Për vellimin poetik ‘Lotët e hardhisë'
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 16, 2022
- 5 min read

NGA SHKELQIM HAJNO
-Një veshtrim për vellimin poetik ‘Lotët e hardhisë ’ me autor Panajot Boli-
1. Në një libër me poezi si ky që po merr në dorë lexuesi, bota poetike e autorit shpërshfaqet përmes një lirike në dukje ‘naiviste’por që gëlon të jetë zëri që pikon ngado mall po edhe dhimbje. Rigon mall për peizazhet e një bote humane që nuk është më si dikur; rigon nostagji ndaj peizazheve të natyrës dhe atyre të një bote shpirtërore që i risillen e risillen në mend e shpirt si ëngjejt e mbetur në eterin e një universi nga i cili ai, nuk shkëputet dot dhe, hera-herës, ndjen dhimbje. Kali i fëmijërisë i Panajot Bolit, endet e endet. Çfarë kërkon ky troku i tij? Dhimbje për botën e fëmijërisë dhe rinsië së hershme. Nostalgji për miqtë për shokët e universitetit, po edhe për fytyrat e dikurshme njomëzake të nxënësve të tij të varfër diku në viset e Librazhdit, por shumë të pasur me dashuri. Duket sikur autori rend. Rend si me një ngut të madh për t’i risjellë ato ikona duke udhëtuar me një kalë të bukur që dihat por nuk lodhet kurrë. Me kalin e fëmijërisë dhe rinisë së tij rend nëpër gjurmët e dikurshme që kanë mbetur të pashlyeshme në botën e tij shpirtërore.(“Shalova kalin e fëmijërisë…”) Dhe si në një sonatë dashurie në përsiatjet poetike, ai përqafon e prek, e risjell njerëzit që kanë shënjuar jetën e tij, risjell një puthje nga simfonia e rinisë së tij dhe një imazh që kurrë nuk i ndahet deri përtej mesditës së jetës së tij dhe e shoqërojnë si hijet e mira të një engjëlli mbrojtës, Është vështirë ta kornizosh poezinë e Panajot Bolit, si një herë e një mot, me cikle e kapituj, në ‘kornizë’ ,si në një formacion poetik, sepse, në jetën e tij aktive nuk ka një calendar, nuk ka nje manometër cerebral, të akullt. Në linjëzimin e poetikës së tij motivet gërshetohen sic janë në jetën e tij aktive e të ngjeshur: herë me melankolinë e herë -herë me trokun e një kali që ecën me galop në kërkim të kujtimeve, të fytyrave ëngjëllore,por që nuk shlyhen kurrë nga vetëdija e tij poetike . (“Lotët e hardhisë”,“Unë erdha baba”, “Dora e nënës”, “Çeli bajamja”, “Vjeshta”, “Shalova Kalin e bardhë të fëminisë”,”Shi i përmalluar”, “Shpërthim pranvere”, “Ky vend memec”, “..Në shpirtin e vetmuar vranësira vjen e ulet si mike e paftuar”, “E luten diellin të sillte pranverën me shpejt/Ta shtynte me berryl pak dimrin me thellim”, “Si ike vjeshta ime pa më dhenë një puthje të ngjyer me dhimbje?”, Bota e fshatit shfaqet gjithëherë përmes një lirike ngarkuar me mall e pasion mes imazheve kurdisin një botë të tërë malli shpirtëror. Vetë animizimi poetik i natyrës, sillet në libër me parfumin e luleve të fshatit me nje delikatesë poetike te metaforës(/ Dy pika loti lëshoi hardhia ime tek i krihja flokët..// Ti kafen e pi vetëm në verande në heshtimin sublim/ Ndersa dielli u vë buzëkuq reve tutje...në përendim.)
