top of page

PËR SINQERITETIN...


PËR SINQERITETIN NË POEZI

“Shënjtëria e unazës” e Kristofor Mërkurit

Nga Timo Mërkuri

Në këtë vërshim botimesh poetike, me pretendime të shumta për cilësinë e tyre, ajo që është më e rrallë është pikërisht sinqeriteti në poezi. Janë të shumtë autorët që shkruajnë poezi me vargje plot fjalë të mëdha, me tema të njohura, me stile e figuracion të përdorur , me mendimin se nga përdorimi i këtyre fjalëve, temave e figuracioneve diçka do përfitojë krijimi i tyre. Ka shumë autorë që synojnë “ndërtimin” e poezive si një “kështjellë”: për nga fjalët e përdorura si gurë “pellazgjikë”, për nga figuracioni si “tunele të fshehta” që duhet tu gjësh hyrjen për të hyrë në kështjellën-poezi, por harojnë më të thjeshtën: poezia nuk është një “kështjellë”, ajo është një dashuri që ndërtohet me drithërima shpirti dhe me ëndëra. Poezia nuk ndërtohet siç ndërtohen kështjellat, poezia “pëshpëritet” si dashuria. Dhe unë ju them se dashuria është kështjella më e bukur e jetës.

Kështjellave nuk u vlen shumë bukuria e bedenave, atyre u duhet forca e mureve. Në qoftë se do ti personifikojmë gurët që ndërtojmë kështjellën me fjalët e vargjeve poetike, atëherë “llaçi” më i mirë lidhës i vargjeve është sinqeriteti i autorit. Këtu nis poezia, te sinqeriteti i autorit, të tjerat janë pjesë e përvojës, e arsimit dhe kusuri është talenti që kërkon me doemos “ushqim të përditshëm”.

Kristofor Mërkuri në librin e tij të dytë “Shënjtëria e unazës” në 63 poezi shfaq si tipar thelbësor në shprehjen e frymëzimit të tij poetik pikërisht atë më të rëndësishmin, sinqeritetin, qysh kur shkruan në nisje të librit te poezia “Ëndra që se preka kurrë” :[..]” Shikimi më mbeti mbi udhën e largët/Mu duk si një hon dhe frika më merr/U ndjeva i vetëm si një dru i lagët// Ëndrën që kisha se preka dot kurrë”[..] e gjer te poezia [..]”Dua ta shoh (diellin) tekzhvishet ngadalë/E ashtu lakuriq tek kridhet në det”[..].

Poeti është i sinqertë me lëxuesin kur “i pëshpërit” vargun: [..]”I gërmëzoja vargjet në shpirt, i psherrëtija”[..] pa i thënë dikush që kjo është pikërisht rruga e duhur për te tempulli i poezisë. Sepse poezia nuk është një kështjellë që “ndërtohet” apo “pushtohet” duke kacavirur nëpër vargje “shkallë” imitimesh për t’ju ngjitur në bedena e për të ngulur aty “flamurin” tënd poetik si sinjal fitoreje. As duke qëlluar portën me “dashin e hekurt” të botimeve të njëpasnjëshme apo duke bombarduar muret me “gjylet e rrënda” të artikujve kritikë të porositur.

Poezia nuk është kështjellë, poezia është tempull ku nuk hyjnë dot “mëkatarët” vargje vjedhur, imituesit, pompozët e zhurmëmëdhenjtë. Te ky tempull hyet vetëm shpirtërisht “i pastër” nëpër vargje dhe “kokëulur” për të parë dhe gjetur bukurinë edhe te bari i njomë.

Stili i tij poetik “pi ujë” te poezia popullore si te gryka e një burimi ujë kristaltë, që lexuesit i shijon së tepërmi.

Unë do dëshiroja dhe shpresoja që ky burim të poetizonte gjithë “ujin” e mbledhur në “basemin” e përvojës jetësore dhe kulturore të Kristofor Mërkuri, nëpërmjet stilit të tij poetik aq të ngrohtë dhe të të pranuar nga lexuesi, pa qënë nevoja për “amballazhim” nëpër shishe plastike. Shijon shumë uji kur e pi direkt te burimi.


Sarandë, më 13.05.2022

27 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page