
Për një Orfe dhe Euridice
Fatmir Terziu
Çdo ditë mund të jetë një dashuri,
përkujtuar nga guri i hedhur në detin e memorjeve.
Çdo ditë me pak dashuri
ka kuptim të vizatuar në kohë,
një histori e lënë pas
nga të gjitha gënjeshtrat që kam njohur ndonjëherë,
në gënjeshtër të së vërtetës,
në grimcat e analogjisë dixhitale të shpirtit tim,
e zgjedhur për një Orfe dhe Euridice
Dashuria është një kujtim.
Çdo ditë mund të jetë një dashuri
se një e tillë e mbyt errësirën.
Një shkëndijë e heshtur
në tokat e shkreta ku digjen stornishtet
kashta bëhet hi
brenda mitit të lashtë të një dite.
Dashuria është një kujtim,
si ajo e një ëndrre të harruar.
Dashuria është një kujtim,
brenda saj është një botë,
ndaj të lë jashtë në të ftohtë.
Dashuria është një kujtim,
zgjidhe me durim
dashuria është …
Një kujtim.
Çdo ditë mund të jetë një dashuri,
nëse e doni të vërtetën,
një fushë beteje, në të cilën unë s'qëndroj vetëm.
Dashuria s'është aksioma e një dite
për një Orfe dhe Euridice!
Comments