top of page

Për vëllimin me tregime " Mos harro" dhe vëllimin me poezi " Lirikat e vjeshtës"


Për vëllimin me tregime " Mos harro" dhe vëllimin me poezi " Lirikat e vjesjtës" të shkrimtarit dhe poetit Pajtim Xhelo

Të shkruash për një libër të Pajtim Xhelos, gjithçka të bëhet e thjeshtë, fjalët dhe mendimet të vijnë natyrshëm, sepse arti i tij është i vërtetë, po kur nis t'i hedhësh në letër ndien peshën e rëndë për t'u shprehur të duhurën lexuesve të tij në një paraqitje tërë bukurinë, vlerat artistike, rëndësinë shoqërore të asaj që do të gjejë në faqet e këtij libri. Shpesh është pothuajse e pamundur të dallosh shkrimtarin, historianin, studiuesin, albanologun, të afërmin, kolegun, komshiun, sepse në tregimet e këtij vëllimi i gjejmë të gjithë. E veçanta është " gëlqerja" dhe " çimentoja" lidhëse e ngjarjeve të treguara : dashuria dhe krenaria për kombin e tij, cilësi kjo, jo vetëm e një shkrimtari, por edhe e një personaliteti të gjithëformuar. Personazhet e librit nuk fluturojnë si në përrallat e fëmijërisë ose të fantashkencës, por që të gjithë i kanë këmbët në trojet pellazge, ilire, shqiptare : Shkodër, Ulqin, Ulpianë, Draudak, Shkup, Konicë, Kostur, Çamëri, Janinë, Selanik, Vlorë e përsëri në Vlorë, ku ka jetuar prej katër shekujsh fisi i tij, Vlorën që ai dhe ne,shoqet e shokët e tij e donim dhe e duam aq shumë, i dhamë jetën dhe shpirtin tonë me një vetëdije të kulluar të birit për prindin. Pikërisht për këtë Vlor, që ai e quan " Sirenë mbi dy dete" në një nga poezitë e tij perlë, Pajtimi ka gjetur e ngritur në art Legjenda që të dehin me verën e tyre brilante, të një pene e mendimi brilant. Askush tjetër nuk mund ta bënte këtë si ky shkrimtar dhe për këtë ne vlonjatët duhet t'i jemi mirënjohës. Këta personazhe, në shmicën e rasteve realë, shpesh me emrat e mbiemrat e tyre të vërtetë dhe në disa raste artistikë, falë mënyrës dhe astësisë së të treguarit, me vërtetësinë e tyre të "detyrojnë ëmbëlsisht" t'i dëgjosh , t'i kuptosh, t'i dashurosh ose përbuzësh, ashtu si ndodh në jetë reale. Tregimet " Muzgu i fundit i Amanties ", " Pani dhe Hija", " Ujqit e hirtë", " Albani i Danubit" etj, janë LEKSIONE TË MIRËFILLTA AKADEMIKE të historisë dhe atmëmëdhedashurisë të ngritura në nivelin më të lartë të mundshëm artistik. Dhe është e natyrshme që, duke lexuar librin, të lind një tërheqje e fuqishme manjetike për ta çuar deri në fund, e për të pritur me ankth që të kishte akoma dhe akoma, pambarimisht tregime të tjera. Është kjo tërheqje që mban dorëpëdore, jo vetëm lexuesin e personazhet, por edhe kohët, epokat, hapësirat shqiptare, , simbolet, të kaluarën e të tashmen. Gjithë kjo pëmbajtje historike, njerëzore, mjedisore e tërëkohore ka brenda kuadrit të saj penelat shumëngjyrëshe të piktorit të shpirtit pellazg, ilir e shqiptar, ka sinfoninë Beethoviane , Vagneriane e Shopeniane të atij njeriu që quhet Pajtim Xhelo. Fola për ngjyrat dhe melodinë dhe më duhet të theksoj, se personazhet që na flasin në tregimet e këtij vëllimi janë ngjyrosur e kompozuar të gjithë njëlloj, si ata të rëndësishëm, ashtu edhe ata të rëndomtë dhe ajo çka është e rëndësishme, kornizat e tyre janë të tilla, që të futin në përmbajtje siç sjell flladi mëngjesin e bukur të fillimvjeshtës. Kur ke mbaruar së lexuari tregimet, ndihesh sikur ke vrapuar në kohë e më në fund po hyn në një sallë ku takon të kapur dorëpërdore personazhet historikë dhe të zakonshëm, po realë, që kanë jetur me qindra e mijëra vite larg nga njeri tjetri. I sheh, i dëgjon njëlloj si në jetën e përditëshme, bisedon e grindesh me ta kur janë të paudhë, edhe pse të famshëm, si Ali Pashë Tepelena, emocionohesh me madhëahtinë e Aleksandrit pellazg e ilir, të Pirros së Epirit pellazg, qetësohesh e mahnitesh me bukurinë e trimërinë e Teutës. Unë jam i bindur që edhe ju kur të lexoni këtë libër do të krijoni po atë mendim që krijova edhe unë : Pajtim