top of page

Për të qenë një pamje realiste


Alda Taçe Shpata

Për të qenë një pamje realiste

Jo e keqe si vajzë. Aspak e keqe. Tani që po e mendoja, ajo nuk kishte asnjë emër të përshtatshëm. Gjithsesi, ky interpretim ka kufij. Pamje me përmbajtje, parë nga jashtë. Ajo heshtte pareshtur, ndoshta ishte mesi i muajit kur e vura re. Mbase ishte fundi i vitit që shkoi ose fillimi i këtij që jemi. Në dukje nuk ka rëndësi, por unë dua ta kujtoj. Një blanë madhoshe më shfaqet në kujtesë para ditës që mbërriti ajo. Unë nuk kam kujtesë. Unë kam aftësi të veçanta, sulmin dhe mbrojtjen i kam aleatë. Ajo ishte tërheqëse, ose çasti që e solli para syve të mi, ishte i magjishëm. “E kam shumë problem, - i thashë. - Edhe pse ti nuk flet, unë ta ndiej mungesën.” Më mirë të bëja diçka sesa të rrija duarlidhur. Vështrimi i saj i ngultë nuk më stepi. Nuk kisha asgjë, pështjellimi më mbuloi dhe u gjenda i humbur. U shtriqa në një trup dhe mendje tjetër. Nuk kam qenë asnjëherë i zoti të dal nga emri im dhe të bëhem i ditur. Mendova nga një emër tjetër për të, megjithëse nuk isha i prerë për të qëndruar në trupin e tij petashuq. Ajo ngriti sytë dhe më zbuloi. Më pa me një vështrim të zbrazët dhe më kërkoi një këngë të krijuar veçmas për të. Çfarë ironie! Para gjashtë-shtatë vitesh, nuk e di fiks se kur, unë e kisha krijuar një këngë. Si kisha mundur ta parashikoj këtë?! Rasti e solli, nuk di të parashikoj. Ca çaste më vonë i këndova këngën. U përpoqa ta zhdukja të gjithë vetëdijen time duke germëzuar çdo fjalë të saj. Për një çast u ndjeva në pozicion mbrojtës, e ruaja këngën time të krijuar para kohe për të. Po të kishte qenë e mundur, do ta kisha parë çudinë e tingujve nga brenda. "Unë di të dëgjoj, - më tha. - E kam dëgjuar në një kohë e në një trup tjetër këtë këngë. Çfarë rrethanash absurde dhe çfarë kthese kishte marrë fati me këngën time. Dyshova! Të kthehemi aty ku e lamë. Nuk ishte aspak vajzë e keqe.

38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page