që po përgjoj mbërritjen e vizitores sonë. Me porosi të Vilnëvit, nuk e ndaj, për asnjë çast, vështrimin nga rruga. Në dritaren e vetme të dhomës së vogël, për shkak të stukos së vjetruar, vende-vende të rënë, ndiej në mollëzat e gishtërinjve vrullin e dobësuar të erës së ftohtë polare. Në qiellin e akullt më duket sikur jam duke dalluar shenjat e para të largimit të dritës. Ndoshta dhe mund të mos jetë e vërtetë. Mund të më vijë nga padurimi që ndiej në këto çaste për të dalluar sa më parë Nadjezhda Allilujevën. Ka disa ditë që rrugët e Moskës janë zbardhur nga dëbora.
Mbrëmjen që m’u dha mundësia ta njoh për herë të parë, ndodhesha në Institutin Bujqësor. Prisja nënën time të përfundonte orarin e punës, përbri një sobe skandinave xhami. Ishte e bukur dhe ende me hi të ngrohtë. Në pjesën e sipërme të saj gjendej e shkruar fjala Viking. Allilujeva u tregua mjaft e afruar me mua. Porsa kishte dalë nga një mbledhje e organizatës bazë të partisë bolshevike, ku bën pjesë. Më bëri të ndjehem i gëzuar. Ishte diçka që ia shpreha dhe nënës sime, kur gruaja në fjalë u largua nga ne. Nuk e quajta padruga Nadja, por thjesht, Nadja. Mund të vija titullin teta, përpara emrit të saj. Ishte diçka që e bëri nënën time të më thotë se unë nuk jam aspak nuni i saj. Buzëqesha nga ky këndvështrim ngaqë më bëri për një çast të përfytyroja me çudi se si një më i vogël, mund të pagëzojë një person me moshë më të madhe... sigurisht, diçka e pamundur.
Porsa e dallova Nadjezhda Allilujevën në rrugë, lajmërova pa humbur kohë nënën time. Zbriti shkallët me një frymë, më parë se vizitorja të fillonte të përparonte në brendësi të banesës. Një mesoburrë me rroba civile qëndronte në hyrjen e madhe të katit përdhes. Nuk i ndau sytë për asnjë çast nga gratë. Një tjetër agjent i policisë sekrete qëndronte pa lëvizur në krye të shkallëve. Mund të kishte edhe të tjerë persona të padukshëm, që nuk mund t’i dalloja në ato çaste.
Gjithçka u zhvillua sa hap e mbyll sytë. Aty rreth orës pesë, ndaloi në rrugë një Kadillak i zi. Një tullac barkmadh i veshur me rroba civile, i ulur përbri shoferit, u vërvit, pa humbur kohë, për t’i hapur derën Nadjes. Por dukej se ajo nuk po nxitohej të zbriste menjëherë nga vetura. Ndoshta ishte duke i folur dikujt, të cilin nuk mund ta dalloja. Mora me mend se mund të qe Vasili, ndoshta Artiomi. Në vijim pashë një fëmijë i cili zuri vendin pranë dritares. Nuk njoh asnjë prej fëmijëve të Nadjes. Kam dëgjuar se Svjetllana është rreth shtatë vjeç. Vasili e Artiomi janë rreth të njëmbëdhjetave, në një moshë me mua.
Nadja ka fytyrë vezake, flokë të zinj, të shtruar si me vaj Makasar, në stilin e Natasha Rambovës. Kam dëgjuar prindërit e mi të flasin, në një rast, për këtë të fundit. Mendova stilisten e dëgjuar amerikane duke thënë me vete: Dhoma ime e vogël! Sa gjëra me interes më ofron për të mësuar, herë në dëgjim të lirë e herë duke përgjuar, fshehtas, bisedat e më të rriturve!...
Nadja hyri në dhomë me pamje të qeshur. Sytë e saj të qartë i jepnin fytyrës një shkëlqim të veçantë. Pas disa çastesh, më dha përshtypjen e një gruaje të lodhur. Qerpikët e syve të saj miqësorë, m’u dukën si të ngjyer në pelinin e hidhur të Artemidës: perëndeshë gjahu në Greqinë e lashtë. Mund të kem të drejtë për këtë përshtypje të parë, vetëm nëse prindërit e mi kanë qenë të saktë në bisedat e tyre tête-à-tête. Jo pak herë flasin me zë të ulët. Më duhet të pranoj qysh në fillim se bëhet fjalë për një kureshtje të pafalshme nga ana ime. Njoh mjaft sekrete shtetërore. Deri më sot nuk ia kam treguar askujt. As prindërve të mi. Do të kishte pasoja të tmerrshme për familjen tonë, nëse policia sekrete do të arrinte të zbulonte një gjë të tillë.
