top of page

PËR PARADOKSET E FATEVE NJERËZORE


SHPENDI TOPOLLAJ


RAMAZAN HUSHI PËR PARADOKSET E FATEVE NJERËZORE

(Rreth librit “Në orë hartimit”)


Kavaja përherë ka nxjerrë njerëz të shquar që janë bërë të njohur anë e kënd Shqipërisë. Midis tyre ka shkencëtarë, mjekë, arsimtarë, ushtarakë, sportistë, artistë e shkrimtarë, vepra e të cilëve na bën nder të gjithëve. Për shumë nga ata më ka rastisur ta them fjalën time. Por sot do të ndalem te një tjetër prej tyre, shkrimtari Ramazan Hushi, autor i disa librave, kryesisht me tregime humoristike. Dhe pikërisht këtë humor të hollë e të mençur e gjeta me bollëk te libri i tij “Në orën e hartimit”, të cilin ma rekomandoi duke ma lëvduar, miku im, kritiku Fatmir Minguli. Dhe kishte pasur plotësisht të drejtë; pasi kisha kohë që nuk kisha qeshur kaq shumë duke lexuar një libër. Autori librin e ka quajtur roman. Në pamje të parë aty gjejmë njëzetekatër tregime të mirëfillta, njëri më i bukur se tjetri. Pra, për secilin nga tridhjetë nxënësit e klasës, mësuesi - autor, ka shkruar një të tillë. Dhe pavarësisht se ata në jetë kanë ndjekur rrugë të ndryshme, pra të ndryshme i kanë pasur edhe fatet e tyre, përsëri. duke dalë nga i njëjti realitet, pra nga e njëjta klasë, ku i mësonin të njëjtit mësues, dhe vinin nga i njëjti qytet, ku sundonte i njëjti mentalitet, e njëjta skamje edhe në familjet nga vinin, të njëjtat kufizime dhe të njëjtat detyrime, dhe këtu po të shtojmë edhe të njëjtën dashuri dhe synim për të fantazuar perspektivën e tyre nga mësuesi - shkrimtar, atëherë nuk ka pse të mos e pranojmë se ky libër me të drejtë është quajtur roman. Madje do të shtoja se kompozimi i tij është diçka krejt origjinale dhe e pandeshur më parë. Fundja, të gjithë protagonistët, tani të rritur, i bashkon po ai qytet ku ata kanë ngritur familjet e tyre, kështu që edhe pse në pozicione të ndryshme, ata punojnë në të, takohen e përshëndeten si shokë të vjetër shkolle, pra fëmijërie. Mësuesi nuk kufizohet vetëm te detyra e tij si mësimdhënës; ai paraqitet si një psikolog që vrojton të sotmen e nxënësve të tij, paraqitjen, temperamentin, përparimin në mësime, zgjuarsinë, prejardhjen, dëshirat, ëndrrat se ç`duan të bëhen kur të rriten dhe i ballafaqon ato me realitetin ku i ka përplasur jeta më pas. Ai i sheh me vëmendje ata teksa shpjegon, dhe sidomos në orë hartimit, ku përpiqet t`i deshifrojë ato fytyra të dashura, dhe përpiqet të përcaktojë se a do realizohen parashikimet për ta. Se ata, nga ana e tyre, në hartim mund të përfytyrojnë e bëjnë me fantazi mrekullira. Se aty nuk ka asnjë, shkruan autori, që të shkruaj se do të bëhet vjedhës apo mashtrues. Ndaj dhe ai pohon: “Gjithmonë orët e hartimt i kam vlerësuar e i kam përjetuar me një interes të veçantë, duke provuar një lloj shetësimi të brendshëm, për të lexuar në heshtje, veç fletëve të tyre të shkruara, edhe botën e tyre të brendshme”. Ja Ibrushi, nxënësi i bangës së tretë; i ka shumë qejf librat, por kur rritet e bëhet biznesmen, jo se i përbuz ata, për më tepër e pasuron gjithmonë bibliotekën, por nuk e lënë hallet e biznesit dhe takimet me politikanë e deputetë. Kështu që zbulon metodën se duke lexuar vetëm disa rreshta prej tyre, e zë gjumi, gjë që nuk e bëjnë as ilaçet që jepen për këtë punë. Berti, ai djali inteligjent, me dëshirën për t`u bërë futbollist, përfundon bufist dhe revoltohet sa e përzë nga klubi, klientin e pafytyrë që duke qenë hetues i pashpirt e kishte torturuar mizorisht ngaqë i qe bashkuar thirrjeve Liri - Demokraci, aq sa e kishte detyruar të pinte urinën e tij. Por ai nga ana e tij, pasi lëkundet, nuk hakmerret, duke ja hedhur pështymën në kafe. Tjetri është sherrxhiu Toni që e quajnë me emrin e banditit të famshëm, Toni Montana. Ai u bë tmerri i qytetit të cilit të gjithë ia kishin frikën. Bridhte me veturë luksoze dhe armë në dorë. Por e dini si përfundoi? Nuk do ta besoni; e vrau një pesëvjeçar që luante me një pistoletë, kur kishte shkuar në kopsht për të marrë të