Ndalu pak, o udhëtar!
Edhe pyet; çfarë ka ngjarë?
Nuk e ndjen si frynë murlani
Ngjeth e pret si jatagani?
Ç’dhimbje paska Tepelena
E rrethuar me bedena?
Dyqind vjetë, si dyqind thika
Tirret fjala nëpër gryka
Thonë, është kuje, nuk është erë
Dhe vërtitet derë më derë
Ulërima shkund vezirin
Hanko zonja pret të birin
Dhe i lutet Demir Hanit
Mbeti fill në orë të xhanit
Mbrin Aliu, i puth ballin
Flet e vdekura me të gjallin;
-Harram qumështin e gjirit
Në s’ia pret kokën qafirit
Hormovitë na shkelën derën
Kardhiqotë njollosën nderin
Bëhem gjarpër, të prish gjumin
Ta afroj te shtrati lumin...
Shkuli qenërit me themele
Digjua gurët për gërqele
Bëj tërmet, të hapet dheu
Merr ca ditë nga Shënëndreu
Të mbeten pa vënde varri
Të mos mbijë, të thahet bari
Grijua trupin me mëlqinja
Të këndojë qyqja në brinja...
Tek dëgjonte këto lutje
Edhe zoti fshihej tutje
* * *
Hidhet xhindi sipër kalit
Si rrëkeja që rrjedh zallit
Një taborr e ndjek si hije
Shkel në prita pabesie
Mjekrën kreh, siç bënte motit
Ja pikon dërstilë e lotit
Nxjerr pisqollën, i puth buzën
I afron çibukut shpuzën
Dhe mejtohet, fërkon dorën
Cilit “dash” t’ia varë këmborën
Ja një grackë, ja dhe një tjetër
Aliu është ujk i vjetër
Paskëtaj, e dini ç’ndodhi
Valareja tok i mblodhi
Shtatëqind trima preu shpata
Dhe ato foshnjat e ngrata
Si duruan ato nëna?
Kush i qau ato gjëma?
Flok’ i grave palë-palë
I ngarkuar mbi një kalë
Për dyshek të Shanishasë
Prej marazit, jo sevdasë
Që t’i shterej ngashërimi
Ndryshe, lotët si burimi
Vjosa do ia merrte hua
Një ujanë apo një krua
Prandaj ndodh të fryhet lumi
Zgjon Caush Priftin nga gjumi
Tek e pjek Isuf Arapi
E pikon me dhjamë cjapi...
Ndaj, kujdes në Tepelenë
Gjithë ata që besën prenë
U mbytën në pellgje gjaku
I puthi mortja te pragu
* * *
Sheh një yll apo një hënë?
Tepelenën e ka nënë
Aty janë labet e mia
Si bekim nga perëndia
Jo me hapa, po me supe
Ecin edhe bëjnë tutje
Edhe dielli përulet
Mbi nektar të tyre ulet
Që t’ua pijë vesën e syrit
T’ua rrufit ajkën e gjirit
Aty janë zonjat e rënda
Mjerë ai, që i shket këmba
Unë e ndjej kur vjen shtrëngata
Shihni pak malet e larta
Grindet era në bedena
Për një zonjë nga Tepelena
P.S: Duajeni Ali Pashën si shqiptar, urrejeni si monark, po mos harroni, është yni.
Urime per keto vargje te frymezuara bukur!