Pallton e zezë, me jakë kastori, Nadja e palosi në pjesën e sqetullave, duke lënë astarin blu të errët jashtë. Mund edhe ta varte në një porte-manteau prej druri qershie, sikur im atë të mos e kishte djegur para një jave, për mungesë drush zjarri.
Banojmë në një nga ato dhomat e ndërtesave të quajtura komunalka, dikur në pronësi të të pasurve, që pushteti i sovjetëve i shtetëzoi pas Revolucionit të Tetorit. Apartamentet e rregulluara posaçërisht, në ndarje më të vogla, shërbejnë për të strehuar familje të përbëra nga një numër i madh anëtarësh. Zakonisht banojnë në një dhomë të vetme, rrallë në dy hapësira fare të vogla. Nuk është vetëm kriza ekonomike që bën strehimin të vështirë, por dhe nevoja e zbatimit në praktikë të ideve komuniste. Njerëzve të Rinj Sovjetikë iu bie për detyrë të krijojnë një botëkuptim të ri lidhur me të ardhmen e tyre. Të mos i marrin gjërat lehtë deri sa të zbresë lumturia. Në katin e dytë të komunalkës banojnë gjashtë familje, gjithsej njëzet e katër persona. Kuzhinën dhe nevojtoren e kemi të përbashkët.
Para dy vjetësh, si për të vështirësuar kureshtjen time, nëna i propozoi tim ati, të flija i mënjanuar prej tyre. Jetojmë në kohë të vështira. Nuk bën të kem dijeni të panevojshme rreth bisedave të tyre. Si për të zbutur gjërat, Vilnëvi shtoi, sipas një mënyrë të edukuar, à la française, se politika është një gjë mjaft e keqe kur hyn në gjak qysh në moshë të vogël. Sipas mendjes sime të përulur, të rriturit thonë gjëra që i bëjnë të vegjlit ose të dorëzohen pa kushte, ose të përpiqen me çdo kusht të nxjerrin kuptimin e fjalëve të vështira. Ndoshta mund ta kem gabim, por dyshoj se ata, vonë, kuptuan që unë vendosa të bëj të dytën. E pranoj që kureshtja është një defekt i madh për mua. Por e vërteta është, gjithashtu, se nuk mund të bëj dot pa të.
Dhomën e vetme, pasi u kujdesën ta ndanin me kompensatë mështekne, e pagëzuan me fjalën frënge paravan. Semjon Iliç Kostrikovi, një biçim marangozi, kaldajist në Institut, e realizoi ndarjen pa shumë mundim. Korniza dhe druri i paravanit, të lyera me një pelte mbeturina bojërash gjysmë të thara, rezultoi në një jeshile të shpëlarë, si gjethe të freskëta, të grumbulluara në zonën e vdekur të një përroi të shpejtë të nëntokës. Pas tri ditësh, kur boja ishte tharë, Kostrikovi u shfaq përsëri në banesë. Paravanin e veshi nga të dy anët me një rrobë të vjetruar, me motive fletësh pyjesh tropikale. Jeshilja e shpëlarë nuk dukej më dhe unë, përkëtej fletëve, tashmë do të kisha dhomën time...
Mund të dëgjoj dhe nga ky vend. Vendos veshin në një nga fletët e gjera e më duket sikur i fuqizon diçka zërat e ardhur nga krahu tjetër. Vendin e ri e pagëzova me emrin shtrofulla e urithit, duke bërë tim atë të qeshë me mirësjellje, kur e dëgjoi. Nuk e zgjati më tej bisedën. Duhet ta kenë djegur fjalët e mija. As unë nuk vijova më tej. E bëra për të mos i krijuar ndjenjë faji ndaj meje, për ngushtësinë e dhomës. Përgjimin e bëj në një kohë kur, rregullisht, duhet të më ketë zënë gjumi. Kujdesem që ta kem mendjen te nëna ime. Largohem me shpejtësi nga fletët. Fshehur nën mbulesa me sy përgjysmë të mbyllur, dalloj hijen e saj pothuajse të padukshme, ngjyrë plumbi të errët, të nxjerrë kokën në gjysmerrësirë, për të më kontrolluar nëse më ka zënë gjumi.
Ditët e para të inaugurimit të ndarjes e dëgjoja t’i drejtohej tim ati e pakënaqur:
- I thashë disa herë Semionit, se duhej të kishte zgjedhur një dru më të trashë për të ndërtuar paravanin.