birin. Hutaqi Sabri, djali i një gruaje me emër të keq, bëhet një mashtrues që si gjendej shoku dhe fill pas gotës së tretë thërriste: - Vdekshin të gjithë pijanecët në botë e mbetsha vetëm unë! Dhe pastaj mburret se është i poshtër. Po ta quaj ndokush të mirë, ofendohet e revoltohet. Nxënësi rom Malush përfundon varrmihës dhe kur nuk ka punë shkon në pijetoren ku mblidhen pleqtë dhe u drejtohet atyre me pyetjen se kush e ka radhën. Dhe ata të gjorët nuk dinë ku të futen, pasi fillojnë të besojnë se ai është vërtetë Xhebrail Emini. Quksi i shëmtuar Ferat Goxhaj që duket sikur ka dalë nga një laraskë klloçkë me vezë dhe që i gënjen në shtëpi se merr vetëm dhjeta, ai që në hartim shkruan se dajua i tij kishte marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit, në Luftën e Shkodrës dhe në Shpalljen e Pavarësisë, paçka se në këtë të fundit, ishte veç shtatë vjeç, bëhet mësues dhe gjen mënyrën të bëhet edhe historian i qytetit, pasi kishte shkruan një medemek monografie për gjyshin e kryetarit të Bashkisë që na paskej qenë hero i heshtur. Fatmiri, me emër të bukur, kthehet në një lloj manjaku të ndershëm që shkon rregullisht e falet në xhami pesë herë në ditë, por që për ndokënd që gabon dhe thotë ndonjë fjalë jo të mirë, në shenjë pendese, pickon barkun e tij që i bëhet mavi. Ky tip është i dënuar të jetë i ndershmi i qytetit. Sihana, vajza e vetme në familje që sillet mirë e me guxim dhe preferon të vishet bukur, kur rritet i vdes burri në një aksident dhe e lë me një vajzë. Ajo mban zi, por kur sheh se kjo nuk ka kuptim të vazhdojë tërë jetën, heq rrobat e zeza. Por mentaliteti i mykur i qytetit e përgojon, dhe disa shtyhen më tej, duke e quajtur ose të çmendur, ose të përdalë. Dembel në klasë, dembel mbetet Kapllani edhe kur bëhet kryetar Bashkie. Ai, mbyllet në zyrë dhe sheh ëndrra. Në ato ëndrra ai i zgjidh gjithë hallet e njerëzve dhe të vetë qytetit. Dhe nga fakti se a shihnin ëndrra, ai përcaktonte çdo kandidat për punonjës administrate. Dhe me këtë situatë bashkohet edhe ekipi i kontrollit që vjen nga lart. Ata konkludojnë se “në gjumë si duket e drejton për bukuri këtë qytet”. Po pesë “artistët” e klasës si e kanë pasur fatin? Ja shiheni: duke shitur pranë asaj plakës te tregu fshatar, pikturat, muzikën, humorin, gazetat e librat e tyre që edhe kur dikush ua blen, si qepët, spinaqin, preshët, lakrat e patatet, i marrin, si fjala vjen ajo plaka që i dhimbsen “artistët” se e do një libër për kausha speci, apo ajo gruaja që i duhen gazetat për të shtrur dyshemenë, se do lyente kuzhinën. Muhamedi që vjen nga një familje muslimanësh fanatikë dhe që dinte ca sure përmendësh, vërtetë bëhet hoxhë efendi kur rritet, por i duhet të lavdërojë edhe të ligun kur vdes. Me vete ai mendon të kundërtën e asaj që thotë me zë: “Me vdekjen e këtij katili, shoqëria shpëtoi nga një dallkauk shpirtkatran, miqtë e tij shpëtuan nga një intrigant pa skrupuj, kurse familja e të afërmit e tij nga një horr që nuk i gjendej shoku! U shoftë e u harroftë emri i tij! Amin!” Perla me sytë e shkruar dhe që bukurinë e saj nuk do mund ta riprodhonin as piktorët dhe që e duan dhe e përkëdhelin të gjithë mësuesit, kur rritet shet lule te dera e varrezave. Por i duket se po gabon e po bën mëkat duke jetuar me fitimet e vdekjes, ndaj loton e kërkon ta lërë atë zanat. Por dikush i thotë: “Ti je një grua e mrekullueshme… mos e mundo veten kot. Sepse kështu është ndërtuar jeta jonë, që e mira s`jeton dot pa të keqen, po as e keqja nuk jeton dot pa të mirën. Jeta ka ligjet e saj e këto ligje shpeshherë janë të ashpra…” dhe zë e i rendit se ç`do të bënin varrmihësit, zdrukthtarët, doktorët, farmacistët, psikologët, gjyqtarët, avokatët, policët etj. pa vdekje, sëmundje, padrejtësi, krime e vjedhje. Me se do t`i ushqenin ata familjet e tyre? Por më me fat është ajo vajza rome ulur në krah të Perlës, e cila shkëlqen në mësime dhe arrin të bëhet mjeke e nderuar. Mjeke që zgjedh të shërbejë në lagjen e romëve, të cilët