top of page

PËR TË DREJTAT E BANORËVE TË PRESHEVËS


KUR DO KUJTOHEMI PËR TË DREJTAT E BANORËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS?

Opinion

Në tragjizmin e fatit tonë historik, janë edhe gati nja 100.000 vëllezër e motra të Luginës së Preshevës, që i mbajnë sytë dhe shpresat nga Shqipëria. Ata jetojnë në trojet e tyre shekullore prej rreth 1.250 km2, por në suazën diskriminuese të shtetit serb. Mbetën atje pas një ndarjeje që u quajt shkëmbim qysh nga viti 1945. Janë stërnipat e Idriz Seferit, Heroit të Popullit të dy vendeve, paradoksalisht edhe ata të ndarë, pjesëmarrësit me emër të Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës, dhe udhëheqësit legjendar të kryengritjeve anti osmane të viteve 1908, 1910, 1912 dhe luftës kundër pushtimit serb në 1913 atje në Grykën e Kaçanikut. Nuk janë pak 41 vendbanimet e tyre, ku dallojnë selitë komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Mirëpo, të angazhuar në takime absurde të pafund dhe pa bereqet që ndërkombëtarët impononjnë midis Aleksandar Vuçiçit dhe Albin Kurtit, duket se askush nuk e ka mendjen te të drejtat e nëpërkëmbura të këtyre banorëve paqësorë. Ata vuajnë urrejtjen e përbuzjen e orkestruar nga politika zyrtare serbe dhe me të drejtë pyesin: Kur qeveria serbe e llastuar nga diplomacia e huaj pa asnjë arsye kërkon asociacionin në Kosovë për Komunat me shumicë serbe, po për neve përse nuk kujtohet kush ta kërkojë po këtë status? Si nuk argumenton diplomacia shqiptare që e ka për detyrë, se kur Vuçiçët me shokë, sikur të mos kishin punë tjetër, nuk pushojnë së ulërituri për “të drejtat” e mohuara të banorëve serbë në Kosovë, ata së pari duhet t`i zbatojnë ato të drejta me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Dihet se në politikë ka çudira nga më të çuditshmet, por të shpifësh pa pikën e turpit se pakica serbe në Kosovë po vuan terrorin e Kryeministrit Kurti, kjo i kalon jo vetëm caqet e ligësisë, por edhe ato të çmendurisë. Vërtetë, diplomacia ndërkombëtare bën sikur nuk e di atë historinë e Nastradinit që kur e kapën duke prerë drynin, tha se po i binte violinës dhe kur i thanë se nuk po dëgjojmë ndonjë muzikë, u përgjigj se kësaj violinës time i dëgjohet muzika më vonë. Për të qënë i aktë, asnjëherë nuk e kam kuptuar se përse pas humbjes së luftës në vitin 1999 nga ana e agresorëve serbë me të pashpirtin Sllobodan Millosheviç, në oborrin e të cilit nuk mungoi as fytyrëvrerosuri Vuçiç, Lugina e Preshevës iu la shetit serb. Po të paktën një ndjesi njerëzore ndaj atij populli duhet të ketë. Asgjë nuk i lidh shqiptarët e kësaj treve me sllavët e shekujve VI e VII - të. Për këtë, mjaft të bëhet një vizitë e shpejtë në muzeun e shkollës në Preshevë. Atje gjithçka flet shqip e qartë për lashtësi 3.500 vjeçare para Krishtit. Dëgjoja një intervistë të një gazetari nga Presheva në emisionin ODEON, i cili fliste sinqerisht për situatën aspak të mirë që përjetohet atje. Ai kritikonte edhe faktin që asnjë politikan shqiptar sa herë shkon në Beograd, nuk merr mundimin të vizitojë edhe Luginën, të takojë banorët, t`i dëgjojë ata dhe t`i ngrerë ku duhet ankesat e tyre. Asnjë shkëmbim kulturor, artistik apo sportiv nuk realizohet. Le pastaj për ndonjë ndihmë ekonomike a në infrastrukturë që nuk bëhet fjalë. Dhe pavarësisht këtyre, ai theksoi se njerëzit janë të pakënaqur nga politika që ndjek vetë qeveria shqiptare. Ata, jo si vëllezër që janë, por flasin me slloganet e të huajve, ndaj në këtè drejtim po e dëmtojnë jo vetëm çështjen e Kosovës por edhe atë të Luginës së Preshevës. Heshtja e tyre ndaj shkeljes së të drejtave të banorëve autoktonë të Luginës së Preshevës dhe politika e mërzitjes së tyre deri në largim nga ana e Serbisë, që i ngjet tërësisht politikës që është ndjekur nga shteti grek me popullsinë e Çamërisë, nuk e nderon qeverinë tonë. Për më tepër, i paraqet ata si inferiorë para nesh, por edhe para opinionit ndërkombëtar. Diplomacia e huaj kur sheh se me çfarë burra shteti ka të bëjë, shin si t`i dojë qejfi në lëmin e madh e të ngatërruar të politikës ndërkombëtare. Se këtij Aleksandar Vuçiçit mund t`i ketë hyrë vetja në qejf dhe t`i ketë shkrepur të bëhet si Stefan Dushani (1331 - 1335), që arriti hegjemoninë e Serbisë në Ballkan, ose të paktën të rikrijojë “Mbretërinë e Jugosllavisë” si në 3 tetorin e vitit 1929. Ndaj asnjë fërkim krahësh nga Shqipëria atij që deklaron se Kosova është Serbi dhe se nuk ka për ta njohur kurrë. Diplomatët e huaj ne nuk i mësojmë dot sesi të sillen me të, por ne nuk kemi pse t`u mbajmë ison atyre se mos i mbetet hatri Serbisë. Qeveria jonë dhe të gjithë ne, e kemi detyrë të mbrojmë me zjarr interesat e shqiptarëve, kudo që ata të banojnë dhe kudo që fati i ka hedhur. Prandaj, është në nderin e politikanëve, por edhe të intelektualëve që t`i kthejnë sytë dhe vëmendjen edhe nga Lugina e Preshevës. 27 dëshmorët e rënë në periudhën 2000 - 2001 në luftë për të drejtat e shqiptarëve të kësaj Lugine, përmendoren e të cilëve e hoqën forcat speciale serbe me në krye Stankoviçin, presin nga toka amë, tek e cila besojnë edhe atje në amëshim.

6 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page