Xhelo, jo vetëm i ka zbukuruar këto personazhe me penelën e piktorit dhe me muzikën e shpirtit, por i ka shpluhurosur nga largësia e viteve dhe shpërfillja e pseudo artistëve dhe historianëve. Në tregimet " Marrëzia e Vetmisë", " Të heshtësh rebelimin e shpirtit " e të tjerë, ballafaqohemi me një tjetër tipar që e ndriçon penën e autorit, të treguarit pa perde, me kurajo civile, pa moralizëm puritan, duke mos marrë pjesë në gjykimin e sjelljes së personave, por duke u përqëndruar në veprimet e tyre, për të na dënë karaktere të thjeshtuara, për të cilat krijojmë simpati, antipati apo mëshirë. Do thosha, që ai na lë bashkë me bëmat e tyre në një dhomë të mbyllur, ku i kemi përballë dhe i studiojmë...Vet merr pjesë rrallë, për të mos thënë asnjëherë. Do ndalem paksa te tregimi " Ato ditë ai u bë njëzetë vjeç" Është një ngjarje e vërtetë, mbi fatin tragjik të xhaxhait të Pajtimit, e shkruar me vërtetësi besnike, ashtu si e kam ditur 55 vite më parë nga goja e Pjtimit. Edhe në këtë tregim, i cili trajton poshtërsinë e fallsitetin e udhëheqësve të PK, AUTORI NGRIHET MBI PASIONIN, MBI URREJTJEN LEGJITIME, PËR TË CILËN NUK DO TA KRITIKONTE ASNJË PREJ NESH, aty sheh e admiron njerëzoren, personin me shpirt hyjnor, moralin e jashtëzakonshëm të një njeriu që e lë ndëshkimin në dorën e krijuesit dhe të kohës gjykatëse. Kjo është fisnikëria e një shpirti e mendimi mbinjerëzor. Në tregimin " Gruaja që shpërfilli frikën" , " Të rrugëtosh me një dyshim" etj, hasim ngjarje e persona të kohës së diktaturës, për të cilët autori nuk ka ngurruar të përdorë emrat e vërtetë, sepse i ka përjetuar. Kamilo Benso Konti i Kavurit shkruante : " Pasuria më e madhe e një kombi është Dinjiteti i tij" Dhe në këto tregime ndihet e shihet qartë përpjekja e sistemit të diktaturës për t'i vjedhur shqiptarëve këtë dinjitet, deri aty, sa shpesh detyronin mendimin servil, hipokrit e spiun. Në tregime flitet edhe për periudhën e pseudodemokracisë të pas viteve " 90" si në tregimet " Qyteti fantazëm" e të tjerë, ku akuzohet tërthorë ose direkt pasiguria e jetës së shqiptarëve, hipokrizia e klasës politike të këtyre viteve dhe ku ndihet zhgënjimi i tmerrshëm i atyre që patën shpresa dhe ideale për ardhmërinë. Zëri ngrihet i fuqishëm, si ai i Julius Fuçik " Njerëz jini vigjilentë, e keqja kthehet prapë!" Një 1997 në dyert e shqiptarëve është gjithmonë gati për të trokitur . Do t'ia hapim portat?! Atëhere na mbyllën gojën me kyç dhe na i ngritën lak mendimit, sot po na vjedhin gjithçka, shpirtin, pronat, pasurinë kombëtare, duke mbajtur në duart e tyre çelësin e ligjit, kurse popullit i kanë lenë çelësat e kashtës. Nëse dje na ndalonin, sot na injektojnë fuqinë e errët, shtazarake të akumuluar në shpirt, për të na nxitur kundër njeritjetrit në momente të caktuara për interesat e tyre. Për nëpërkëmbjen e dinjitetit të kombit që ka krijuar Europën nga klasa politike shqiptare, Pajtimi ka folur në disa ese me fuqi goditëse e kurajo qytetare, të cilat janë një vlerë e shtuar e veprimtarisë së tij shoqërore e politike. Më vjen ndërmend thënia e Labërisë : " Në fshat tënë kështu e kanë, katarrosh me brirë s'mbanë, ja vriten, ja vet i hamë" Do t'i lemë hienat e politikës shqiptare ta zbatojnë këtë thënie për njerëz që i shërbejnë kombit? Natyrisht, jo. Duhet t'i ndihmojmë në misionin e tyre fisnik...Një komb ecën me idealistët, jo me hajdutët e sharlatanët. Nuk hyra fare në problemet teknike, sepse po e le në dorën e lexuesit të kualifikuar.Më duhet të theksoj që mësuesi i letërsisë dhe gjuhës shqipe në vitin e parë të Gjimnazit na thosh ne të tjerëve : " Pajtimi e njeh gjuhën shqipe, sidomos drejtshkrimin, më mirë se mësuesit" Në shkrimet e Pajtimit gjen gjuhën shqipe të pastruar nga fjalët e huazuara...Ai flet shqipen e bukur që duhet ta flasin të gjithë, po sidomos shkrimtarët e poetët, të cilëve u bëj thirrje që të ecin në shembullin e tij.