e duan dhe e nderojnë aqsa kur ajo fejohet e martohet me një djalë nga Tirana, nuk duan ta lënë të largohet. Por doktor bëhet edhe Afrimi, ai djali dinak që dukej si qullash dhe që pasi transferohet nga fshati në qytet, gjatë vizitës gjinekologjike e trondit mikun e tij, duke i thënë se gruaja ka në bark një fëmijë me dy kokë. Dhe kur ajo shkon në Tiranë, lind dy binjakë të bukur me peshë normale. Kulmi arrin me Fatmën me të cilën natyra qe treguar e kursyer. Por kur rritet i del fati fare papritur, pasi nusja e bukur e djalit të Emin Bukovës ditën e dasmës ikën me të dashurin dhe ky për të mos u turpëruar para dasmorëve dhe fshatit, shkon te miku i tij, babai i Fatmës dhe i kërkon dorën e të bijës, për ta marrë të veshur nuse po atë ditë. Dhe të gjithë e quajtën një ogur të mirë për gjithë fshatin ardhjen e nuses së bukur mbuluar me duvak që s`ishte tjetër veç Fatma e shëmtuar dhe çalamane. Të dhimbset nxënësi më i mirë i klasës Rrema shpirtbardhë, ai tek i cili të gjithë kopjonin detyrat, kur sheh që përfundon karrocier. Është aq i mirë karrocieri Rremë, sa një herë, kur pa se kali ishte sëmurë, vihet vetë në vend të tij për të tërhequr karrocën. Kurse shoku i tij Bardhi që nuk ishte si ai, kishte marrë diplomë dhe i thotë Rremës miqësisht: “Se ti budalla ke qenë gjithmonë. Edhe në shkollë po kështu ishe, kalë karroce, nuk ke ndryshuar fare! I çiltër, i pastër në shpirt, me zemër të madhe! E çfarë fitove nga të gjitha këto?! Çfarë përfitimi pate? Asgjë. Fukara mbete gjithë jetën, një copë karrocier… sot diploma ha bukë, or vëlla, shkolla. Ja, unë bëj pallë aty në një zyrë të ngrohtë, kurse ty të bije bretku atje në fermë…” Dhe Rrema që përherë e kishte fotografinë në tabelë të nderit, sot është një karrocier i talentuar. Kohë paradoksesh! Po si Bardhi, fjollë i ka shkuar dhe atij skërhellit, Mihalit. Është bërë në jetë drejtor dhe bashkë me vartësit kanë hapur garë se kush vret më shumë miza. Njësoj si ai tjetri, Kapllani që i maste vlerat e të tjerëve nga ëndrrat që shihte. Nuk bije më poshtë edhe Jorgji, ai “Leshteriku” siç e thërrisnin, por që tani ka një pozicion të mirë, avokat në jetë dhe me BMW e tij, shkon e bisedon në varreza me nënën e vdekur, pa harruar që rrugës të shijojë mrekullinë e natyrës, pasi e kishte shpirtin romantik. Aq sa “Kokërdhokët e syve të tij, të dalë më tepër se te njerëzit e tjerë, kur shikonin, fjala vjen një femër të bukur, i dilnin edhe më tepër jashtë lëvozhgës së tyre, gati për t`u shkëputut fare prej andej e për të goditur trupin e objektit tërheqës…” E ëma që nga mermeri i varrit e qorton për prapësitë, por atij nga një vesh i hynë e nga tjetri i dalin porositë e saj. Të vjen keq që Elena e bukur që vjen nga një familje e shkatërruar, përfundon prostitutë. Asaj, “Rastis që ndonjëri prej klientëve nuk ia jep shumën e caktuar, sepse nuk i gjenden nëpër xhepa aq para. Por ajo i thotë me bujari prostitute: - S`ka gjë… Nuk i dua më. Herën tjetër…” Dhe “Fuksi” i klasës, Sokrati, edhe kur rritet i tillë mbeti. Ai e merr Arbër D. që për SHIK - as dhe i lutet ta ndihmojë që të futet në shërbimin e fshehtë, duke iu krenuar se ka qenë me kohë bashkëpunëtor i sigurimit. Dhe i ka hak fjalët e Arbër D. “Ti qenke një bajgë!” Po ja që këto janë tekat e fateve njerëzore: ca mbeten dinjitozë e ca bajga. Dhe shpesh ndodhka që të shohësh aq padrejtësi, sa dashur pa dashur të vinë ndër mend fjalët e themeluesit të shkollës filozofiko - fetare joniane, Pitagorës se “Jeta është një shfaqje, ku njerëzit e liq, zenë vendet më të mira”. Dhe këtë postulat të zgjuar, na e vërteton edhe një herë me librin e tij edhe mësuesi - shkrimtar i nderuar kavajas, Ramazan Hushi.

1 Kommentar


kadritarelli
12. Nov. 2022

Urime Shpendi, qe na sjell shkurt, shume karaktere te gdhendura artistikisht ne nje liber te shkruar nga kavajasi Ramazan Hushi. Urime autorit per te na sjelle libra te till te bukur plot humor.

Gefällt mir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page