- Bukur tavarish Semjon Kostrikov! – përsërisja, i lumtur.
E quaj tavarish, meqenëse Kostrikovi rastis të jetë bolshevik. Mbrëmjen e fundit më tregoi teserën e partisë. Nuk më lejoi ta prek me dorë. Mund ta dëmtoja. M’u desh ta shihja vetëm nga larg. I ulur në divan për t’u çlodhur, ai ishte duke pirë çaj të ngrohtë, me pluhur kanelle. Shpesh herë kollitej, duke thithur pa pushim një cigare të markës Mahorka, që ia ofrova unë.
Ditën e parë, kur ishte duke punuar, i thashë të mos e ngjiste paravanin deri në tavan. Nëna ime m’u drejtua me fjalët:
-Po mirë, është e mundur të mësosh tavarish Kostrikovin sesi ta bëjë punën e tij!
Përdori edhe ajo të njëjtën fjalë, tavarish, si unë.
Kthina kap më pak se një të pestën e dhomës. Çdo mbrëmje dëgjoj bisedat derisa gjumi më bën të dorëzohem plotësisht në krahët e tij. Natën e parë gjethet e paravanit më dolën në ëndërr të stërmëdha, të përngjashme me veshë elefanti afrikan, në një xhungël tropikale. Lageshin pa pushim nga një shi i ngrohtë, si në përpjekje për të larguar me çdo kusht erën e keqe të tutkallit dhe bojërave të Kostrikovit. Më pas, skenari ndryshoi. Ëndërrova drurë të një natyre tjetër: mbushur plot e përplot me mollë të argjendta e të arta. Ndoshta ngaqë pasditen e kaluar m’u dha rasti të lexoj përralla të bukura ruse nga një libër i Raisa Borisovës. Është shoqja ime e klasës, motra e Volodjes, shokut tim të ngushtë.
Jo vetëm im atë por dhe nëna ime më bën të ndihem i kënaqur, kur e shoh teksa bisedon me gratë e komunalkës. Nuk kemi farefis në Moskë. Jam i përgjëruar për të pasur pranë njerëz të afërt. Një ditë, im atë buzëqeshi kur thashë se jetojmë në Moskë si kallama të vetmuar në stepë...
Kur Vilnëvi përkëdhel me butësi kokën e ndonjë foshnjeje, të mbështetur butësisht në gjirin e nënës së vet, lëshon ca zëra të çuditshëm përkëdhelës. Padashur, më ngjan si aktore kukullash në teatrin për fëmijë: ‘‘Ugolok Djedushki Durova’’. Për herë të parë aty kam dëgjuar një kukull të thotë me zë të mprehtë se Partia është nëna e gjithë fëmijëve...
Zakonisht, nëna ime mundohet ta shmangë përdorimin e kuzhinës së përbashkët. Pëlqen më mirë të gatuajë në stufën e vogël të dhomës. Prej saj duhet të kem trashëguar cilësinë e përgjimit. Në vendgatimin e përbashkët kujdeset të shkojë vetëm kur aty nuk ka frymë njeriu. Sidoqoftë, jam unë që dyshoj se përgjon para se të dalë nga dhoma. Ime më është një person që s’mund t’i bëjë dëm as një mize. Për të mbushur ujë nga çezma përdor një gjym grykëgjerë prej llamarine zinku, me një vesh, me fund të nxirë nga bloza. Kur kthehet në dhomë ka zakon të ecë me hapa të nxituara, duke mbajtur gjymin e rëndë me dy duar, për shkak të veshit të shkulur nga vendi. Dyshoj se më shumë se sa të shpëtojë nga pesha, nxiton ngaqë nuk dëshiron të takohet me asnjë në korridor. Ndonëse i respekton komshinjtë tanë, përpiqet të shmangë bisedat me gratë e banesës, sikur të dojë, në atë mënyrë, të mënjanojë një të keqe të madhe, që qëndron natë e ditë pezull në ajër e që mund të na dëmtojë familjarisht. Sigurisht që e tepron me natyrën e saj të veçantë. Herë-herë kam përshtypjen se ndien rrezikun pranë më shumë nga ç’duhet. Kështu janë ndërtuar gjenet e saj. Tjetër është natyra e tim ati, e mbushur me optimizëm e shpresë. Sa për njohuritë e mia të fshehta, të hedhura në këtë si biçim ditari, nuk ka dijeni as njëri as tjetri.
FRAGMENT ROMANI... vazhdon....
Comments