Po them vetëm që Zoti t'i japi jetë të gjatë e shëndet mikut tim, Pajtim Xhelo, sepse jam plotësisht i bindur që do kemi nga pena e tij vepra gjithnjë e më dinjitoze. Çfarë ka mangësi në këto vëllime? Po, aty gjejnë përgjigjen e merituar armiqtë tanë të përhershëm, klikat shoviniste serbe dhe greke, pseudohistorianët dhe pseudopolitikanët, pseudoartistët shqiptarë, armiq të kombit. Natyrisht, për poezinë e Pajtim Xhelos, më duhet të pranoj pa më të voglën mëdyshje, se ajo sjell në një art të ngjitur në majën e Olimpit atë, njeriun që jeton njerëzoren, të thjeshtën , me përjetime të çiltra e të besueshme, të prekëshme, sa që të duket sikur je ti aty, kudo, në çdo faqe, në çdo poezi. Pajtimi është Mjeshtër i Madh i vargut, i rimës ( sidomos asaj të kryqëzuar), i ritmit, i figuracionit të fuqishëm, po fin e më në fund, me të gjithë këta elementë na jep Mesazhe që të çudisin për nga larmia e tyre, natyrshmëria dhe bukuria. Rrallë poetë kanë trajtuar temën historike në poezi. Te Pajtim Xhelo, historia e Kombit tonë ngrihet e madhërishme, e vërtetë, jepet e brishtë dhe e fuqishme njëkohësisht. Këto poezi Mëmëatdhetarie të Pajtim Xhelos, duken si pemë të mbjella në shkretëtirën e sotme të historisë sonë, të cilat, jam i sigurt që do të shërbejnë si leksione akademike për ata që do t'i lexojnë. Pa e tepruar ( ky është edhe mendimi i të tjerëve) them se ky poet i ka sjellë Shqipërisë një Esenin të mirëfilltë Përfundimisht e them pa rezerva dhe pa e tepëruar që Pajtim Xhelo është një shkrimtar dhe poet që me formimin e tij poliedrik, e talentin e tij të padiskutueshëm di të ngrejë në një art superior HISTORINË E KOMBIT TË TIJ, si akush tjetrë Është fat dhe privilegj për ata që do t'i kenë librat e tij në dorë...Ato janë një vlerë e shtuar për shpirtin tonë, që po na mjegullohet pakngapa

Ndihem i nderuar dhe krenar, duke besuar që po shpreh edhe mendimet e shokëve e shoqeve të dikurshëm e të tanishëm të gjimnazit, që po më jepet mundësia të bëj me dije disa nga vlerat e shkrimtarit dhe poetit Pajtim Xhelo, vlera që përcjellin mesazhe atmëmëdhetarie, dashurie për njeritjetrin, fisnikërie e shpirtmadhësie...Vlera të një zemre që rreh pandërprerje për dinjitetin e Kombit, ashtu si rrahin zemrat e brezit tonë!

Respekt e mirënjohje këtij njeriu me talent të padiskutueshëm, që po i jep Kombit nga mendja dhe shpirti i tij!

Pr. Ahmet Brahimi , studiues në filologji.

Verona , Itali

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page