PËR NJË LAMTUMIRË ...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 24, 2023
- 6 min read

PËR NJË LAMTUMIRË NË LIDHJEN E SHKRIMTARËVE
Krist Moravia ngrihej netëve zgjuar në ëndërr dhe dilte në rrugë. Përmendej i tëri veç kur arrinte te Lidhja e Shkrimtarëve. Një ditë do ta merrte atë. Një ditë do bëhej i Pari i Saj…
E kishin përjashtuar pa hyrë kurrë atje, dhe më nuk ia zunë ngoje emrin pasi për ca kohë humbi lirinë. Asnjë arsye letrare s’kishte në akuzë, por tërë bisedat e tij me Lidhje e me Shkrimtarë ishin.
Mendimi se mund të bëhej pjesë e tyre, pra të fillonte të shkruante, nisi kur dëgjoi se, në bodrumet e asaj ndërtese pushtuesit e fundit, patën strehuar kuajt e paradave që mbaheshin në bulevardin e këtij kryeqyteti, projektuar si kryeqytet i Ballkanit të ardhshëm.
Krist Moravia, për të përballuar jetën, veç me kujdesie kuajsh ishte marrë, në një fermë në rrethinat e këtij kryeqyteti, deri atë ditë kur kaloi për herë të parë përballë Lidhjes së pas Lufte.
Sekush ia ndryshoi jetën, duke I thënë se, në vend të kuajve të të huajve, atje hynin e dilnin ca çlirimtarë që pasi kishin lënë armët kishin marrë për detyrë të bëheshin edhe shkrimtarë. Pas kësaj, vendosi të hynte edhe ai atje, përse jo?
Nisi të fliste për kësi gjërash edhe me kuajt, te stallat në rrethinat e kryeqytetit, aty e patën dëgjuar, si njeri që e lëshonte gojën, por edhe penën në të shkruarat që e vunë në arrest. Edhe atje brenda, mes mureve, për ndërtesën e shkrimtarëve mendoi: ta merrte një ditë!
Në pritje të lirisë, nëse ajo vërtet ekzistonte, Krist Moravia përfytyronte veten teksa hynte në oborrin e Lidhjes, për të ngjitur shkallët e jashtme, dikush aty nxitonte t’ia hapte portën e madhe, Portën e Rëndë të Artistëve dhe Shkrimtarëve, ai do përkulej fisnikërisht duke hyrë në të, më në fund. Përpara se të ngjiste shkallët e tjera, të brendshmet, s’do humbte rastin për ta hedhur një sy në të djathtë, në sallën e madhe përplot me shkrimtarë dhe kritikë, pa u thënë as edhe një fjalë të vetme do arrinte në katin e dytë. Në fund të korridorit, në të majtë, ishte zyra e Njëshit, të Parit të Shkrimtarëve! Atje do hynte, nëse një ditë ëndrra do i bëhej e vërtetë, përderisa jeta nuk i ishte bërë dot.
Nuk do mërzitej, edhe nëse s’do t’i ndodhte tamam kështu, se ne fund te fundit ashtu I kishte ardhur tërë jeta. Edhe asaj dite, kur i thanë se do dilte nga burgu, pra kur pas pak do ishte I lirë dhe doli nga oborri i burgut. Ndaloi për pak, pa besuar dot që ditën tjetër do mund të kalonte para Lidhjes, i pyeti ata që ia kishin lënë në dorë edhe letrat për amnistinë: Ore…se mos talleni me mua ju?!
Ditën tjetër doli nga ajo ‘strehë vorfnore’, siç e quante me dhembshuri shtëpinë e tij, i larë, i rruar, i kujdesur si princ, në të vërtet siç gjithnjë mbahej, me ato të veshura e të mbathura që kishte. Kësisoj njihej nga tërë ata që e dinin.
Edhe nëse nuk e pranonin dot së shkruarash, binin dakord që ai, Krist Moravia, ishte ndër më të paraqitshmit mes krijuesve. Burrë i pashëm. Përdorte, si pak kush prej kolegeve meshkuj që shkruanin, aromatikë të ndryshëm, krihej e vishej me shije dhe ecjen, prej kalorësi këmbësor e kishte. Kali do t’i ishte Lidhja! Kur ta merrte atë do rrëzëllente si kalorës!
E kishin dëgjuar të gjithë që ai donte ta merrte Lidhjen, por s’ia merrnin seriozisht. Mbase ngaqë e thoshte hapur dëshirën- jo si të tjerë hijeve, mbase edhe nga qe përsëriste se nën drejtimin e tij shkrimtarët, kolegët-siç i quante, së paku do visheshin e mbaheshin shumë më bukur, nëse ai do bëhej Njëshi i Lidhjes!