2. Në këtë habitat natyror, ku “ Bajamet dhe mimozat kafshuan buzët e nxira”, uni poetik bëhet një me peizazhin.( Mua mos më prit, as mos më thirr ëmbël në emër Jam si lulja e brishtë e bajames që thellimi më ngrin.) Diku tjetër: - Humba buzëqeshjen /Buzëkyçur dashuria/ Më shpon thellë shpirtit Murgeshë- vetmia. “ -Po ndërsa uni poetik herë- herë në lirikat e natyrës prek trishtimin e ngarkuar me mallin për ato që nuk kthehen më dhe, ndjen vende-vende ciatjen e bulëzimit të sytheve të hardhsie duke pikuar lot; dëgjon bulkthin e natës nën tisin e muzgjeve ngarkuar me arome mushti dhe erëmirat e frutave të fshatit si të ngarkuara me shtatzaniën e vjeshtës, hënëzat e lumit Bistirca si një lojë me pasqyra në kopshte parajse; në lirikën dashurie të autorit , ngjet pak më ndryshe. Është një fjalë e pathënë? Ç’i ka mbetur peng autorit? (|Më vello nuserie më shfaqesh ti, mes lumturisë së marrosur/Përqafimet, puthjet, të gjitha të bardha, si etja...e zjarrtë.) .Dashuria në vargjet e tij vjen edhe si një mjegullim që bulëzon e pikon në erosin e lirikave, më tepër sesa një trup femëror; si një kumt ku lexuesi e përfytyron përjetimin poetik, në trajta herë episodike e herë jo, ku davariten të tymta e vijnë shenjta që’ ia vjedh gjumin përmes zjarrmish të largëta e të afërta. Uni lirik vjen herësi një kumt, e herë një ëndërr që shpaloset përmes metaforave të kursyera dhe vende-vende, imazheve të befta. Kësisoj, në një lexim të vëmëndshëm të poezive, të krijohet ndjesia, se rri varur atje si në një degë me lule bajame shpirti i një gruaje që shfaqet here si nje aromë herë si një re që era e ka davaritur ndaj mëngjesi ose në përëndimin e purpurt që përbashkon një hapësirë nga vitet e rinisë së parë, në klasat e një shkolle mes nxënësve deri në ditëtë e mbrëmjet e sotme kur vitet e kanë spërkatur me brymën e bardhë të thinjave moshore. Por gjithësesi me një ndjesi lirike plot klorofilë shpirti( Puthjen e shpejtë dhenë fshehtas para ziles se mesimit...// Ti mos u zëmëro e dashur, ca kohë do të mungojnë sytë e mi..//.. Ngelëm të dy të shurdhët nën pelhurën e hirtë qe na mbulon) Dhe sikundër papritur shohim tek një degë peme sythin që çel, dashuria vjen si plazmim i fytyrës së një gruaje (“Ti je larg” Iu luta, një anijeje të bardhë mes kaltërsisë të ngrenë/T’ju sjellin në limanet e zemrave urimet nga mua. Ti me muzgun gri, unë me shpresën e një dite që agon.// “Pragndarjet “( Dridhen gjethet në degë të pemës, e frikshëm nisin të zvedhen,/Ankthndarja nga trungu amë i frigon, e rrugëve derdhen.// Shpirti gruas a i një vajze të dikurshme kthehet herë si një vegim e herë si një mall, por ngaherë, si një motiv muzike i pambarimtë në ndezjen e prushit të dashurisë shfaqur si një gjendje e fshehtë që digjet në heshtje veçmas në purpurin e muzgjeve ndanë lumit. Lirikat e natyrës dhe dashurisë në këtë përaqitje poetike duken si një filigramë fijesh delikate endur herë më pëshpërimë, herë me dhimbje pë rndarjet dhe, herë më një fjalë, a një puthje mbetur në erë, si ca petale gjigande impresioniste varur vitesh me ca fjalë të pathëna, por, me një gravitet që ngjizet pritjes së gjatë. Dhe mes ecejakeve, mes të kaluarës dhe së tashmes, ka hyrë vjeshta në jetën e autorit, “ Si ike kështu vjeshta ime pa më dhenë një puthje të ngjyer me dhimbje?” Në këtë vjeshtë të “ shekullit të tij të marrosur”, “Mbremë vonë era uleriu frikshëm,vallë ç’inat kishte ?/Vuri kujën për pyllin e djegur, si e çmendur bertiste”); Me qiri kërkoj shpresën në muzg/Ca hije më ndjekin pas si fantazma/Më dritën e qiriut i tremb/Me flakën e tij dua t’i djeg.”(“Kjo shpresë”) Në lajtmotivin e “ shekullit të tij të marrosur”, vijnë natyrshëm edhe ritmet e botës së shqetësuar (“ Pak dritë, pak ujë e një fasho të bardhë”). (“Këmishën e zëzë të natës dua të shqyej sonte/Bashkë me Migjenin të gjej një qiri me dritë/Në errësirën qe dridhet nga të ftohtit të gjej miqtë/Të shohim plagët e vendit tim/Qe pikojnë qelb...”) Dhe në këtë hulli të një jetë intensive “Janë ca kujtime” pohon autori, (Ç’e trazojnë shpirtin oh, si në ditë vjeshte në perendim/E vijnë si shirat krejt papritur me shtrëngata e vetëtima”) Metafora e rrepeve të gjora që u shtrinë në lumë si dinaosaurë, (- U shtrinë rrepet e gjora në brigjet e lumit tim si dinosaurë/ Në krah një shirit të zi vuri Bistrica,dhe në zëmër një gur.), shtrihet përtej një poezie, përtej një vëllimi poetik. Lirikat e Panajot Bolit në këtë libër vijnë si kumtet e një një krijuesi me një jetë të shpërndarë, sa në shenjtërinë dhe brishtësinë e fëmijëve të shkollave, po aq edhe në rrugëtimin e autorit në disa dekada si publicist e, po aq ,edhe si veprimtar e një bard që të kujton atë pemën e lofatës që drejtohet për nga bluja e qiellit, me degët, me trungun në lëkurën e të cilit lënë gjurmët ndër vite stuhitë e erërave po edhe me gjethet e lulerrushkuqet që, të befasojë sytë me prushin e zjarrtë të tyre në simfoninë jeshile të stinës së blertë .
Comments