Përballë mjekëve




Meri Lalaj

Ndoshta mendimi për t’u bërë mjeke më pati lindur që në fëmijëri nga leximet e librave, madje e pata përcaktuar do të bëhesha kirurge që të shpëtoja të sëmurët duke vepruar jo vetëm me mendje dhe me zemër, por edhe drejtpërsëdrejti me duar. Dhe, unë nuk do të isha në këtë jetë në rast se Profesori kirurg, Petro Cani dhe kirurgia e mrekullueshme ruse Margarita Basha në një tryezë operacioni më shpëtuan si në përralla duke bashkuar copat e trupit tim dhe duke i spërkatur me “ujë gjallë e vdekur”. Megjithëse nuk u bëra mjeke, unë gjatë gjithë jetës kam lexuar libra që kanë lidhje me mjekësinë edhe ndiej tjetër emocion kur ndeshesh me libra të shkruar nga mjekë shkrimtarë.

Gjatë ditëve kur ishim të ngujuar nga virusi 19, vijoja të lexoja librin e Profesor Doktor Fedhon Meksit “4 Burra”, një libër i shkruar me shumë përkushtim dhe dashuri për burrat që i janë përkushtuar kombit shqiptar: Mahmud Pashë Bushati, Ali Pashë Tepelena, Naum Bredhi Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa. Doktor Meksi me shumë durim ka hulumtuar në mëse 100 libra dhe dokumente për të ndriçuar këto figura të vyera, të cilat i bëjnë shumë nder historisë së Shqipërisë. Detyra e çdo njeriu është të bëjë diçka për Atdheun e vet.