Meqë në këtë liri që gëzohej prej të shumtëve, të Parët e Lidhjes nuk caktoheshin si më parë, e shtoi edhe ai emrin në listën e rivalëve. Pas shpalljes së votave rezultoi se askush s’kishte votuar për të. As ai vet! E trishtoi ca kjo gjë, jo pse votoi për njërin prej rivalëve, por që asnjëra prej atyre pak femrave që vinin në Lidhje, për të cilat ishte i sigurt se, së paku ato, ia pëlqenin të shkruarat, as ato nuk shkuan ndërmend ta votonin. Dikush që e donte, por s’ishte në Lidhje, ia tha arsyen: atij që kashaiste kuajt, që u hidhte tagji e kashtë të thatë e jonxhë kuajve, vetëm atij nuk do t’ia falnin të dilte në krye të Lidhjes. Vetëm njeriun e kuajve jo. Këtë s'do ta pranonin ata. Thjesht se ai do tu kujtonte pa pra se ajo ndërtesë e kuajve të lidhur kishte qenë… & Krist Moravia vazhdoi ta përkëdhelte ëndrrën e tij, edhe kur u nisë për vizitë në Evropë. Krejt befas, ishte ftuar nga një koleg shkrimtar që, edhe pse ai vet kishte hequr dorë nga të shkruarat, nga shoqëria me shkrimtarët e poetët dhe prej andej larg tallej me Lidhjen e të lidhurit në atë godinë që hangar kuajsh kishte qenë e ashtu do mbetej… Emigranti e priti tërë kënaqësi simpatikun e kuajve të palidhur dhe, pasi ia dëgjoi sërish të njëjtë ëndrrën, që po ajo ishte: të merrte Lidhjen, ia quajti lehtësisht të arritshme.
“Mjaft të çosh në atdheun tonë të dashur një makinë, që do ta jap dikush këtu! Do ta dorëzosh, sapo ta kalosh dogënën tonë, ku do të paraqitet dikush. Vetëm kaq…” Moravia dëgjoi se ai njeriu atje, qe do merrte makinen, do t’i linte në dorë, menjëherë, aq para sa mund tua mbushte mendjen tërë anëtarëve të Lidhjes të votonin për të. Ndërtesa e Lidhjes do bëhej e tija!
Krist Moravia e ngau tërë gëzim atë makinë të bukur që, pas cdo kilometri e kufiri që kalonte, bëhej edhe më e bukur. Edhe patentën të posaçme ia kishin dorëzuar, fringo. Ishte gati të dilte nga dogana e shtetit të fundit të midistë për të hyrë pastaj në trojet e veta, në pritje të etur të asaj që po ndodhte, mendoi se sado e vështirë I kishte qenë jeta, s’mund të thuhej se ai ishte krejt I pa fat. Më në fund ja, edhe të vetmen gjë që ende s’e kishte marrë, Lidhjen, edhe ajo po afrohej, po bëhej gati t’i dorëzohej kalorësit të saj që nuk ishte dorëzuar kurrë së mëtuari…
Në atë doganë midis, e ndalën. I kërkuan të zbriste prej makinës. Kontroll rutinë, i thanë. Madje e ftuan, e lutën të çlodhej në një sallë komode, me divan dhe ekran me ngjyra. Tërë ato ditë në lëvizje të pazakonshme për jetën e bërë, me vizita të pafund në Evropën ku e kishin ftuar, ca si tepër për moshën ku sido si mbërrinte, u mbështet për pak dhe, pa kuptuar, e kishte marrë gjumi. Qetësinë që frynte prej dherave të vendlindjes që afrohej, kishte thithur si narkozë.
U përmend teksa e zgjuan duke e vënë menjëherë në arrest. Përveç Lidhjes, që e kishte mëtuar aq gjatë pa e arritur dot, s’kishte ditur as që në shasinë e makinës që kishte sjellë deri aty, kishin rehatuar një sasi mielli të bardhë...
Sërish në pranga, nuk shkoi ndërmend të kundërshtonte, as të çuditej. Lëvizi mes uniformave krejt i qetë, si kudo, si përherë, me kryet lart. Me bindje edhe më të qartë për fatin e tij, të një ushtari të çarmatosur që kthehej nga beteja më e fundit e njeriut si iluzion të njeriut tjetër që ishte ai vet.
Krist Moravia e pranoi aq menjëhershëm akuzën, sa ekspertët vunë në dyshim: s’mund të ishte aq e vërtetë: “Nuk jam përdorues, kurrë s’i kam bërë këto punë, përveç kësaj here!”
Brenda pak çastesh, me pak fjalë, ua rrëfeu lidhjen e asaj që kishte ëndërruar, me atë që po ndodhte realisht. Konvertimi në euro e asaj lënde, si letra e shkrimit e bardhë, e kapërcente shifrën që duhej për ta bërë nga e para ndërtesën e rrënuar të Lidhjes, pasi ta bënte të vetën! Nuk nxori asnjë emër, doemos as të kolegut që e kishte pritur dhe shoqëruar në Evropë. Atij që e pati përcjellë me këtë makinë, si porosi për tjetrin që do ta priste në doganë. Ai, i bekuari, prandaj edhe nuk ia kishte rrëfyer pakon në shasi, që si me magji do t’ia kthente ëndrrën e përjetshme në realitet.
Ata të doganës e morën për mitoman. Pak orë pasi verifikuan vërtetësinë e kësaj ëndrre ia konfiskuan makinën dhe lëndën komprometuese, por atë e liruan.
Tri muaj më pas, ndërroi jetë. Meqë kësisoj edhe ai ishte i përfolur si ata që bëheshin me pushtet në Lidhje, ia organizuan homazhet atje, në sallën e Lidhjes. Njëshi i radhës aty, për të cilën Krist Moravia kishte votuar, në lamtumirën e rastit, si për mirënjohje shtoi se ëndrra ndaj është qiellore, të mos ndodh kurrë.









Comments