PËRGOJIME DHE REALITETE NË MJEDISIN E LETRAVE SHQIP





Vangjush Saro


Bisedë


Këto ditë, besoj edhe për shkak të Panairit të Librit, që sa u mbyll, është folur shumë për Letrat Shqip, për karrierat letrare, për lidhjet e Letërsisë me institucionet, e kështu më tej. Me raste, vend e pa vend, ka zëra (aso dëgjohen nganjëherë, rrallë e për mall) që kërkojnë nga jeta (dhe nga letrat) më shumë se ç’mund të japin ato realisht, edhe në episodet më të pëlqyera.

Po ndalem më poshtë në disa prej termave më të përgojuar së fundmi, gjithnjë duke e kamufluar shënimin tim, jo më së koti, si një bisedë; që do të thotë se për do argumente, mund të ketë të tjera vështrime.


Një panair fjalësh për… Panairin e Librit


Panairet e Librit nuk se janë ndonjë çudi e madhe; por assesi një aktivitet që mund ta shpërfillësh. Botuesit mëtojnë të pasqyrojnë punën dhe arritjet e tyre, janë njëfarëlloj të detyruar të marrin pjesë; ndërkohë, për autorët pjesëmarrës gjithashtu është mirë, por jo ndonjë humbje e madhe për ata që s’janë atje. Pra, nuk ka vend as për eufori, as për përfundime cinike. Le të synojmë pak më shumë ekuilibër e thjeshtësi në ato që themi…

Vendi nuk është për mburrje apo ‘larje hesapesh’ (me këdo). Lexova rastësisht një shënim të dikujt, që mes të tjerave u apelonte politikanëve… të mos duken andej nga Panairi i Librit; mbase ishte fjala edhe te promovimi i krijimtarisë së tij. Një tjetër, në emër të urrejtjeve të shkuara, thirri në ndihmë një politikan të së shkuarës, Enverin (Hoxha). Habitem se si disa krijues pompohen (nga ndonjë medie) apo vetëpompohen në këtë farë feje!… Individët në fjalë mund të jetë letrarë shumë të mirë, s’kam lexuar asgjë prej tyre, ashtu si mund të ketë dhe të tjerë që s’i kam lexuar e s’i njoh, sikundër shumë mbase nuk më njohin as mua e, në këtë mes, s’ka asgjë për t’u habitur a për t’u mërzitur… Por më bëjnë përshtypje kjo ‘zjarrmi’ e shtirur dhe ky tangërllik. Pse do të duhej të silleshin politikanët në promovimin e këtyre autorëve? Ç’punë kanë politikanët me letërsinë, edhe nëse e kanë shtypur, edhe nëse e kanë penguar, edhe nëse e kanë inkurajuar…

Janë tema të ndryshme dhe larg njëra-tjetrës; dikush rreh t’i përplasë, nuk e di pse… Për t’i dhënë vetes rëndësi, për të prodhuar ndonjë aureolë (!) Unë besoj që krijimtarinë e mirë s’e pengon askush. Qasja plot mllef te politikanët (e çdo kohe a krahu) është njëlloj justifikimi për të mbushur mungesën e lexuesve a të njohjes në atë masë që do ta dëshironim. Shkrimtarët le të shkruajnë. Dhe ata që e dinë veten në kuota shumë të larta, le të konkurrojnë jo me letrarët vendas, por me ata të botës, le të përkthehen në gjuhë të tjera, le të përpiqen të bëjnë për vete lexuesin e huaj, Kritikën Letrare të atyre vendeve, kineastët gjithaq, le të risin tirazhet e librave të tyre… Të tjerat janë demagogji e prapambetje. Nuk kam lexuar asnjëherë më parë ndonjë autor të huaj që të kapet kësisoj me politikën dhe politikanët. Për ne shqiptarët kjo është bërë modë. Po bëhemi thjesht vanitozë.


‘Mungesa’ e Kritikës Letrare, si shfajësim për mosarritjet


‘Panaire’ fjalësh ndjekin edhe zhanrin e Kritikës Letrare, prej jetësh. Në vështrimin tim, ky institucion është aq sa është; kush e ka veprën të shoqëruar me shënime letrare nga emra të njohur, zakonisht nuk e bën ankimin qëllim në vetvete. Kjo nuk do të thotë se nuk ka asish (krijime) që Kritika Letrare duhej t’i kishte konsideruar më mirë. Kritika Letrare, si e tillë do të duhej të ishte në një tjetër lartësi e përgjegjësi. Për autorin e këtyre radhëve, edhe pse krijimtaria e tij është mirë e vështruar nga Kritika Letrare dhe kolegët, qasja në krijime të veçanta e në disa vlera (le të besojmë te ky term) lë për të dëshiruar. Kujtoj se shpesh, intelektualë që nuk e kanë pasur për qëllim këtë zhanër, por ngase janë të shkolluar mirë e në vazhdimësi të azhornuar me letërsinë, publikojnë ndonjëherë fraza që assesi nuk i arrin dot Kritika Letrare. (Nuk po shkoj në detaje se mund të cilësohej si mungesë modestie.)

Por ani, Kritika Letrare aq ka marrë përsipër deri më sot. Për fat të keq, ndonjëherë çështja bëhet farsë. Bërtitjet kundër këtij zhanri janë soj-soj dhe gjithashtu çojnë në… shfajësimin për mosarritjet letrare. Pra, qenka faji i saj që aksh autor nuk njihet apo s’i gjen dot lexuesit; se për famë s’bëhet fjalë… Mendoj që për një shumicë amatorësh, edhe Kritika Letrare do t’u besohet kryesisht amatorëve; dhe nuk ka asgjë për t’u mërzitur. Nga ana tjetër, qofsha i gabuar, rrjetet (bie fjala, edhe Fb) janë kaq të hapura dhe kaq pa kufij e ‘sedër’, saqë nuk mund të kërkojmë institucionalizim a bindshmëri të Kritikës Letrare në to. Nuk ka vend as për trishtim, as për shpresa naive e vanitet.


Shënim për vlerësimet dhe (për)çmimet


Le ta pranojmë, pjesë e këtij mjedisi apo jo, shpesh kemi qenë dhe jemi në grotesk. Bie fjala, në panaire, gjithnjë, çmimet i diktojnë botuesit më të mëdhenj - ata që kanë në dorë shoqatat, që përpunojnë opinionet - dhe, rëndom, ua ‘dorovisin’ ato autorëve, pra librave që botojnë ata vetë. Ky ‘skeç’ duhet marrë me sportivitet; ka përkohësi në çdo aventurë. Meqë ra fjala, në një nga konkurset e fundit, diku afër në kohë, z. X, që ishte Kryetar Jurie, ia dha çmimin (ndër të paktat që u dhanë atje) z.Y… (S’po ua them emrat tullë, e shoh si dukuri.) Këta të dy janë shokë prej dekadash, kanë punuar dhe punojnë bashkë, rrinë e pijnë kafe gj